Shumë të njohura e të panjohura për Lindjen e Mesme, luftërat e së kaluarës që na ndihmojnë ta kuptojmë edhe të sotmen arabe, ngërthen libri autobiografik i ish-presidentit të vrarë egjiptian, Anuar el Sadat, i cili mblodhi fuqi të shkojë në Izrael më 1977 për të bërë paqe, ndërsa historinë e themeluesve shqiptarë të Egjiptit modern e nxori nga errësira, ku e kishte futur paraardhësi i tij, Naseri
Doli nga shtypi në Prishtinë libri autobiografik i ish-presidentit egjiptian Anuar el Sadat, i cili hedh dritë mbi shumë ngjarje të historisë së Egjiptit dhe Lindjes së Mesme, qysh pas Luftës së Dytë Botërore.
Pasi u përkthye në shumë gjuhë botërore, libri ”Në kërkim të identitetit, rrëfimi i jetës sime”, doli edhe në gjuhën shqipe falë përkthyesve të njohur nga arabishtja, Ejup Ramadani dhe Resul Rexhepi.
Ky libër veçmas spikat rrethanat dhe luftën izraelito-arabe të vitit 1967, 1973 si dhe krizat e tjera të regjionit arab, ku Anuar el Sadati ishte personi kyç, jo vetëm në luftëra, por edhe për paqe me Izraelin. Kur të gjithë arabët ishin kundër, Anuar el Sadati mblodhi forcë dhe në nëntor të vitit 1977, shkoi në Izrael për të filluar një erë të re paqeje me këtë shtet, kundër të cilit zhvilloi pesë luftëra. Në fillim, arabët e tjerë e bojkotuan, por më vonë, pas vrasjes së tij në atentat, në Kajro (6 tetor 1981), disa shtete arabe vendosën marrëdhënie diplomatike me Izraelin.
Anuar el Sadati do të mbahet mend nga shqiptarët edhe për një kthesë pozitive që bëri ndaj historisë dhe shëmbëlltyrës së Mehmet Ali Pashës dhe tërë asaj familjeje shqiptare që themeluan Egjiptin modern përgjatë një shekulli e gjysmë.
Siç dihet, pas grushtshtetit të Naserit kundër mbretit Faruk, të fundit nga loza shqiptare në Egjipt (1952), Naseri urdhëroi të hidhet në harresë tërë ajo pjesë e historisë shqiptare. Ashtu edhe ndodhi. U ndalua çdo shkrim për Mehmet Ali Pashën dhe të gjithë pasardhësit e tij. Pikërisht, Anuae el Sadati, që erdhi në pushtet pas vdekjes së Naserit, urdhëroi të kundërtën, që të hapeshin të gjitha burimet e mundshme për t’i ngritur në nivelin e duhur veprat e Mehmet Aliut, jo vetëm për Egjiptin, por për mbarë botën arabe. Këtë rrugë e ndoqi edhe pasardhësi i Sadatit, Hosni Mubaraku.
Andaj, ky libër që doli nga shtëpia botuese “Dituria islame” plotëson ndër ne një boshllëk që ka munguar në gjuhën tonë mbi një periudhë shumë dramatike të Lindjes së Mesme. Duke e kuptuar të kaluarën e këtij regjioni, do të kuptohet më mirë edhe realiteti që aktualisht po e mundon regjionin në fjalë.