Vepra e akademik Kolec Topallit përmban një spektër të gjerë botimesh shkencore, duke u përqendruar në historinë e gjuhës shqipe. Ka ndriçuar çështje të pastudiuara më parë dhe i ka vazhduar përpjekjet e kolosëve të albanologjisë botërore e shqiptare. Nisur nga përmasat e reduktuara të burimeve, Topalli ka arritur të hedhë në dritë çështje si: etimologjia e shumë fjalëve, sistemi emëror e foljor, sqarime rreth kohës së veprimit të dukurive fonetike, ka saktësuar dhe ilustruar me shembuj zhvillime fonetike të fonemave etj. Në 85-vjetorin e lindjes, në këtë tekst hidhet një vështrim lidhur me kontributin e tij për sistemin foljor
Nuk është e lehtë të marrësh iniciativë për t’u marrë me studime shkencore shumë problematike në një kohë të rëndë jetese me kushte të vështira politike dhe ekonomike. Vetëm pasioni i pafund për gjuhën mund ta motivojë dikë që në një kohë të tillë, të mësojë shumë gjuhë, të nxërë njohuri të thella për disiplina të caktuara e të ketë përgatitje shkencore, në mënyrë që të sjellë rezultate cilësore në shkencë. Studiues i tillë është akademiku, profesori kontributdhënës për gjuhësinë shqiptare, Kolec Topalli.
Ai u lind në Shkodër më 4 dhjetor 1938. Vdiq në Tiranë më 24 maj 2018. Ka qenë arsimtar, pedagog dhe gjuhëtar shqiptar. Fushat në të cilat ka kontribuuar ky studiues janë përgjithësisht të historisë së gjuhës shqipe (fonetika historike, gramatika historike, etimologjia etj.) Vepra e tij përmban një spektër të gjerë botimesh shkencore, duke u përqendruar në historinë e gjuhës shqipe. Ai ka ndriçuar çështje të pastudiuara më parë dhe i ka vazhduar përpjekjet e kolosëve të albanologjisë botërore e shqiptare. Nisur nga përmasat e reduktuara të burimeve, Topalli ka arritur të hedhë në dritë çështje si: etimologjia e shumë fjalëve, sqarime rreth kohës së veprimit të dukurive fonetike, ka saktësuar dhe ilustruar me shembuj zhvillime fonetike të fonemave etj.
(Mos)ruajtja e sistemit foljor burimor
Sistemi foljor ka ndjekur rrugë mjaft të komplikuar, duke pësuar lëkundje të formave dhe të kuptimeve gramatikore gjatë zhvillimeve të brendshme të mbaresave që burojnë nga kategoritë e tjera gramatikore: mënyra, veta, numri, koha, diateza. Ndër kontribuuesit e shquar të gjuhësisë historike, e në këtë rast për zhvillimin historik të sistemit aktual foljor është akademiku tashmë i ndjerë, Kolec Topalli, i cili ndër të tjera, ka shpjeguar se si është përftuar gjatë rrymës së shekujve. Këtë e ka bërë duke u mbështetur në marrëdhëniet me gjuhët e tjera që shqipja ka pasur kontakt gjatë historisë ose lidhjet fisnore me to, në burimet e shkruara të dialekteve e të folmeve të tjera. Puna e tij përfshin brumë të konsiderueshëm studimesh në morfo-sintaksën dhe fonetikën historike shqipe, çka ka shërbyer si burim për t’i elaboruar më saktë mbaresat karakteristike të sistemit paradigmatik foljor të shqipes.
Ndryshimet gjatë rrjedhës historike kanë prekur të gjitha sistemet gjuhësore, duke u përftuar e zgjeruar mjete të reja të para dhe të pasvendosura, me mbikarakterizime (ku si mjet dallimi shërben më shumë se një dukuri), por jo në nivel të njëjtë te të gjitha llojet e sistemeve. Në shqipe, ajo që u ka qëndruar fort presioneve të çrrënjosjes është struktura gramatikore, e ruajtur falë popullit që e ka mbajtur gjallë atë, çka e ka dalluar shqipen si gjuhë të mëvetësishme, ani pse me rrënjë indoevropiane. Mirëpo, kjo s’do të thotë që ajo ka mbetur e paprekur, si pasojë e pushtimeve e dyndjeve, ndikimeve të ndërsjella, zhvillimeve të përbashkëta etj.
Edhe pse mungojnë dëshmitë bindëse, sipas shumë autorëve, si Bokshi, Skoku, Topalli etj. mbaresat e paradigmave e lakimit të emrave e të zgjedhimit të foljeve janë thjeshtuar ose kanë rënë tërësisht, për t’u pasuruar më pas me elemente të reja, për shkak të nevojës shprehëse.
E Topalli ndan mendimin se kjo ka ndodhur pjesërisht. Ato që sipas tij janë trashëguar, janë kategoritë gramatikore të sistemit foljor, edhe pse me shumë ndryshime të pësuara, sidomos te mënyra dhe koha. Sipas tij, zhvillimi i sistemit foljor është në pajtueshmëri me rrugën që kanë ndjekur gjuhët e tjera indoevropiane, por ka zhvillime të brendshme që nuk kanë paralele në gjuhë të tjera p.sh. format foljore që ndërtohen mbi bazë të emrave prejfoljorë, aspekti i vazhdimësisë me pjesëzën pohuese po. Pra, nga një anë shkon në një rrugë me gjuhët e tjera evropiane, e në veçanti ato ballkanike, e në anën tjetër, është pasuruar me rrugë vetjake.
Kontribut dhe ndihmesë të konsiderueshme kanë dhënë edhe: Holger Pederseni, Gustav Mayeri, Aleksandër Xhuvani, Martin Camaj, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir, Domi, Besim Bokshi, Eqrem Çabej etj.
Libri “Sistemi foljor i gjuhës shqipe”
“Sistemi foljor” (2010) përbën një libër voluminoz të Kolec Topallit, kushtuar zhvillimit të foljeve në kohë. Ky sistem ka qenë bazë për gjuhëtarët indoevropianë për ta vërtetuar përkatësinë e shqipes në familjen indoevropiane. P.sh. Franz Boppi e afroi sistemin foljor të shqipes me atë të sanskritishtes, duke vënë në dukje karakterin e tij të trashëguar.
Kontribut në sqarimin e shumë çështjeve e zanoren fundore, kanë dhënë edhe Jokli (1916), Sandfieldi (1930), La Piana (1949), Camaj (1966), Çabej (1975), Selman Riza (1994), Demiraj (1988), Bokshi (1988, 2010) etj.
Në fillim të librit, jepen të dhëna për sistemin foljor të gjuhës indoevropiane, i cili besohet se ka pasur 4 mënyra foljore: dëftoren, lidhoren, dëshiroren dhe urdhëroren, me 3-6 kohë, dy diateza, forma aspektore, me dy zgjedhime: atematik (kur mbaresa bashkohej drejtpërdrejt me temën), tematik, që përfshinte numrin më të madh (mbaresa bashkohej me temën përmes një zanoreje që quhej tematike). Ky sistem është parë si shumë i ndërlikuar dhe për këtë, shumë gjuhë kanë bërë ndryshime, duke reduktuar ose shtuar forma për nevoja të folësve. Si gjuhë më konservatore shihen: indishtja, greqishtja, latinishtja, kurse gjuhë inovuese shihen: shqipja, armenishtja, keltishtja. Shqipja pra e ka riorganizuar sistemin foljor, duke bërë dallime në format vetore, modale e kohore, por ka humbur format aspektore.
Topalli, si elemente të trashëguara cek: temat e formave kohore të së tashmes, pakryerës, urdhërores, dëshirores, format e pashtjellueshme, temat me apofoni kuantitative e kualitative, supletivizmin e formave foljore etj. Mbaresa o ka rënë, ajo įō e ka humbur zanoren fundore. Por, si të humbura i sheh ndërtimet aspektore që shpreheshin me mbaresa të veçanta, augmentin, shtesat në ballë të fjalëve, numri dual. Ndryshim ka pësuar edhe mënyra lidhur me humbje të formës, duke u shfaqur tani si analitike me pjesëzën të. Ndërsa dëshirorja, sipas tij, tash ka formën e futurit sigmatik të cilit pra i janë shtuar atributet e shprehjes së dëshirës, por p.sh. shkofsha ruan kuptimin kohor të së ardhmes. Si kohë të ruajtura i sheh të tashmen, të pakryerën dhe aoristin (të kryerën e thjeshtë), ndërsa perfekti një herë është zhdukur, e më pas ka formuar formën analitike kam punuar.
Topalli ka mendimin se ca mbaresa kanë rënë e disa kanë pësuar ndryshime të mëdha. Mbaresa –ō sipas tij, ka rënë, ndërsa te –įō, zanorja fundore ka humbur, por gjysmëzanorja į është shkrirë me bashkëtingëlloret fundore të temave foljore kur ato përbëheshin nga një dhëmbore, p.sh. *matįō > mas, nga një buzoprapaqiellzore dequįō - vdes, nga një hundore banįō – bëj.
Paradigmat e zgjedhimit
Përcaktimi i saktë i paradigmave të zgjedhimit është çështje mjaft problematike, për shkak të numrit të madh të formave foljore që dalin. Pra, ka shumë forma modale, kohore e vetore, për ç’arsye, gjuhëtarët nuk kanë arritur të jenë të një mendjeje për përcaktimin e paradigmave. Ato ndryshojnë nga një autor te tjetri, duke ndjekur kritere të ndryshme ndarjesh në bazë të të cilave i kanë grupuar ato.
Si kriter të parë, Topalli e merr rrafshin diakronik-sinkronik, ku në atë diakronik, foljet jam, kam, them, veçohen në një paradigmë më vete, meqë bartin tipare të trashëguara. Ato që paraqesin parregullsi, normalisht, veçohen nga ato që ndjekin njëfarë rregullsie gjatë zgjedhimit. Topalli ato i ndan me dy grupe: foljet supletive, që dalin me rrënjë të ndryshme në format kohore: shoh-pashë, vij-erdha, jap-dhashë dhe foljet që pësojnë ndryshime largvajtëse, megjithëse nuk e kanë ndryshuar rrënjën dhe format e tyre janë krijuar përmes proceseve të rregullta fonetike: vdes-vdiqa, lë-lashë, dua-desha.
Ndërsa lidhur me kriterin e strukturës së fjalës, Topalli është mbështetur në format fundore të foljeve në kohën e tashme të dëftores. Pra, ai i klasifikon paradigmat varësisht nga ndryshimet që pësojnë temat dhe mbaresat, megjithëse është vështirë ndonjëherë të përcaktohen kufijtë e prerë mes tyre.
Edhe ndryshimet me karakter dialektor ndihmojnë për rindërtimin e formave më të lashta. Kështu, forma e së kryerës së thjeshtë bana, hyna të dialektit të Veriut janë më të vjetra se bëra, hyra të dialektit të Jugut, ku ka vepruar rotacizmi. Pra, në këto raste, bashkëtingëllorja n ka qenë pjesë e temës foljore.
Mbaresat vetore
Folja në gjuhën shqipe ka pesë kategori gramatikore, që janë të trashëguara nga gjuha indoevropiane, por kanë pësuar mjaft ndryshime: vetën, numrin, mënyrën, kohën, diatezën, nga të cilat mënyra, koha dhe diateza janë atribute vetëm për sistemin foljor.
Kryesisht është ruajtur karakteri sintetik, kur rol kryesor luajnë mbaresat, por nuk mungon edhe analitizmi: pjesëza të te lidhorja, do të tek e ardhmja, kohët e përbëra me foljet ndihmëse kam jam). Si kategori të ruajtur mirë ai e sheh vetën, në krahasim me numrin, që ka pësuar reduktim të ndjeshëm me humbjen e dualit, edhe pse është ruajtur njëjësi dhe shumësi.
Arsyen e rënies në emërues të përbashkët të vetës II dhe III, duke u dalluar nga veta I p.sh v.I mas v.II dhe III mat, v.I bëj, v.II dhe III bën, v.I luaj, v.II dhe v.III luan, Topalli e shpjegon fillimisht me një rrugë fonetike, aty ku veta I ka ndryshuar formën e saj, duke u dalluar nga dy vetat e tjera p.sh. mas – nga veprimi i mbaresës įō, që më pas është morfologjizuar, duke u shndërruar në rregull për foljet e tjera. Mbaresa –nj e v.I që tash n-ja ka rënë, është formuar nga shtrirja e bashkëtingëllores fundore të temave që dilnin me sonanten n dhe mbaresën e trashëguar - įō . Pas krijimit të saj, ajo është shtrirë në shumë folje, madje që s’kanë pasur në vete hundore pëlqenj, shkruanj etj. N-ja e vetës së tretë –ban është krijuar në rrugë të ngjashme, ku është bashkuar sonantja –n, pjesë e temës (ban*) me mbaresën –t të kësaj vete, duke u asimiluar grupi bashkëtingëllor në një n të thjeshtë.
Ndërsa mbaresat e shumësit –jmë, -jnë Topalli i sheh të dala nga mbaresat e vjetra –njëmë, -njënë, ku bashkëtingëllorja qiellzore –nj përfaqëson mbaresën e vetës I nr. njëjës, kurse –më, -në janë mbaresa vetore të trashëguara, ku ë-ja është tingull i shtuar ( njëmë) për ta lehtësuar shqiptimin e tyre.
Mbaresat e vetës së parë dhe të tretë në numrin shumës m(ë), burimi i së cilës është asmi, n(ë), burim e ka mbaresën e trashëguar nt shihen nga gjuhëtarët si të trashëguara, e gjithashtu shqipja ka prirje që ta zhdukë homoniminë gramatikore, si në rastet kur nuk merr mbaresë në të tri vetat (unë hap, ti hap, ai hap).
Po ashtu, si te sistemi emëror, që tek emrat që përfundojnë me grykoret k, g, h mbaresa shquese është u, po ashtu edhe foljet me k, g, h marrin këtë mbaresë vetore (iku, rrahu). Pas shqyrtimit të mbaresave vetore, Topalli sheh dy prirje: “njëra është se mbaresat e numrit shumës janë ruajtur më mirë se ato të numrit njëjës; tjetra është se mbaresat e zgjedhimit në –mi (zgjedhimi atematik) janë ruajtur më mirë se ato të zgjedhimeve më o,-io. Këto e bëjnë zgjedhimin tematik më të riorganizuar dhe më të sistemuar.
Topalli ka krijuar hapësirë për diskutim dhe mbështetje shkencore për të studiuar zhvillimet paradigmatike, lëvizjet gjuhësore të motivuara morfonologjikisht ose nën trysninë e sistemit etj.
Edhe pse në rrugë të gjatë zhvillimi, shqipja i ka qëndruar besnike karakterit sintetik të sistemit foljor, ku rol në dallim formash luajnë mbaresash, por s’mungojnë edhe trajtat analitike që burojnë nga mbaresat e vjetra të emrave ose veprimi i fonemave të ndryshme.