Pavarësisht mungesës së qëndrueshmërisë dhe argumentimit të tezës mbi arnautashët, të promovuar të fundshekullin XIX, megjithatë kjo tezë u përkrah dhe u ngjall edhe nga autorë të mëvonshëm. Kuptohet vetëm me qëllim të justifikimit të dhunës, vrasjeve dhe krimeve ndaj fqinjëve shqiptarë. Njëri prej tyre ishte edhe historiani, por edhe “eksperti” i çështjes së Kosovës, Dushan Batakoviq (1957 – 2019). “Shumë serbë e pranuan islamizimin si një të keqe të domosdoshme, duke pritur momentin kur do të mund të ktheheshin në besimin e të parëve të tyre, por shumë prej tyre nuk jetuan për ta përjetuar atë ditë...Shqiptarizimi filloi atëherë kur serbët e islamizuar, të shpëlarë nga ndjenjat kombëtare filluan të martoheshin me vajza shqiptare”, shkruante ai
Pavarësisht mungesës së qëndrueshmërisë dhe argumentimit të tezës mbi arnautashët, të promovuar të fundshekullin XIX, megjithatë kjo tezë u përkrah dhe u ngjall edhe nga autorë të mëvonshëm. Kuptohet vetëm me qëllim të justifikimit të dhunës, vrasjeve dhe krimeve ndaj fqinjëve shqiptarë.
Shqiptarja me të dashurin e saj serb në kufi
Njëri prej tyre ishte edhe historiani, por edhe “eksperti” i çështjes së Kosovës, Dushan Batakoviq (1957 – 2019). “Shumë serbë e pranuan islamizimin si një të keqe të domosdoshme, duke pritur momentin kur do të mund të ktheheshin në besimin e të parëve të tyre, por shumë prej tyre nuk jetuan për ta përjetuar atë ditë...Shqiptarizimi filloi atëherë kur serbët e islamizuar, të shpëlarë nga ndjenjat kombëtare filluan të martoheshin me vajza shqiptare” – ka shkruar ai. (Po aty, “Poturica” fq. 245). Në të kundërtën e Batakoviqit janë kultura dhe feja serbe në plan të parë, e jo dashuria në të riun serb Janjën që e bindin Fatimen rahovicase për t’ia mbathur për në Serbi. Duke e parë rrezikun që iu kanoste dy të rinjve, serbit të ri i del në ndihmë një shqiptar preshevar që më parë ishte gjetur me të në burg dhe i vetëdijshëm se e keqja vetëm sa nuk ka ndodhur, ai e porosit Janjën: “Këta tanët do ta hanë kokën. Shiko ti dhe kaloje gardhin (kufirin) derisa e ke kokën mbi supe. Lëri punët e rrezikshme, se në këtë botë nuk është vetëm Fatimja (fq. 82)”. Por, nuk përfundon e gjitha këtu, sepse ajo bota e përtejgardhit (Serbia) është vend i kulturës dhe lulëzimit. “Zemrat e tyre u shtrënguan – tani ose kurrë. O në parajsë o në ferr! Janja shikoi përreth me frikë. Fati i buzëqeshi – asnjë shpirt i gjallë askund. Rojat e kufirit, me sa dukej të pushtuara nga gjumi, ishin strehuar nëpër karakollë dhe flinin si flinin!...Kanë mbetur vetëm tridhjetë hapa... këmbët iu drodhën...qëndro vetëm edhe njëzet...pesëmbëdhjetë.... dhjetë. Fatimja u gjunjëzua në tokën serbe, u gjunjëzua dhe ra për të puthur tokën e shenjtë të lirisë dhe vëllazërisë...(fq. 89)”. Kështu e kishin përjetuar kalimin e kufirit midis Serbisë dhe Vilajetit të Kosovës shqiptarja me të dashurin e saj serb.
“Paraja serbe” dhe konvertimi në fenë ortodokse
Ndërkaq këta dy të dashuruar ia kishin arritur qëllimit të tyre, Bajram Miratoca kishte rënë në hall, sepse assesi nuk po ia dilte që ta shkëpuste nga kthetrat e priftërinjve të Kumanovës të dashurën e tij Zllatën. Madje, ai kishte kërkuar ndihmë edhe në fshatin fqinj shqiptar të Tërnavës dhe familjarë e miq të tij i ishin përgjigjur ftesës së Bajramit dhe tani e prisnin çastin se kur do të niseshin për ta sjellë Zllatën në Miratoc. Por, e gjithë kjo përpjekje e Bajramit dhe shqiptarëve të tjerë që ishin të gatshëm t’i dilnin në përkrahje atij në atë kohë, por edhe më vonë, sa herë që e ka kërkuar nevoja është interpretuar si manifestim i “fanatizmit fetar të shqiptarëve”. Fjalët që i shkojnë për shtat doktrinës së tillë nacionaliste, autori Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac, madje në novelën e tij i ka thënë me gojën e Fatime shqiptares: “Këtu është parajsa, lumturia është këtu. Gjithçka këtu është e bukur dhe e pastër, çdo gjë është e hapur dhe e hareshme. E jo, si te ne, gjithmonë duhet të fshihesh, nuk guxon t’ia lëshosh sytë askujt!... Oh, sikur ta dinin shoqet e mia jofatlume se sa bukur është këtu – të gjitha do të iknin e nuk do të qëndronin atje si robëresha të parobëruara (fq. 93)”, shprehet Fatimja, pasi bashkë me të dashurin e saj po ktheheshin prej kishës së Vrajës, ku ata e kishin caktuar kohën se kur shqiptarja e re do të konvertohej në fenë ortodokse! Po, cilët ishin fanatikët fetarë luginas në perëndim të shekujve osmanë?
“Ka raste të panumërta kur në shtëpi të serbëve (në viset lindore të Luginës së Preshevës) vijnë shqiptarë apo turq duke sjellë pak kafe, sheqer ose duhan dhe qëndrojnë aty me ditë të tëra. Ndërkaq serbi – i zoti i shtëpisë nuk ka guxim dhe nuk mundet, por bile as që dëshiron që t’i dëbojë ata prej shtëpisë së tij, sepse ai shpreson se mysafiri i paftuar ose do të largohet vetë, ose do të afrojë ‘lehtësira’ në shtëpi. Mirëpo shqiptari apo turku në këtë mënyrë dalëngadalë nisin të mësojnë më tepër për raportet familjare, madje ata nisin të përzihen edhe në marrëdhëniet familjare dhe kur i zoti i shtëpisë i vërsulet bashkëshortes apo së bijës, atëherë këto gra e bija vendosen nën mbrojtjen e agait shqiptar apo turk”, ka shkruar i pezmatuar për sjelljen e serbëve luginas, Jovan Haxhi Vasileviq. (Po aty, Preševska fq. 251).
Por, shqiptarët e Luginës së Preshevës, më konkretisht ata të Rahovicës, lidhur me rastin e bashkëfshatares së tyre mund të akuzoheshin se pse edhe pas pesë shekujsh të pushtetit osman i kishin ngelur besnik zakonit të tyre kanunor, që në rastin konkret lidhej me turpin kolektiv që Fatimja ua kishte shkaktuar atyre, prej asaj dite kur në Rahovicë kishte arritur lajmi se bashkëfshatarja e tyre tanimë gjallë e shëndosh ndodhej në Vrajë.
“Një komisar turk kishte nisur qarkullimin e tij midis Rahovicës, kufirit dhe Vrajës. Në Vrajë nënkonsullit turk prej Shkupit i erdhi porosia që me dëshirë apo me dhunë ta merrte Fatimen dhe t'ia kthente babait të saj. Fisi i Fazlisë (të atit të Fatimes) ishte ngritur nën armë dhe po priste në kufi – dhe nëse atyre nuk iu dorëzohej Fatimja, atëherë ata për rreth zonës së kufirit do t’i vrisnin të gjithë (serbët) të krishterët dhe krishteret e reja (fq. 95)”.
Mirëpo nëse Fatimja kishte arritur ta kalonte “gardhin shqiptaro – serb” pa e çarë kokën për damkën që ua kishte shkaktuar rahovicasve, edhe Zllata kishte sakrifikuar për Bajramin.
“Pas tre muajve, përkundër organizmit të rojës së rreptë, askush nuk kishte besuar se dashuria e Zllatës kishte qenë aq e fuqishme për Bajram Miratocën, saqë ajo një ditë ia kishte dalë t’iu ikte rojave dhe të arrinte në Miratoc”, dëshmonte Jovan Haxhi Vaslijeviq (Po aty Preševska fq. 67).
Fajësia e nacionalizmit
Rrëmujën e fushatës nacionaliste që e kishte përfshirë Luginën e Preshevës në gjysmën e dytë të shekullit XIX, pra kur çfarëdo qoftë ngjarje e jetës së zakonshme midis shqiptarëve dhe serbëve, interpretohej konform rrymave të ndryshme nacionaliste, që në radhë të parë synonin arritjen e realizimit të planeve megalomane, rreth tridhjetë vjet më vonë më së miri e ka sqaruar shkrimtari serb, Borisav Stankoviq (1876-1927).
“Të gjitha fajet qëndrojnë te të keqkuptuarit e nacionalizmit! Atij (nacionalizmi vërej. përkth.) që quhet bullgarofilizëm, serbofilizëm...Për çka? Kujt i shërben kjo?”, pyeste Stankoviq në vitin 1926, pra një vit para se të vdiste. (Branimir Ćosiq, Razgovor sa Borisavom Stankovićem në “Deset pisaca, deset razgovora”, Beograd 1931, fq. 17- 31). Pavarësisht faktit se ky autor nuk shquhet për paraqitjen e imazhit real të shqiptarëve në veprat e tij, që dallon nga modeli tanimë i shabllonizuar i kësaj periudhe, do të kenë qenë përvojat jetësore personale që megjithatë e kanë bërë të rezervuar Stankoviqin që në deklaratën e lartpërmendur në radhën e nacionalistëve të mos i përfshijë edhe “shqiptarët zullumqarë”. Së pari, realisti serb Stankoviq fëmijërinë e hershme e kishte kaluar në fshatin Lluçan të Bujanocit dhe së dyti, sipas një rrëfimi të Haxhi-Vasileviqit, Bora i ri e kishte njohur botën shqiptare dhe raportin e saj me botën femërore, pikërisht përmes trajtimit të grave në atë kohë.
“Rreth vitit 1850, Hanin e Bilaçit e mbante greku Mano, të cilit i vdiq gruaja duke ia lënë një vajzë, por të cilën nuk e duronte dot tani gruaja e dytë e grekut! E mërzitur e bija e Manos u martua në Bilaç ku e pranoi besimin islam. Familja e respektoi bijën e grekut dhe i mbajti gjallë lidhjet me familjarët e nënës, që në fakt ishin dajallarët e brezit të dytë të shkrimtarit, Borisav Stankoviq“. (Po aty “Preševska oblast” fq. 253)”
Por, në qoftë se realisti serb Stankoviqi përpiqej që sadopak t'i përmbahej së vërtetës, opinioni i tij nuk pati aq jehonë, sepse atij nuk iu fal kurrë mosbraktisja e Beogradit në dhjetor të vitit 1914, kur Luftën e Parë Botërore kryeqendra serbe u pushtua prej trupave austriake, prandaj riciklimin e nacionalizmit përmes letërsisë e vazhduan shkrimtarë të tjerë, madje edhe me “famë botërore”. Njëri prej atyre që ishte mahnitur me interpretimin e mendimit dhe besimit popullor të Njegoshit ishte Ivo Andriq (1892 – 1975). Në romanet e këtij autori, si “Omer Pashë Latasi”, “Kronika e Travnikut”, Ura mbi Drin” apo tregimi “Viti i turbullt” manifestohen qartë histeria dhe urrejtja e skajshme ndaj myslimanëve e në veçanti ndaj të konvertuarve.” (Po aty “Poturica”, fq. 236)
Bile për koincidencë kryepersonazhi i romanit të papërfunduar “Omer Pashë Latasi” është prijës ushtarak me famë, që ishte një sllav i konvertuar dhe se, në Luginë të Preshevës ai është i njohur për shuarjen e kryengritjes shqiptare të viteve 1842-1843, kur kryengritësit shqiptarë e pushtuan Vrajën, në luftën kundër Hysen Pashës proserb. Dhe cila ishte gjendja faktike në Luginë të Preshevës në kohën e kësaj fushate të egër nacionaliste, e prirë të manipulojë me të dhëna e shifra të dyshimta.
Pikërisht në kohën e ngjarjeve të vendosjes së kufirit midis Vilajetit të Kosovës dhe Serbisë, në kohën e dashurive të shqiptares Fatimes me serbin Janjën dhe të Zllatës serbe me Bajramin shqiptar, në kazanë e porsaformuar të Preshevës ishte organizuar një ekskursion i nxënësve serbë në manastirin e Shën Prohorit të Pçinjës, aty ku dikur prindër shqiptarë të fshatrave përreth i dërgonin fëmijët e sëmurë për t’u shëruar prej syrit të keq e sëmundjeve të tjera.
“Më 20 nëntor 1896, pas përfundimit të ekskursionit, arsimtarët shkuan tek kajmekami. Ai ishte një zotëri i vërtetë... Një nëpunësi të tillë do t’ia kishin zili edhe shumë vende evropiane...Kemi shumë arsye që të gëzohemi se Kazaja e Preshevës, e cila është në kufi me mbretërinë tonë e ka një drejtues të tillë! Vetëm një nëpunës si kajmekami i Preshevës mund t’ia ngrejë autoritetin atdheut të tij. Në kthim në kufi në Zhbevc, turqit na pranuan shumë mirë. Secili prej nxënësve e mori dhuratë nga një llokum”. (Ljubomir Davidoviq, “Izlet u manastir Sveti Pohor Pčinjski”, në Nastavnik 1, Beograd 1896, fq. 45-48). Atëbotë kajmekami i kazasë së Preshevës ishte Ihsan Beu, ndërsa themelet e pushtetit lokal në Preshevë në vitin 1878, atëherë kur edhe u themelua kazaja, i hodhi Hasan Kudretullah - efendija.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
LEXO EDHE: