Shtojca për Kulturë

Historia e Shqipërisë në kontekstin ballkanik dhe evropian

Traditën e mirë të studimeve cilësore për historinë e shqiptarëve e vazhdojnë dy historianë të mirënjohur ndërkombëtarë: Bernd Fischer dhe Oliver Jens Schmitt, me librin e tyre të posabotuar “A Concise History of Albania” (Një histori e përmbledhur e Shqipërisë)”, Cambridge University Press, 2022, 440 faqe. Ky libër, që, në rend të parë, i dedikohet një audience të gjerë anglofone, na ofron një histori koncize të Shqipërisë brenda kontekstit të historisë bizantine, osmane, ballkanike dhe evropiane

Historiografia shqiptare, edhe tri dekada pas përmbysjes së sistemit komunist, me gjithë përpjekjet individuale të disa studiuesve të mirënjohur, nuk ka arritur të japë një përgjigje përfundimtare për ngjarje dhe figura të shquara historike, pasi nuk ka arritur t’u shmanget interpretimeve me një qasje të ngushtë dhe etnonacionale që shpesh u shërbejnë qëllimeve politike. Në këtë kontekst, të shumtën e herëve, një ndihmesë të çmueshme në fushën e historiografisë e kanë dhënë edhe studiuesit e huaj, të cilët kanë ofruar interpretime më të qëndrueshme dhe më objektive lidhur me zhvillimet historike në hapësirën shqiptare.

Traditën e mirë të studimeve cilësore për historinë e shqiptarëve e vazhdojnë dy historianë të mirënjohur ndërkombëtarë: Bernd Fischer dhe Oliver Jens Schmitt, me librin e tyre të posabotuar “A Concise History of Albania” (Një histori e përmbledhur e Shqipërisë)”. Fischeri dhe Schmitti shquhen për një opus të çmuar të botimeve shkencore lidhur me historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Bernd Fischer, historian dhe profesor i historisë në SHBA, në Universitetin “Indiana”, është autor i librave studimorë kushtuar periudhave të ndryshme historike të Shqipërisë, ndër të cilët libri “Shqipëria në luftë 1939-1945”, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri“, “Njeriu i fortë i Ballkanit: diktatorët dhe sundimtarët autoritarë të Evropës Juglindore”, si dhe studime të tjera për historinë shqiptare dhe atë ballkanike.

Edhe studiuesi tjetër i historisë shqiptare dhe asaj të Evropës Juglindore, njëherësh anëtar i rregullt i Akademisë Austriake, kryetar i Komisionit për Shkencat Shoqërore dhe anëtar i Kryesisë, profesor i Universitetit të Vjenës për historinë e Evropës Lindore, Oliver Schmitt, është autor i veprave të shumta: “Arbëria Venedike”, “Kosova”, “Skën­derbeu”, “Shqiptarët” “Ballkani në sh. XX” dhe studime të tjera për hapësirën historike të Evropës Juglindore.

Përmbysja e miteve politike dhe historiografike

Ky libër, që, në rend të parë, i dedikohet një audience të gjerë anglofone, na ofron një histori koncize të Shqipërisë brenda kontekstit të historisë bizantine, osmane, ballkanike dhe evropiane. Libri integron historinë politike, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë, si dhe ofron një angazhim objektiv dhe një pasqyrë të gjerë historike të historisë shqiptare që nga mesjeta e hershme e deri te fillimi i shekullit njëzet e një. Në fokus të librit, siç na tregon edhe titulli, janë Shqipëria, shteti dhe kombi shqiptar në harkun kohor që nga arbrit në mesjetë tek transicioni i vështirë postkomunist në një formë demokracie dhe ekonomie tregu në zhvillim. Në këtë libër shumë tërheqës, argumenti qendror i autorëve është se historia shqiptare duhet të shihet si pjesë e pandashme e historisë së përgjithshme bizantine, osmane, ballkanike dhe evropiane, ku Lindja dhe Perëndimi, krishterimi dhe islami, dy ekstreme të kundërta, patën një ndikim vendimtar ndër shekuj. Fischeri dhe Schmitti përpiqen t’i përmbysin mitet mbizotëruese politike dhe historiografike në lidhje me të kaluarën dhe të tashmen e Shqipërisë e të hedhin dritë mbi mënyrat, në të cilat mitet shqiptare kanë funksionuar si përbërëse të identitetit dhe si armë në luftëra e konflikte, si dhe si instrument për të fuqizuar homogjenitetin etnik dhe pushtetin politik.

Në të njëjtën kohë, me këtë libër, autorët rihapin debat për disa nga narracionet dhe interpretimet tradicionale në lidhje me origjinën e shqiptarëve, figurat e shquara historike, si dhe marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre ballkanikë, por pa dhënë një interpretim absolut dhe të pakontestueshëm për të gjitha këto tema dhe ngjarje historike në ambientin shqiptar. Kjo histori përmbledhëse dhe e përditësuar me një vëllim analizon zhvillimet politike, sociale, ekonomike dhe kulturore që ndikuan në krijimin e shtetit shqiptar dhe të kombit modern, si dhe përvojën e fundit të Shqipërisë me autoritarizmin, luftën dhe komunizmin.

Shqiptarët, ndër popujt më të vjetër dhe autoktonë në Ballkan e Evropë

Ky libër është i strukturuar jashtëzakonisht mirë, në nëntë kapituj, duke përfshirë hyrjen, janë renditur kronologjikisht, të fokusuar që nga mesjeta e hershme, të ndjekur nga kapituj të renditur sipas temave që adresojnë çështje kulturore, politike, ekonomike, rritjen e shtetit osman, si fuqi mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe fillimet e ndërtimit të shtetit kombëtar shqiptar pas shpalljes së pavarësisë më 1912 e deri te zhvillimet politike të fillimshekullit 21. Për të lehtësuar një njohje të shqiptarëve, autorët e kanë ndarë librin në dy pjesë: në krye rrëfimi për popullin shqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe, pastaj, rrëfimi për zhvillimin e shtetit të parë shqiptar dhe formimin e kombit në territorin e tij.

Pjesa e parë, e titulluar “Mes vullnetit rajonal dhe sundimit perandorak”, shpjegon lashtësinë dhe mbijetesën e gjuhës shqipe dhe identitetin e shqiptarëve e të gjuhës së vjetër shqipe. Në këtë pjesë, autorët do t’i qasen zanafillës, e cila mbetet e vështirë. Studimi i gjuhës shqipe ka sjellë disa dëshmi që në prapakthim kanë punuar në zhvillimin e teorive lidhur me origjinën dhe autoktoninë e shqiptarëve në hapësirën ballkanike. Me këtë rast vihet në dukje se shqiptarët janë një prej popujve më të vjetër dhe autoktonë në Ballkan dhe në Evropë, në përgjithësi. Në këtë kuadër, Fischer dhe Schmitt shkërmoqin mitet mbizotëruese politike dhe historiografike serbe në lidhje me strukturën e popullsisë në Kosovë. “Shumica e katolikëve në Kosovë nuk ishin serbë etnikë, por shqiptarë, dhe ky përkufizim kishtar i Serbisë nuk i referohet situatës etnike në Kosovë, por më tepër traditës së shtetit mesjetar serb që u pushtua nga osmanët më 1459”(f.6), shkruajnë autorët, kur flasin për shtrirjen e territoreve të Arbrit.

Image
“A Concise History of Albania” integron historinë politike, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë, si dhe ofron një angazhim objektiv dhe një pasqyrë të gjerë historike të historisë shqiptare që nga mesjeta e hershme e deri te fillimi i shekullit njëzet e një

Gjuha – shënjuese qenësore e identitetit të shqiptarëve

Për autorët e këtij libri, gjuha, si te asnjë popull tjetër, është shënjuese qenësore e identitetit të shqiptarëve dhe se e gjithë historia e shqiptarëve para krijimit të Shqipërisë, më 1912, mund të shkruhet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe. Në këtë kontekst, nënvizohet edhe roli i dijetarëve gjermanë, austriakë e të tjerë në studimet albanologjike, përkatësisht rrethanat e zhvillimit të gjuhës shqipe dhe të teorisë së autoktonisë ilire dhe thrake të shqiptarëve. Sa i përket kodifikimit të gjuhës shqipe më 1972, në bazë të dialektit toskë, Fischeri dhe Schmitti saktësojnë se elita shqiptare e Kosovës këtë kodifikim të gjuhës e pranoi për arsye politike, përkatësisht si shprehje e unitetit kombëtar të një kombi të ndarë. Por, duket pak i ekzagjeruar konstatimi i autorëve se “shumica gegëfolësve jashtë Shqipërisë kanë vështirësi të konsiderueshme në zotërimin e shqipes standarde” (f.12), për faktin se, me gjithë dallimet në dekadat e fundit, intensifikimi ndërshqiptar përmes mediave, librave dhe universiteteve i ka asimiluar këto dallime, të cilat janë evidente edhe te kombet e zhvilluara evropiane-perëndimore. Madje, nëse bëjnë një krahasim me gjuhën gjermane që flitet në Republikën Federale të Gjermanisë, dallimi mes gjermanishtes së Bavarisë dhe asaj të Sanksonisë së Ulët është më i madh sesa dallimi që ekziston ndërmjet shqipes që përdoret në Kosovë dhe asaj në Shqipëri.

Përveç kësaj, Fischer dhe Schmitt përfaqësojnë pikëpamjen se formimi i shtetit shqiptar shërbeu si katalizator për zhvillimin e një nacionalizmi dhe ndërtimin e shtetit komb në periudhën mes dy luftërave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht nën qeverisjen e Zogut dhe më pas të Hoxhës. Në këtë kuadër, për dallim nga Zogu, i cili provoi që fenë dhe klerikët fetarë t’i mbante nën kontroll dhe për interesa shtetërore dhe unitetin e kombit, Hoxha kultin e fesë e zëvendësoi me kultin e Skënderbeut, i cili edhe sot mbetet referencë unike për shqiptarët e tri konfesioneve fetare.

Periudha e qëndresës shqiptare nën drejtimin e Skënderbeut

Kapitulli i dytë “Arbrit në Mesjetë, 500-1500” përshkruan elementet lindore të historisë së Arbrit pasroman dhe për shfaqjen e tyre në burimet bizantine dhe, më pas, në periudhën e përparimeve të invazionit të shtetit perandorak osman. Viti 1453 shënon momentin vendimtar të pushtimit osman drejt Ballkanit. Forcat ushtarake osmane, nën drejtimin e Sulltan Mehmetit II, pushtuan kryeqytetin madhështor të Perandorisë Bizantine, Kostandinopojën, apo Stambollin e sotëm, i cili nga Sulltani përshkruhej si “Roma e dytë”. Në këtë rrethanë, edhe Arbëria, e cila në periudhën paraosmane ishte një tokë kryesisht e krishterë (katolike dhe ortodokse), me tradita autonome, pas invazionit gradual osman, ishte ndarë qartazi me një sferë nën sundimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të Venedikut në veri dhe sundimit të drejtpërdrejtë osman në jug.

Fischer dhe Schmitt thonë se qytetet bregdetare të Shqipërisë Veriore morën pjesë plotësisht në rrjetin tregtar të Adriatikut dhe qytetarët e tyre migronin lirshëm midis Venedikut dhe Dalmacisë. Në shekullin XV, Shkodra dhe Drishti u zhvilluan në qendra të kulturës humaniste katolike, të cilat deri në vitin 1480 kishin qenë të shkatërruara nga pushtimi osman” (f. 40). Në këtë kapitull, pa dyshim, vend qendror zë periudha e qëndresës së suksesshme shqiptare nën drejtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili pasi u bë pjesë e sistemit të shtetit perandorak osman, me gjasë nën ndikimin e dervishëve, u konvertua në islam, një fenomen që me kalimin e kohës mori hov në territoret shqiptare. Megjithëse Skënderbeu nuk arriti ta siguronte mbështetjen e të gjithë fisnikëve arbër, ai e vazhdoi rezistencën e tij të jashtëzakonshme ndaj fushatave të panumërta osmane.

Në të njëjtën kohë, ai ia doli ta ndërkombëtarizonte kryengritjen e tij dhe, për këtë, ai siguroi mbështetjen e Napolit, të Papës, të Republikës së Dubrovnikut dhe simpatinë e kryqtarëve hungarezë nën Janosh Huniadin. Për këtë arsye, Skënderbeu mbetet një nga figurat më unike për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe të diasporës, si një luftëtar që deri në fund provoi ta ruante lidhjen e natyrshme të shqiptarëve me Evropën Perëndimore. ”Skënderbeu ende mbahet mend si luftëtar ideal dhe hero i krishterimit kundër islamit. Ai ishte një udhëheqës i rëndësishëm ushtarak, me një vizion politik të qartë – krijimi i një principate shqiptare dhe përfundimisht një mbretëri në Ballkanin Jugperëndimor, si një ledhë antiosmane e Evropës katolike. Udhëheqja dhe guximi i tij personal dëshmohen nga bashkëkohësit - përballë disfatës ushtarake, ai shpesh ishte njeriu i fundit proverbial që la fushën e betejës” (54), shkruajnë autorët.

Procesi i konvertimit të shqiptarëve gjatë sundimit pesëshekullor osman

Në kapitullin “Shqiptarët nën sundimin osman: periudha klasike e Arnavutlukut, 1500-1800”, përshkruhen në hollësi ndryshimet thelbësore në shoqërinë arbërore pas vendosjes së kontrollit të pushtetit perandorak osman, ku osmanizmi dhe islamizimi i shumicës së arbërve shihen si elementet kyçe të këtij procesi, që zgjati për disa shekuj. Autorët ia dalin që, në mënyrë argumentuese, ta përshkruajnë procesin e konvertimit të shqiptarëve në fenë osmane gjatë sundimit pesëshekullor osman, duke nënvizuar se popullata ortodokse dhe ajo katolike, mbase edhe për shkak të mungesës së një kishe të fuqishme dhe unike shqiptare, për shkak të masave represive të shtetit osman, shumë prej tyre, u konvertuan në islam.

Për më tepër, Fischer dhe Schmitt e përshkruan Shqipërinë osmane përmes sistemit milet, islamit, bektashizmit, katolicizmit dhe ortodoksisë, si dhe urdhrave të dervishëve në përgjithësi, të cilat ishin elemente të dorës së parë për të kuptuar organizimin shoqëror dhe zhvillimet fetare të shqiptarëve nën sundimin osman. Duke u ndalur rreth temës më interesante në këtë kapitull, çështjes së islamizimit të shqiptarëve, në fillim, autorët përmendin tezën e Hasan Kaleshit, një shkencëtar shqiptar nga Kosova, i cili e përfaqësonte idenë se islamizmi i shpëtoi shqiptarët nga sllavizmi dhe helenizmi, tezë kjo, për të cilën nuk mund të thuhet se ka ndonjë bazë të qëndrueshme shkencore, por më pas ofrojnë të dhëna të detajuara për këtë fenomen të veçantë te shqiptarët. Autorët fokusohen në fenomenin e represionit të shtetit osman, i cili manifestohej në formë të drejtpërdrejtë ose përmes barrës së taksave të veçanta për të krishterët. Fischeri dhe Schmitti nënvizojnë se islamizimi përparoi me një hap të shpejtë në territoret e përshkuara nga shkatërrimet masive pas dekadash luftë, respektivisht në zonat ku arbrit kishin rezistuar, aty represioni kishte qenë më i madh, madje deri në zhdukje e dëbim. Për më tepër, nënvizohet se “në jug, aty ku njerëzit nuk iu bashkuan kryengritjes së Skënderbeut, islamizimi, të paktën deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ishte shumë më i kufizuar” (f.85-86). Një element tjetër i islamizimit ishte shtimi drastik i taksave për popullatën e krishterë, e cila u shoqërua me masat arbitrare të zyrtarëve osmanë. Këto argumente rrëzojnë pretendimet e disa studiuesve, duke përfshirë edhe tezat e Kaleshit, se konvertimi ishte vullnetar dhe jo si pasojë e diskriminimit struktural të shtetit osman kundër të krishterëve.

Përveç të tjerash, këtu vihen në dukje kontradiktat e mëdha ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës në veri, Ortodokse në jug të Shqipërisë, e cila u shpërfaq edhe në qëndrimin e tyre ndaj pushtimit osman: ndërsa të parët e kishin mbështetur aktivisht rezistencën kundër osmanëve, Kisha Ortodokse e lidhi veten me sundimtarët e rinj. Dhe është rastësi përse edhe në Kosovë, gjatë pushtimit osman, Kisha Ortodokse dhe, në përgjithësi, popullata ortodokse serbe ishin të privilegjuara në shumë pikëpamje më shumë se ajo katolike. Kjo mund shpjegohet pjesërisht nga shekuj të konkurrencës së ashpër mes dy kishave – shumë udhëheqës ortodoksë preferonin sundimin mysliman osman sesa një pushtet katolik. Për këtë arsye, ortodoksët, të cilët, po ashtu, qendrën e tyre e kishin brenda Perandorisë Osmane (Stamboll), u bënë pjesë e sistemit perandorak osman dhe nuk shikoheshin me armiqësi nga Porta e Lartë. Për më tepër, as osmanët dhe as Patrikana e Kostandinopojës nuk kishin arsye t’i acaronin raportet e tyre dhe nuk është rastësi që “më 1557, perandoria e rivendosi Patrikanën serbe në Pejë, si ledhë kundër ndikimit habsburg dhe venedikas në Ballkanin Perëndimor” (f.86).

Duke u ndalur rreth gjendjes së rëndë të popullatës katolike në Arbëri, autorët bëjnë një shtjellim tejet të detajuar edhe për përpjekjet e Perandorisë Habsburge dhe të Venedikut për të nxitur një rebelim të përgjithshëm antiosman nga popullata e krishtere. Ishte periudha e dështimit të rrethimit osman të Vjenës më 1683, që pasoi me rënien e fuqisë osmane. Arsyet për këtë humbje përfshinë largësinë e Vjenës nga Stambolli, humbjen e superioritetit ushtarak të osmanëve dhe zgjerimin e perandorive rivale në Evropën Qendrore. Për më tepër, ata nënvizojnë pasojat politike, demografike dhe kulturore të shtypjes së kryengritjes antiosmane, nën prijësin e arqipeshkvit shqiptar katolik nga Kosova, Pjetër Bogdani, respektivisht largimin e të krishterëve katolikë dhe ortodoksë nga Kosova në drejtim të Hungarisë habsburge. Shtypja e dhunshme e kryengritjeve katolike krijoi një dominim edhe kulturor të shtetit osman dhe të islamit në përgjithësi mbi kulturën krishtere të Arbërisë mesjetare.

Shfaqja graduale e etnonimit të ri – shqiptar

Në këtë kontekst, autorët sjellin një fenomen interesant në hapësirën shqiptare, kur rreth viteve 1700 në burimet e shkruara shfaqet gradualisht etnonimi i ri shqiptar dhe që gradualisht e zëvendëson Arbrin. Ky fenomen i pazakontë i ndryshimit të emrit do të haset edhe pas viteve 1800 te grekët, të cilët zëvendësuan etnonimin romiso në helen. Në rastin e shqiptarëve, ky ndryshim i vet-emërtimit kombëtar, sipas autorëve, tregon momentin kur islami u bë forca mbizotëruese fetare e sociale në mesin e shqiptarëve. Nga ana tjetër, Fischer dhe Schmitt nënvizojnë faktin se po në këtë periudhë udhëheqësit katolikë shqiptarë, duke qenë në kontakte me Italinë dhe Dalmacinë katolike, zhvilluan koncepte të qarta të historisë dhe të identitetit shqiptar. Ashtu sikur identitetin shqiptar, autorët e librit ia njohin Kishës Katolike edhe rolin e pazëvendësueshëm në kultivimin e gjuhës shqipe në formë të shkruar që nga shekulli i pesëmbëdhjetë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë