Të shkruarit e rrëfimeve në “Ishte luftë” në radhë të parë ta kujton procesin. Ndjesia e parë i ngjan laboratorit të zhvillimit të fotografisë. Shiritat filmikë duket sikur të jenë futur në një kuti, për ta parë dritën një çerekshekull më pas. Flaka Surroi e hapi kutinë. Shiritin e hodhi në rrëfim, rrëfimet u bashkuan në “Ishte luftë”. Ky është libri i luftës së Flakës. Libri ynë. I kujtesës sonë
Ka qenë marsi i këtij viti, kur “Ishte luftë” nisi të shkruhej. Flaka Surroi do t’i jepte fund refuzimit estetik të harresës, si një kontrapunkt ndaj asaj që bëmë si shoqëri: e harruam shpejt luftën.
Do t’i kthehej asaj çdo përvjetor, tek fliste për të në biseda joformale. Ishte algoritmi i saj për të mos harruar detaje, emra njerëzish, data, ngjarje,rrugë e fshatra... Duhet të ketë qenë beteja me vetveten për 25 vjet derisa “Kutia e hap”, siç titullohet fjala hyrëse e librit.
Në fund të po kësaj fjale hyrëse, ajo shkruan se ishte me fat që e mbijetoi luftën dhe se një çerekshekull prej përfundimit të saj nuk e lëshoi kujtesa. Sot, ne jemi me fat, që vendosi ta hapë kutinë, të ndajë me ne kujtimet, të mos na lërë të harrojmë se “Ishte luftë”.
Por nuk janë veç kujtimet e saj. Janë rrëfimet që gjejnë emërues të përbashkët për t’u shndërruar në kujtesë kolektive, që bindshëm ndjekin maksimën se: “Çdo gjë e pashkruar, nuk ka ndodhur”.Apo atë që e thotë Borgesi se: “Një libër lexohet për t’u kujtuar”.
“Ishte luftë”, është pikërisht për këtë.
Dhe nuk do t’ju flas për numrin e faqeve të librit, as për kapitujt, as për detajet, dramat e paradokset që do të zbardhni me të. As për figurat stilistike, gjuhën e stilin. As për foton në kopertinë. Sepse në libër shfletohet një kapitull i jetës sonë.
Trikotomia midis realitetit, kohës dhe veprimit
Titulli është trikotomi, pikërisht në kuptimin që ia jep filozofia këtij termi: funksionon si trini, ndashëm prej kuptimit të secilës: “Ishte luftë” në radhë të parë konstaton realitetin, realitetin e luftës, pastaj kohën, periudhën e luftës, e në esencë edhe veprimin. Veprimin e narratores dhe të dëshmitares njëkohësisht.
Lufta e saj nisi më herët sesa datat zyrtare të shpërthimit të luftës, nuk përfundoi në ditët që zyrtarisht festohen si ditë paqeje, vazhdoi edhe 25 vjet pas si betejë e brendshme për të mos harruar. Vazhdon edhe sot në kuptimin e filozofisë për luftën e vazhdueshme, për kontributin ndaj popullit të cilit i përket. Sepse, siç shkruan, gjithmonë e ka refuzuar argumentin e atyre që jo rrallë e përsërisnin: “Unë kam luftuar, e s’kam luftuar për nënë e babë, po për ju, prandaj më keni borxh”.
“Kontributi për popullin të cilit i përket, nuk do të duhej të kishte çmim.Do të duhej të ishte privilegj i udhëhequr nga ndërgjegjja”, janë dy fjalitë e fundit në “Ishte luftë”. Dhe kjo e zbërthen krejt arsyen e veprimit të saj, tok me të shkruarit e këtij libri.
“Ishte luftë” ka mundur të shkruhej shumë vjet më herët. Nuk është shkruar dhe heshtja për luftën e saj në terren ia rrit peshën, sepse nuk kërkon kthim borxhi. As njohje. Për të, krejt çfarë bëri ishte “privilegj i udhëhequr nga ndërgjegjja”.
Shumë prej nesh s’e kemi njohur Flakën e luftës. Shumë të tjerë, as sot, s’e njohim një armatë të tërë njerëzish për të cilët lufta s’e ka vetëm imazhin e ushtarit me armë në dorë. Se janë edhe disa të tjerë që sot s’janë as veteranë, as ish-komandantë, as prijës betejash. Asi që besojnë se ta fitosh luftën nuk mjaftojnë vetëm pushkët. Asi që prapë besojnë se lufta për vendin nuk merr fund kur nënshkruhet paqja. Ajo është e përditshme, e përkthyer në dashuri. Dhe një dashuri si kjo, eautores së librit, për dhjetë vjet në terren do të shtrihej edhe “nëpër shumë fshatra, edhe në zonat gurore e shterpe ku kishin lindur vendbanimet në mes të askundit”.
“Sepse ky ishte vendi ynë, toka jonë, e vetmja që kishim”, shkruan ajo.
Ngjyrat e shpresës së qenies njerëzore
Historiografia e Kosovës s’e ka dokumentuar luftën. Edhe nëse e ka bërë këtë,është version, trajtë, si puna e shtatoreve të paradokseve që ngrihen përditë e që ngjajnë sikur ky popull ta ketë fituar luftën ende pa krisur ajo.
“Ishte luftë“ nuk është trajtë, as version. Është realitet. Shndërrohet si një ciceron në galerinë e ditëve në terren. Aty, pikturat janë tablotë e luftës. Jo të pikturuara prej autores, as të retushuara, por ashtu siç kanë qenë: me zymtësinë e kontrastet. Mbi të gjitha me ngjyrat e shpresës së qenies njerëzore të shtrënguar për mbijetesë nga një regjim çnjerëzor.Me vullnetin për të jetuar në vendin e vet.
Dhe Flaka Surroi bashkë me kolegët e saj, në kohë lufte ishin ata që e mbanin gjallë këtë shpresë: duke shpërndarë vaksina, pako ushqimore, dru për ngrohje...duke bërë çmos të ofrohen kushte që të lindnin jetë të reja,duke hapur ambulanca në zona lufte. Më pas duke u prirë nismave për rihapjen e rindërtimin e shkollave të bëra rrafsh. Dhe atë, në kohën kur pakkush mendonte për punë si këto, edhe atëherë kur “ngado vinte era luftë”, sepse “ishte luftë”.Edhe në situata kur “fryma e bartte heshtjen pikëlluese tutje, si ngricë që ta kaplon zemrën kur e sheh vdekjen me sy”. Ishte koha kur për të dhe kolegët e saj, orari i punës niste kur e shihnin se po agonte dhe kur po terrohej.
“Aq na mjaftonte ta dinim se kaloi edhe një ditë”, shkruan në libër.
Libri ynë, i kujtesës sonë
“Edhe një ditë”,në jo pak raste ishte “edhe një ditë jetë”për të, ekipin dhe ata, të cilëve u dilnin në ndihmë. “Edhe një ditë” mund të qëllonte të ishte edhe kur për pak s’u shkrepej ndonjë plumb ballit, siç kërcënoheshin jo rrallë.“Edhe një ditë” do të mund të ishte edhe kur makina para tyre ngrihej në erë...”Edhe një ditë”, po ashtu do të mund të ishte kur akuzoheshin s’e nuk e dininç’është lufta, se pininmakiato në kafehanet e Prishtinës, a se bashkëpunojnë me serbë.
Dhe këto ishin ditët e luftës. Sepse – “Ishte luftë”. Dhe ky është libri i luftës së Flakës. Libri ynë.I kujtesës sonë.