Shtojca për Kulturë

Halli i madh i Albanit dhe i albanologjisë

Alban Jonuzi, bir i Kosovës, në pritje të vizës për të hyrë në vendin e gjyshërve, është simboli më i madh i asaj që e kemi shpallur temë bosht të sesionit të gjuhësisë: shqipja në rrezik. Në parametrat e vitalitetit gjuhësor, koncept sociolinguistik, shqipja assesi nuk është gjuhë e rrezikuar të zhduket. Mirëpo, secili fjalim, i thuajse secilit drejtor të këtij seminari në më shumë se dhjetë vjetët e fundit na përkujton hallin më të madh të Albanit dhe të albanologjisë: shpërfilljen e kësaj shoqërie ndaj shqipes

Në mandatin tim të parë si drejtor i këtij seminari, më 2011, kishin nisur trazirat që do të rezultonin me grusht shtet në Siri. E një polic, djalë i pashëm e me uniformë, më erdhi si pa të keq në zyrë, kundër rregulloreve që nuk lejojnë policinë të hyjë e paftuar në objektin e Universitetit, dhe nisi të më merrte në pyetje se përse kisha ftuar mysafirë nga Siria për të marrë pjesë në Seminar.

Ftesa ishte për arnautët e Sirisë, një ngulim shqiptarësh në Damask, që ruanin gjuhën, kulturën e traditën.

A e di se në Siri ka luftë dhe këta mund të mbeten në Kosovë dhe bëhen barrë për ne? – po më qortonte polici.

Shpresoj se do të mbeten në Kosovë, i thashë. Janë vëllezërit tanë.

Bëhen barrë për ne, tha.

Sidoqoftë, unë i ftova dhe erdhën. Arnautët tanë. Nuk u bënë barrë, natyrisht. Mes tyre një violiniste e shquar, një profesor me nam, një mësues i vjetër i shqipes në Damask dhe Sadik Jonuzi, me mustaqe të zeza të Dukagjinit, vendit të gjyshërve të tij. Sadiku kishte me vete të birin, nja 8, 9 vjeç, të cilin po e mësonte ta donte vendlindjen e stërgjyshërve. I blinte flamuj të Kosovës, kapelë me shqiponjë kuqezi. Fliste vetëm shqip me të.

E ai djali i vogël ndërkohë është rritur, është bërë student. Alban Januzi, i biri i Sadikut, të arnautëve të Sirisë, nuk i ka harruar asnjëherë rrëfimet dhe atdhedashurinë e babait të tij. Ka bërë ftesë të vijë në Seminar dhe shpresova fort ta kishim këtu, por sërish, administratorët kanë vlerësuar se ai mund të jetë barrë për shtetin e Kosovës dhe se ndoshta nuk duhet t’i jepet vizë për të hyrë në shtetin tonë.

Nuk e di a do të marrë vizë a jo ndërkohë. Mirëpo, Albanin e falënderoj shumë për dashurinë që e ka për vendin e tij dhe tonin dhe, më shumë se kjo, e falënderoj që po na kujton se ky është atdhe i të gjithë bijve të tij njësoj– që po na tregon se si duhet atdheu, edhe kur ta kthen shpinën në një kohë të vështirë.

Zonja dhe zotërinj, Alban Jonuzi, bir i Kosovës, në pritje të vizës për të hyrë në vendin e gjyshërve, është simboli më i madh i asaj që e kemi shpallur temë bosht të sesionit të gjuhësisë: shqipja në rrezik.

Në parametrat e vitalitetit gjuhësor, koncept sociolinguistik, shqipja assesi nuk është gjuhë e rrezikuar të zhduket. Mirëpo, secili fjalim, i thuajse secilit drejtor të këtij seminari në më shumë se dhjetë vjetët e fundit na përkujton hallin më të madh të Albanit dhe të albanologjisë: shpërfilljen e kësaj shoqërie ndaj shqipes.

Cilat janë rreziqet konkrete?

Shqipja është një tërësi varietetesh, stilesh e regjistrash.

Janë të rrezikuara varietetet e saj në ngulime: arbnishtja e Zarës, e folmja shqipe e Mandricës në Bullgari, arvanitika, e folmja e shqiptarëve në Ukrainë janë të gjitha gjuhë në vdekje – gjuhë të cilat më nuk fliten nga fëmijët.

Në maj, Departamenti i gjuhës qe në vizitë tek arbëreshët në Sicili. Tri fshatra arbëreshe janë afër njëri-tjetrit. Në Horën arbëreshe është ruajtur vitaliteti. Në Kundisë, vetëm nja 20 minuta larg me makinë, fëmijët më nuk e flasin arbërishten, e në Palac (Palazzo Adriano) të Gavril Darës, arbërisht janë vetëm varrezat. Nuk ka më asnjë folës.

E gjithë kjo para syve tanë.

Shqipja ka status të pafavorshëm në vendet ku është pakicë, ndërsa folësit e brezit të dytë e të tretë të shqipes në mërgim, shndërrohen gradualisht në gjysmëfolës.

Para syve tanë.

Departamentet e shqipes në botë, nën ndikimin edhe të sistemit të Bolonjës dhe të ndërrimit të paradigmës dhe ndoshta të të gjithë përkufizimit të universitares, po zvogëlohen dhe po shuhen. E ne nuk po bëjmë gjë.

Brenda këtu, në shtëpinë tonë, në vend të projekteve për ngritjen e vlerës së albanologjisë, po punohet për degradimin e tyre.

Seminari është një ngjarje që herë pas here na rreh alarmet dhe na tret shpërfilljen.

Miq, zonja dhe zotërinj.

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhje në edicionin e 41-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Dyzet herë një drejtor ka dalë në një foltore si kjo për t’ju përshëndetur dhe për të hapur një edicion Seminari.

Kur është themeluar sefte, është quajtur Qendra e Gjuhës Shqipe…

Që Prishtina të jetë qendër i ka penguar shumëkujt atëherë. E ndonjëherë edhe sot. Që të ketë albanologji të suksesshme i ka penguar shumëkujt. Ndonjëherë edhe sot.

E ja tek jemi.

Të sigurt dhe të suksesshëm.

Mirëpo, ne, si drejtues të Seminarit, nuk ua zëmë për të madhe. Ata janë politikanë dhe merren me emergjenca, me të përditshmen. Kultura, ndërkaq, do shumë kohë për t’u krijuar. Shumë vjet. Dyzet vjet?... Dy mijë vjet…

Ndonjëherë ajo që është krijuar për gati gjysmë shekulli shpërfillet e përçmohet. Emergjencat ndonjëherë nuk arrijnë ta shohin kulturën ose e marrin si të mirëqenë.

Mirëpo, ata që merren me emergjenca shkojnë… dhe vijnë disa të tjerë që shkojnë po ashtu… ajo që mbetet zonja dhe zotërinj, të dashur miq, është kultura dhe ajo që e kultivojmë me kujdes e dashuri, me sakrificë e nder…

Një aktivitet si ky seminar dhe shëmbëlltyra e tij mbeten përtej secilit prej nesh.

E sot, mund të përkujtojmë tri fushat kryesore të ndikimit të tij.

Ndikimi i parë është ai kulturor. Seminari mundëson shkëmbime kulturore me vende dhe kultura të tjera, mundëson përfaqësimet kulturore të albanologjisë në botë dhe përkthime të veprave në gjuhën shqipe në gjuhë të ndryshme të botës.

Ndikimi i dytë është ai arsimor dhe shkencor. Pjesa më e madhe e Departamenteve të Shqipes a të Ballkanistikës në botë drejtohen dhe udhëhiqen nga nxënës të dikurshëm të këtij seminari. Veç kësaj, Seminari vit për vit është një vend ku nëpërmjet referimeve dhe kumtesave shtrohen dhe diskutohen probleme të caktuara të albanologjisë, duke e shtyrë gjithnjë përpara këtë fushë.

Ndikimi i tretë është ai integrues. Krijimi i kontakteve me institucione dhe individë të interesuar për shkencën gjithandej botës, lidhja e bashkëpunimeve dhe raportet kontraktuale janë baza e ekzistencës së këtij institucioni.

Por kjo është thënë në Seminarin e 30-të tashmë.

Mund të themi se kemi mbi 100 mysafirë të interesuar për mësimin e shqipes në tri nivele – mysafirë nga Polonia, Çekia, Gjermania, Danimarka, Holanda, Zvicra, Austria, Italia, Greqia, Rusia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Rumania, Spanja, Kroacia. Janë planifikuar mbi 130 punime studimore në formën e ligjëratave, të referimeve shkencore dhe të kumtesave.

Edhe kjo është thënë thuajse në çdo hapje.

Janë planifikuar aktivitete të ndryshme kulturore – sivjet kemi prezantim të veshjeve tradicionale, të filigranit, këngë arbëreshe, vizita kulturore.

Gjithmonë në seminar ka aktivitete të ngjashme kulturore.

Mund të përkujtojmë temat bosht të seminarit sivjet: Shqipja në rrezik në sesionin e gjuhësisë dhe letërsia shqipe dhe ndërkulturalizmi.

Asgjë, as ato kambanat e alarmit nuk janë risi në një fjalim të një drejtori në një foltore si kjo në hapje të Seminarit.

Dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që kanë udhëtuar nga vende të ndryshme për të marrë pjesë në këtë ngjarje kulturore.

Dua të falënderoj Universitetin e Prishtinës për mbështetjen dhe lehtësimin e punëve të Seminarit; të falënderoj Ministrinë e Kulturës, Komunën e Prishtinës, Bankën BpB për ndihmën e dhënë.

Dua të falënderoj komunitetin studimor të albanologjisë që iu përgjigj thirrjes me zell e dashamirësi për të marrë pjesë me paraqitjen e rezultateve të tyre kërkimore.

Dua të falënderoj mjetet e informacionit për punën e tyre të palodhshme dhe profesionale për mbulimin e aktiviteteve të Seminarit.

Dua të falënderoj profesor Ismajlin, në emër të brezit dhe të bashkëpunëtorëve, që kanë themeluar këtë institucion dhe kanë vënë themele të shëndosha të albanologjisë.

Ju faleminderit të gjithëve që jeni këtu!

(Bardh Rugova është drejtor i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ky tekst është lexuar në ditën e hapjes së punimeve të Seminarit)