Lista e gjatë e objekteve, monedhave, dokumenteve e dorëshkrimeve të vjetra që janë gjetur në tokat shqiptare, duke nisur nga viset e Greqisë, Maqedonisë së sotme, Shqipërisë, Kosovës e Epirit, është e gjatë dhe nga një hulumtim i hollësishëm në Arkivin e Serbisë mund të mësohet edhe për çfarë çmimi apo falas u janë dorëzuar institucioneve të kohës në Principatën serbe. Krahas kësaj grabitjeje masive të trashëgimisë kulturore në viset shqiptare, në pranverën e vitit 1863, kryesuesit të Këshillit Ministror serb, Ilija Garashanin, i arriti urdhri special nga Rusia cariste
Kanë disa emra që me insistim të Jan Shafarikut, si organizator i aksionit të mbledhjes së burimeve historike, u ranë kryq e tërthor vendbanimeve shqiptare, me ç’rast mblodhën objekte, gjësende me vlerë, dorëshkrime të vjetra dhe monedha të ndryshme, të cilat më pastaj u bartën në Beograd. Dimitrije Milladinov dhe Jordan Haxhi Konstantinov në Maqedoninë e Veriut ishin personat që e pritën Stevan I. Verkoviqin në dekadën e gjashtë të shekullit XIX dhe ky i fundit ishte i dërguari i Principatës së Serbisë, me të vetmen detyrë që t’i mbledhë objektet e ndryshme me vlerë të pakompensueshme të siguruara në trevat shqiptare të Maqedonisë, Kosovës, Greqisë e Shqipërisë.
Grabitja kulturore dhe shkollimi i kadetëve të rinj
Shërbyesi më i nënshtruar, Stefan Verkoviq, drejtuar patronatit të kulturës më 28 nëntor të vitit 1851 në Beograd, njofton se kësaj ministrie i janë dorëzuar gjësende të ndryshme të rëndësishme për trashëgiminë kulturo-historike të Serbisë, që janë gjetur në trevat shqiptare. Midis tjerash, në listën e paraqitur pranë patronatit të kulturës radhiten: monedha romake e mbretit Galijan gjetur në Prishtinë, monedha veneciane e argjendit e Fran Dandulës gjetur në Prishtinë, po ashtu monedha veneciane e Zenon Duzhdës dhe ajo eredeliane e Gabrijel Betlehemit të gjetura në Prizren.
Në prill të vitit 1858, Jan Shafarik dhe Gjura Dançiq iu drejtuan me shkresë patronatit të drejtësisë dhe arsimit në Beograd, duke njoftuar se i kishin kontrolluar librat e vjetër që atyre ua kishte sjellë H. Konstatinov, me ç’rast ky i fundit ishte i interesuar që t’i shiste. Midis dorëshkrimeve të vjetra, Konstatinov ua shiti atyre për vetëm dy dukatë kronikën Voskopojës, të botuar në Shqipëri në vitin 1741
Në prill të vitit 1858, Jan Shafarik dhe Gjura Dançiq iu drejtuan me shkresë patronatit të drejtësisë dhe arsimit në Beograd, duke njoftuar se i kishin kontrolluar librat e vjetër që atyre ua kishte sjellë H. Konstatinov, me ç’rast ky i fundit ishte i interesuar që t’i shiste. Midis dorëshkrimeve të vjetra, Konstatinov ua shiti atyre për vetëm dy dukatë kronikën e Voskopojës të botuar në Shqipëri në vitin 1741.
Jan Shafarik ishte organizator i aksionit të mbledhjes të burimeve historike të sllavëve të jugut. Në tetor të vitit 1858, ai iu drejtua patronatit të drejtësisë dhe arsimit të Principatës së Serbisë me shkresë. “Me qëllim të mbledhjes së gjësendeve të ndryshme për Muzeun Kombëtar si dhe që kjo trashëgimi kulturore e paraardhësve tanë sllavë që është e shpërndarë në provincat e ndryshme të Turqisë evropiane dhe të Serbisë së Vjetër, dhe që ndodhet nëpër duar të individëve të ndryshëm, duhet të mblidhet dhe t’u lihet amanet pasardhësve tanë”, kërkonte ai.
Më tej, Shafarik kërkonte nga përfaqësuesit e principatës që Stefan Verkoviqit që ishte nga Bosnja t’i ofrohej ndihmë materiale, pasi tanimë ai ishte dëshmuar si hulumtues i suksesshëm i thesareve kulturore, sidomos pas udhëtimeve që i kishte ndërmarrë në Serbi të Vjetër, Maqedoni, Thraki, Thesali, Shqipëri dhe Epir, me ç’rast kishte hulumtuar dhe kishte siguruar materiale të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe që ai tanimë i kishte sjellë në Serbi. Meqë, “hulumtuesi” Verkoviq gjatë “misionit fisnik” e kishte vënë në rrezik edhe jetën e tij, Shafarik kërkonte që paraprakisht atij t’i jepen hua 200 dukatë.
Por, edhe pse Verkoviq paguhej mirë për misionin e tij në tokat shqiptare, drejtuesit e Principatës së Serbisë ngeleshin të kënaqur edhe atëherë kur ai arrinte t’i përshkruante dokumentet e ndryshme apo dorëshkrimet e ndryshme, sepse ato nuk lejoheshin të merreshin nga institucionet e kohës. Duke dëshmuar për rezultatet e një kërkimi të tillë, Shafarik ka potencuar se Verkoviqi nuk ka arritur që assesi ta bindë një murg në Patriarkanën e Pejës që ai t’ia shesë një kronikë mesjetare, prandaj kishte arritur që vetë t’i përshkruajë disa pjesë nga ajo. Më pastaj “hulumtuesi” kishte ngelur duarbosh edhe rreth një kronike tjetër që ishte pronë e një vejushe të Ipekut (Pejës).

Me qëllim që të siguronte së më tepër argumente që Verkoviq ta fitonte huan e kërkuar, Shafarik jep detaje interesante nga ajo që ai kishte siguruar deri më tani ky “blerës” i trashëgimisë shqiptare. Bëhej fjalë për Kronikën e Epirit, në bashkautorësi të murgjve Komen dhe Prokli, të viteve 1350-1400, kronikë që kishte qenë në pronësi të Manastirit të Pantelemonit në ishullin e Liqenit të Janinës.
“Besoj që qeveria nuk do të tregohet dorështrënguar ndaj këtij hulumtuesi të vyer”, e ka përmbyllur kërkesën e vet Shafariku.
“Sa i përket vetë ditës së fillimit të kryengritjes, ajo duhet të nisë në Shqipëri, posa të nisë ngrohja e motit dhe veç tjerash kjo kohë është e përshtatshme, sepse arbanasit e përfshirë nga uria mezi do të presin të ngopen me bukë gjatë zhvillimit të luftimeve. Me qëllim të suksesit të kryengritjes prej Serbisë, duhet marrë me vete bukë, gjedhe, opinga, kafe dhe duhan. Më pastaj, me qëllim të përhapjes sa më të mirë të kryengritjes, është e domosdoshme që arbanasve t’u shpërndahen pushkë të mira dhe ata do të luftojnë krah për krah me ushtrinë cariste ruse!”
Lista e gjatë e objekteve, monedhave, dokumenteve e dorëshkrimeve të vjetra që janë gjetur në tokat shqiptare, duke nisur nga viset e Greqisë, Maqedonisë së sotme, Shqipërisë, Kosovës e Epirit, është e gjatë dhe nga një hulumtim i hollësishëm në Arkivin e Serbisë mund të mësohet edhe për çfarë çmimi apo falas u janë dorëzuar institucioneve të kohës në Principatën serbe.
Krahas kësaj grabitjeje masive të trashëgimisë kulturore në viset shqiptare, në pranverën e vitit 1863, kryesuesit të Këshillit Ministror serb, Ilija Garashanin i arriti urdhri special nga Rusia cariste.
“Duke filluar nga viti 1863, më tej në Rusi nuk do të shkollohet asnjë kadet serb dhe se të rinjtë serbë më tutje njohuritë e tyre do të mund t’i marrin në Beograd, me ç’rast qeveria ruse për këtë qëllim kishte ndarë ndihmë një vlerë prej një mijë rublave.” Mirëpo, në urdhëresën e carit rus është potencuar qartë se “në Beograd, seminarin do ta vijojnë edhe dyzet kadetë të rinj që janë të lindur në Serbi të Vjetër (Kosovë), Bosnjë, Shqipëri dhe Mal të Zi”!
Pra, duket qartë se pas influencës ruse, e cila u pa në viset ballkanike, fillimisht në Bullgari, ajo tanimë dalëngadalë nëpërmjet Serbisë po i përfshinte viset shqiptare. Megjithatë, duhet potencuar se zgjerimi i ndikimit rus në viset shqiptare zhvillohej nën frymën e realizimit të planprogramit famëkeq të krijimit të Serbisë së Madhe, të njohur si “Naçertania”.

Raporti i vitit 1876 nga udhëtimi në tokat shqiptare
Në majin e vitit 1876, në shkresën e arritur në tryezën e Ilija Garashaninit, me autor Atanasije Nikoliq, jepeshin hollësi për një udhëtim që Stojan Ivanov Vezankoviq e kishte realizuar në tokat shqiptare. Vezankoviqi ishte lindur në Krushevë dhe për 25 vjet kishte punuar si arkitekt në qytetin e Manastirit, me të ardhura mujore 5000 groshë. Për të qenë sa më i suksesshëm në misionin e tij ruso-serb, që Vezankoviq e kishte nisur para nëntë vjetësh, ai tani e kishte ndryshuar identitetit dhe quhej Zekë Bisovi. Detyra e tij kryesore ishte që ta krijonte rrjetin e bashkëpunëtorëve në tokat shqiptare, me qëllim të realizimit të idesë së Naçartanies së Garashanit, prandaj çdo lëvizje apo kontakt i realizuar i Bisovit duhej t’i paraqitej në hollësi ideatorit të kësaj ideje, vetë kryesuesit të Këshillit Ministror të Serbisë, Ilija Garashanin.
“Duhet sjellë disa revole dhe orë dore jo të shtrenjta dhe ato u duhet dhuruar krerëve të fiseve shqiptare dhe atyre që ne do t’ia dalim t’i blejmë në anën tonë! Për t’i ngritur në kryengritje, shqiptarëve u duhet paguar nga një lirë për secilin prej tyre, sepse pagesa mujore do ishte shumë e lartë...”
Fillimisht me dy bashkëpunëtorë të tij që paraqiteshin si muratorë, Zekë Bisovi kishte arritur në Selanik, për të vazhduar më pastaj drejt Matit të Shqipërisë, ku ishte gostitur nga Hasan Koka dhe si njeri i dalluar që ishte në atë krahinë, Kokës iu dhanë instruksione se si duhej të vepronte në të ardhmen. Prej aty, agjentët ruso-serbë kishin arritur në fshatin Selitë, në shtëpinë e Sylë Kuletës. Në shtëpinë e Sylës, Bisovi e kishte lënë të vëllain dhe armatimin që ata e kishin me vete, për të vazhduar në krahinën e Mirditës, ku ishte takuar – siç thuhet – me “latinin” Mark Prenin. Më pastaj rrugëtimi kishte vazhduar drejt Lezhës dhe ishte realizuar takimi me Pal Bibën.
Në Shkodër, Zekë Bisovi (Stojan Ivanov Vezankoviq) e realizoi takimin me konsullin rus Ivanov, ku ai shkruan se “ishte pritur dhe gostitur si është më mirë nga konsulli rus”. Prej Shkodrës kishte vazhduar drejt Vasojeviqëve në Mal të Zi.
Gjithkah nga kishte kaluar ai ishte përpjekur që t’i siguronte bashkëpunëtorët e rrjetit se duhej të ishin të gatshëm për kryengritjen e ardhshme. Megjithatë, në pjesën e raportit që ka të bëjë me kryengritjen e ardhshme anti-osmane, vëmendje të posaçme i kushtohej përfshirjes së shqiptarëve në të.
“Sa i përket vetë ditës së fillimit të kryengritjes, ajo duhet të nisë në Shqipëri posa të nisë ngrohja e motit dhe veç tjerash kjo kohë është e përshtatshme, sepse arbanasit e përfshirë nga uria mezi do të presin që të ngopen me bukë gjatë zhvillimit të luftimeve. Me qëllim të suksesit të kryengritjes prej Serbisë, duhet marrë me vete bukë, gjedhe, opinga, kafe dhe duhan. Më pastaj, me qëllim të përhapjes sa më të mirë të kryengritjes, është e domosdoshme që arbanasve t’u shpërndahen pushkë të mira dhe ata do të luftojnë krah për krah me ushtrinë cariste ruse! Prandaj duhet pasur kujdes dhe duhet qenë vigjilentë se si do të zhvillohen në të ardhmen tubimet e fiseve shqiptare, që do jenë në frymën e organizimit të kryengritjes”.
Është interesante një kërkesë e agjentit të dyfishtë ruso-serb, Zekë Bisovit, që u duhej plotësuar krerëve shqiptarë.
“Duhet sjellë disa revole dhe orë dore jo të shtrenjta dhe ato u duhet dhuruar krerëve të fiseve shqiptare dhe atyre që ne do t’ia dalim t’i blejmë në anën tonë! Për t’i ngritur në kryengritje, shqiptarëve u duhet paguar nga një lirë për secilin prej tyre, sepse pagesa mujore do ishte shumë e lartë. Së pari shqiptarët duhet nxitur në kryengritje rreth Kopaonikut, pastaj nëpërmes Vasojeviqëve duhet nxitur krahinën e Gucisë dhe Krasniqes. Aty do t’i kemi të sigurta 1000 pushkë dhe pastaj çdo krahinë do të përfshihet në radhë në kryengritje. Gjatë së kaluarës këtu ka qenë i ngritur flamuri i parë i Skënderbeut dhe tani ka ardhur koha e qëlluar që ky flamur të ringrihet prapë”, ka përfunduar raportin agjenti ruso-serb, Zekë Bisovi (Stojan Ivanov Vezankoviq), në pranverën e vitit 1876.