Prizreni si qendër peshkopale përmendet pas luftërave të gjata çliruese të perandorit bizantin Basili II kundër Samuilit, perandorit të bullgarëve, të cilin e mundi në vitin 1014, ndërkaq në vitin 1018 në Sigjilin lëshuar të gjitha peshkopatave të rithemeluara me qendër në Arqipeshkvin ortodokse-bizantine të Ohrit listohet edhe “επισχοπον Πρισδριανων” (peshkopata e Prizrenit), e cila në gjirin e vet kishte krahinën e Hvosnës dhe Leskovcit, që shtrihej me gjasë deri në Serbinë jugore. Selia e kësaj peshkopate ishte në vetë Kishën e Shën Premtës, e cila zhvilloi aktivitetin fetar nga shekulli V e deri në fund të shekullit XIII, kur Kosova përfundimisht u pushtua nga Stefan Millutini II
Pas filleve të krishterimit, religjionit botëror nga antikiteti në Jude, Shën Pali apostull i profetit Jezu (Isus) mori misionin për ta përhapur fenë e re në territoret e tjera të Perandorisë Romake. Me këtë rast, pas misionit të suksesshëm ku arriti të prekë tokën e Ilirisë, deklaron: “E përhapa fenë e Krishtit nga Jerusalemi deri në Iliri!”
Dardanët në këtë kohë veçse kishin filluar ta pranonin fenë e parë monoteiste, kur në shekullin e dytë lajmërohen në analet historike martirët e parë dardanë nga Ulpiana – Shën Flori dhe Lauri – të mbytur nga autoritetet romake të asaj kohe. Zyrtarizimi i fesë krishtere në vitin 313 nga perandori romak me origjinë dardane, Konstantini i Madh, shënon një etapë të re në historinë evropiane e në veçanti për Gadishullin Ilirik, ku do të jetë bastioni i krishterimit në shekujt e parë të antikitetit të vonë e për tërë mesjetën.
Organizimi kishtar në Dardani njohu ndërtimin dhe hierarkinë e parë të kishave e ndër to duhet të ketë qenë edhe Ipeshkvnia e Prizrenit. Kështu, në “Acta et Diplomata res Albaniae...” (1913) figuron letra e Papa Leonit I dërguar ipeshkvive në provincën e Epirit të Ri në vitin 458, me ç’rast është inkuadruar edhe “Paulus episcopus Prinatenus”: Pali ipeshkvi i Prizrenit??! Në lidhje me këtë emër-qyteti “Prinatenus” kanë hamendësuar vetë botuesit e këtij vëllimi Jireçek, Thaloczy e Shufllaj.
Në bazë të veprës “De Aedeficis” të Prokopit të Cezares, e cila flet “Mbi ndërtimet” që i bëri perandori Justinian I (527-565) pas tërmetit 518 në listën e provincës së Dardanisë figurojnë dy qytete: Priscupera dhe Petrizen, të dy këta emra të lakuar nga albanologu Edward Spencer mbi Prizrenin, ndërkaq në listën e dy provincave, Epirit të Ri dhe të Vjetër, “Prinatenus” nuk përmendet fare, për çka mendoj se duhet të bëhet fjalë për Prizrenin.
Dyndja e sllavëve dhe avarëve gjatë shekujve VI-VII sigurisht që la gjurmë të shkatërrimeve, por që fatmirësisht në territorin e Dardanisë nuk la pasoja. Kisha dardane do të përmendet herë pas here deri në fund të shekullit IX, respektivisht në vitet 860-878 nën varësinë e Arqipeshkvnisë së Selanikut. Pushtimi bullgar dhe përvetësimi i kishave e tronditi Selinë e Shenjtë, e cila akuzoi mbretin bullgar Mihajl për shtrirjen e paligjshme mbi kishat ilirike, të cilat tani i përgjigjeshin Patrikanës së Konstantinopojës.
Kisha e Shën Premtës në Prizren
Prizreni si qendër peshkopale përmendet pas luftërave të gjata çliruese të perandorit bizantin Basili II kundër Samuilit, perandorit të bullgarëve, të cilin e mundi në vitin 1014, ndërkaq në vitin 1018 në Sigjilin lëshuar të gjitha peshkopatave të rithemeluara me qendër në Arqipeshkvin ortodokse-bizantine të Ohrit listohet edhe “επισχοπον Πρισδριανων” (peshkopata e Prizrenit), e cila në gjirin e vet kishte krahinën e Hvosnës dhe Leskovcit, që shtrihej me gjasë deri në Serbinë jugore.
Selia e kësaj peshkopate ishte në vetë Kishën e Shën Premtës, e cila zhvilloi aktivitetin fetar nga shekulli V e deri në fund të shekullit XIII, kur Kosova përfundimisht u pushtua nga Stefan Millutini II dhe për shkak se ishte shkatërruar nga luftërat bizantino-serbe u restaurua në vitin 1307 nga arkitektët Nikolla dhe Astrapa, të cilët vinin nga Despotati i Epirit, ndërkaq kisha iu kushtua Shën Mërisë (Bogorodica Ljeviška) për të krijuar një identitet të ri serb, por ja që memoria kolektive e banorëve i kishte qëndruar emrit të vjetër, pra të Shën Premtës.
Kur jemi te banorët, duhet të spikatim se në bazë të dokumenteve të kohës popullsia e Prizrenit ishte e përbërë rëndom me arbër, vlleh dhe me serbë të ardhur tek me pushtuesin e ri nemanjidas si vali i emigrimit ushtarak-politik të asaj kohe në shekullin XIII.
Ndërtim mbi themelet e faltores pagane dardane
Sipas studiuesit Nenadoviq, në monografinë e tij “Bogorodica Ljeviška” (1963) vihet në përfundim se kjo kishë nuk ishte ngritur në kohën serbe dhe as në atë bizantine. Ajo ishte edhe më e vjetër, pra në studimin e themeleve të saj në bazë të gjetjeve arkeologjike rezulton se kjo kishë është ndërtuar në themelet e një faltoreje pagane dardane, për të cilën arkeologia, dr. Edi Shukriu konkludon se ajo ishte hyjnesha vendase Prena apo Prema e lidhur ngushtë me ditën e Premte, me lutjet e së premtes, ndërkaq Robert Elsie thotë se kulti i saj i ka gjurmët te Venusi Afërdita/Αφροδιτεσ, hyjnesha e bukurisë dhe pjellorisë. Faltorja në fjalë u shndërrua në kishë pas zyrtarizimit të fesë krishtere duke iu kushtuar kësaj hyjneshe tanimë Shën Premta, në gjuhën sllave Sveta Petka, në latine Sancta Veneranda etj.
Arkeologia e ndjerë, profesoresha jonë dr. Edi Shukriu në bazë të hulumtimeve të saj rezulton se Kisha e Shën Premtës ka kaluar në 7 faza historike: 1. Para-romake (faltore dardane), 2. Romake, 3. Antika e vonë (shndërrimi i faltores pagane në kishë), 4. Periudha bizantine, shekulli V-XIII dhe 5. Pushtimi serb (restaurimi i saj në vitin 1307 nga Millutini II), 6. Shndërrimi i saj në xhami në shekullin XVIII dhe 7. Rikthimi i saj në gjendjen e mëparshme mesjetare në vitin 1912 pas pushtimit brutal-shovinist serb të Prizrenit.

Instrumentalizimi politik dhe kulturor i kishave në Kosovë
Pas djegies së kishave në vitin 2004, në rrethin akademik serb e ndërkombëtar ato u cilësuan për fat të keq si kisha serbe, si manastiret po ashtu edhe kjo kishë u listua në listën speciale të monumenteve mesjetare serbe për mbrojtje nga UNESCO-ja.
vitin 2007 ribotohet në Beograd për të tretën herë monografia “Bogorodica Ljeviška” e vitit 1975 e dy autoreve serbe Draga Paniq dhe Gordana Babiq. faqen e parë të këtij libri botohet shkrimi i peshkopit serb Artemije, i cili, ndër të tjera, kur flet për dëmet në kisha përdor në apelativ “od strane šiptarskih zločinaca i ekstremista” (nga ana e kriminelëve dhe ekstremistëve šiptarë). Retorika përbuzëse e peshkopit tendencioz në një libër shkencor reflekton shembullin e paraardhësve të tij, por edhe përçim në gjeneratat e reja serbe.
Në prag të Krishtlindjeve katolike në qytetin e Prizrenit, në “Kino Lumbardhi”, u promovua libri “Sjellur më pranë njerëzve – Afreskat e Shën Premtës”, i botuar nga fondacioni “Lumbardhi” dhe redaktuar nga Sezgin Boynik, që rrjedh nga një tekst origjinal i Otto Bihajli-Merin nga viti 1953 dhe restaurimi e kopjet afreskeve të bëra nga Zdenka dhe Branislav Živković rreth së njëjtës periudhë. Ato lidhen me afresket e Shën Premtes, (një kishë ortodokse e shekullit XII në Prizren), pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Pjesë e panelit promovues ishin Jelena Vesiq me temën “Parafytyrimet socialiste të artit mesjetar: Analizë e vështrimit të Otto Bihajli-Merin për afresket e Shën Premtës” dhe Shkëlzen Maliqi me temën “Përsëritja si kategori estetike”.
Autorët dhe promovuesit e këtij libri në bazë të të dhënave në faqet e rrjeteve sociale thonë se kjo është “një kishë ortodokse e shek. XIII!” Këtu qëndron paradoksi shkencor pasi që kronologjia e këtij monumenti, si kishë në veçanti, shkon në shekujt V-VI, fakt të cilin studiuesit e lartcekur të viteve ’60-70 e kanë argumentuar me faktografi arkeologjike dhe ikonografike.
Në përshkrimin e OJQ-së “Lumbardhi” shkruan se qëndrimet e panelit nuk janë përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës në Kosovë. Pyetja është kush kujt po ia hedh topin?! Si mund të financohet një monografi, e cila prezanton tezat tendencioze të kohës së Qosiqit të panelit në fjalë? A bie ndesh kjo me deklaratat dhe programin kulturor shtetëror të Republikës së Kosovës? Po ashtu çfarë luksi kemi të bëhemi “kozmopolitanë”? në kohën kur para pak kohësh veç patëm një episod sulmi të organizuar nga paramilitarët serbë përmes Manastirit të Banjskës me direktiva nga Akademia e Beogradit, me bazë Memorandumin famëkeq të vitit 1986. E kur i shikon fotot e publikut në faqen e organizatës në fjalë, të bie ndërmend lutja e profetit Jezu Krishti: “Fali o Zot, se nuk e dinë! (Athua se nuk e dinë?!?).
Autori është bizantolog, studiues i mesjetës, kandidat i doktoratës në Universitetin e Zagrebit)
LEXO EDHE: