Gjuha shqipe është një nga ato gjuhë që kanë një variant të standardizuar që shërben për komunikime formale. Është krijuar në një kohë kur a. shoqëria shqiptare ka qenë nën diktaturë, pra krejtësisht dogmatike dhe b. kur bota ka qenë shumë më konformiste se sot. Sidoqoftë, shqipja standarde është një variant i përpunuar e i kodifikuar i gjuhës së popullit shqiptar. Është variant që pritet të realizohet në domene formale përdorimi. Shqipja e njësuar letrare ka kaluar nëpër një shteg të gjatë e kompleks të zhvillimit të saj krahas proceseve të vendosjes së rregullave të drejtshkrimit që ka kulmuar me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972
Synim i këtij punimi është që, duke e pasur parasysh se preskriptivizmi është ideologji më vete, të hetojmë ndikimin e tij në gjuhësinë shqiptare, si rast të veçantë studimi. Ky është një metastudim, i cili i bën analizë diskursit të përdorur në shkrimet e gjuhëtarëve preskriptivë shqiptarë të viteve tetëdhjetë. Hulumtimi mëton të nxjerrë përgjigjet e pyetjeve: Cili ka qenë grupi përfitues? Cilat kanë qenë synimet prapa kësaj ideologjie? Cilët mekanizma janë shfrytëzuar? Cilat janë pasojat kryesore të kësaj ideologjie?
Mirëpo, para kësaj le të shqyrtojmë teorinë prapa nocionit ideologji.
Në të vërtetë, termi ideologji shpesh mbart më vete konotacion negativ. Ky konceptim ideologjik vjen nga epoka e Marxit dhe e Engelsit, të cilët ideologjinë e shohin si “vetëdije false”, duke e parë klasën e lartë që imponon idetë e veta mbi klasën punëtore për ta nënshtruar dhe shtypur. Pra, kjo klasë e lartë imponon sistem vlere, mbi të cilin ata legjitimohen në pushtetin e tyre mbi klasën punëtore.
Ky konotacion negativ ka vazhduar (dhe vazhdon në masë të madhe edhe sot) dhe është parë si njëfarë kundërvënieje me termin objektivitet. Pra, sipas këtij botëndijimi, një mendim mund të jetë objektiv dhe subjektiv, e ky subjektivi është ideologjik. Foucault, ndërkaq, heq dorë nga termi ideologji dhe e zëvendëson me diskurs, duke theksuar se gjuha e përdorur për komunikim mes njerëzish ka funksione të ndryshme dhe se nuk mund të përcaktohet nëse një thënie është ideologjike ose jo, duke e kundruar jashtë kontekstit të përgjithshëm. Kontekstin në këtë libër e ndamë në social dhe individual. Autorë të tjerë janë dakord për të hedhur poshtë argumentin epistemik, në favor të atij politik e social, duke pasur parasysh se kognicioni ka rëndësi për anësitë sociale e politike. Ideologjia nuk është e mirëqenë. Nuk mund të funksionojë jashtë kontekstit. Secili nga këta autorë ofron përkufizime të ndryshme të ideologjisë, por po përpiqemi t’i gjejmë të përbashkëtat e secilit: Ideologjia përfshin një varg nocionesh, nga të cilat mund të kundrohen ndjekja e diskurseve të caktuara në favor të një grupi shoqëror, kryesisht për qëllime pushteti a prestigji. Së këndejmi, për të pasur ideologji, duhet të ketë një grup shoqëror përfitues dhe një diskurs të orientuar drejt këtij synimi.
Van Dijk, duke folur për ideologjinë dhe diskursin, thotë se politika është domen social, praktikat e së cilës janë zulmshëm diskursive. Sipas tij, kognicioni politik është i mbështetur ideologjikisht dhe ideologjitë politike riprodhohen përmes diskursit.
Në variantin e gjatë të punimit kemi elaboruar koncepte për ideologjinë të Van Dijkut, të Bourdieut, deri te Feyerabandi që edhe shkencën e fut si ideologji më vete, tok me kundërshtimet e Kuntzit e të Bloomit.
Duke e parë ideologjinë si term që nuk ka konotacion negativ, në këtë punim është i shprehur këndvështrimi i studiuesit dhe ideologjia e tij. Pra, edhe ideologjia ime.
Këtu ndalemi të preskriptivizmi dhe te ideologjia preskriptiviste.
Preskiptivizmi në gjuhësi, sipas Pullumit, është ideologji më vete – si një prirje për t’iu shmangur studimit, në favor të normëzimit. Sipas tij, preskriptivizmi lidhet me ideologjinë konservatore që mëton ruajtjen e një tradite të caktuar, në dëm të zhvillimit, ndërsa ideologët preskriptivistë e marrin si të mirëqenë punën deskriptive (ose si të panevojshme – mjafton që një klasë e caktuar ta konsiderojë korrekte një formë).
Ideologjia e standardit dhe ideologjia e superioritetit gjuhësor
Brenda nocioneve të preskriptivizmit do të përmendim dy terma të ndryshëm: ideologjinë e standardit, në një anë dhe ideologjinë e superioritetit gjuhësor në anën tjetër.
Milroy thotë se në disa vende është më e shprehur e ashtuquajtura kulturë e gjuhës standarde dhe në kultura të tilla atitudat gjuhësore dominohen nga qëndrime të fuqishme ideologjike që mbështeten në ekzistimin e supozuar të formës standarde. Këto njihen si ideologji të standardit. Sipas tij, folëset që e kanë këtë ideologji kujtojnë se kjo është normale, se kështu duhet të jetë dhe se standardi është këndvështirmi objektiv dhe neutral i botës.
Ideologjia e standardit, pra, është një anësi e paragjykuar mbi vlerën e një gjuhe të idealizuar homogjene që imponohet dhe vihet nën përkujdesje të një institucioni dominues – Akademi, Qeveri e kështu me radhë. Mund ta kundrojmë në këndvështrime të ndryshme. Në njërën anë standardi nënkupton zgjedhjen e një varianti gjuhësor (si bazë ose krejtësisht) si variant të përdorimit formal. Zgjedhja e atij varianti në mesin e më shumë varianteve ndikohet nga faktorë të jashtëm. Anësia e këtyre faktorëve (pushteti) e përbën ideologjinë e standardit. Ky është këndvështrimi i imponimit dhe i zgjedhjes së variantit. Në anën tjetër, ekzistojnë atituda gjuhësore që dominohen nga qendra të fuqishme ideologjike që variantin e standardizuar e vendosin si të barabartë me gjuhën dhe i denigrojnë variantet e tjera. Në këtë ideologji, format standarde konsiderohen korrekte, ndërsa ato jostandarde jokorrekte. Format jostandarde janë njësoj gramatikore si ato standarde. Ky është këndvështrimi i mirëmbajtjes së standardit. Si në çdo ideologji, anësia përcaktohet nga pushteti dhe i përket grupit, i cili përfiton nga ai standard.
Ideologjia e superioritetit gjuhësor, ndërkaq, nënkupton anësi të paragjykuar për një variant gjuhësor kundruall varianteve të tjera. Në këtë kuadër luajnë rol dy elemente: autoriteti, pra pushteti në një anë dhe prestigji shoqëror në anën tjetër e që mund të jetë imponuar nga autoriteti.
Gjuha shqipe është një nga ato gjuhë që kanë një variant të standardizuar që shërben për komunikime formale. Është krijuar në një kohë kur a. shoqëria shqiptare ka qenë nën diktaturë, pra krejtësisht dogmatike dhe b. kur bota ka qenë shumë më konformiste se sot.
Sidoqoftë, shqipja standarde është një variant i përpunuar e i kodifikuar i gjuhës së popullit shqiptar. Është variant që pritet të realizohet në domene formale përdorimi. Shqipja e njësuar letrare ka kaluar nëpër një shteg të gjatë e kompleks të zhvillimit të saj krahas proceseve të vendosjes së rregullave të drejtshkrimit që ka kulmuar me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972.
Sanksionimi i shqipes së njësuar letrare
Në Shqipëri, shqipja e njësuar letrare është sanksionuar me Vendimin nr. 50 “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe”, të datës 8. 3. 1974, nënshkruar nga Mehmet Shehu.
“Partia e Punës dhe pushteti popullor, duke e çmuar gjuhën amtare si një thesar të pazëvendësueshëm, si shprehje e fuqishme të kulturës sonë kombëtare e të shpirtit krijues të popullit, janë kujdesur vazhdimisht për zhvillimin, pasurimin dhe lulëzimin e saj. Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që u mblodh në nëntor të vitit 1972, si forumi më i lartë shkencor gjithëkombëtar, pas një diskutimi e analize shkencore të gjerë e të thelluar, miratoi rezolutën ku përcaktohen parimet dhe vijat themelore për hartimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe në trajtë përfundimtare”, thuhet aty.
Në vendim, në 7 pika, kërkohet zbatimi i detyrueshëm i normës dhe kërkohet ndihmë e institucioneve shkencore për këtë.
Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të përkrahet nga të gjitha organet shtetërore dhe “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, i hartuar në bazë të kësaj rezolute, si drejtshkrimi i parë i njësuar në historinë e gjuhës sonë letrare kombëtare (sic), të zbatohet detyrimisht në të gjithë veprimtarinë arsimore e botuese, si edhe në gjithë veprimtarinë tjetër shtetërore e shoqërore.
Krahas kësaj, ndërhyrja në punën kërkimore të gjuhëtarëve u shpreh me vendimin nr. 82, “për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”. Në mesin e pesë pikave të këtij vendimi, këtu thuhet: “Akademia e Shkencave, ministritë dhe institucionet e tjera kërkimore-shkencore, Universiteti i Tiranës dhe të gjitha shkollat e vendit tonë të përfshijnë kryerjen e detyrave që u dalin në këtë fushë në planet e tyre vjetore dhe të ngarkojnë për këtë njerëzit më të aftë e më të përgatitur”.
Akademia dhe institucionet kërkimore, me fjalë të tjera, nuk kanë çfarë të kërkojnë a të hulumtojnë a të studiojnë më. E vërteta si në një religjion, tashmë ekziston dhe krejt çfarë duhet të bëjnë ata studiues është të mos studiojnë, por të ruajnë e të mbrojnë të vërtetën e shpallur.
Në një nga kapitujt e mëvonshëm të këtij punimi do të tregojmë se sa në kundërshtim me idenë e shkencës dhe të kërkimit të së vërtetës është një qëndrim i këtillë.
Ky punim në vazhdim mëton të shohë si i janë përgjigjur këtij urdhëri punonjësit shkencorë dhe si është pasqyruar kjo ideologji në ligjërimin dhe në punën e tyre. Për këtë studim janë nxjerrë qëndrimet e disa autorëve preskriptivistë më me ndikim të asaj kohe. Për nevoja praktike, të gjitha janë nga i njëjti vëllim. Janë mendime të përsëritura gjithandej, por këto janë vjelë nga vëllimi “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”. Shembujt dhe autorët janë zgjedhur sipas peshës së tyre dhe namit, por edhe ndikimit te autorë të tjerë të asaj kohe dhe të kohës së sotme.
“Politika gjuhësore të Partisë sonë”
1. Androkli Kostallari: Politika gjuhësore e Partisë sonë, e shoqërisë së re shqiptare, duke i lidhur në një fill të vetëm të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen, i ka çuar shumë më përpara idetë e Rilindjes dhe u është përgjigjur e u përgjigjet tre (sic) qëllimeve themelore a. të lehtësojë e të forcojë funksionin komunikues të gjuhës shqipe si tipar dallues a si mjet përparimi për gjithë kombin dhe ta ngrejë e ta mbajë këtë gjuhë në shkallën e kulturës botërore bashkëkohore; b. t’i ruajë gjithnjë të gjalla lidhjet e gjuhës letrare me gjuhën popullore; c. të ruajë e të zhvillojë më tej traditat kombëtare të gjuhës letrare dhe vetëqenien e origjinalitetin e saj, si shprehëse e kulturës së lashtë e të re, origjinale të popullit shqiptar dhe e njësisë së tij shpirtërore, si forcë aktive për këtë njësi. Kjo politikë gjuhësore, që mishëron dëshirat më të zjarrta të popullit tonë, ka vepruar jo në rrugë thjesht administrative, por nëpërmjet shkencës gjuhësore (sic), shkollës, botimeve, radiotelevizionit, teatrit, kinematogarfisë etj.
…Dialektet e shqipes… në kohën tonë janë kategori mbeturinore në rrugën e shuarjes…
…Ky është një proces dialektik, që, pa dyshim, do të çojë dalngadalë e shkallë-shkallë në një epokë kur në jetën e popullit do të zotërojë në qytet e në fshat vetëm gjuha letrare, me sistemin e pasur të stileve të saj… Kështu zgjidhja e problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare u pranua jo vetëm nga shkenca gjuhësore, por edhe nga shoqëria.
Siç mund të vërejmë këtu, Kostallari e përcakton qartë “Politikën gjuhësore të Partisë sonë” si detyrë që duhet arritur e realizuar. E përmend nocionin e “njësimit”, pra uniformitetin shoqëror që qe prioritet i kësaj politike. Në këto mendime, qartazi preskriptive, sepse jepet një lloj udhëzimi a urdhëri i sjelljes dhe i veprimit, tregohet për mbështetjen që i jep “shkenca” politikës gjuhësore të partisë, tok me mekanizmat e tjerë: shkolla, televizioni, madje edhe teatri e kinematografia. Pra, autori e sheh shkencën në funksion të një diçkaje e jo në funksionin e saj të kërkimit të së vërtetës. Mendimi se dialektet e shqipes janë kategori mbeturinore që duhen zhdukur e jep nocionin e uniformitetit social si prioritet politik të Partisë dhe e ndalon kërkimin deskriptiv linguistik që është edhe baza e studimit shkencor gjuhësor.
Në anën tjetër, shkenca mund të përkufizohet si veprimtari e sistemuar që e ndërton dhe e organizon dijen në formë të shpjegimeve të testueshme dhe të parashikimeve për botën. Pra, është doemos deskriptive. Autorët kryesorë të metodës shkencore e shohin në formën e të mbështeturit në fakt dhe në qëndrim kritik, duke vërejtur se një shkencëtar, studiues nuk njeh autoritet. Pra, shkenca nuk është në funksion të dikujt, pos të kërkimit të së vërtetës dakull.
Megjithatë, Kostallari si një ndër autoritetet më të rëndësishme gjuhësore të asaj kohe flet për imperativin e partisë: arritjen e uniformitetit të plotë, pra kur “do të zotërojë në qytet e në fshat vetëm shqipja letrare”.
Të shohim autorin tjetër.
2. Jani Thomai: Shtypi ynë popullor është vepër e Partisë dhe e shokut Enver Hoxha. Shoku Enver ka përcaktuar edhe tiparet themelore të shtypit tonë që i ka rrënjosur në të thellë partia, si partishmëria e lartë, parimorësia dhe vërtetësia, papajtueshmëria me armiqtë, shpirti luftarak e sulmues, karakteri popullor masiv etj. Me këto e me llojet e shkrimeve janë përcaktuar edhe kërkesat për gjuhën e stilin në shtyp që formojnë një sistem të plotë e shkencor (sic) e i përgjigjen politikës së përgjithshme gjuhësore të Partisë dhe evolucionit të gjuhës letrare kombëtare në tërësi…
…Karakteri popullor e masiv i shtypit tonë dhe funksionet e mëdha shoqërore të tij, në kuptim të gjerë, e bëjnë atë gjitator dhe edukator kolektiv jo vetëm në aspektin politik, ideologjik, shoqëror e kulturor, por edhe në ngritjen e kulturës gjuhësore të masave punonjëse…
…Përpjekja për një gjuhë sa më të thjeshtë, me ndërtime të qarta, të kuptueshme e vepruese rrjedhin gjithashtu prej njërit nga parimet e politikës së re gjuhësore: mbështetja në gjuhën e popullit…
Sërish e kemi Partinë si përfituese dhe sërish shkencën në funksion të saj. E vërteta shihet si diçka që del nga ajo që ka përcaktuar Shoku Enver. Duke thënë Shoku Enver (Hoxha 1908 – 1985 që ishte kryetari i Partisë së Punës dhe personi më i pushtetshën në Shqipërinë moniste nga viti 1944 deri në vdekjen e tij më 1985), nënkuptohet se çdo gjë që ai thotë është e vërteta e padiskutueshme. Në paragrafin e dytë, të përzgjedhur këtu, Thomai ofron pikë për pikë edhe përkufizimin e totalitarizmit, mbështetur në konceptet e Leninit, sipas të cilit shtypi nuk duhet të jetë vetëm agjitator, por edhe organizator apo edukues kolektiv. Ky koncept, thjesht, është bartur edhe në gjuhësi, me ç’rast, siç e shohim nga ky paragraf dhe nga ai pasues, gjuhëtarët rreken të organizojnë synimet e partisë: jo vetëm si agjitatorë, por edhe si organizatorë veprues të atyre synimeve të parashkrura.
Në paragrafin e tretë të zgjedhur këtu, shohim të flitet për një gjuhë “sa më të thjeshtë, me ndërtime të qarta, të kuptueshme e vepruese”. Cila qenka një gjuhë më e qartë se një tjetër? Në rrafshin gjuhësor do të kishim mundur të flisnim për folëse që janë më të artikuluara: poete, oratore, por është zor të mendohet se paska një gjuhë a një variant që është më i qartë se një tjetër.
Fjalia e fundit e sekuencës së nxjerrë nga artikulli i Thomait, po ashtu, mbështet faktin se gjuha letrare është e ideuar nga partia dhe se gjuhëtarët “rreken të organizojnë synimet e partisë”. Lidhur me konceptin e fundit aty, mbështetjen në gjuhën e popullit, do të ketë diskutim më të zgjeruar që do të shtrohet në këtë punim.
3. Xhevat Lloshi: Themelimi i PPSH-së më 1941 përbën një ngjarje me rëndësi vemdimtare për gjithë historinë e popullit tonë. Për herë të parë në Shqipëri kishim një parti të vërtetë politike, të organizuar dhe me një ideologji e program të qartë. Gjuha shqipe u vu përballë kërkesës për të përpunuar një sistem leksikor që të shprehte saktë nocionet e kësaj ideologjie.
Më duket se as nuk ka nevojë të diskutohet më gjatë. Lloshi ka ditur të përkufizojë, kështu që nuk kemi as çfarë të shtojmë më shumë. E thënë troç: Kemi partinë me ideologji të qartë dhe kemi gjuhën shqipe të vënë përballë kërkesës për të përpunuar një sistem leksikor që do të shprehte saktë nocionet e kësaj ideologjie. Orveliane.
4. Emil Lafe: Kujdesi dhe vëmendja që i kanë kushtuar vazhdimisht Partia dhe shoku Enver zhvillimit të gjuhës letrare, kanë qenë një ndihmë e madhe e drejtpërdrejtë edhe për punën për pastërtinë e gjuhës. Këtë çështje shoku Enver e ka vlerësuar si një detyrë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës sonë kombëtare socialiste… Nga ky mësim i shokut Enver, gjuhësia jonë normative ka nxjerrë detyra të rëndësishme për veprimtarinë e saj teorike dhe praktike.
Po ashtu, e thënë qartë: Nga ky mësim i shokut Enver “gjuhësia jonë normative” ka nxjerrë detyra të rëndësishme për veprimtarinë e saj teorike dhe praktike. Sintagma “gjuhësia jonë normative”, tregon se gjuhësia do të jetë preskriptive dhe se nuk paska fare nevojë për studime deskriptive (përshkruese). Shohim diskutimin mbi pastërtinë e gjuhës – me ç’rast pastërtia përfshin edhe nga elementet dialektore që shihen si kontaminuese (v.j.).
Shtojmë, po ashtu, siç kemi argumentuar më parë, se ajo që ka ndodhur, ka qenë pastrim, por jo pasurim i gjuhës. Gjuhësia preskriptive ka punuar në favor të varfërimit.
Vërejmë, po ashtu, sintagmën kultura jonë kombëtare socialiste, si një term karakteristik.
Në një tjetër rast, Lafe jep një lloj betimi se do ta ndjekë rrugën e “Shokut Enver”: “Mësimet dhe idetë e pavdekshme të shokut Enver Hoxha për gjuhën tonë amtare… do të na udhëheqin kurdoherë në studimet tona shkencore dhe në gjithë veprimtarinë praktike për pasurimin e mëtejshëm dhe për pastërtinë e gjuhës shqipe”.

Siç dëshmon leximi i këtyre katër autorëve, këtu kishte një grup, i cili kishte një program dhe i cili e kërkonte mbështetjen “e shkencës”, ndërsa “shkenca” po i përgjigjej, duke preskriptuar receta për zbatimin e këtij programi. Kjo realizohet jo vetëm në forma agjitacioni, por, siç kërkonte Lenini, edhe në forma organizimi të gjithëmbarshëm.
Të gjithë këta autorë thirren në atë që ka thënë kryetari i Partisë e që është personi më i lartë në hierarkinë shtetërore. Enver Hoxha nuk ka pasur vetë kualifikime të gjuhësisë, megjithatë secili nga këta gjuhëtarë të kualifikuar fjalën e tij e merr si të vërtetë të padiskutueshme për çkado që lidhet me gjuhën a gjuhësinë. Ja disa shembuj:
Androkli Kostallari: “Në dritën e teorisë marksiste-leniniste për kombin dhe kulturën shqiptare, shoku Enver Hoxha ka përpunuar me një largpamësi shkencore politikën gjuhësore të Partisë dhe të shtetit tonë”.
Pra, ajo që duhet të zbatohet është parashkrim i Partisë, të cilën gjuhëtarët u dashka ta zbatojnë.
Jani Thomai: “Si përfaqësuesi kryesor i stilit të ri politiko-shoqëror, ai (referencë për Enver Hoxhën, për të cilin flitet në fjalinë paraprake v.j.) ka dhënë gjedhe (modelet) edhe për shkrimet gazetaro-publicistike”.
Gjuha e Enver Hoxhës, pra, duhet të jetë model për të gjithë vartësit a shtetasit.
Xhevat Lloshi, duke folur për terminologjinë: “Dokumentet e Partisë dhe vetë shkrimet e udhëheqësit tonë, shokut Enver Hoxha, kanë luajtur e vazhdojnë të luajnë edhe sot rolin kryesor për përpunimin e kësaj terminologjie”.
Partia dhe Enver Hoxha edhe si urdhëruese se çfarë duhet të jetë gjuha, por njëherësh edhe shkrimet e tyre janë model i gjuhës që duhet të elaborohet.
Emil Lafe: “Kujdesi dhe vëmendja që i kanë kushtuar vazhdimisht Partia dhe shoku Enver zhvillimit të gjuhës letrare, kanë qenë një ndihmë e madhe e drejtpërdrejtë edhe në punën për pastërtinë e gjuhës. Këtë çështje shoku Enver e ka vlerësuar si një detyrë me rëndësi të veçantë…”
Sërish, shoku Enver dhe Partia si urdhërues për detyrat që duhet të realizohen nga gjuhëtarët.
Cilat do të mund të ishin përfundimet e kësaj që u shtrua deri këtu, brenda punimit?
Së pari, grup përfitues i kësaj ideologjie ishte Partia e Punës me politikën e saj shoqërore që synonte në njërën anë uniformitet shoqëror në një anë dhe shërbim të “shkencës” jo vetëm për agjitacion, por edhe organizim “të të vërtetave” partiake. Autoritetet e institucioneve që pritet të kryejnë veprimtari shkencore e studimore, vihen nën urdhërat për zbatim të koncepteve të partisë për uniformitet dhe konformizëm, përfshirë uniformitetin gjuhësor. Ata shihen si ruajtës dhe mbrojtës të veprës së partisë. I nënshtrohen partisë. Pushon kërkimi i së vërtetës. E vetmja e vërtetë është ajo që do ta servojë partia. Pastërtia gjuhësore shihet si tërësi gjuhësore dhe për ruajtjen e asaj pastërtie duhen shmangur shkarjet nga rregullat e paracaktuara po aq sa edhe elementet dialektore, sepse, siç thuhet aty, dialektet janë “kategori mbeturinore”.
Së dyti, synimi i uniformitetit gjuhësor ishte pjesë e mëtimeve për uniformitet të përgjithshëm shoqëror dhe, siç shprehet njëri nga autorët: “…kishim një parti të vërtetë politike, të organizuar dhe me një ideologji e program të qartë. Gjuha shqipe u vu përballë kërkesës për të përpunuar një sistem leksikor që të shprehte saktë nocionet e kësaj ideologjie”. Synim i uniformitetit është që të mos ketë mendime konkurruese me atë që propozon Partia (pushteti, autoriteti).
Së treti, mekanizëm kryesor i kësaj ideologjie uniformiste në fushën e gjuhësisë del gjuhësia preskriptive, si koncept udhëzues, normëzues; kundrimi i normës si variant i vetëm i drejtë i gjuhës dhe tabuizimi e stigmatizimi i çdo varianti tjetër. Të përmendurit se “shkenca jonë” është në shërbim të pushtetit, e dëshmon këtë;
Së katërti, kjo ideologji ka pasur pasoja për shqipen dhe shoqërinë shqiptare përgjithësisht. Pasojat kryesore janë se, duke e imponuar preskriptivizmin, është hequr elementi i studimit gjuhësor (kërkimi në fushën e gjuhësisë) nga magisteria e gjuhësisë. Gjuha dhe standardi janë marrë si të mirëqena dhe gjuhësia duhet të merrej vetëm me ruajtjen e mbrojtjen e asaj të vërtete të padiskutueshme. Pasoja e kësaj mendësie janë, po ashtu, stigmatizimi i formave dialektore, rreziku i zhdukjes së të folmeve të ndryshme shqipe që do të dëmtonte ekologjinë gjuhësore, krijimi i pasigurisë gjuhësore dhe konservimi i një kodi të shkruar që mund të vijë në situatë të dallojë shumë nga gjuha e folur.
Ky punim është lexuar në konferencën shkencore njëditore “Shqipja standarde sot”, e cila u mbajt më 17 nëntor, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Referencat janë hequr nga Redaksia. Botohet me lejen e autorit.