Kompozitori e instrumentisti Robert Bisha, shpesh e ka stacion Kosovën, përherë me shpalosje unike muzike. I tillë ka qenë edhe në Prishtinë ku kryefjalë e koncertit të tij në oborrin e Qendrës për Praktika Rrëfyese ka qenë projekti “Home Neverland”. “Zakonisht bëj koncerte kështu. Jam ftuar shumë herë të bëj koncerte jashtë si në agim a në perëndim. Klima ishte fantastike, pak fllad, vendi fantastik”, ka thënë Bisha
Është një botë me shumë ngjyra, tinguj e improvizime ajo e krijimtarisë së kompozitorit e poli-instrumentistit Robert Bisha. Një lloj avangarde e tij ku pështjellohet klasikja me populloren shqiptare e jazzin. E ka eksploruar para publikut në Prishtinë të premten me tinguj pianoje dhe jo vetëm, në atmosferën e qytetit jo të panjohur për të. Bisha shpesh e ka stacion Kosovën, përherë me shpalosje unike muzike.
Kombinimi i tingujve të çiftelisë me ata të pianos nuk do të mund të imagjinohej. Por këtë e bën Robert Bisha. Me plot guxim, ritëm e stil ka ardhur me “Home Neverland”, për udhëtimet e vetmuara.
Organizim jo fort i zakonshëm ka qenë ai Qendër për Praktika Rrëfyese. Pikërisht rrëfim nëpërmjet vijës muzikore ka qenë koncerti i tij. Hapësira e oborrit e rrethuar krejt me pemë ka krijuar ambientin e qetë dhe të freskët ndryshe prej rreth 100 metra më tutje tollovisë së qytetit. Oborri i rregulluar verën e kaluar ka qenë i përshtatshëm goxha për atë që edhe e praktikon Bisha – interpretimin në natyrë.
Dritat e lehta me ngjyrash të ngrohta, ulëset me elemente kombëtare, sikurse edhe qilimat tradicionalë të shtruar i kanë dhënë veçanti ngjarjes në detaje. Kur tingujt e pianos janë bërë një me atmosferën e qytetit dhe efekte të tjera nga natyra, kanë krijuar njëlloj audio-instalacioni bashkëkohor krejt të natyrshëm.
Bisha ka interpretuar pjesë të veprës “Home Neverland” e vitit 2019 dhe ato të kompozuara më vonë. Nis me një tingull më të theksuar të pianos duke shkuar në formësim të një melodie shqiptare. Ajo ndërpritet prej tingujve me ngjyra klasike që dalëngadalë bëhen një me triumfin e klasikes. Pjesa tjetër ka nisur me ngjyra jazzi që ngjajnë në ata të kitarës. Ritmi fillestar nis të përhumbet e të çakordohet në atë më klasik dhe prapë rikthehet në melodinë fillestare, por me tinguj më dominues.
Në përgjithësi kanë qenë melodi që nisin në një pikë të qetë dhe derisa zhvillohen bëhen intensive. Shkon deri në atë pikë ku zhvillohen dy tema njëkohësisht dhe jehonat e tyre trazohen. Më tej ato filtrohen dhe zbërthehen në melankoli.

Ndonëse jo fort praktikohen koncerte të tilla në ambiente të hapura, për kompozitorin e poli-instrumentistin që jeton e vepron midis Shqipërisë dhe Italisë është krejt e zakonshme.
“Zakonisht bëj koncerte kështu. Jam ftuar shumë herë të bëj koncerte jashtë si në agim a në perëndim. Klima ishte fantastike, pak fllad, vendi fantastik. Është një Qendër që vërtet është unike, ndoshta e vetmja kështu në gjithë Prishtinën. Është një dimension shumë i mirë, shumë intim. Mund të jesh i lirshëm, të bësh çfarë të duash”, është shprehur Bisha.
Tingujt e tij i sjell edhe në versionin e atyre të ksilofonit e çiftelisë. Po ajo pjesë përfshin një version të gjatë të tingujve të njëtrajtshëm që duken të pafund sa i përket dinamikës. Derisa mban ritmin me njërën anë, luan edhe disa më dominues të cilët janë nismë e një rënie tingullit që mezi i kap veshi. Edhe vetë kompozitori ka theksuar se ka shumë ritme në vepra.
“Ka shumë ritme, nuk i ndaj me zhanre, nuk është se dua të jenë jazz, popullore, çka të kalojë le të kalojë. E liroj dhe e luaj. Patjetër se ka zhanre, jazzi është pafund, është gamë e madhe. Nuk ka fund e as fillim. Thjesht nuk po e definoj, dua t’i lë hapësirë lirisë, nëse mund ta quajmë të tillë”, ka thënë Robert Bisha derisa ka treguar se disa prej pjesëve janë shkruar posaçërisht për këtë koncert.
“Janë pjesë të një projekti piano-solo që quhet ‘Home Neverland’ e disa të tjera janë shkruar posaçërisht, e fundit sidomos. Nga mesi janë disa skema që luaj në piano. Që janë të tilla, por përbrenda substanca ndryshon përherë. Pjesa e parë ishte me shumë tema nga veriu dhe jugu natyrisht në Shqipëri”, ka shpalosur kompozitori Bisha.

Shpirtin prej muzikanti shumëdimensional e ka dëshmuar edhe në këtë koncert, pas atij në Prizren në premierën botërore të suitës simfonike “Monade” në shtator të vitit të kaluar. Prej asaj kohe nuk kishte interpretuar në Kosovë. E ka kthyer në kohë kur ka nisur të dëgjohej ezani nga disa xhami të kryeqytetit.
“Xhamia ka kënduar kështu edhe në Prizren. Nuk e dija që këtu ka konkurrencë”, ka thënë me shaka Bisha para të pranishmëve. E ka ndërprerë koncertin për pak çaste siç kishte bërë edhe në Prizren.
Pikërisht me veprën e tij, Filharmonia e Kosovës e kishte hapur zyrtarisht sezonin e ri. Suita simfonike për piano, orkestër, kor, solistë dhe multimedia kishte qenë gërshetim i gjuhëve e kulturave. Gjuha si mjet kryesor për komunikim kishte përçuar te publiku diversitetin e së folmes në qytetin historik të Prizrenit. Pjesë të interpretimeve kishin qenë portretizimi i zhurmave të zakonshme në rrugët e qytetit e në veçanti për interpretimet nëpër rrugë me tupan, violinë e klarinetë.
Në pranverën e kaluar kompozitori Bisha do të vinte në Prizren në një rezidence disaditore. Do t’i kapte tingujt e qytetit, zhurmat, frymën, zërat e çdo gjë që do t’i hynte në punë për një rrëfim nëpërmjet muzikës dhe jo vetëm. Sebep kishte qenë procesi i hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e “Kino Lumbardhit”.
Edhe vepra “Home Neverland” e interpretuar të premten mbrëma në oborrin e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani” – e që prej edicionit të 14-të të bienales nomade evropiane “Manifesta” njihet si Qendra për Praktika Narative – lidhet me Prizrenin. Në korrik të vitit 2020 ishte interpetuar në kinemanë “Lumbardhi” në kushte të pazakonta. Ishin lejuar veç 50 persona në krejt hapësirën e gjerë.
Bisha duket i lidhur me publikun në Kosovë.
“Shpresoj të vij, ta luajmë këtu suitën simfonike që e kemi pasur në Prizren. Shpresoj ta sjellim në Prishtinë me Orkestrën e Korin, pse jo edhe t’i bëjmë bashkë Orkestrën e Shqipërisë dhe të Kosovës”, është shprehur Bisha.
Pos koncertit të kompozitorit Bisha, Qendra për Praktika Rrëfyese ka qenë edhe nikoqire e një ekspozite këtë javë që ka rrjedhur prej programit të edukimit të këtij institucioni. Rijetësimi i saj thellohet më tej me ngjarje të tilla, sikurse edhe me koncertin e Robert Bishës.
në koncert do të zhyten në kërkimin personal muzikor të këtij pianisti të jashtëzakonshëm, i cili e shpreh kërkimin e tij artistik me shije të rafinuar. Është një dëshirë për t’i bërë homazh udhëtimit të bërë, për guximin që e shtyu njeriun të shkojë përtej të njohurave, të emigrojë, si dhe një nderim për qetësinë që i lejon njeriut të vëzhgojë veten aty ku është”, ka shkruar Qendra për Praktika Rrëfyese për ngjarjen.
Vetë Bisha, për veprën “Home Neverland” kishte shkruar se rrugëtimi nëpër të është humbje dhe gjetje e vetes në kujtimet e lashta dhe takimet e pakohë. “Udhëtimet e vetmuara, duke dëgjuar këndimet e vendeve dhe takimet e vëllazërisë më kanë bërë të kem gjithnjë e më shumë ndjenjën se atdheu i çdo njeriu është fryma e tij, këngët që ai sjell me vete. Çdo veri është gjithashtu një Jug”, kishte shkruar Robert Bisha për veprën.
Robert Bisha, me origjinë nga Shkodra, pos pianos luan një sërë instrumentesh të tjera, duke përfshirë fizarmonikën, çiftelinë, bateritë e kitarën. Ndërsa pjesa më e madhe e muzikës së tij është improvizuese, me prirje avangarde dhe jazz.