E ndërtuar në truall të kampusit universitar në një periudhë të errët, ajo më tepër sesa besimin, përfaqëson dhunën dhe mizorinë e një pushteti që po terrorizonte shumicën joserbe. Në ceremoninë e hapjes së themeleve të saj, në vitin 1992, krah priftërinjve ortodoksë mund të shihet edhe krimineli famëkeq Arkan, e përreth, njerëz që gjuajnë me armë. Jo fort pamje të lavdishme, për një shtëpi Zoti
Është në Prishtinë një kishë ortodokse e papërfunduar, e vendosur në kampusin e Universitetit të Prishtinës, të cilën shqiptarët e quajnë “kisha e Millosheviqit”. E gurthemelosur në vitin 1992, ajo s’arriti të përfundohej asnjëherë, e tani ka ngelur aty dhe duket shëmtuar.
Si student, e mbaj mend se si në vitin 1998, në kohën e luftës, ndërtuesit punonin me kapacitete të shtuara, thjesht donin t’ia vinin kryqin një orë e më parë. Se thuajse kryqi do t’u vinte kapak e zgjidhje krejt problemeve të tjera, edhe luftës që kishte nisur, edhe bombave të NATO-s që priteshin të binin.
Ka pasur përpjekje nga Kisha Ortodokse Serbe që ta funksionalizojë atë kishë, madje para ca kohësh në të, gati si vjedhurazi, është mbajtur edhe një liturgji, megjithatë, kthimi i saj në një tempull të njëmendtë religjioz, i qasshëm për besimtarët ortodoks, nuk ka ndodhur. Për shumë arsye, por mbi të gjitha sepse, ajo megjithatë, ngelet një kishë politike, e nisur jo për t’i shërbyer komunitetit ortodoks, por për të treguar dominimin serb (edhe religjioz) në Kosovë. E ndërtuar në truall të kampusit universitar, në një periudhë të errët, ajo më tepër sesa besimin, përfaqëson dhunën dhe mizorinë e një pushteti që po terrorizonte shumicën joserbe. Në ceremoninë e hapjes së themeleve të saj, në vitin 1992, krah priftërinjve ortodoksë mund të shihet edhe krimineli famëkeq, Arkan, e përreth, njerëz që gjuajnë me armë. Jo fort pamje të lavdishme, për një shtëpi Zoti, duhet ta pranojmë. Menjëherë pas përfundimit të luftës ka pasur së paku një përpjekje të pasuksesshme terroriste për ta çuar në ajër. Cinikët asokohe thoshin me humor: “Nuk duhet t’u lihet dinamiti në duar amatorëve”.
Krejt këto mbi 20 vjet, ka pasur shumë ide se çka të bëhet me të. Kisha Ortodokse Serbe natyrisht dëshiron ta rivitalizojë dhe ta bëjë të qasshme për besimtarët ortodoksë (të cilët vështirë se gjenden në Prishtinë), por kjo duket diçka jorealiste. Shqiptarët kryesisht mendojnë që ajo duhet ose të shembet ose të ngelet ashtu siç është, në shëmtinë e saj, e mbuluar nga ferrat, si dëshmi e një epoke të errët sundimi serb në Kosovë.
Ka natyrisht edhe ide të tjera, më kreative, si, ta zëmë, që ajo të shndërrohet në qendër kulturore. Dhe unë mendoj që kjo është një ide shumë e mirë. Ose mund të shndërrohet në teatër, në modelin e teatrit “Bitef” në Beograd. Në këtë mënyrë objekti ruhet nga shembja dhe funksionalizohet për t’u shërbyer qytetarëve. Ndoshta mund të jetë teatër me dedikim ekskluzivisht multikulturor, që u krijon hapësirë edhe ngjarjeve kulturore të komuniteteve pakicë në Kosovë. Dhe kështu, nga një objekt që krijon ndasi, shndërrohet në një hapësirë që bashkon njerëzit! Mbase!
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit
Botohet në shqip me leje të autorit