Pala shqiptare, para rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë, i rikujtonte Bonit se Jugosllavia, dikur e “përkëdhelur e Perëndimit”, përpiqej, nëpërmjet Serbisë, të luante rolin e një karte të re ruse në Ballkan, duke shtypur të drejtat e shqiptarëve në Federatë dhe duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin rajonal. Por, deri tek arritja e marrëveshjeve e takimeve, janë jo pak episode që vënë në pah qasjen e gabuar e diletante të diplomacisë shqiptare. Shembull ishin bisedimet e Vjenës në tetorin e 1985-s, vetëm disa muaj pas vdekjes së liderit komunist Hoxha
Është shumë interesante se në dokument – ku trajtoheshin marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët – pala shqiptare, para fillimit të bisedimeve me gjermanët, Jugosllavinë, veçanërisht Serbinë e konsideronte si proruse. Me një deklarim të tillë pala shqiptare dëshironte të shfrytëzonte këtë rast për të treguar se edhe Tirana, ashtu sikurse Boni që e konsideronte Moskën si kundërshtarin e saj kryesor në zgjidhjen e çështjes gjermane, e shihte si rrezik për dominim në Ballkan. I rikujtohej Bonit se Jugosllavia, dikur e “përkëdhelur e Perëndimit”, përpiqej, nëpërmjet Serbisë, të luante rolin e një karte të re ruse në Ballkan, duke shtypur të drejtat e shqiptarëve në Federatë dhe duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin rajonal.
Për këtë ishin ende të freskëta masat represive të Beogradit ndaj shqiptarëve, pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë. Duke u mbështetur në shënimet e ish-ambasadorit të parë shqiptar në Bon, Shpëtim Çaushit, gjatë shërbimit të tij diplomatik në RFGJ, ky shqetësim i qeverisë shqiptare ndaj Jugosllavisë dhe shovinizmit serb i ishte transmetuar edhe ministrit të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher, gjatë vizitës në Bon më 1988 të Foto Çamit, ish-kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit shqiptar. Në atë kohë, Genscher kishte deklaruar se nuk do të lejohej që “ndonjë vend ta ndiente veten dhe të vepronte si superfuqi në Ballkan”, duke aluduar drejtpërdrejt për veprimet e Beogradit në drejtim të Shqipërisë.
Franz Josef Straussi në vizitë “turistike” në Shqipëri
Në periudhën kur po dukej se dinamika e bisedimeve Tiranë-Bon duhej të intensifikohej, ndodhi vizita e pazakontë “turistike” në Shqipëri e Franz Josef Straussit, kryeministër i Landit gjerman të Bavarisë dhe kryetar i Bundesratit (Këshillit Federal), i cili u prit nga zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Manush Myftiu, zëvendësministri i Jashtëm, Sokrat Plaka, dhe kryetari Akademisë ë Shkencave, Aleks Buda. Strauss ishte i interesuar t’i jepte shtytje vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe propozoi mundësi të reja për zgjidhjen e problemeve të mbetura pezull, si dhe premtoi se do të ndërhynte te kancelari Helmut Kohl dhe ministri i Jashtëm, Hans-Dietrich Genscher për t’i diskutuar kërkesat e palës shqiptare.
“Megjithëse Ju njoh vetëm prej një ore, unë kam besim te ju shqiptarët”
“Unë nuk kam njohuri të mira për rajonin e Ballkanit, por mendoj se këtu ka stabilitet”, thuhet të ketë argumentuar Strauss në një bisedë me zëvendëskryeministrin shqiptar, Manush Myftiu, për të cilën nikoqirët më pas përpiluan procesverbale, në të cilat “Spiegel” tani kishte qasje. Bëhet fjalë për situatën e përgjithshme të ambientit politik në Evropë. Për Shqipërinë, për Jugosllavinë dhe përsëri në lidhje me kërcënimin nga Bashkimi Sovjetik, sipas Straussit një “superfuqi e gjymtuar”, protokolloi pala shqiptare. Sipas revistës gjermane, bashkëbiseduesi gjerman deklaroi: “Megjithëse Ju njoh vetëm prej një ore, unë kam besim te ju shqiptarët”. Duke iu referuar kësaj vizite “Der Spiegel”, Strauss citohet të ketë thënë se “Evropës Perëndimore nuk i intereson se çfarë ngjyre politike ka Shqipëria - gjëja kryesore është që ky vend ‘nuk është një bazë’ për sovjetikët”.
Ky angazhim i politikanit bavarez nuk ishte pa sukses: marrëveshjet modeste u rritën për ekonominë gjermane, kompania “Quelle” bleu tekstile, “Salzgitter AG” tregoi interes për kromin. Në fakt, Franz Josef Strauss ishte politikani i parë dhe i vetëm perëndimor që u përpoq ta tërhiqte Shqipërinë nga politika e saj e izolimit. Me vizitën e tij ai vuri në lëvizje edhe Ministrinë e Jashtme në Bon, e cila megjithatë dëshironte të mbante autorësinë e saj për marrëdhëniet me Shqipërinë.
Ideja megalomane se Tirana ishte qendra e botës
Ndërkohë, ambasadori gjerman në Vjenë në tetor të vitit 1984 i deklaroi se në Bon po priste një përgjigje nga Tirana lidhur me takimin e dytë të përfaqësuesve të të dyja shteteve. Takimi i dytë ndërmjet delegacionit shqiptar dhe atij gjerman, i zhvilluar më 9 nëntor 1984 në selinë e ambasadës shqiptare, u zhvillua nën atmosferën dhe ndikimin pozitiv të vizitës së Franz Straussit në Shqipëri. Pala gjermane deklaroi se ajo ishte e gatshme pa kushte për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Pala shqiptare në mënyrë të pakuptueshme ose me qëllim për të vonuar diskutimin e thelbit të temës sërish insistoi për gjetjen e rrugëve të tjera, që Republika Federale e Gjermanisë kishte aplikuar me vendet të tjera, kryesisht me Jugosllavinë si kompensim të tërheqjes shqiptare nga termi reparacion. Rikthimi i kësaj kërkesë tregonte se pala shqiptare nuk po e kuptonte se momenti aktual në u përgjigjej rrethanave të fillimit të Ostpolitikës gjermane dhe se fajin për këtë vonesë kaq të madhe prej më shumë se një dekade e kishte vetë pala shqiptare, e cila vuante nga ideja megalomane se Tirana ishte qendra e botës dhe se ajo mund të diktonte ritmet e politikës ndërkombëtare, ndërkohë që shteti shqiptar pashmangshëm po shkonte drejt kolapsit ekonomik dhe politik. Si rrjedhojë bisedimet e Vjenës nuk sollën ndonjë përparim thelbësor në gjetjen e kompromisit as në takimin e tretë zyrtar midis ministrive të jashtme të të dyja vendeve, që u realizua në Vjenë më 29 tetor 1985, vetëm disa muaj pas vdekjes së liderit komunist Hoxha.
Përparime nuk pati as në takimin e marsit të vitit 1986, takimi i katërt zyrtar midis delegacioneve të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve, madje kur udhëheqësi i delegacionit gjerman Braunmüh përmendi si “gjest financiar” ndihmën teknike me shumën 4-5 milionë marka, reagimi i kryetarit të delegacionit shqiptar, Sofokli Lazrit ishte zhgënjyes dhe i nxituar. Ky zyrtar i lartë i regjimit të Tiranës kishte ardhur me pritjet se Gjermania do të ofronte “shuma të konsiderueshme” dhe se do të plotësonte kërkesa aspak realiste të palës shqiptare, të cilat shkonin përtej imagjinatës të zyrtarëve gjermanë, por që ishin tregues se Tirana bashkëpunimin me RFGJ-në po e shihte me optikën e vjetruar të bashkëpunimit të dikurshëm me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, i cili ishte zhvilluar në shtratin ideologjik dhe të aleancës antiperëndimore. Edhe në raportin mbi bisedimet me RFGJ-në, theksohej me krenari se delegacioni shqiptar nuk e kishte pranuar shumën financiare të ofruar nga delegacioni gjerman.
Frika e palës shqiptare nga dalja prej izolimit
Me gjithë faktin se Enver Hoxha kishte vdekur, udhëheqja e re shqiptare, ende operonte në linjën tradicionale të politikës së izolimit dhe druante se hapja me RFGJ-në do të mund të pasohej me kërkesa të tjera politike në fushën e të drejtave të njeriut dhe sidomos me lirinë e ushtrimit të fesë. Ishte fakt se Shqipëria krejt pa nevojë kishte humbur 15 vjet kohë duke përdorur skema të vjetruara dogmatike dhe ideologjike të politikës së jashtme dhe pozicione aspak realiste. Kjo ishte edhe pasojë e diferencave dhe moskuptimit të sistemeve dhe politikave ekonomike në shtetet perëndimore, ku bashkëpunimi ekonomik dhe financiar e teknik dallonte rrënjësisht me vendete socialiste, kur çdo gjë komandohej nga parti-shtet.
Sa më shumë që zhvilloheshin bisedimet aq më shumë zbehnin pritshmërinë e lartë të qeverisë shqiptare për ndihma të mëdha ekonomike gjermane. Për më tepër, kah fundi i viteve 1980, Qeveria gjermane dukej qartë se nuk ishte e interesuar që t’i jepte mbështetje një qeverie dhe regjimi komunist me ekonomi të centralizuar, në kohën kur në horizont ishin shfaqur shenjat e para të ndryshimeve në Evropën Lindore. Për më tepër, Shqipëria në opinionin gjerman akoma shihej si vendi i fundit stalinist dhe kjo e frenonte Qeverinë gjermane për të marrë vendime për mbështetjen e Shqipërisë me shuma të mëdha financiare. Kjo temë ishte diskutuar edhe me Straussin, i cili në mungesë të një progresi konkret në bisedimet e Vjenës, në muajin maj të vitit 1986 sërish e vizitoi Tiranën, me ç’rast këtë shumë financiare ai e kishte konsideruar qesharake. Por, ai po ashtu kishte hedhur poshtë kërkesën e palës shqiptare që, “bashkë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, t’i jepej edhe satisfaksioni moral” , që për qeverinë shqiptare nënkuptonte reparacione të luftës. Kjo kërkesë i dha shkas kryeministrit bavarez që shprehej hapur se Qeveria shqiptare “po ecte në një rrugë të gabuar” për mënyrën se si ajo kërkonte dëmshpërblime lufte nga RFGJ-ja. Pala shqiptare, po ashtu, i kishte dorëzuar zyrtarit të lartë gjerman vërejtjet e saj lidhur me projekt-protokollin e paraqitur nga pala gjermane. Në këto takime Strauss kishte hedhur idenë e bashkëpunimit ekonomike dhe tekniko-shkencor, si dhe mundësinë e përfundimit të një marrëveshjeje dhjetëvjeçare, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ose në të njëjtën kohë.
Diletantizmi i diplomacisë së zyrtarëve të Shqipërisë
Në fakt, Qeveria gjermane kishte dhënë shenja se ishte e gatshme për të kontribuar në fushën ekonomike, por ajo mbronte qëndrimin e vendosja e marrëdhënie diplomatike dypalëshe “nuk duhej të matej me para”. Në stilin e njohur të një kuadri komunist, udhëheqësi i delegacionit shqiptar, Sofokli Lazri, pa kurrfarë etike diplomatike refuzoi krejt hapur propozimin gjerman për një takim në Romë ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hans Dietrich Genscher, dhe homologut të tij shqiptar, Reis Malile, e cila do të lidhej edhe me aktin zyrtar të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Sikur Gjermania t’ia kishte nevojën Shqipërisë dhe jo anasjelltas, udhëheqësi i delegacionit shqiptar hodhi poshtë këtë ofertë gjermane, duke thënë se një takim i tillë “po të kishte perspektivë, mund të bëhej, por unë nuk shoh ndonjë perspektivë” dhe se “qëndrimi i Qeverisë gjermane për bashkëpunimin ekonomik, nuk e shikoj inkurajues”. Ky mohim kategorik dhe pa etikën e duhur diplomatike nga zyrtari i lartë shqiptar shpërfaqte diletantizmin diplomatikes të Tiranës zyrtare ndaj një shteti që mbante qëndrim korrekt ndaj Shqipërisë dhe kishte dhënë dëshmi konkrete se nuk do të lejonte që Beogradi të bëhej shtet dominues në rajon dhe se qëndrimi i mediumeve gjermano-perëndimore, edhe të atyre të afërta me qarqet qeveritare në Bon, kishin një qëndrim afirmativ për kërkesat e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1981 për avancimin e krahinës në statusin e republikës.
Çështja e Kosovës, pa zgjidhje
Veçanërisht çështja e Kosovës, e cila përbënte thelbin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, nuk mund të zgjidhej pa një hapje të Tiranës me Bonin dhe me pasimin e hapave të tjerë serioz në marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin. Pra, Shqipëria kishte nevojë të ishte më prezente në Evropë, marrëdhëniet e mira që kishte me vendet afrikane dhe aziatike, nuk mund të influenconin në pozicionin e saj në Evropë dhe as në mbështetjen e Kosovës në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ndërkohë, pala gjermane kishte propozuar që bisedimet e radhës të zhvilloheshin paradite në Ambasadën gjermane dhe pasdite në Ambasadën shqiptare dhe që këto takime të jenë sekrete. Në takimin e pestë zyrtar në Vjenë, më 17 mars 1987, pala gjermane edhe vinte në dukje se gjente vështirësi në formulimet e delegacionit shqiptar:
Çështja e përfaqësimit të Berlinit Perëndimor;
Dëmtimet që kanë bërë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore;
Si do të formulohej pjesa për bisedimet lidhur me marrëdhëniet ekonomike, tekniko-shkencore dhe kulturore.
Pasi u tejkalua çështja e dëmshpërblimeve dhe u arrit kompromisi për Berlinin Perëndimor, të dyja palët u pajtuan që të fillonin menjëherë bisedimet për përfundimin e marrëveshjeve për bashkëpunim ekonomik, tekniko-shkencor e kulturor. Kryetari i delegacionit gjerman Dr. Dieter Kastrup, zyrtar i lartë në MPJ në Bon, kishte deklaruar se në Bon me shumë interes morën shënime për atë çfarë kishte thënë presidenti Ramiz Alia në Kongresin e IX lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me RFGJ-në. Pala shqiptare i kishte dorëzuar palës gjermane një listë të objekteve industriale që do të ndërtohen në Shqipëri dhe për të cilat ishte kërkuar kontributi i RFGJ-së. Edhe pse lista ishte e gjerë dhe me kërkesa jo realiste, udhëheqësi i delegacionit gjerman, Kastrup, me një etikë të lartë diplomatike do të deklaronte se kjo listë do të studiohej nga ekspertët gjermanë. Në këtë pikë, pala shqiptare mbronte pozicionin që bisedimet për bashkëpunimin ekonomik e tekniko-shkencor të mos zgjasnin pambarim, të paktën jo aq sa u deshën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Veç tjerash, Shqipëria shpresonte se do të kishte mjaft përfitime, ashtu siç kishin pasur edhe shtetet tjera dhe se këto përfitime nuk lidheshin as direkt as indirekt me çështjen e reparacioneve. Sa i përket çështjes së Berlinit Perëndimor, pala shqiptare nuk paraqiti ndonjë kërkesë të veçantë, meqë kjo çështje nuk përbënte problem për palën shqiptare, por më shumë shikohej si problem që gjermano-perëndimorët e kishin me vendet tjera. Ndërsa, problemi i reparacioneve nga pala gjermane konsiderohej jo thjesht si një problem juridik, por edhe politik.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë