Jo më larg se më 1 mars të vitit 1890, tre muaj para vrasjes së konsullit serb Lluka Marinkoviq, referenti i konsullit Stankoviq, Branisllav Nushiqi ia doli ta realizojë hapjen e librarisë së parë serbe në Prishtinë. Ndër të tjera, ia doli të vendoste disa kontakte me disa “miq” shqiptarë. “Me përmirësimin e raporteve me pushtetin turk dhe arritjen e miqësive me shqiptarët edhe cilësia e raporteve të dërguara nga Prishtinë nga ana e Nushiqit ishte shumë më e lartë sesa e atyre të konsullit Marinkoviq”, ishin të bindura qarqet e Beogradit. Por përpjekjet e referentit të konsullatës serbe, Nushiq si në këtë kohë por edhe më vonë kur ai do ta marrë postin e zëvendëskonsullit, ishin paksa të çuditshme sepse ai u angazhua gjithnjë që Konsullata serbe në Prishtinë të mbyllej
Ndonëse konsulli serb Todor P. Stankoviq po përpiqej që të vendoste marrëdhënie të ngushta me shqiptarët qoftë edhe me ata të cilët ai dhe ushtria serbe i kishin dëbuar nga vatra e tyre, referenti i tij Branisllav Nushiq në ndërkohë ia doli ta realizojë hapjen e librarisë së parë serbe në Prishtinë, jo më larg se më 1 mars të vitit 1890, do të thotë tre muaj para vrasjes së konsullit Marinkoviq. Përveç tjerash në njërin prej raporteve, më saktësisht të datës 8 mars 1890, Nushiqi ua kishte tërhequr vërejtjen qarqeve të Beogradit se do të ishte e rrugës që Serbia të fillonte t’i përfitonte shqiptarët, në radhë të parë muhaxhirët shqiptarë që shumë shpesh vinin në konsullatën serbe (për rregullimin e çështjeve pronësore) por për Nushiqin megjithatë më e rëndësishme ishte përfitimi i krerëve të fiseve shqiptare.
Kontaktet e Branisllav Nishiqit me “miqtë shqiptarë”
Përkundër që Beogradi nuk u mor shumë me sugjerimet e Nushiqit, ai megjithatë ia doli që të vendoste kontakte me disa “miq” shqiptarë.
“Me përmirësimin e raporteve me pushtetin turk dhe arritjen e miqësive me shqiptarët edhe cilësia e raporteve të dërguara nga Prishtinë nga ana e Nushiqit ishte shumë më e lartë sesa e atyre të konsullit Marinkoviq”, ishin të bindura qarqet e Beogradit. Qysh në këtë kohë ai nis me mbledhjen e materialeve për librin “Kosova, përshkrimi i vendit dhe popullsisë” dhe me t’u kthyer në Beograd ai vazhdoi punën në këtë libër. Pasi e përfundoi pjesën më të madhe të librit ai kërkoi leje që sërish ta vizitojë Kosovën duke dashur që t’i kalojë dy muaj në kërkimin e materialeve shtesë, por leja nuk iu dha! Ndërsa vetë Nushiqi ka sqaruar: “Kur në vitet 1889 – 1890 kam qenë i punësuar në konsullatë në Prishtinë, duke mos dashur që ta lëshoja rastin e kam shfrytëzuar kohën që ta njoh vendin (Kosovën), rrethanat në të, popullsinë dhe jetën e saj dhe të gjitha shënimet i kam përmbledhur në një tërësi, prandaj dua ta shkruaj një vepër që do të titullohet ‘Kosova, përshkrimi i vendit dhe popullsisë’”. Njëherësh Nushiqi kishte kërkuar ndihmë nga qeveria e Serbisë që libri të botohej në 2000 kopje dhe kërkesa ishte miratuar nga vllehu Nikolla Pashiq që atëbotë ishte kryeministër i Serbisë. Mirëpo, përpjekjet e referentit të konsullatës serbe, Nushiq si në këtë kohë, por edhe më vonë kur ai do ta marrë postin e zëvendëskonsullit, ishin paksa të çuditshme sepse ai u angazhua gjithnjë që konsullata serbe në Prishtinë të mbyllej.
“Seksioni për shkollat serbe në Turqinë Evropiane ishte nën udhëheqjen e Ministrisë së Arsimit dhe çështjeve kishtare. Në vitin 1889 seksioni u vu nën përkujdesje të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Si shef i parë i saj prej këtij viti ishte Branisllav Nushiq dhe që prej kur ai u vendos në krye të saj këtij seksioni ia vendosi emrin e ri, pra Seksioni i Propagandës Politike. Është interesante edhe një vizitë e Nushiqit në Korçë në kohën kur ai po i vendoste bazat e propagandimit politik antishqiptar. Gjatë qëndrimi në Goricë të Korçës ai u prit prej mysterifit, bejlerëve shqiptarë, imamit dhe disa tregtarëve. Bejlerët shqiptarë e gostitën Nushiqin duke i shtruar darkë të pasur. Duke dashur që të paraqitej sa më mahnitës para shqiptarëve, siç mendonte Nushiqi ai u paraqit para tyre me fraza poetike pasi ai ishte i bindur se vetëm fjalë të tilla para shqiptarëve do të tingëllojnë të bukura dhe të rëndësishme. I entuziazmuar nga mikpritja, Branisllav Nushiq, ua recitoi bejlerëve shqiptarë një poezi të njohur të poetit hungarez Sándor Petőfi (1823-1849). Simpatitë e Nushiqin për Goricën e Korçës mbetën të pakuptueshme. Më pastaj për tre ditë radhazi ai qëndroi në Voden dhe përkundër rreziqeve, ai doli në shëtitje gjithnjë i përcjellë nga shqiptari Jusuf beu.
Tentimet për uljen e prestigjit të kryeqendrës së Kosovës
Por siç e cekëm më lart ai këmbëngulte gjithnjë që t’ia ulte prestigjin kryeqendrës së sotme të Kosovës.
"Plani i Branisllav Nushiqit rreth organizimit të konsullatave serbe në vitin 1891 ishte që të mbyllej Konsullata në Prishtinë ose që aty të punonte vetëm një referent, në Selanik të emërohej konsulli gjeneral, më pastaj të vendoseshin zëvendëskonsujt në Serrez, Ohër, Kostur, Durrës dhe Shkodër, pra ashtu siç funksiononte ai në Plevël. Mirëpo plani i Nushiqit u hodh poshtë nga Beogradi. Ky plan nuk u pranua, prandaj për nga rëndësia në Vilajetin e Kosovës si qendër e parësore, kuptohet radhitej kryeqendra e Shkupit, më pastaj vinte Prishtina, ndërsa jashtë Vilajetit të Kosovës qendër me rëndësi ishin Manastiri dhe qendra e Selanikut. Sipas bashkëkohësve të Nushiqit, qysh prej fillimit të aktivitetit të tij ai nuk e kishte duruar Prishtinën si qendër, por megjithatë ai u soll në mënyrë aq perfide dhe nuk dihet që ndonjëherë të jetë grindur apo të ketë pasur mosmarrëveshje me serbët, shqiptarët apo turqit, ashtu siç vepruan më herët konsujt Lluka Marinkoviq, Todor Stankoviq, por dhe Sima Avramoviq. Bile sipas Jovan M. Jovanoviqit, Nushiqi ishte gjithnjë i gatshëm të priste edhe “miq në konsullatën e Prishtinës”.
Ndonëse Prishtina ishte qendër jo e dëshirueshme për konsujt serbë, nga përshkrimi që i është bërë në vitin 1892 rezultonte që kryeqendra e Kosovës të kishte shënuar përparim edhe atë sidomos në aspektin ushtarak por edhe të përkujdesjes së shëndetit të popullsisë civile.
“Prej objekteve që bien në sy si më i respektueshëm në Prishtinë, në radhë të parë është konaku (saraji), ku është vendosur pushteti qendror. Ajo është një ndërtesë madhështore trekatëshe. Aty gjendet zyra e Mytesarifit të Prishtinës, aty janë gjykata, policia, posta dhe telegrafi, banka e kursimit dhe zyrat e të gjitha autoriteteve të tjera. Ndërtesë e re në Prishtinë është edhe spitali ushtarak, që është gjithmonë e mbushur me pacientë. Për më tepër në Prishtinë gjendet edhe një depo e madhe ku janë të vendosura armët dhe mjete të tjera që shërbejnë për tërë ushtrinë e Kosovës. Aty ndodhen stalla të mëdha për artileri dhe kalorësi, më pastaj është një magazinë baroti dhe një mulli i madh me avull, që furnizon me bukë ushtrinë e Kosovës. Përveç kësaj, Prishtina i ka 12 hane, disa magazina dhe rreth 500 dyqane në të cilat shiten gjësende dhe prodhime të zanatçinjve prishtinas, ku prej prodhimeve vendore më i rëndësishmi është ai i sapunit misk që është shumë në zë dhe i njohur, prandaj edhe eksportohet jashtë vendit”.
Ndërsa në javën e tretë të gushtit të vitit 1892 në Prishtinë arriti telegrami nga veziri i madh, ku thuhej se “në ditën e ardhjes në pushtet të Sulltan Hamidit, vetë sulltani e kishte urdhëruar mytesarifin e Prishtinës, Bahri pashën që në Prishtinë të fillonte ndërtimi i kazermës dhe për këtë qëllim duhet ndarë para në vlerë prej 240 000 groshëve. Më pastaj Bahri pasha i kishte tubuar të gjithë nëpunësit, oficerët, hoxhallarët në Prishtinë dhe ata bashkërisht e kishin vizituar pjesën jugore të qytetit ku edhe do të ngrihej kazerma e ardhshme”.
Një ngjarje e pazakontë në kazanë e Preshevës
Pas lëshimit në qarkullim të linjës hekurudhore Mitrovicë – Selanik në vitin 1874 edhe pjesët lindore të Vilajetit të Kosovës, që kufizoheshin me Bullgarinë e sotme gjithashtu nëpërmjet linjës hekurudhore që u përfundua në verën e vitit 1887, u lidhën me Evropën. Kështu më 21 maj, në orën 7 e 35 minuta në stacionin hekurudhor të Selanikut arriti treni i parë nga Parisi”, raportonte konsulli francez prej atij qyteti. Pra, në një distancë kohore vetëm prej 14 vjetëve Vilajeti i Kosovës iu bashkua rrjetit hekurudhor ndërkombëtar dhe tani si pjesa veriore po ashtu edhe ajo lindore u bënë pjesë integrale e komunikimit si me Lindjen por po ashtu edhe Evropën Perëndimore. Megjithatë gjendja brenda Vilajetit të Kosovës vazhdonte të ishte e ndarë por edhe e pasigurt. Fatkeqësisht pasiguria madje ishte e dukshme edhe në radhët e vetë pushtetit turk, që tashmë jetonte dhe sillej në shijen e hidhur të humbjes të territoreve dhe ngjarjeve të pas Kongresit të Berlinit.
“Treni tashmë po mbërrinte në Stacionin Hekurudhor kufitar midis Serbisë dhe Turqisë në Ristoc. Ndërsa situata në Zhbefc (vendkalimi kufitar në anën tjetër të kufirit në kazanë e Preshevës – S. L.) në vetvete nuk ngjalli shumë frikë. Dy oficerë të xhandarmërisë turke u vendosën në kupenë time (kabinë e ndarë treni). Pasi miku im fliste turqisht nuk vonoi gjatë dhe midis tyre u hap një bisedë shumë e gjallë. Nga lëvizjet e kokës së njërit prej këtyre oficerëve, kuptova se edhe ai po pyeste për mua. E nëse deri atëherë qëndroja indiferent në një cep të kupesë, në atë moment më zgjoi kurioziteti, për të mësuar nga i njohuri im temën e bisedës së tyre. Turqit nuk e kuptonin serbishten.
- Po pyesin për mobilizimin e ushtrisë në Serbi dhe ardhjen e tetë batalioneve të reja në Vranjë, u përgjigj shoqëruesi im. Dhe miku im më shpjegoi se prej oficerëve kishte mësuar se në gjithë Turqinë ishte përhapur fjala se Serbia e kishte vendosur të ndërmerrte masa kundër Turqisë. Bile në anën turke po flitej se tetë batalione tashmë ishin të përqendruar në Vranjë dhe lufta do të fillonte sapo të përfundonte mobilizimi!
Shoku im u përpoq t’i bindte këta turq dhe t’ua paraqiste Serbinë si një fqinj besnik. Megjithatë, ata ishin të bindur se lufta ishte në prag. Ata besonin thjesht se Serbia do të kalonte kufirin pa shpallur luftë, do t'i vriste të gjithë, do t’ua pushtonte territorin....Oficerët turq na lanë në stacionin e parë pas Preshevës”. Pak a shumë kjo ishte gjendja psikologjike e ushtreve turq në tërë kufirin lindor të Vilajetit të Kosovës.
Përshkrimi i mësipërm i gjendjes është bërë prej një diplomati serb, që e kishte për detyrë t’u binte kryq e tërthor tokave shqiptare, ndërsa obligimi i tij i veçantë kishte të bënte me viset në Maqedoninë e sotme Veriore, sepse atje ai duhej t’i paguante disa priftërinj ortodoks që me të madhe vepronin në sllavizimin e shqiptarëve të vendbanimeve të Manastirit, Krushevës dhe Rekës së Madhe. Fatkeqësisht në listën e pagesës që ai e kishte me vete, figuronte edhe emri i një prifti shqiptar nga Korça që ishte vënë në shërbim të propagandës serbe.
Ndërsa oficerët turq ishin në panik në anën tjetër të kufirit, në Serbi ku akoma kishin ngelur familje shqiptare, situata paraqitej si në vijim.
“Në bisedë me Kamber efendinë e pyeta se pse ai dhe të gjithë turqit (shqiptarët) nuk po qëndrojnë në vatrat e tyre, në shtëpitë e tyre, por ata këmbëngulnin t'i shesin pasuritë dhe të shpërngulen përgjithmonë. A nuk ju dhimbset vendi ku keni lindur e ku e keni kaluar fëmijërinë. Krali ynë do t’jua rindërtojë xhaminë, do t’jua paguajë imamin nëse ju nuk mund ta paguani vetë dhe askush nuk do të guxojë asgjë të ndërmarrë kundër jush? Me zemër të pikëlluar Kamber efendia m’u përgjigj: ‘Kush është ai të cilit nuk i dhemb zemra për toprakun e vet, për tokën e vet ku është lindur, ku e ka kaluar fëmijërinë e rininë? Por, ne e kemi të pamundur të jetojmë me këtë popull (serb) i cili nuk do që të respektojë askënd me vullnetin e mirë, përkundrazi ky popull do që të sundojë me dhunë dhe me armë! Sikur populli juaj të ishte i dëgjueshëm dhe i mençur, ne do të jetonim mirë në dostllaki e në miqësi këtu, bile edhe nëse do të ma kishin shkaktuar ndonjë padrejtësi unë do t’u falja ashtu siç falin burrat e trimat, por me këta ngucakeqë nuk mund të jetohet, sepse të tillët edhe kur më kalojnë përskaj në rrugë me qykë inati e provojnë të më shtyjnë anëve të rrugës. Unë besoj se mbreti do të na i rindërtonte xhaminë, por a e di se si është feja jonë: ku do të shkojmë ne me gratë tona. Do të duhej të jetonim të mbyllur deri në amshim”.

Kjo ishte biseda që shqiptari Kamber efendia e kishte zhvilluar me Sreten L. Popoviq (1820 – 1890) kur ky kishte qëndruar në Vrajë në dimrin e vitit 1878, vetëm pak ditë pasi kjo qendër kishte rënë në duart e ushtrisë serbe.
Ndërkaq, Stojan Novakoviq ithtar dhe përkrahës i zgjerimit të Serbisë drejt jugut në kontaktet e tij zyrtare me përfaqësuesit e pushtetit në Vilajetin e Kosovës gjendjen psikologjike të vetë pushtetarëve turq e paraqiste si në vijim.
“Kajmekami i Preshevës, kishte dalë të më priste në kufi. Ai më parë ishte dëbuar nga Leskoci dhe gjëja e vetme që i inte¬resonte ishte shitja e pronës dhe rregullimi i çështjes së saj, sepse kjo njëherësh ishte arsyeja e vetme që e mbante kajmekamin të lidhur me Preshevën”.
Sjellja e këtillë e pushtetarëve të zhvendosur nga vise të tjera, të emëruar në poste të reja, siç ishte rasti i Preshevës, ndikonte në acarimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve vendorë dhe pushte¬tit.
“Më 27 shtator të vitit 1892 tridhjetë preshevarë rreth orës 21 i ranë në shtëpi kajmekamit! Ata bënë copa-copa portën e shtëpisë. Shkaku i kësaj ngjarjeje ishte se mbesa e njërit prej agallarëve të njohur të Preshevës Haqif agës, kishte ikur në haremin e kajmekamit. Bile sulmit të preshevarëve iu printe vetë Haqif aga, ndërsa ata ishin nxitur të sulmonin kajmekamin nga avokati Sherif efendia që më origjinë ishte nga Prokupla”.
Duke u bazuar në ngjarjet e mësipërme, shtuar këtu edhe gjendjen e tensionuar në mbarë tokat shqiptare, mund të thuhet se faktori kyç i rritjes së armiqësisë midis shqiptarëve dhe pushtetit ishte dëbimi i shqiptarëve nga vatrat e tyre nga Nishi, Leskoci, Vranja e të tjera dhe armiqësitë midis shqiptarëve dhe serbëve që principata e Serbisë në raport me shqiptarët e mbetur në vatrat e tyre i nxiste duke mos iu përmbajtur në asnjë mënyrë vendimeve të Kongresit të Berlinit, sidomos të atyre që kishin të bënin me pronat e shqiptarëve të mbetura matanë kufirit por edhe të respektimit të lirive elementare të garantuara me ligjet ndërkombëtare të kohës.
Kështu ishte gjendja në Kazanë e Preshevës si pjesë integrale e Sanxhakut të Prishtinës, ndërsa diplomati serb Mihailo Ristiq që ishte entuziazmuar nga gjendja e oficerëve turq në rrethinat e Preshevës, tashmë pas mbarimit të punëve në Maqedoni, kishte arritur në qendrën e Prishtinës.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë