Shtojca për Kulturë

Hipnoza dhe viktimizimi serb – shfajësim për krimet rrëqethëse

Identiteti viktimizues serb është një traditë e brumosur prej letërsisë dhe Kishës Ortodokse dhe që ka lëshuar rrënjët në histori prej pushtimit osman. Hipnoza dhe viktimizimi serb, të cilat janë aktuale edhe sot, kërkojnë shfajësimin e madh për krimet rrëqethëse ndaj kombeve të tjera, duke u maskuar si viktimë. Përveç kësaj, Oliver Schmitt në librin “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-perandorake” flet për synimet e nacionalizmi racist serb, i cili drejtohej sidomos kundër shqiptarëve

Mbijetesa e nacionalizmit dhe institucionalizimi i tij

Një këndvështrim interesant dhe bindës ofron autori në këtë kapitull, mbijetesën e nacionalizmit në periudhën socialiste, që rrezon mitin e përhapur se sistemet komuniste e hoqën nga agjenda çështjen e nacionalizmit ose vunë vulë zgjedhjes së çështjes nacionale. Në fakt shtetet komuniste ballkanike po e instrumentalizonin nacionalizmin shtetëror pothuajse kudo dhe se kjo trashëgimi përfshinte edhe një konglomerat të partive dhe shërbimeve sekrete pos-komuniste. Në këtë kuptim, kjo dëshmon se shtetet e Ballkanit gjatë gjithë periudhës komuniste nuk arritën të tejkalonin plotësisht trashëgiminë perandorake dhe si rrjedhim deri në përfundim të shekulli XX nuk u shuan kundërthëniet dhe represioni ndaj shqiptarëve në Kosovë, turqve në Bullgari apo hungarezëve në Transilvani. Kjo është arsyeja përse këto tendenca nacionaliste dhe ksenofobisë, të cilat ishin forcuar gjatë viteve 1980-a, e frenuan Ballkanin që të bëhej pjesë e dinamikës pozitive të Evropës Qendrore-Lindore pas vitit 1989. Për shembull, për Jugosllavinë viti 1989 është më i parëndësishëm sesa viti 1991, pasi në këtë vit u vulos shpërbërja e shtetit jugosllav, shkaktuar nga udhëheqja nacionaliste serbe, e cila u përpoq të krijonte “një jugosllavizëm të tipit Rankoviqian”, siç thotë edhe ish-ministri i Jashtëm jugosllav, Millosh Miniq, ose një Serbi të madhe, ku do të bashkoheshin jo vetëm të gjithë serbët, por do të mbahej e aneksuar Kosova dhe pjesë të territorit boshnjak e kroat.

Mobilizimi i nacionalizmit serb

Në këtë kuadër, de facto, Memorandumi i Akademisë së Shkencave Serbe u bë programi i aksionit politik dhe ushtarak të Millosheviqit. Në këtë kontekst, Schmitt pos Akademisë së Shkencave të Serbisë, si mbështetëse të ideologjisë për nacionalizmin serb e sheh edhe Kishën Ortodokse Serbe, e cila në fund të viteve ‘90 të shekullit XX u bë përsëri qendër e politikës dhe e shoqërisë. Edhe pse autori nuk ndalet më gjatë në trajtimin e Memorandumit serb, që në fakt u bë katalizator dhe doktrina e ndërmarrjes kriminale dhe luftërave në Kroaci, Slloveni, Bosnjë dhe në Kosovë. Është kjo një analizë precize e situatës në vitet 1990-a, e cila kthesën e saj e mori me rënien e Murit të Berlinit, e që më pas u pasua me përmbysjen zinxhirore të qeverive komuniste në shtetet e Evropës Lindore dhe Juglindore. Në këtë kontekst, Schmitt zbërthen në mënyrë analitike dhe me një krahasim rajonal, duke evidentuar rolin e faktorëve të botës perëndimore dhe rajonale. Në këndvështrimin e tij, shpërbërja e Jugosllavisë shihet në ndërlidhje me problemet e humbjes së aftësisë për mbajtjen e kohezionit të mbarë shtetit, mungesës së legjitimitetit demokratik, humbjes së pozicionit të saj strategjik për Perëndimit me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe ngritjes në pushtet të Millosheviqit në vitet 1980-a dhe mobilizimin nga ana e tij të nacionalizimit serb dhe në veçanti me keqpërdorimin e serbëve të Kosovës, të cilët gjatë gjithë kohës i përdori si instrument të pushtetit. Sipas tij, nacionalizmi serb gjeti mbështetjen thelbësore në ushtri, udhëheqja e së cilës kontrollohej nga oficerët serbë, duke veçuar rolin negativ të ministrit Velko Kadijeviq dhe në dy organe qendrore kulturore: Akademinë e Shkencave dhe në Kishën Ortodokse Serbe. Këto rrethana çuan në zhbërjen e dhunshme të shtetit jugosllav, që u shoqërua me vrasje, dëbime masive. Për këtë arsye, kjo zonë post-perandorake u rrënua kaq shumë me dhunë si asnjë zonë tjetër post-perandorake që nga vitit 1945.

Identiteti viktimizues – traditë prej letërsisë dhe Kishës Ortodokse

Hipnoza dhe viktimizimi serb, të cilat janë aktuale edhe sot, kërkojnë shfajësimin e madh për krimet rrëqethëse ndaj kombeve të tjera, duke u maskuar si viktimë. Në fakt identiteti viktimizues është një traditë e brumosur prej letërsisë dhe Kishës Ortodokse dhe që ka lëshuar rrënjët në histori prej pushtimit osman. Përveç kësaj, autori flet për synimet e nacionalizmi racist serb, i cili drejtohej sidomos kundër shqiptarëve, të cilët, sipas konceptimit të vetëviktimizimit, akuzoheshin për gjenocid biologjik (lindshmëria, si një aspekt thelbësor për shqiptarizimin e Kosovës) ndaj serbëve në Kosovë. Ishte kjo periudha kur Serbia po bënte përpjekje t’i rikthente metodat represive të periudhës së luftërave ballkanike 1912/13, përkatësisht politikave dëbuese midis dy luftërave botërore. Apo siç do të shkruante ish-ministri i Jashtëm i Jugosllavisë, Millosh Miniq, “me politikën e tij ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe me luftën në Kosovë, të cilën e ndërmori me qëllim të ngufatjes së lëvizjes nacionale të shqiptarëve të Kosovës, Sllobodan Millosheviqi u bë pasardhës i politikës hegjemoniste të Nikolla Pashiqit dhe të oborrit mbretëror të karagjorgjeviqëve” (Milosh Minic, “Serbia tjetër”, Botues ADMOVERE (Transitional Justic I Education I Peacebuilding, Prishtinë 2021, fq.30).

Kujtesa ka rëndësi. Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë rol kyç patën fuqitë perëndimore, BE-ja dhe SHBA-ja, për të cilat pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Jugosllavia e kishte humbur vlerën e saj strategjike, ndërkohë që Serbia dhe mbështetësit e saj pretenduan se ishin ringjallur koalicionet e Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që të ndiqnin përsëri planet hegjemoniste në Ballkan. Ishte kjo përmbyllja në mënyrë dramatike dhe të përgjakshme e shembjes së Jugosllavisë, për dallim nga shpërbërje relativisht paqësore e Perandorisë sovjetike dhe Federatës çekosllovake, u përmbyll me krijimin e shteteve të reja edhe në Ballkanin Perëndimor, proces ky që groposi shtetin shumetnik të krijuar në Versajë.

Shqiptarët në kontekstin e historisë post-perandorake të Ballkanit

Për dallim nga rasti i turqve të Bullgarisë apo rasti i hungarezëve Transivalnisë apo ai i gjermanëve e hungarezëve në Vojvodinë, rasti i Kosovës është i veçantë. Duke qenë një territor me shumicë absolute shqiptare dhe me një identiteti politik dhe administrativ që nga periudha perandorake osmane, Vilajeti i Kosovës, asnjëherë nuk e pranoi statusin e pakicës kombëtare. Duke qenë thjesht e pushtuar, Kosova ishte e detyruar të vazhdonte rrugëtimin e saj për realizimin e kauzës shtetërore.

Duke qenë një libër shumë voluminoz dhe duke pasur parasysh se historia që trajton autori në këtë libër nuk është thjesht një përmbledhje e historive kombëtare të Ballkanit, Schmitt në mënyrë metodologjike e ruan një lloj ekuilibri edhe sasior në trajtimin e temave dhe të zhvillimeve përgjatë një shekulli. Në këtë kuadër, për herë të parë, historia e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë merr një hapësirë të duhur në kuadrin e një vepre të shkruar për Ballkanin. Nëpërmjet këtij libri lexuesi gjermanofon njihet me procesin e shtetndërtimit në Shqipëri dhe përpjekjet e saj për konsolidimin e brendshëm që nga shpallja e pavarësisë më 1912, e deri me kolapsin e regjimit dhe diktaturës komuniste të Hoxhës. Edhe në këtë libër është evidente se roli i shqiptarëve si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë ishte krejtësisht periferik në zhvillimet gjatë Luftës së Parë Botërore, për shkak të destabilitetit kronik të shtetit të ri shqiptar, ndërsa Kosova pothuajse ishte kthyer në vitet e pushtimit osman pa struktura të veta shtetërore. Pa dyshim, vend qendror zë periudha e revolucionit ekonomik dhe politik që ndoqi modelin sovjetik dhe më pas atë kineze, duke pretenduar ngritjen e një shoqërie komuniste në nivelin e vendeve të zhvilluara industriale. Por, mungesa e një kulture demokratike dhe orientimi në një ekonomi të centralizuar, sipas autorit, përfundoi më 1991 në kolaps dhe në deindustrializim të shpejtë dhe e ktheu për disa dekada prapa. Besimi i ulët i shqiptarëve në institucionet shtetërore, sipas Schmitt, ndërlidhet mbase me ndërhyrjet e gjatë të regjimit komunist shqiptar në jetën private dhe intime të qytetarëve të vet.

E ndodhur përballë problemeve ekonomike dhe prishjesh me kinezët, vështirësive të organizimit të shtetit shqiptar, standardit të ulët ekonomik dhe izolimit ndërkombëtar, Qeveria komuniste e Tiranës pas vitit 1981 filloi t’i rikthehet retorikës nacionaliste, respektivisht çështjes së Kosovës dhe inkurajimit të kërkesave të kosovarëve për ngritjen e statusit të Kosovës në nivel republike, të barabartë me statusin e republikave të tjera. Por, duke pasur parasysh gjendjen e brendshme të mjerë ekonomike dhe pafuqinë e saj në nivelin multilateral, është e qartë se shteti shqiptar nuk mund të bënte më shumë se kaq, pos mbështetjes retorike. Shqipëria, sikurse Greqinë që e shihte si shtet armik, që sundohej nga monarkofashistët, edhe Jugosllavinë e shihte si rrezik permanent, ndërsa titizmin jugosllav si herezi të pastër antistaliniste. Përveç kësaj, mes këtyre dy shteteve për një shekull me radhë çështja e Kosovës gjatë gjithë shekullit XX ishte një barrierë e përhershme dhe e pakalueshme që në vazhdimësi tensiononte marrëdhëniet bilaterale Tiranë-Beograd, si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe para saj. Ndërsa, stabilizimi i marrëdhënieve të Shqipërinë me Jugosllavinë në vitet 1970-a ndodhi nën presionin e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë.

Në studimin e Oliver Schmitt-it për Ballkanin e shekullit XX ka gjetur trajtim të rëndësishëm edhe historia e Kosovës, ku janë evidentuar ngjarjet më kulmore të cilat shënuan kthesë dhe lanë gjurmë në zhvillimet politike, ekonomike dhe kulturore përgjatë shekullit XX. Këto ngjarje përkojnë me fundin e Perandorisë Osmane dhe përmbyllen me zhdukjen nga skena ndërkombëtare e shtetit jugosllav dhe krijimin e shtetit të Kosovës, i cili në fakt shënon fundin e trashëgimisë pos-perandorake osmane, por edhe fillimin e shthurjes së trashëgimisë jugosllave.

Në këtë kontekst, për dallim nga shumë autorë të huaj, Schmitt është i saktë dhe preciz kur flet për Kosovën, pasi atë e trajton si një trevë me popullsi shqiptare të pushtuar nga Serbia gjatë luftërave ballkanike 1912/13, si një histori që u pasua me zbatimin e një politike të posaçme shtypjeje, terrori e asimilimi të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve. Në fakt, këtë histori kësaj radhe e shohim në kontekst më të gjerë, jo vetëm brenda kuadrit të historisë nacionale, por dhe në atë rajonale, me ç‘rast autori sjell shembull të ngjashëm të trajtimit mizor të pakicave si në Bullgari, Greqi dhe në Vojvodine me gjermanët, hungarezët dhe myslimanët boshnjakë. Është një histori e cila është zbërthyer kryesisht në kontekstin e zhvillimeve e luftërave ballkanike dhe të shtetit mbretëror serbo-kroat dhe slloven dhe më pas edhe atij komunist jugosllav, ku dalin në pah ambicionet serbe për ndërtimin e një shteti të madh serb dhe në këtë kuadër edhe përpjekja për eliminimin fizik në masë të shqiptarëve, koksifikimit të pasurive, dëbimi nga trojet tyre dhe kolonizimi me elementë serbë dhe malazezë si në mes të dy luftërave botërore ashtu edhe gjatë dy dekadave të para të periudhës komuniste.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë