Shtojca për Kulturë

Gratë dridhin diktaturën islamike

Djegia e shamisë dhe prerja e flokëve në hapësira publike në Iran janë kthyer në simbole që po sfidojnë seriozisht teokracinë që mori pushtetin me grusht-shtetin e vitit 1979 në atë që njihet si Revolucioni Islamik. Iranianet, që e kanë vrarë frikën, janë kthyer në frymëzim anembanë botës. Zëri i tyre është thirrje universale për liri. Edhe në Kosovë kanë gjetur mbështetje

Iranianet e kanë vrarë frikën në diktaturën islamike të ajetollahëve!

Me thirrjet “Vdekje diktatorit!” e sloganin “Grua. Jetë. Liri”, gratë po kërkojnë liri dhe barazi në Republikën Islamike të Iranit që qeveriset me grushtin e hekurt të liderit suprem, Ali Khamenei.

Aparatçikët kanë nxjerrë në rrugë forcat speciale për ta shtypur revoltën, por sa më e madhe përpjekja për shtypje, aq më shumë po fuqizohet lëvizja që nisi gati pothuajse pesë javë më parë.

Vdekja e Aminit

Më 13 shtator, Policia e Moralit e arrestoi dhe e keqtrajtoi për vdekje 22-vjeçaren Mahsa Amini me pretendimin se nuk e kishte lidhur mirë shaminë.

Vdekja e saj mobilizoi fillimisht gratë e rajonit kurd, për t’u përhapur pastaj anembanë Iranit.

Djegia e shamisë dhe prerja e flokëve në hapësira publike janë kthyer në simbole që po sfidojnë seriozisht teokracinë që mori pushtetin me grusht-shtetin e vitit 1979 në atë që njihet si Revolucioni Islamik.

Revolta e grave u ka dhënë zemër edhe burrave, që gjatë dekadave të kaluara kanë provuar pa sukses të ndryshonin paqësisht regjimin.

Megjithëse aparatçikët iranianë kanë vrarë qindra protestues dhe kanë shkyçur internetin, nuk po ia dalin ta heshtin zërin e revoltës që po jehon anembanë botës. Iranianet janë kthyer në frymëzim.

Të mërkurën, një numër i vogël aktivistesh e aktivistësh janë solidarizuar në Prishtinë me gratë iraniane. Protesta është organizuar nga organizata joqeveritare, Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

“Kjo iniciativë ka ardhur si rezultat i kundërpërgjigjes dhe padrejtësisë që po ndodhin ndaj grave dhe vajzave të Iranit. Ne si aktiviste të Kosovës e kemi parë si shumë të rëndësishme që të shprehim përkrahjen tonë, të shprehim solidaritetin tonë që ne jemi me gratë, me popullin iranian që po proteston kundër regjimit atje”, ka thënë Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës joqeveritare, YIHR. “Për ne është shumë e rëndësishme që ky mesazh të shkojë te to dhe sadopak të tregojë se edhe populli i Kosovës, të rinjtë e Kosovës, gratë e Kosovës, aktivistet e Kosovës janë me to dhe do të qëndrojnë në mbështetje të tyre”, ka shtuar ajo pas protestës, ku si të gjitha aktivistet pjesëmarrëse, ka prerë flokët.

Image
Të mërkurën e 12 tetorit, një numër i vogël aktivistesh e aktivistësh janë solidarizuar në Prishtinë me gratë iraniane. Protesta është organizuar nga organizata joqeveritare, Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (Foto: Driton Paçarada)

Prerja e flokëve për liri

Me iranianet është solidarizuar në Facebook e në shesh edhe aktorja Vlora Nikçi. “Për liri”, thotë ajo në shqip e anglisht derisa pret majat e flokëve.

“Sikur sot këtu, sikur në Facebook, jam mbështetëse e fuqishme e grave iraniane”, ka thënë ajo në protestën e mbajtur në sheshin “Skënderbeu”. Ajo thotë se gratë iraniane, sikurse të gjitha gratë në përgjithësi, kanë provuar në forma të ndryshme të përçojnë mesazhin e tyre për barazi e drejtësi para se të dilnin në rrugë. “Dhe kjo protestë e tyre, e gjatë dhe dinjitoze, flet se asaj iu kanë harxhuar të gjitha mundësitë tjera për të ardhur deri te protesta. Dhe në përgjithësi, meqë gruaja është shtylla e shtëpisë dhe emancipimi i familjes, do të thotë se në protestë janë gjithë familja; fëmijët e saj, që i bie se institucioni më i fuqishëm i shoqërisë është në protestë, që i bie se ai shtet është duke u lëkundur”, thekson Nikçi, duke shprehur bindjen e plotë se gratë iraniane do ta fitojnë betejën për rrëzimin e regjimit brutal.

“...ta shqyejnë atë shami të madhe që i ka rënë përsipër Iranit”

Me postimin e një fotografie të vajzave iraniane me e pa shami, duke ia treguar gishtin e mesëm fotografisë së ajetollahut në hapësira shkollore, është solidarizuar në Facebook regjisori Ben Apolloni. “Çikat e Iranit”, ishte përshkrimi i Apollonit shoqëruar fotografisë.

Edhe ai ishte pjesë e protestës solidarizuese para Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Po më pëlqen t’i quaj çikat e Iranit se fjala çikë më tingëllon shumë e afërt dhe po du me i ndje shumë të afërta ato çika që po protestojnë për lirinë e tyre dhe po du edhe unë në njëfarë forme të jem pjesë e protestës”, ka thënë ai, duke e vlerësuar si jashtëzakonisht të guximshëm rebelimin e grave iraniane. “Iu lumtë për guximin. Ato më në fund duket se duan ta çlirojnë Iranin, atë vend me kulturë jashtëzakonisht të madhe. Ndoshta kultura botërore i ka rrënjët në atë vend dhe për fat keq për disa dekada është e mbuluar me shaminë e zezë dhe po më pëlqen që këto gra kanë marrë guximin me protestu dhe ta shqyejnë atë shami të madhe që i ka rënë përsipër Iranit dhe iu lumtë, iu lumtë, iu lumtë”.

Në protestën e mesjavës në kryeqytet ishin dy shtetas iranianë që punojnë në Kosovë.

“Po protestoj, sepse para së gjithash jam iranian dhe se jetoj këtu në Prishtinë. Është obligim për mua që të mbështes bashkatdhetarët e mi. Dhe rëndësi shtohet sepse janë gra iraniane, është lëvizje grash. Gratë iraniane po kërkojnë të drejta elementare”, ka theksuar Reza Khadem, shtetas iranian, që bashkë me gruan, jeton në kryeqytetin e Kosovës. “Ato nuk kanë të drejta dhe nuk duan të kontrollohen çfarë të bëjnë dhe çfarë të veshin”.

Khadem ka thënë se revolta e madhe në Iran nuk lidhet vetëm me hixhabin e detyrueshëm, por edhe me ndryshimin e regjimit. “Ata nuk duan shtet islamik, duan shtet demokratik dhe qeveri të lirë me raporte të mira me botën mbarë”, ka shtuar ai në anglisht.

Khademit i vjen mirë që në ballë të protestave janë gratë e guximshme iraniane. “Atyre u ka ardhur në majë të hundës jeta nën kontroll dhe nën diktaturë, dhe është shumë e rëndësishme në këtë pikë se lëvizja protestuese po udhëhiqet nga gjenerata Z, kështu që ato kanë qasje në internet, ato shohin botën e lirë, ato shohin se si është jeta normale në realitet, dhe nëse i kthehem thelbit se çfarë e bën të rëndësishëm është se fakti se është revolucion i grave”.

Image
Protestat në solidarizim me iranianet janë shpërndarë gjithandej botës. Në foto: Protestat në Hagë (Foto: AP)

Bota solidarizohet me iranianet

Përkrahje të fuqishme për iranianet kanë shprehur aktoret franceze që kanë fituar “Oscar”, Marion Cotillard dhe Juliette Binoche, si dhe yje të tjerë të ekranit dhe muzikës, derisa kanë xhiruar veten duke prerë flokët e shkruar hashtagun “HairForFreedom”.

Ligjëruesja e shkencave politike, Dorna Javan, njëherësh e specializuar për Iranin, ka thënë se këto gjeste janë manifestim i mbështetjes për thirrjet e iranianeve për barazi.

“Është një akt i rëndësishëm kujdesi dhe një mesazh i mirë në mbështetje të grave. Por për ato që kanë qasje në internet, ato presin të tjera gjëra dhe se çfarë po ndodh tjetërkund, kush është arrestuar, kush është vrarë? Si është shtypur lëvizja sot? Në cilat qytetet kishte mobilizim? Çfarë kanë bërë studentet në fakultete?”, ka pyetur Javanm për agjencinë e lajmeve, AP.

“Kryesisht janë iranianët jashtë vendit ata që janë në media sociale tani dhe po mundohen të ndajnë me iranianët në vend këtë mesazh. Është një burim guximi dhe kjo është interesante dhe e rëndësishme”.

Khademi po mundohet ta përçojë të njëjtin mesazh në Kosovë.

“Ato besojnë në liri, në lirinë e shprehjes, në lirinë e veshjes. Në thelb, ato duan liri, dhe po, situatën në Iran nuk mund ta përshkruaj me fjalët e duhura. Përditë ndihesh i poshtëruar, i shtypur, nuk ke liri çfarë të veshësh, çfarë të dëgjosh, çfarë të shikosh”, ka thënë ai.

Ndikimi i fuqishëm i diasporës

Por derisa iranianet në shkolla të mesme e kampuse universitare po vazhdojnë luftën e tyre paqësore për barazi në vend, jashtë vendit diaspora e fuqishme iraniane po u prin protestave solidarizuese anembanë botës, sidomos në shtetet demokratike.

Qindra qytetarë, aktivistë e politikanë protestuan edhe në Berlin, qytet ku dikur ndahej blloku lindor me regjime diktatoriale me botën perëndimore me sisteme demokratike.

“Dëshirojmë t’ia përçojmë një sinjal të bashkuar Iranit se gratë dhe opozita atje nuk janë vetëm. Ne, deputetët, dhe populli në Gjermani solidarizohemi me njerëzit që po protestojnë në Iran. Ne po ndjekim protestat e tyre dhe zhvillimet në Iran”, ka deklaruar për AP-në, Goekay Akbulut, deputete gjermane.

Për t’u solidarizuar me lëvizjen në Iran, flokët i kanë prerë deputetet në parlamente kombëtare dhe në atë të Bashkimit Evropian.

Deputetja belge me prejardhje iraniane, Darya Safai, preu flokët më 7 tetor në Kuvend në shenjë solidarizimi me iranianet që po kundërshtojnë ligjet e mbajtjes së detyrueshme të hixhabit dhe të policisë së moralit.

Të njëjtin veprim e ka bërë edhe eurodeputetja suedeze, Abir Al-Sahlani, në Parlamentin Evropian në Strasburg. Ajo kërkoi ndaljen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të dhunës kundër grave dhe burrave në Iran, para se të priste flokët në foltore. Fjalimin e mbylli në persisht dhe anglisht me sloganin e protestuesve “Grua. Jetë. Liri”.

“Gjaku i rinisë sonë pikon prej kthetrave tuaja!”

Flokët janë prerë e shamitë janë djegur simbolikisht edhe në Turqi, fqinje e Republikës Islamike të Iranit. Qindra demonstrues, turq e iranianë, u mblodhën në fillim të muajit në lagjen aziatike “Kadikoy” në Stamboll duke kërkuar liri për gratë dhe rrëzim të Qeverisë iraniane.

Në Liban, aktivistet dhe qytetaret kanë dënuar dhunën brutale të policisë iraniane pas shpërthimit të revoltës pas vdekjes së Mahsa Aminit.

Regina Qantara, protestuese, i tha AP-së gjatë protestës së javës së kaluar në Bejrut se iranianet “po klithin” kundër regjimit vrastar të mullahëve. Kërkoi që bota mbarë të përkrahë protestuesit iranianë që lideri suprem të mposhtet.

“Vrasësi do të ndihet i fuqishëm dhe triumfues. E liga do ta mposhtë të mirën. Ata do ta mposhtin njerëzoren. Të gjithë duhet të kemi qëndrim kundër tyre. Duhet ta rrëzojmë këtë regjim diktatorial dhe teokratik. Nuk duhet të ekzistojë në shekullin 21 derisa bota mbarë respekton të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, deklaroi zemërueshëm Qantara.

Për lëvizjen rebeluese të grave, ajetollahu Khamenei po fajëson kryekëput Perëndimin, duke theksuar se “elementet e armikut”, duan rënien e regjimit islamik në shtetin e Lindjes së Mesme, që synon zhvillimin e bombës bërthamore.

Por në javën e katërt të protestave, hakerët sulmuan lajmet qendrore të televizionit shtetëror iranian në natën e 9 tetorit duke ndërprerë programin për 15 sekonda, gjatë të cilave, imazhi i liderit suprem u rrethua nga flakët dhe me mbishkrimet “Bashkohuni dhe ngrihuni me ne”, si dhe me fjalinë “Gjaku i rinisë sonë pikon prej kthetrave tuaja!”

Krahasimi me gratë shqiptare me bukë në dorë

Iranianet, përfshirë edhe shkollaret, nuk kanë treguar shenja dorëzimi pavarësisht vrasjes së dhjetëra protestuesve.

Në shkollën e mesme “Martiri Sadr”, në Gohardasht, afër Teheranit, javën e kaluar vajzat e poshtëruan një burrë që nuk dihet se çfarë iu tha, porse ato ia kthyen në kor: “I pafytyrë!”

Aktores Vlora Nikçi, iranianet ia kujtojnë gratë shqiptare që në luftë protestonin paqësisht me bukë në dorë. Si ato, thotë se edhe iranianet tashmë e kanë vrarë frikën.

“Iranianet e kanë vrarë frikën, sepse ajo po tregohet çdo ditë te tinejxheret e fëmijët duke postuar çdo ditë fotografi, duke hequr shaminë, si simbolikë e lirisë së një gruaje. Të mos keqkuptohet, kjo vërtet është simbolikë e lirisë”, thekson ajo. “Kur gruaja proteston, do të kemi fëmijë të lirë, do të krijojmë shoqëri të shëndoshë, do të ndërtojmë shtet të fuqishëm”.

Nikçi, duke kujtuar rolin e grave në demonstratat e viteve nëntëdhjetë në Kosovë, druan se po zbehet shpirti rebelues në mesin e grave. “A të kujtohet protesta e grave që shkuan në Drenicë, ku ishte pjesë edhe nëna ime. Për mua ishte më e fuqishme ajo, më e dhimbshme sesa e burrave që dilnin protestonin çdo ditë. Babait tim i kish hije se ai është burrë kur bërtet, gjuan dhe fishkëllen, por kur nëna mori fuqinë, prandaj ky mendimi për protestat (e iranianeve,v.j.) më erdhi prej familjes sime, prej përvojës sonë të shtetndërtimit. Prandaj kur nëna mori një bukë në dorë me i nis për Drenicë, ka qenë për familjen një heshtje e madhe se edhe ajo u çu me protestu, se edhe ajo nuk është e kënaqur dhe i bie se krejt familja u mobilizua dhe prandaj ndodhën ndryshimet e mëdha”.

Image
Gratë iraniane protestojnë për barazi, 12 mars, 1979 (Foto: AP)

Frymëzim për gratë e botës

Edhe regjisori Apolloni është për një frymë më rebeluese të grave gjithandej globit.

“Mendoj se reagimi i femrave të Iranit është një reagim edhe për femrat e Kosovës, edhe për krejt botën. Nuk duhet femra të mbulohet, femra duhet të zbulohet, sepse femra duhet të jetë e barabartë me mashkullin. Femra është gjysma e botës. Bota përbëhet nga femrat dhe meshkujt dhe sa duhet të jenë të lirë meshkujt, aq të lira duhet të jenë edhe femrat. Përndryshe s’ka kuptim”, thotë regjisori Apolloni.

Teksa i kthehet diskutimit për fuqinë e protestave të nisura nga gratë në Iran, i fuqishëm i duket slogani që iranianet kanë zgjedhur në luftën e tyre për barazi.

“Është jashtëzakonisht i fuqishëm. Çdo gjë është e fuqishme në këtë protestë, në këtë fushatë që ka nisur në Iran dhe më vjen shumë mirë që po përkrahet nga pjesa më e madhe e botës. Dhe mendoj se më në fund do të triumfojë liria”, thekson ai. “Ato gra do të triumfojnë dhe Irani do të jetë i lirë. Po shpresoj se ajo diktaturë që Irani e ka ende dhe që e ka pasur për gjithë këto dekada, të mos vijë më kurrë në shprehje”.

Lëvizja iraniane po vazhdon të përballet përditë me vrasje, tortura e arrestime masive, por si asnjëherë tjetër në historinë e regjimit islamik, ia ka dalë të mbledhë rreth vetes gra e vajza që me e pa hixhabin e detyrueshëm, po marshojnë rrugëve. Por tashmë e kanë fituar betejën e parë të madhe. Në rrugët e përgjakura për liri e barazi. Aty, sikur tregojnë pamjet e siguruara nga BBC-ja një ditë më parë, edhe po ngacmoheshin seksualisht në protesta nga policët e njësive speciale që pretendojnë se po zbatojnë ligjet e Republikës Islamike të Iranit. Por, as vrasjet, arrestimet e ngacmimet e regjimit brutal nuk po e shtypin revolucionin anti-shami, që nisi pas vdekjes së Aminit nga keqtrajtimi i policisë së moralit.