Për 15 orë të tëra, grafisti Shyqri Nimani ka arritur që shkronjat e Deklaratës që Kosovën e bëri Republikë t’i radhisë në pergamenë. “Deklarata e Pavarësisë” pritet të vendoset në Muzeun e Kosovës, ndërkohë që një vitrinë speciale për të tanimë është siguruar
Prishtinë, 18 shkurt 2008 – Vetëm 15 minuta para orës 15:00, në kohën kur Deklarata e Pavarësisë së Kosovës duhej të ishte gati në tavolinën e Kuvendit të Kosovës, grafisti Shyqri Nimani ka shkruar shkronjën e fundit të Deklaratës. Ajo është shkruar në një material të veçantë, në të cilin grafisti Nimani, për më shumë se 15 orë, ka “kalitur”, shkronjat e dokumentit të Pavarësisë së Kosovës. Kaligrafimin e saj, Nimani e ka bërë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, ngase ashtu ishte kërkuar.
“Çdo herë kur krijohet një vepër e tillë, e cila ka rëndësi politike, tekniko-teknologjike dhe estetike, ka shumë vështirësi”, e nis rrëfimin Nimani. Teksti të cilin do ta shkruante, Nimanit i është dhënë vetëm një ditë para se të shpallej Pavarësia dhe atë në 21 e 30 minuta të mbrëmjes. Ai kishte qenë personi i shtatë që kishte lexuar tekstin e Deklaratës, ndërkaq duhej shumë shpejt që të njëjtin ta parafytyronte në faqet e pergamenës. Me të njëjtin kaligraf, 109 deputetë të Kuvendit të Kosovës të dielën kanë vënë firmën në dokumentin i cili Kosovën e bën Republikë.
Kaligrafia e Deklaratës
“Pergamena është lëkurë dhe në të punohet me ngjyra që kanë konsistencë”, thotë Nimani, duke shtuar se një material i tillë përdorej para se Guttenbergu në fundshekullin XV të zbulonte shkrimin lëvizës.
“Edhe sot e kësaj dite ka manuskripte që janë të 2 mijë vjet të vjetra”, thotë Nimani. Në fillim ai kishte kërkuar 3 ditë kohë.
“Në fillim më është thënë që Deklarata do të ketë 1 faqe e gjysmë tekst A4, pastaj duke kaluar ditët më thënë që ndoshta do t’i ketë dy ose dy e gjysmë tekst. Fundi fundit, katër faqe tekst (A4) m’u dhanë një ditë para se të shpallej Pavarësia, (më 16 shkurt) në orën 21:30”, thotë Nimani, i cili tekstin e Deklaratës vendosi ta shtrinte në dy faqe të pergamenës, të formatit 79.5 cm me 54.5 cm. Lloji i shkrimit më të cilin është shkruar Deklarata është “italik”, ndërkaq ngjyra – e zezë. “Është një kursiv i bukur, sepse po të përdorej ndonjë stil i mesjetës që kërkon ngadalësi për secilën shkronjë, do të merrte shumë kohë”, thotë ai. Madhësia e shkronjave të përmbajtjes së tekstit të Deklaratës është 2 milimetra. “Dikur kah fundi kam kalu me kaluar 2 mm dhe në atë moment thashë me vete se për herë të parë në jetën time do të dështoj”, rrëfen vështirësitë Nimani, duke shtuar se në atë moment kryesore është që ta kemi dokumentin, i cili do të jetë i përjetshëm Në kohën e duhur, profesori 65-vjeçar kishte kaligrafuar “Deklaratën”.
E veshur me një mbështjellës special me një ngjyrë të kuqërremtë, “Deklarata” përfundoi në Kuvendin e Kosovës.

“Deklarata...” e përjetshme zë vend në Muzeun e Kosovës
Iniciativa për shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë në materialin e duhur ka qenë e Muzeut të Kosovës. Kjo, sipas drejtorit të këtij institucioni, Arbër Hadri, është bërë me qëllim që ajo të ruhet përjetësisht.
“Qëllim i kësaj ka qenë që gjeneratave të ardhshme t’u prezantohet Deklarata dhe ta bëjmë këtë hap me rëndësi për eksponatin më me vlerë të historisë së re të Kosovës”, ka thënë Hadri. Për këtë, Muzeu i Kosovës, sipas Hadrit, muaj më parë ka kontaktuar partnerin e tyre – Muzeun e Londrës në mënyrë që ky i fundit t’u ofrojë sugjerimet e duhura, lidhur me materialin, ngjyrën me qëllim që jetëgjatësia e këtij materiali të ishte e garantuar.
“Rekomandimet nga Departamenti për Konservim i Muzeut të Londrës kanë qenë që Deklarata të shkruhet në pergamenë që është një ndër materialet më të shtrenjta”, ka sqaruar ai, duke shtuar se Deklarata e Pavarësisë do të ruhet në Muzeun e Kosovës.
“Do të prezantohet në një kohë të posaçme që me siguri do të përkojë më njëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë”, thotë Hadri, duke shtuar se një vitrinë speciale (e cila i ka të gjitha elementet e sigurisë, ndriçim fibrooptik, temperaturë optimale), ku ajo do të vendoset është siguruar.
Ky tekst është botuar për herë të parë në “KOHA Ditore” më 19 shkurt 2008. Ribotohet pa ndërhyrje