Shtojca për Kulturë

“Kisha e sherrit” – dëshmi e provokimeve klero-nacionaliste në malin e Rumisë

Libri “Kisha e sherrit” i Hajrudin S. Mujës – botoi, “Logos-A”, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2014 – ka të bëjë me një situatë të panjohur deri më tash jo vetëm në territorin e Komunës së Tivarit, por edhe më gjerë në Mal të Zi, sepse kemi të bëjmë me vendosjen e objektin metalik në maje të malit të Rumisë. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë ishte i natyrës politike, duke dëshmuar në praktikë intolerancën ortodokse kundrejt grupeve të tjera religjioze, edhe në këtë mjedis multinacional e multikulturor, e vendosur pa leje të organeve komunale në Tivar

Në kuadrin e mërgimtarëve shqiptarë të cilët jetojnë e veprojnë në SHBA, ekzistojnë individë të cilët përveç punës së obliguar, merren edhe me hulumtime e botime të ndryshme. Në këtë kategori të rrallë bën pjesë Hajrudin Muja, i cili deri më tash është prezantuar me botime të ndryshme shkencore e publicistike, të cilat për nga qasja dhe tematika e trajtuar kanë zgjuar interesim tek opinioni i gjerë.

Në vazhdën e botimeve nga H.Muja, kësaj here kemi marrë në shqyrtim librin “Kisha e sherrit”, botuar nga “Logos-A”, në vitin 2014.

Çështja në fjalë ka të bëjë me një situatë të panjohur deri më tash jo vetëm në territorin e Komunës së Tivarit, por edhe më gjerë në Mal të Zi, sepse kemi të bëjmë me vendosjen e objektit metalik në maje të malit të Rumisë. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë ishte i natyrës politike, duke dëshmuar në praktikë intolerancën ortodokse kundrejt grupeve të tjera religjioze, edhe në këtë mjedis multinacional e multikulturor, e vendosur pa leje të organeve komunale në Tivar.

Një veprim i tillë nga Kisha Ortodokse Serbe (KOS), dëshmon se ata janë në shërbim të falsifikimit të historisë përkatësisht të politikës serbomadhe, e cila është duke realizuar objektivin përmes kishës, e që vazhdimisht ka qenë në shërbim të politikës shtetërore serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse kemi të bëjmë me realizimin e programit të Naçertanijës (1844), që është në vazhdimësi nga Kongresi i Berlinit (1878), duke vazhduar deri në kohën tonë me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë. Të gjithë jemi dëshmitarë për rolin e KOS-it në mbështetje të luftës gjenocidale kundër Kroacisë (1991-1995), Bosnjës (1992-1995) dhe Kosovës (1990-1999). Ndonëse në statutin e saj nuk përcakton përmbajtje politike KOS-i, si institucion fetar, si më parë edhe tash është duke luajtur rolin parësor politik, në skenën politike ballkanike, ekskluzivisht për interesa të politikës ekspansioniste serbe.

Në këtë aspekt në sulm ishin si më parë edhe tash viset shqiptare, ku mali i Rumisë, përkatësisht krahina etnografike e Krajës, së bashku me ujdhesat e liqenit të Shkodrës, ishin në shënjestër të politikës klerikale serbe. Kujtojmë këtu, më parë kolonizimin e ujdhesave në liqenin e Shkodrës me personel ortodoks, si dhe ndërtimin e objekteve sarkale, vizitat e përvitshme jo vetëm klerikale me 3 qershor të kisha Shën Mërisë në Ostros, e së fundi edhe vendosja e objektit metalik në Rumi, dëshmojnë strategjinë kishtare e politikës serbomadhe. Nuk ka dilemë se organizimi i ceremonive fetare nga KOS-i, nga viti 1990 e më pas është provokim për shqiptarët si popullsi autoktone, me qëllim për të nxitur reagime dhe konfrontime me prapavijë politike.

Image
Punimet në kishë, në Rumi, më 2018

Kisha metalike u vendos më 18 qershor 2005, në saje të financimit të KOS-it si dhe ndihmën e helikopterëve ushtarakë “Mi-8” të ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi, me bekimin e pushtetit malazias. Një veprim i tillë kishte mbështetjen direkte të partive politike serbe, të cilat ishin të pranishëm në vendosjen e saj në Rumi. Dhe nga ajo kohë kemi ndarjen e pikëpamjeve në lidhje me këtë objekt metalik, ku përfaqësuesit e KOS-it e quajnë kishë, ndërsa të tjerët objekt i llamarinës, e cila është provokim i hapur për qytetarët e këtij mjedisi.

Edhe pse më herët pushteti qeveritar ka marrë vendime për ta larguar atë objekt nga Rumia, sepse është i paligjshëm, ilegal dhe me pasoja politike për popullsinë e këtij mjedisi, deri më tash konkretisht nuk është zhvendosur nga aty. Deri, kur do të tolerohet një veprim i tillë, mbetet për të parë, por përgjegjësia direkte bie mbi pushtetin, sepse nuk është duke realizuar në praktikë obligimet dhe vendimet ligjore. Çdo hezitim në këtë aspekt del qartë mosgatishmërinë e pushtetit për të vepruar, apo ndoshta kemi të bëjmë me ndonjë miratim të heshtur ndaj këtij veprimi të KOS-it, që është duke u sjellë sikur shteti në shtet.

Te shqiptarët një veprim i tillë ka irrituar opinionin, ku kanë reaguar subjektet politike dhe individë të ndryshëm, sepse Rumija për shqiptarët është mal i veçantë, që bën pjesë në traditën popullore shqiptare. Ajo në të kaluarën ishte vend pelegrinazhi për shqiptarët, por edhe të përfaqësuesve të konfesioneve të tjera, duke mbetur pjesë e vetëdijes së popullit në këtë mjedis. Çdo tentim për ta ndryshuar traditën, përkatësisht vendosjen e një objekti metalik identik me kishë, e atë përmes një subjekti kishtar serb, del qartë strategjia e politikës serbomadhe që KOS-i ka qenë në shërbim të vazhdueshëm të politikës ekspansioniste serbe në Ballkan.

Duhet cekur me këtë rast se më herët në Rumi nuk ka pasur kishë, që dëshmohet edhe nga harta e vitit 1571, ndërsa çdo tentim për të eliminuar të dhënat shkencore në këtë aspekt, nga përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe, janë të pabaza dhe irrituese për opinionin e gjerë, sepse ka kaluar koha e manipulimeve, sepse çdo gjë është transparente për të gjithë ata që duan ta kuptojnë realitetin në këtë mjedis.

Dhe në fund duhet falënderuar autorin, i cili trajtoi një temë të veçantë me përkushtim, që është botimi i vetëm deri më tash në gjuhën shqipe. Ndonëse kemi të bëjmë me një çështje e cila ka marrë përmasat e politizimit, dhe me pasoja për qytetarët e mjedisit përkatës, autori nuk spekulon, por ka konsultuar një literaturë shumëdimensionale, duke ofruar përfundime të qëndrueshme. Një libër i tillë meriton të përkthehet edhe në gjuhët sllave, si malazeze apo serbe, sepse kemi të bëjmë më një çështje të politizuar që është në kundërshtim mbi parimet e tolerancës qytetare e asaj fetare dhe të demokracisë si kudo në botën e qytetëruar.

Image
Një libër i tillë meriton të përkthehet edhe në gjuhët sllave, si malazeze apo serbe, sepse kemi të bëjmë me një çështje të politizuar që është në kundërshtim me parimet e tolerancës qytetare e asaj fetare dhe të demokracisë