Shfaqja “Vetëharrimi” preku të vërtetën me tekst të Besim Rexhajt, nën regji të Fadil Hysajt, aty ku vetëm teatri mund të depërtojë për të zbardhuar (gjetur) pikën e zezë. Trekëndëshi çelo-Gresë Broqi, instrumentiste, aktorja Sheqerie Buqaj dhe presonazhi i gjallë Vasfije Krasniqi-Goodman ndërtonin piramiden e dhembjes dhe forcës deri te fuqia e Zotit, të cilën vetëm gruaja mund ta aktivizojë
Monodrama “Vetëharrimi”, koprodukcioni i organizatës joqeveritare “Sythi” dhe teatrit të qytetit të Prishtinës, “Dodona” na erdhi si premierë e ambientuar në kohë pandemie, nga e cila jemi të rrezikuar të gjithë pa dallim nga një armik i padukshëm, i cili po na futet në organizëm tinëzisht, e ne po mundohemi ta forcojmë imunitetin në raport me mentalitetin, derisa shfaqja po na prezantonte pasojën e luftës të shkaktuar nga një armik i dhunshëm, i cili në përpjekje për shfarosje kolektive kishte ataktuar nyjen e qenies njerëzore, gruan, duke e dhunuar brutalisht deri në pikën gjenocidale. Në kujtesen tonë ende ladrojnë ata që e shkaktuan dhunën dhe të tjerët që këtë e trajtojnë gati si faj të pariparueshëm të gruas, e cila është ballafaquar me aktin e dhunës seksuale.
Në hollin e teatrit “Dodona” në prolog të shfaqjes, autori i monodramës, Besim Rexhaj, dhe regjisori Fadil Hysaj përshëndeten me Vasfije Krasniqin, ardhja e së cilës sikur e fuqizoi dramën si një takim i realitetit me fiksionin.
Loti i çelos dhe kujtesa e Vasfijes
Derisa po futeshim në sallë po na e matnin temperaturën e trupit, ndërsa melodia e lotit muzikor që nxirrte çelo në sytë e interpretes shndërriste dhembshëm në kujtesën e Vasfije Krasniqit, në pikëtakimin e tragjikës të trajtuar artistikisht dhe përmasave trishtuese të dhunimit në sytë e së vërtetës.
Aktorja Sheqerie Buqaj, në rolin e Fatmires, e strukur në melodinë e jetës së saj si vuajtnim dhe si shpresë. Pse?! Sepse shpesh personazhet si Fatmirja që dalin nga gryka e tragjikës i vëmë padrejtësisht në përfolje nga dritaret me parmakë të lëshuar në shpirt dhe nuk e vrasim mendjen se po e lëndojmë ekstraktin e qenësisë së gruas, intimitetin e saj të vrarë pamëshirshëm me qëllim të rrënimit të identitetit. Dhe krejt këtë kujtesë skenike po e shikonte Vasfije Krasniqi përmes lotëve të artistes Gresa Bruqi, e cila po njomte telat e çelos me emocione që formësoheshin në mimikën e përvuajtnimit tek artistja Sheqerie Buqaj si personazh dhe aktore në një komunikim maestral me unin e gruas, me të veçantën, të paprekshmen, përveçse me lotin e pastër të pafajësisë në fajin e ngarkuar nga dhunuesi i qëllimshëm dje dhe paragjykuesi sot, e gjithë kjo po bëhej pjesë e ndjesisë sonë si spektator bashkë me pyetjen se pse Fatmirja përpiqet të fshehë edhe nga vetvetja të kaluarën e saj, sepse ne, shoqëria, nuk i shtrimë dorën për ta nxjerrë prej atje ku është strukur e pafajshme me ndjenjën e rënduar të fajit.
Regjisori Hysaj e kishte trajtuar domethënshëm trinomin: grua, bijë dhe nënë të ndërkallur në femroren dhe vajin e tokës së shpuar nga lëndimi përtej shpirtit deri në tërmet të njerëzores.
A ishte mallkim apo qëllim, a po shpjegohej, apo po përjetohej e gjithë historia e Fatmires e gravuar si një dhembje, e cila rëndon vdekshëm nëse nuk flitet, nëse nuk nxirret në dritë, nëse nuk hapen dritaret që të dëgjohet melodia e zërit të fëmijës të posalindur, e të vrarë brutalisht në sytë e trishtuar të nënës, e cila nuk mundi t’i shpëtonte. Pse nuk dënohen dhunuesit dhe pse ne e ushqejmë me paragjykim fatëkeqësinë e qenies, e cila prodhon jetën?
Shfaqja preku të vërtetën, aty ku vetëm teatri mund të depërtojë për të zbardhuar (gjetur) pikën e zezë, e cila rëndon mbi apo në kujtesën e Fatmires dhe ndërgjegjen e secilit prej nesh. Dhe prapë, dhe përhershëm, Vasfija si grua shembull e cila foli për ta çliruar të vërtetën nga prangat e paragjykimit.
Trekëndëshi çelo-Gresë Broqi, instrumentiste, aktorja Sheqerie Buqaj dhe presonazhi i gjallë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ndërtonin piramiden e dhembjes dhe forcës deri te fuqia e Zotit, të cilën vetëm gruaja mund ta aktivizojë.
Teksti dhe regjisura
Autori Besim Rexhaj me monodramën “Vetëharrimi” ka bërë autopsinë shpirtërore të gruas së dhunuar, e cila nganjëherë frikohet edhe nga pasqyra e cila nuk i jep përgjigje se si duhet dalur nga labirinthi psikologjik i vetëharrimit (lexo vetëshkatërrimit). Rexhaj depërton thellë në nukleusin e shpirtit të gruas dhe nga atje nxjerr lotin e kristaltë, i cili gurëzohet në kujtesë dhe na vjen edhe si qortim për trajtimin e keq që i bëjmë asaj kur ballafaqohet me të vërteten shkatërruese që mban brenda vetes brishtësinë dhe lufton të dalë nga qenia e thelluar psikologjike në qenie shoqërore. Andaj pyet, qorton dhe përplitet t’i thyejë barrierat autosygjestive dhe mentale, të cilat i ka imponuar mendësia e të jetuarit në paragjykimet e tjetrit apo të tjerëve. Monodrama si e tillë me dramaticitet të ngjeshur, me dialogë të brendshëm të realizuar me nuanca psikologjike ka krijuar fushë ku kishte operuar me mjeshtëri regjisori Fadil Hysaj, i cili me një lexim skenik përmes poetikës së heshtjes, e cila bërtet, e kishte zbërthyer dramën e Fatmires në raport me vetveten përmes kipcit apo dyjësisë së personazhit.
Pranimi, mospranimi, kujtesa dhe e tashmja ishin thurur në një mizanskenë të shtruar me një spontanitet e poetikë teatrore, e cila e karakterizon autorsinë e Hysajt. Një marrëdhënie fantastike e gruas me vetveten e zbërthyer përmes lotit si heshtje e dhembjes në përpjekje për t’i nxjerrë në dritë tragjiken, frikën nga keqkuptimi deri në klithje, e cila si partiturë skenike kulmon me eksplodim klimaksi ku frika njejtësohet me reagimin dhe dalin bashkë si llavë emocionale. Hysaj ishte edhe autor i skenografisë dhe kostumeve. Dallojmë simbolikën e dritareve të mbyllura si tregues i gjendjes, e cila të cytë në reagim për nevojën që ato dritare duhet të hapen, për t’u ajrosur nga dekontaminimi moral i mjedisit të cilit i referohet rrëfimi.
Fundi maestral, dritat në funksion të mesazhit
Fjalët e fundit në shfaqje ishin pesimiste dhe ky intonim pesimist nuk na nxirrte nga pellgu i lëndimit i tatuar në shpirt...Por Fadil Hysaj me shprehjen e tij teatrore autoriale nuk e përfundon shfaqjen me fjalë, por me emocionin çlirues përmes lojës me drita, duke i dhënë ndriçmit funksion transmetues të mesazhit, dizajnuar nga mjeshtri Skender Latifi.
Mbyllja maestrale e shfaqjes përmes dritave ishte si një hapje e dritares për të hyrë pranvera në shpirt, si shpresë e një jete çliruese, duhma e së cilës na bënte që, përveçse të shqyrtohemi, edhe të solidarizohemi, e të mbështesim jetën e lënduar të secilës grua të dhunuar dhe përshpirtërim me fatin e saj deri te poenta se dielli lind prapë sado me bukurinë e dhembjes e shohim duke perënduar.
Mesazhi: jeta është e imja!
Shfaqja përmes tekstit, regjisurës dhe sidomos aktrimit me emocione që përthyhen në qetësi, depërton thellë tek ajo qenie e strukur në pafajësi, e cila meriton dashurinë, sepse vetëm ashtu mund të prodhojë jetë të shëndetshme për njerëzimin.
Mesazhi domethënës i autorit të monodramës, Besim Rexhaj, i estetizuar skenikisht përmes regjisorit Fadil Hysaj, aktrimit brilant të Sheqerie Buqajt, instrumentistes në çelo të Gresa Broqit, Skender Latifit mjeshtër i ndriçimit dhe në fund apo në kulmin e krejt kësaj prezenca e zonjes Vasfije Krasniqi – Goodman, personazhi i gjallë i temës së dramës, e cila po e shikonte shfaqjen me bagazh në sy e shpirt, si një e mbijetuar e dhunës e cila po na e mëson triumfin e jetës dhe në kor me Sheqerien dhe Gresën po na thoshin: Jeta është e imja dhe nuk ma merr asnjë tragjikë!
