Akuzës së Kalešit dhe Rusit për “gabime gjuhësore dhe orthografike”, redaksia e “Jetës së Re”, në kundërpërgjigjen e bërë nga Esad e Hasan Mekuli e me sa duket edhe nga Mark Krasniqi,[24] i vë përballë nivelin e dobët gjuhësor të artikujve të tyre, madje lexuesit përkujtohen për një rast kur Hasan Kaleši e kishte nënshkruar një artikull me emrin fiktiv Hysen Hasani e më pas të njëjtin e kishte botuar me emrin e vet. Ata vënë në dukje se “s’na çudit fare mbasi u mësuem mâ me H. Kaleshin që, herë mbas here — sidomos kur kemi të bajmë me gjana ‘delikate’ — të mëshehet mas emnash të huej”
Në vitin e fundit të qëndrimit në Beograd, Hasan Kaleši botoi në faqet e revistës “Jeta e re” një nga artikujt e parë në publicistikën shqipe ku fshikullohej dukuria e plagjiarizmave që kishin nisur të zinin vend në letërsi. Kështu, artikulli me titullin e shënueshëm “Kundër plagiateve” vinte në dukje se si, për shkak të mungesës së librave të literaturës shqipe, disa kishin arritur t’i botonin plagjiatët e tyre edhe në revistat e kohës.[14] Sipas Kalešit, kishte raste kur “...janë marrë artikuj dhe vjersha të tjetërkujt, janë botue imitime të teprueme, sa që s’mund të thuhet se janë origjinale, gjâ që hjedh nji njollë si mbi vetë ‘auktorët’ ashtu mbi revistën dhe letërsín tonë të ré”.
Por nuk kishte qenë e thënë që vetë denoncuesi t’i mbahej principialitetit të vet. Më 1954, e vetmja shtëpi botuese shqipe “Mustafa Bakija” botoi librin “Përmbledhje tregimesh të zgjedhuna” të Ivo Andriqit, ku përkthyes kishin qenë gazetari gjakovar, Hilmi Thaçi dhe Hasan Kaleši. Sadoqë ky i fundit kishte pasur veçse rol minimal në shqipërimin e shkrimtarit serb, “Parthanja” 15-faqëshe ishte shkruar prej tij me një përvijëzim të përmbledhur të jetëshkrimit të Andriqit, veprave të tij, vlerësimeve të kritikëve letrarë dhe metodologjisë së përkthimit. “Në se ia kemi dalë në krye me faqe të bardhë ose jo, këtê ua lamë, në rradhë të parë, lexuesave tanë”, përfundonte introdukta e shkruar në Beograd në shkurt të 1953-s. [15]
Kjo thirrje me sa duket nuk kaloi pa përgjigje sepse me t’u botuar libri, gazetari dhe përkthyesi nga Gjakova, Vehap Shita botoi një artikull te “Jeta e re” nëpërmjet të cilit u fshikulluan serbes dy përkthyesit për përvetësim plagjiarizues të mendimeve e vlerësimeve të kritikëve jugosllavë për ç’i përket veprës letrare të Andriqit.[16]
Shita për Kalešin: “Ky difamator i pashpirt”
Një vit më vonë, e njëjta revistë i rezervoi vend një dyluftimi polemik midis dy të denoncuarve dhe denoncuesit. Qysh në titullin e zgjedhur latinisht “Quod licet Iovi, non licet bovi” (Çfarë i lejohet Jupiterit, nuk i lejohet lopës), artikulli i nënshkruar në bashkautorësi nga Hasan Kaleši dhe Hilmi Thaçi, ndërsa i binte mohit akuzave për plagjiarizëm, paralajmëroi se do të kërkonte edhe “safisfakcjon me anë të ligjit”.[17] Sipas tyre, i gjithë artikulli i Shitës ishte “falsifikim dhe mistifikim”, madje e akuzuan atë edhe në nivel personal me jo pak fyerje: “Me dijtë me shkrue âsht nji mjeshtri, por me dijtë me heshtë e mos me shkrue kot âsht nji urti. Mjerisht që të dyja këto i mungojnë V. Shitës. Ai madjè, pa qenë as rezhiser, as auktor, as artist, as shkrimtar dramash apo sqenari, tue mos qenë në lidhje direkte me punën e teatrit e të filmit na shkruen ‘kritika’ filmash dhe teatri. Tash së fundi i âsht mbushë mendja se mund të bahet edhe kritik letrar. Mirëpo ‘Quod licet Jovi, non licet bovi’. E përsa i përket ‘mjekimit’ na jemi të bindun se Vehap Shitës i duhet nji kurë – kura e shërimit nga paditunija e megalomanija”.
Në faqet në vazhdim të po të njëjtit numër, Vehap Shita do t’i kundërpërgjigjej Kalešit dhe Thaçit. Titullit fyes në latinisht të artikullit kundërshtar, ai i bëri kastile një ndryshim të vockël në “Quod licet mihi, non licet tibi” (Çfarë më lejohet mua, nuk të lejohet ty).[18] Në kundërpërgjigjen e tij, Shita i cilësoi Kalešin dhe kolegun e tij si “difamatorë të pashpirtë në dam të tjetërkujt...edhe pajë mbajtësa të paskrupuj e reklamista të haptë për famën e vetëvehtes”. Edhe kësaj radhe, ai ngulmoi se të dy autorët kishin plagjiarizuar me të madhe punimet e kritikëve jugosllavë si Milan Bogdanović, Velibor Gligorić, Živojin Boškov, Slavko Leovac e të tjerë. Edhe provat e paraqitura nga Shita dukeshin tejet shkatërrimtare për Kalešin.
Shembuj plagjiarizmash nga kritikë jugosllavë
Në “Parathanje” për tregimet e Andriqit, Kaleši kishte shkruar veç të tjerash: “Tregimet e Ivo Andriqit janë të lidhuna lokalisht me jetën e Bosnës dhe Hercegovinës, dhe në pjesën mâ të madhe me jetën e muslimanëve dhe katolikëve. Motivet janë nga nji rreth i cili âsht nji thurje dhe ndërlidhje e pazgjidhshëme gjaku e kulture, ku janë ndeshë dhe shkrî çuditshëm kombe, fena dhe sekte, në nji teren i cili edhe sod e kësaj dite âsht përziemja mâ e kokëlavitun e ndryshimeve psikologjike dhe etnike” (fq.7).
Ky pasazh i përvetësuar ngjante i njësojtë me një pjesë të shkëputur nga libri i Milan Bogdanović: “Lokalno, pripovetke Ive Andrića su vezane za Bosnu i Hercegovinu, i u njima najviše za život muslimana i katolika. U jednoj sredini, dakle, koja je nerazmrsivi splet i spoj krvi i kulture, gde su se čudno sukobljavale i pretapale nacije, vere i sekte, i koja je i danas najsloženiji amalgam psihološko-etničkih raznovrsnosti”.[19]
Shembulli tjetër plagjiarizues kishte të bënte me paragrafin tjetër: “...Nga ana tjetër as çifçiu Siman nuk âsht çifçí si janë çifçitë tjerë. Ai, me të vërtetë e punon mirë tokën, nuk vjedh nga haku, por edhe nuk don t’ja çojë bereqetin agës në shtëpí, as që pranon të punojë angarí mâ tepër se sa âsht i detyruem” (idem, f. 14).
Kjo pjesë qëllonte të ishte përvetësim i fjalëpërfjalshëm i Živojin Boškovit: “...S druge strane, ni kmet Siman nije onakav kmet kakvi su drugi kmetovi. On, do duše dobro obradjuje zemlju ne zakida od haka, ali i neće da ga nosi agi, niti hoće da kuluči više na što je obavezan”.[20]
Plagjiarizime të mëtejshme nga Kaleši u vunë re edhe te kjo pjesë: “tregimi ‘Trupi’ âsht nji rrëfim i urtë i frat Pjetrit mbi Çelebi Hafizin, i cili prej nji softe qyqan me faqet ‘si gjaku e tambli’ u bâ zaptuesi gjakatar i Sirís kryengritëse...” (fq. 11) Po e njëjta rezultonte të ishte përvetësim i plotë nga një artikull i kritikut Slavko Leovac: “Njen smisao nadopunio je Andrić u svojoj noveli ‘Trup’. To je nasmejano i mudro izlaganje fra Petra o Čelebi Hafizu koji je od bojažlivog softe sa obrazima kao ‘krv i mleko’ postao krvavi osvajač pobunjene Sirije...”[21]
Edhe një pjesë tjetër brenda tekstit hyrës të Kalešit mbante njashtu erë prej plagjiarizmi: “Ivo Andriqi âsht kursimtar në letërsí. Çdo gjâ te ai âsht e thanun shkurt e përmbledhshëm...” (idem, f. 11). Kjo pjesë nuk ishte gjë tjetër përveçse kopjim nga Velibor Gligorić: “Ivo Andrić je štediša u književnosti. Sve je kod njega ukratko stešnjeno, teskobno...”[22]
Jeta e Re: “Nuk mund të lejojmë gabime të randa gjuhësore që bante dhe ban Hasan Kaleshi”
Megjithëkëtë, belaja polemike nuk u mbyll me kaq. Hasan Kaleši do të hakmerrej kundër redaksisë së “Jetës së re” me shkrimin “Për shkurtimet e për disa çashtje tjera të ‘Jetës së re’ që e botoi në faqet e “Flakës së vllaznimit” në Shkup. Atij iu bashkua edhe ish-oficeri i OZNA-s nga Dibra,[23] Lutfi Rusi që i botoi shkrimet “Për nji metodë të keqe të ‘Jetës së re’” në “Flakën e vllaznimit” si dhe “Parimisht ose — personalisht?” në revistën serbe “Jedinstvo” që dilte në Prishtinë.
Akuzës së Kalešit dhe Rusit për “gabime gjuhësore dhe orthografike”, redaksia e “Jetës së Re”, në kundërpërgjigjen e bërë nga Esad e Hasan Mekuli e me sa duket edhe nga Mark Krasniqi,[24] i vë përballë nivelin e dobët gjuhësor të artikujve të tyre, madje lexuesit përkujtohen për një rast kur Hasan Kaleši e kishte nënshkruar një artikull me emrin fiktiv Hysen Hasani e më pas të njëjtin e kishte botuar me emrin e vet. Ata vënë në dukje se “s’na çudit fare mbasi u mësuem mâ me H. Kaleshin që, herë mbas here — sidomos kur kemi të bajmë me gjana ‘delikate’ — të mëshehet mas emnash të huej”.
“...Na nuk mundemi me lejue në revistën tonë aso gabimesh të randa gjuhësore që bante dhe ban edhe tash H. Kaleshi në shkrimet e veta edhe pse, nga megalomanija, mundohet me u paraqitë si ‘njoftës’ i shqipes! E sa e din shqipen H. Kaleshi, mund ta vërtetojë ...edhe vetë artikulli i ish bashkëpunëtorit të tij H. Thaçit, i cili, mu në këtê numër të revistës, pohon se Parathanjen e Përmbledhjes së tregimeve t’ I. Andriqit H. Kaleshi e ka shkrue serbisht e Thaçi e ka përkthye shqip”.
Në vijim, redaksia sjell edhe një letër të shkrimtarit dhe përkthyesit Mehmet Hoxha, ku ky distancohet nga kritikat e Hasan Kalešit dhe ndërkalljen e emrit të tij në sulmet vitrolike që i bënte në kurriz të revistës në fjalë. Në fund të përgjigjes redaksionale, stafi i “Jetës së re” vlerësonte se shkrimet e dy personave në fjalë motivoheshin nga pezmi personal: “Shkrimet kritike të H. Kaleshit dhe L. Rusit kundër ‘Jetës së re’ dhe përpjekjeve tona letrare janë kryesisht të frymzueme prej kamxhikut të pezmatimit që ka marrë Kaleshi kundër redakcís, vetëm pse s’kemi mëshehë gabimet e tij dhe pranue me u bâ ‘nanë’ për tê. Këto shkrime, fund e maje, janë ba me tendenca personale, tue përjashtue çdo parim të kritikës objektive, prandaj — si të këtilla, — as që kanë ndonji vlerë për t’u ardhë në ndihmë letrarvet të rij”.
Në po të njëjtin numër të revistës u botua edhe një shkrim i Hilmi Thaçit, me të cilin ai distancohej nga bashkëpunimi që kishte pasur me Hasan Kalešin.[25] Ai aty përkujtonte se bashkëpunëtori i tij, me t’u kthyer nga Turqia, e kishte qortuar rreptë “sesi kam pasë sy e faqe me folë me shokët ‘për nji punë të mbrendshëme’ dhe m’a ka mbushë mendjen se ky punim s’âsht plagiat, por kompilacion — si ua ka mbushë mendjen edhe shum shokëve tjerë”. “Kur e ka sjellë H. Kaleshi artikullin ‘Quod licet Jovi, non licet bovi’ për ta rrahë në maqinë, gati të kryem, me nji pjesëmarrje minimale timen, unë e kam pyetë nëse ka konsultue, përveç Bogdanoviqit dhe Boshkovit, ndonji kritik tjetër, por kam marrë përgjegjen ‘jo’. Unë nuk dij nëse H. Kaleshi edhe vetë ka harrue se prej kah i ka marrë mendimet për hartimin e Parathanjes (dhe kam vullnetin e mirë të mendoj se do të ketë harrue), por mue — si bashkëpunëtorit mâ t’afërt volens nolens — më ka hjedhë pluhun syve edhe për të dytën herë, sepse për ndryshe nuk do t’isha solidarizue me tê në përgjegjen V. Shitës. Unë p.sh për herë të parë në jetën time prej përgjegjes së V. Shitës... kam ndigjue emnin e Sllavko Leovacit”, shkruan midis të tjerash Thaçi në letërdistancimin e tij.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
[14] Jeta e re, Nr. 5, 1951, ff. 289-297.
[15] Ivo Andriq, Përmbledhje tregimesh të zgjedhuna, (Prishtinë: Mustafa Bakija, 1954), f. 20.
[16] Vehap Shita, ‘Medice, cura te ipsum’, Jeta e re, Viti 6, Nr. 4, 1954, ff. 302-312. Për një përmbledhje të polemikave të tij kundër Kalešit shih edhe Shita, Gjurmave të letërsisë: Zgjedhje kritikash letrare, 1, (Rilindja, 1970),
ff. 393-433.
[17] Shih Jeta e re, Nr. 1-2, 1955, ff. 48-55.
[18] Revista e cituar, ff. 56-64.
[19] Stari i novi II, Beograd, 1946, f. 82.
[20] Živojin Boškov, Jedna zbirka novih pripovedaka, LMS, 1949, f. 116.
[21] Slavko Leovac, ‘Ivo Andrić kao pripovedač’, në Književnost, nr. 11, VII, 1952, f. 422.
[22] Velibor Gligorić, Kritike, Prosveta, 1945, f. 16.
[23] Nafi Çegrani, Ballë për ballë me vdekjen, (Koha, 2000), 2000, fq. 130. Shih gjithashtu edhe Qerim Lita, ‘Kur Tirana e arrestoi Osmanin! Veprimtar i shquar i NDSH-së (2), 17 shtator 2020, në https://koha.mk/kur-tirana-e-arrestoi-osmanin-veprimtar-i-shquar-i-ndsh-se-2/ (Qasur për herë të fundit më 9 dhjetor 2023).
[24] Shih ‘Sqarim rreth shkrimeve të Hasan Kaleshit dhe Lutfi Rusit kundër redakcís sonë’, Jeta e Re, 1955, ff. 169-179.
[25] Hilmi Thaçi, ‘Rreth nji bashkëpunimi me Hasan Kaleshin’, në Jeta e Re, 1955, ff.180-184.