Shtojca për Kulturë

In Memoriam: Vince Power – kujtim një vit mbas

Vince Power (29 prill 1947 – 9 mars 2024) Foto: Poorang Shahabi

Vince Power (29 prill 1947 – 9 mars 2024) Foto: Poorang Shahabi

Ai ishte njeriu që ishte gjithmonë pas perdes, forca që e bëri të mundshme që të gjitha këto të ndodhin. Emri i tij vazhdon të jetojë në dhjetëra e qindra refugjatë të Kosovës, e jo veçse ai u ndihmoi pamasë. Trashëgimia e tij jeton në jetët që ai preku, artistët që përkrahu dhe komunitetet që ai ndihmoi. Të mbesim borxh përgjithmonë e nuk mundemi me të falënderu mjaft se vetëm fjalët nuk mund të shprehin atë çka ne, që të kemi njohur, ndiejmë për ty

Ka kaluar një vit prej kur na la Vince Power, një njeri që për ndikimin e tij në industrinë e argëtimit – sidomos muzikës, festivaleve dhe klubeve të natës, në Mbretërinë e Bashkuar dhe përtej saj – është e pamundur me e mbivlerësu.

Vince nuk ishte veç një organizator koncertesh apo thjesht një biznesmen, ai ishte një vizionar, baret, klubet dhe festivalet e tij u bënë strehë për artistët, publikun si dhe punëtorët nga të gjitha shtresat shoqërore. Për mbi të gjitha, si me qenë shqiptar, Vince Power ishte njeri i fjalës.

Shtrëngimi i dorës së tij vlente më shumë se çdo kontratë ndërsa vizioni i tij për industrinë e argëtimit ishte gjithmonë diçka më shumë se thjesht biznes.

Një bir i vërtetë i Irlandës, ai kurrë nuk e harroi prejardhjen e tij modeste – prej një klase të ulët dhe kjo e shtynte që të gjitha ngjarjet argëtuese që ai organizonte – evenimentet, të bëheshin për komunitetin, për lidhjen mes njerëzve dhe për krijimin e hapësirave ku secili ndihej i mirëpritur, pavarësisht prejardhjes, racës apo besimeve.

Për Vince, nuk kishte rëndësi a ishe i bardhë, i zi, aziatik, refugjat apo me çfarëdo orientimi seksual apo fetar. Dyert e tij ishin gjithmonë të hapura. Lokalet e tij nuk ishin thjesht vende për muzikë dhe ngjarje; ato ishin strehë të sigurta, mikrokozmose të vërteta të një fshati global.

Kur e takova Vince-in, isha një azilant, refugjat i freskët prej anijes – pa letra, dhe pata fatin të punoj për të në disa prej lokaleve të Mean Fiddler, klube dhe bare gjatë viteve të bumit muzikor në të ‘90-tat në Londër. Nga puna me turne që bëja si banakier në “Garage – Highbury”, apo me vonë si menaxher me orar të plotë në “Complex Club/Blue Note” - Islington, Subterania - Portobello Road, e deri te “Forum” në Kentish Town. Ishte një kohë shprese por edhe periudhe ndryshimi - tranzicioni, pasi shumë nga bashkatdhetarët e tij irlandezë po ktheheshin në vendlindje – një Irlandë që ishte në rritje – sidomos ekonomike.

Megjithatë Vince qëndroi në Londër, duke e çu biznesin përpara me plot sukses, por njëkohësisht duke u përkujdesur për stafin e tij – njerëz nga çdo cep i botës. Ishte veçanërisht e jashtëzakonshme se sa shumë njerëz ishin nga Ballkani, dhe në veçanti nga Kosova. Vince i punësoi, duke u ofruar shpresë dhe stabilitet gjatë kohërave të vështira.

Me vjet të tërë me dhjetëra e qindra njerëz gjetën punë në lokalet e tij, shumë prej të cilëve dërgonin para në shtëpi për të mbështetur jo vetëm familjen e ngushtë, por ndonjëherë edhe dy apo më shumë familje. Unë e di këtë send shumë mirë sepse vetë isha njëri prej tyre.

Pasioni i Vince-it për muzikën e gjallë – live music; dhe për të organizuar koncerte e ngjarje të ngjashme, ishte i pafundmë. Ndikimi i tij ndihej kudo, nga “Jazz Caffè”, “Forum” deri te Fleadh Festival, nga Reading&Leeds festival e deri te i paharrueshmi Phoenix Festival në Stratford-upon-Avon.

Ai nuk vinte shpesh në lokalet që unë menaxhoja për të, por kur vinte, gjithmonë sillte energji pozitive dhe këshilla të vlefshme. Një sugjerim për një DJ të ri, një rregullim të dritave, apo ndonjë ide të freskët për rregullimin e hapësirës së brendshme të klubit. Vizioni i Vince ishte gjithmonë përparimtar – progresiv, gjithmonë syhapur për përmirësimin e përvojës për klientët, vizitorët dhe të gjithë të tjerët të përfshirë me punë në lokalet e tij.

Përveç biznesit, shpirtin e tij bamirës e shfaqte gjithmonë. Ai gjithmonë mblidhte fonde për komunitetet në nevojë duke iu faturuar një tarifë “vullnetare” për ata që vinin në festivalet e tij dhe ishin në listën e mysafirëve. Vince gjithmonë gjente mënyra për të mbështetur rajone të përfshira nga lufta dhe kauza bamirësie.

Në vitin 1999, gjatë kulmit të luftës në Kosovë, unë dhe Poorang Shahabi, një prej njerëzve të dorës së djathtë të Vince-it, dhe shefi im në atë kohë (Direct Line Manager – DLM), iu afruam me idenë për të organizuar një mbrëmje bamirësie për Kosovën. Reagimi i Vince-it ishte si rrufe dhe me një vendosmëri të paparë. Për mua ishte një moment kritik për mirëqenien time, gjatë atyre ditëve të errëta të luftës, kur shumë shokë, si Fisnik Ismaili, i bashkoheshin UÇK-së. Për ne të tjerët që qëndruam në Londër, e ardhmja dukej shumë e zymtë, mirëpo Vince me ndihmën dhe mbështetjen e tij, mua personalisht më dha një qëllim. Ai më dha diçka të ndershme për të bërë, diçka që më shpëtoi jo vetëm nga kaosi i luftës, por më me rëndësi më shpëtoi nga humbja e mendjes.

Me mbështetjen e tij të palëkundur, organizuam dy ngjarje muzikore – evenimente - fantastike. Më pak se gjashtë javë kaluan që nga telefonata jonë e parë, dhe “Complex Club” në Angel, Islington ishte vendi që po mirëpriste mysafirët për një natë të jashtëzakonshme. Me ndihmën e Tracy Cunliffe, themeluesja e “Kontraband Records”, dhe Earl Gateshead, një DJ veteran, arritëm të krijonim një line-up të mrekullueshëm. DJ-të më të mirë në botë hynin e dilnin nga kabinat e tyre – duke miksuar hite, përfshirë Carl Cox, Laurent Garnier, Giles Peterson, madje në mikset për nja një orë ishte edhe Todd “God” Terry, një super-yll tjetër ndërkombëtar. Të gjithë këta morën pjesë pa pagesë vetëm e vetëm për të nderuar Vince-in, neve dhe Kosovën.

Disa javë më vonë, me ndihmën e Nicky Weller dhe vëllait të saj, të madhërishmit Paul Weller, arritëm të mbushim hallën e koncerteve – “The Forum” në Kentish Town, jo veç me muzikë por edhe me shpresë për paqe. Lulezim Mripa ishte bashkëkombësi tjetër që ishte “bashkëfajtori” tjetër kryesor për mbarëvajtjen e kësaj nate. Stereophonics, Travis, Toploader, Ray Davies nga The Kinks, Ocean Colour Scene, Noel Gallagher, Goldie, Keith Allen, Robert Carlyle, dhe Kate Moss – vetëm për të përmendur disa nga krijuesit që ishin prezentë – të gjithë u bashkuan për bamirësi dhe për të festuar; një përzierje muzikantësh të mrekullueshëm në një ambient të jashtëzakonshëm për të festuar diçka që këto ditë duket se mungon gjithnjë e më shumë – Njerëzoren (Humanizmin).

Për vetëm dy net, mblodhëm mbi £55,000, një shumë që, e përshtatur me inflacionin e sotëm, do të ishte mbi £120,000. Fondet u dërguan për të ndihmuar fëmijët në Kosovë gjatë luftës përmes Agron Loxhës dhe organizatës bamirëse “Kosova Aid”. Pak më vonë, kur paqja dhe liria erdhi më në fund në Kosovë, ato fonde u përdorën për të rindërtuar tri shkolla në disa katunde të ndryshme.

Asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur pa Vince Power.

Ai ishte njeriu që ishte gjithmonë pas perdes, forca që e bëri të mundshme që të gjitha këto të ndodhin. Emri i tij vazhdon të jetojë në dhjetëra e qindra refugjatë të Kosovës, e jo veçse ai u ndihmoi pamasë. Trashëgimia e tij jeton në jetët që ai preku, artistët që përkrahu dhe komunitetet që ai ndihmoi.

Faleminderit Vince Power!

Faleminderit për gjithçka!

Ose qysh thonë Irlandezët:

SLÁINTE (Slaonqe)

Ti krijove shumë më tepër se vetëm evenimente, ngjarje argëtuese – ndërtove ura, hape dyer dhe e bëre botën pak më të ndritshme për të gjithë ne që atëherë ishim tuj hjekë.

Të mbesim borxh përgjithmonë e nuk mundemi me të falënderu mjaft se vetëm fjalët nuk mund të shprehin atë çka ne, që të kemi njohur, ndiejmë për ty.

Pusho i qetë, Big man!

Na mungon shumë,

Eki Rrahmani, ish-refugjat kosovar/ producent dhe regjisor