Siç ka dëshmuar edhe e kaluara, sidomos nga viti 1912 e deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit të XX, jo rrallëherë gënjeshtrat dhe shpifjet kundër shqiptarëve dhe Kosovës madje arritën të materializoheshin në favor të politikës hegjemoniste të Beogradit. Kështu në njërin prej raporteve dërguar rreth një vrasjeje në Pejë vetë Millan Rakiq e pranon hapur se Konsullata e Prishtinës ka gënjyer. “Na arrin informacioni prej Pejës se është tentuar të vritet Antonije Popadiq – Tusha. Ne menjëherë e informojnë ministrinë se në kohët e fundit shqiptarët i kanë fituar tiparet e anarkistëve dhe kanë vendosur t’i shfarosin serbët! Por, në rastin konkret ne e pamë jo më larg pas dy ditëve se prej kësaj ngjarjeje nuk kishte asgjë të vërtetë...”, shkruante Rakiq
Të inkurajuar nga dështimi i reformave, më pastaj nga veprimi i ngathtë i pushtetit, të gjithë fqinjët e shqiptarëve i mobilizuan kapacitetet e tyre që në rast të shpërbërjes së Turqisë Evropiane, secili prej tyre të gllabëronte sa më tepër territore shqiptare. Prandaj gjashtë vjetët e ardhshëm deri në Luftën e Parë Ballkanike mund të quhen edhe vite të krijimit dhe të forcimit afatgjatë të një platforme antishqiptare, e cila fatkeqësisht nuk është ndryshuar edhe deri në ditët e sotme.
E kemi fjalën sidomos për politikën nacionaliste të qarqeve politike, por edhe intelektuale të Beogradit. Prandaj me plot bindje mund të themi se në themelet e kësaj platforme antishqiptare, siç dëshmohet edhe nga poeti Millan Rakiq, që përgjithmonë mbeti i preferuar dhe i adhuruar ndër qarqet serbe, sidomos për angazhimin e tij me mish e shpirt për mbajtjen nën kontrollin serb të Kosovës, u rrënjosën gënjeshtrat dhe shpifjet kundër shqiptarëve. Mirëpo, siç ka dëshmuar edhe e kaluara, sidomos nga viti 1912 e deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX, jo rrallëherë gënjeshtrat dhe shpifjet kundër shqiptarëve dhe Kosovës madje arritën të materializoheshin në favor të politikës hegjemoniste të Beogradit. Kështu në njërin prej raporteve dërguar rreth një vrasjeje në Pejë, vetë Millan Rakiq e pranon hapur se Konsullata e Prishtinës ka gënjyer.
“Me pandehjen se informatori i parë dhe i dytë e kanë thënë të vërtetën, ne megjithatë nuk e kemi marrë guximin që t’i gjeneralizojmë gjërat as në rastin e parë e as në të dytin. Për shembull, na arrin informacioni prej Pejës se është tentuar të vritet Antonije Popadiq – Tusha. Ne menjëherë e informojnë ministrinë, se në kohët e fundit shqiptarët i kanë fituar tiparet e anarkistëve dhe kanë vendosur t’i shfarosin serbët! Por, në rastin konkret ne e pamë jo më larg pas dy ditëve se prej kësaj ngjarjeje nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Tusha kishte pësuar për shkak të një hakmarrjeje të vjetër!”, shkruan ai. Dhe kështu vazhdon Rakiq, “vijmë në pozitë që në raportin e sotëm të themi në mënyrë kategorike se nuk kalon ditë pa ndodhur një apo dy vrasje, ndërsa e dimë mirë se për pesë muaj kanë ndodhur vetëm njëzet e pesë vrasje”.
Kështu, duke e marrë parasysh gjendjen e përgjithshme në tërë Perandorinë Osmane dhe veçmas në Ballkan, duket qartë se ishin pjekur të gjitha rrethanat që ndryshimet të fillonin nga brenda.
“Gjatë historisë, regjimi turk kishte trashëguar tri metoda të qeverisjes. Ato mbishtresoheshin dhe puthiteshin duke kundërshtuar njëra- tjetrën, sidomos në zhvillim të përgjithshëm dhe një qeverisje të shëndoshë”, ka shkruar Rexhep Mitrovica (1888 – 1967) i përfshirë në Komitetin Osman të Bashkimit dhe Përparimit në Paris. Sipas Mitrovicës, Perandoria Osmane apo regjimi turk nga administrata e Bizantit e kishte ruajtur formën e jashtme, nga administrata mongole formën ushtarake dhe së fundmi ishte administrata myslimane që nuk i përshtatej përtëritjes së domosdoshme duke mos ditur të respektonte në mënyrë të barabartë myslimanët dhe të krishterët”.
Kështu në përpjekje të ndryshimeve nga brenda në verën e vitit 1906, Lëvizja Xhonturke “arriti të kristalizohej në një shoqëri sekrete në Selanik. Fillimisht ajo u njoh si “Komiteti i Lirisë”, por menjëherë pas krijimit, ky komitet u bashkua me “Komitetin Osman të Bashkimit dhe Përparimit” në Paris dhe u bë qendra e punës së kësaj organizate. Që nga ajo kohë, “Komiteti Osman i Bashkimit dhe Përparimit” e kishte selinë e tij sekrete në Selanik, ndërsa kreu Ahmed Riza dhe bashkëpunëtorët e tij mbetën në Paris, për të formuar një komitet të rëndësishëm që do të ishte në gjendje të çonte përpara kauzën”.
Ndërsa vetëm disa muaj më parë sipas përgjegjësit të reformave, gjeneralit De Giorgis në Prishtinë, parashihej të përgatiteshin 23 oficerë të xhandarmerisë, që do të vendoseshin në krye të 509 këmbësorëve dhe 73 kalorësve.

“Leksione” për fqinjësinë e mirë për shekullin XX dhe XXI dhe organizimi i Turqve të Rinj
Ndonëse zhvillimet në Turqinë Evropiane kishin hyrë në një fazë të re, veprimtaria antishqiptare e fqinjëve thuajse nisi të zhvillohej me një intensitet të ri, por njëkohësisht edhe me një shpalosje të strategjive të reja të veprimit. Në përpjekje të ngritjes së kurtheve të ndryshme për shqiptarët, me qëllim të bashkëpunimit me shtetin serb, apo për t’i shkapërderdhur kapacitetet e shqiptarëve, në fund të majit të vitit 1906 konsulli Mirosllav Spalakoviq i propozonte Beogradit: “Derisa për popullsinë tonë të vijnë kohë më të mira, atëherë nuk na mbetet rrugë tjetër pos që a) shqiptarët t’i vendosim si roja të fshatrave tona në Sanxhakun e Pejës dhe të Prizrenit; b) në qarkun e Prizrenit dhe të Pejës të formohet nga një çetë prej njerëzve tanë (nga pesë deri në dhjetë veta). Detyrat e këtyre çetave do të ishin: që me vëmendje t’i përcjellin mosmarrëveshjet ndërshqiptare dhe menjëherë ta sulmonin njërin prej të përfshirëve në mosmarrëveshje gjatë natës duke i shkaktuar dëme dhe me këtë të nxisin gjakmarrjen midis tyre, që t’i vrasin ‘zullumqarët’, por edhe krerët në zë të keq të shqiptarëve. Ndërsa çetat e formuara prej njerëzve tanë si detyrë të veçantë ta marrin që në nahijen e Pejës t’i sulmojnë katolikët e Fandës, duke ua djegur edhe pasuritë e tyre në aksionet që do të ndërmerren kryesisht natën. Me qëllim të fshehjes sa më të lehtë të gjurmëve, çetnikët e krahinës së Prizrenit do të duhej të banonin në qytet, njëkohësisht duke i ushtruar zejet e tyre dhe vetëm netëve në prag të festave dhe të dielave të kryejnë sulme, duke u kthyer menjëherë në Prizren. Në nahijen e Pejës çetnikët do të duhej të ishin me origjinë prej fshatrave që ndodhen në afërsi të atyre katolike. Për aktivitete të tilla, çetnikëve duhet paguar shumën prej 40 dinarëve në muaj. Përveç kësaj, është e nevojshme që në çdo fshat të lihen në dispozicion dy - tri shtëpi ku sipas nevojës do të strehoheshin çetnikët, ndërsa një shtëpi e tillë në Prizren do të duhej të rezervohej, por ajo duhet të jetë në fund të qytetit, ku çetnikët do t’i linin armët e tyre, në rastet kur ato nuk mund t’i fusnin në qytet. Për këtë duhet paguar 40 dinarë në muaj, pasi në shtëpinë përkatëse çetnikët do të mund të ushqeheshin kohë pas kohe. c) Nëse ndodh që ndonjë shqiptari të varfër t’i vritet dikush prej të afërmve apo t’i bëhet ndonjë e keqe dhe i cili ka dëshirë të hakmerret, por atij nuk i mjaftojnë mjetet, atëherë atë duhet ndihmuar dhe ai mund të hakmerret dhe më pas të vihet në shërbim tonin. Për këtë në muaj duhet ndarë shumën prej 500 – 600 dinarësh. Për kryerjen e këtyre detyrave është e nevojshme shuma prej 1.000 dinarëve. Ju lutem që kjo shumë t’i jepet Konsullatës së Prishtinës këtë vit”, urdhëronte konsulli serb. Ndërsa në planin e zhvillimeve të brendshme, aktiviteti rreth revolucionit të Turqve të Rinj kishte vazhduar. Në vitin 1907, më tepër se një vit pas krijimit të selisë së Komitetit në Selanik, me shembullin e degës së Parisit, u mbajt Kongresi i revolucionarëve turq. Në rrjedhën e organizimit të mëtutjeshëm, Komitetet që përfaqësonin kombet e ndryshme të Perandorisë Osmane u pajtuan të bashkëpunonin me Turqit e Rinj. Ky pajtim e nxiti organizmin edhe më të madh të komiteteve lokale dhe ato tashmë i kishin hedhur bazat e tyre që nga Shkodra e deri në Janinë, në Kosovë, por edhe në tërë Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Komiteti Qendror që akoma mbahej sekret, i organizoi mbledhjet në Selanik, duke e mbajtur një komunikim të vazhdueshëm me komitetet e degëve në Shkodër të Shqipërisë, Manastir, Janinë dhe qytete të tjera, dhe më vonë pothuajse në çdo fshat të Shqipërisë dhe Maqedonisë u ngritën komitete lokale.
“Disa nga anëtarët kryesorë të Komitetit të Bashkimit dhe Përparimit në Selanik më folën pa rezerva kur isha në atë qytet, - siç do të bëjnë me një anglez që ka fituar besimin e tyre – në lidhje me organizatën e tyre të hershme sekrete dhe ata ishin të gatshëm që me metodat e veta të detyronin pushtetin që të përgjigjej ndaj kërkesave të tyre”, ka dëshmuar anglezi, Knight Edward Frederick.
Muhaxhirët e dëbuar, pengesa kryesore e afrimit shqiptaro-serb
Pa ndonjë parashikim të zhvillimit të ngjarjeve, në vijim raportet diplomatike të dërguara prej Konsullatës serbe në Prishtinë qysh në fillim të vitit 1907, manifestohen nga tone të buta, bile në njërin prej tyre shprehet interesimi rreth arritjes së marrëveshjes eventuale shqiptaro-serbe.
“Ka ngelur që duke mos apeluar pushtetin turk, por pa të, bile edhe kundër këtij pushteti të gjendet mënyra që të përmirësohet gjendja. Do të ishte e natyrshme që të provohet të arrihet ndonjë marrëveshje apo afrim me shqiptarët, prandaj edhe është kërkuar vendosja e lidhjeve me krerët autoritativë. Nëse ata nuk mund të përfitohen për qëllimet tona, atëherë me ndikimin e tyre bile ta parandalojnë dhunën”. Edhe pse propozimi ishte larg sinqeritetit, megjithatë duhet kujtuar se qysh para nëntë vjetëve një ide e tillë ishte iniciuar prej konsullit të atëhershëm në Prishtinë, Sveta Simiq, por ajo nuk ishte marrë parasysh nga ana e Beogradit. Në raportin e fillimit të vitit 1907 shtohej: “Sa u përket lidhjeve me shqiptarët thuajse jemi në të njëjtën pozitë në të cilën kemi qenë para hapjes së Konsullatës në Prishtinë”. Simiq megjithatë i kishte numëruar shkaqet se pse ishte vështirë që të përfitoheshin shqiptarët. I pari ishte: përkatësia e tyre fetare, që sipas ish-konsullit ishte njëra ndër pengesat kryesore të afrimit me pravosllavizmin, faktor tjetër ishte se krerët shqiptarë nuk mund të përfitoheshin për shkak se idetë (serbe) janë kundër zakoneve dhe traditave të tyre. Pengesë tjetër e afrimit shqiptaro-serb ishte dëbimi i shqiptarëve prej Serbisë, pas luftës së vitit 1878. “Këta shqiptarë të dëbuar në shumicë janë të vendosur në këto krahina dhe sa u përket synimeve tona politike, ata tani iu shërbejnë si shembull shqiptarëve të tjerë dhe janë shkaku kryesor i pengesave të çfarëdo lloj afrimi me ta”, shkruante ai. Duke u mbështetur në këto shkaqe z. Simiq, shprehej se arritja e marrëveshjes me shqiptarët është e pamundur dhe duhet shuar shpresat se ndonjëherë do të mund t’i përfitojnë krerët shqiptarë! “Por, nëse marrëveshja politike nuk do të mund të arrihet, kjo megjithatë nuk do të thotë që të mos provohet të realizohet në mënyra të tjera...”.
Por qarqet politike të Beogradit, siç edhe pritej, kurrë nuk hoqën dorë prej idesë së përfitimit të figurave kyç shqiptare, në fillim të shekullit XX, por edhe më vonë.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë