Shtojca për Kulturë

Flautisti i artë për të cilin muzika krijon jetë

Andrea Griminelli në koncertin e Filharmonisë së Kosovës në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, më 31 janar të këtij viti (Foto: Arben Llapashtica)

Andrea Griminelli në koncertin e Filharmonisë së Kosovës në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, më 31 janar të këtij viti (Foto: Arben Llapashtica)

Flautet e tij janë të arta, i artë është në skenat më prestigjioze ku ka luajtur. Flautist kryesor në koncertin e njohur “Tre tenorët” në Romë në vitin 1990 me Luciano Pavarottin, José Carreras dhe Plácido Domingon, është vetëm një kapitull i rrugëtimit të tij, ku bëjnë pjesë edhe Andrea Bocelli e artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarë të muzikës pop si Sting e Elton John. “Është thjesht jeta ime”, thotë flautisti italian, Andrea Griminelli. Salla më e vështirë ku ka interpretuar thotë se është ajo e Prishtinës, koncertin më të rëndësishëm e cilëson atë në “Central Park” të New Yorkut me Pavarottin para 150 mijë vetash në publik, kritika e ka ngritur në piedestal, por për diçka unike e veçon edhe publikun në Kosovë

I shquar si një prej muzikantëve më të mëdhenj të muzikës klasike në botë të kohës, flautisti italian Andrea Griminelli edhe në Prishtinë do ta dëshmonte kapacitetin e tij. Do ta maste edhe pulsin e muzikantëve dhe të audiencës. Madje çuditërisht edhe të tijin në një sallë të cilën ai e konsideron si “një prej më të vështirave” në të cilat ka interpretuar përgjatë karrierës së tij.

Sikur me praninë e tij i ka madhështuar skenat anembanë botës, duke prekur magjinë e muzikës klasike në skenat më prestigjioze, këtë do ta bënte edhe në Prishtinë. Ishte ftohtë, fundjanar. Ani pse jo aq magjike janë kushtet. Madje nuk ka fare kushte aty ku do të interpretonte – në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

Griminelli është interpretues i mrekullueshëm, artist i kalibrit të lartë. Në ditën e fundit të janarit ai do të shfaqej para publikut në Kosovë për të parën herë. U prit me shumë duartrokitje para turmës që mbrëmjen e 31 janarit qe më e shumtë se zakonisht dhe sigurisht se në këtë drejtim ishte edhe efekti i rolit të tij si solist bashkë me Orkestrën. Edhe pse Filharmonia e Kosovës veçse e ka publikun e saj konstant që përherë mbush sallën.

Në koncertin me Griminellin solist, salla qe përplot deri në hyrjen e saj të ngarkuar nga njerëz që qëndronin në këmbë. Edhe korridori i sipërm që rrethon dy anët e sallës qe përplot i mbushur. Personazhit qendror të këtij koncerti nuk iu desh të ngjiste këmbën as edhe në një shkallë të vetme si simbolikë e ngjitjes në skenë nga një figurë e rëndësishme në botën e muzikës klasike. Publiku ishte aq afër sa mund të dëgjonte nxjerrjen e frymës nga flautisti.

Me karrierë profesionale prej më shumë se tri dekadash në skenë, derisa interpretonte veprat e programit në Prishtinë, ngjante se partiturat i mban para vetes vetëm për të kuptuar më qartë dialogun e tij me Orkestrën. Ai e ndien thellësisht muzikën, por e bën të qartë që emocione të pastra të përcjellë tek ata që e dëgjojnë. Derisa partiturat i projekton në tinguj flauti pa hedhur shikimin në literaturë, vështron publikun rreth e rrotull. Në pjesët e Orkestrës shfrytëzon momentin të vështrojë publikun prapa tij, në korridoret e larta. Por edhe lojën e Orkestrës, ritmet e së cilës ia lëkundnin vendin.

Prej kërkesës së mësuesit deri te loja me “Tre tenorët”

Andrea Griminelli u lind në provincën Reggio Emilia në Itali, më 13 dhjetor 1959. Ishte dhjetë vjeç kur zbuloi talentin e tij në flaut. Ishte intuita e mësueses së tij, Marina Motti, e cila e shtyu atë drejt karrierës si flautist.

“Isha në shkollën fillore ku kishim një orë muzike në javë. Fillova të luaja dhe të regjistroja, profesori më tha se ishte shumë mirë dhe se shihte talentin te unë. Se i mësoja gjërat shpejt dhe më kërkoi të regjistroja lojën time dhe t’ia dërgoja. Unë e adhuroja tingullin e flautit. Kështu mësuesi im tha se do të fliste me prindërit e mi, sepse duhej të bëhesha muzikant sepse thoshte se kurrë nuk ka parë një talent si ky. Kështu që erdhi dhe unë fillova studimet në konservator vitin tjetër, në moshën 11-vjeçare, në Itali”, ishte shprehur Griminelli në një intervistë për KOHËN, një ditë pas koncertit, rreth gjysmë ore para se të nisej për në Aeroportin e Prishtinës.

Ai ka ndjekur studimet nga muzikantë legjendarë si Jean Pierre Rampal dhe James Galway. Derisa ishte ende student fitoi gara të ndryshme, ndërsa debutoi në “La Scala” me orkestrën italiane kamertale “Solisti Veneti”. Ishte flaut kryesor në koncertin e njohur “Tre tenorët” në Romë në vitin 1990 ku solistë ishin tenorët e shquar Luciano Pavarotti, José Carreras dhe Plácido Domingo.

“Kam shumë flaute. Kam flaute prej ari, katër të tilla. Lloje të tjera janë nga 14, 20, 25, 18 flaute. Në Prishtinë luajta me flaut 20-karatësh nga Japonia”, ka treguar flautisti italian (Foto: Arben Llapashtica)

Takimi me Pavarottin dhe aterrimi në New York

“Pas diplomimit i fitova tri gara, gjithashtu fillova të jap mësim në konservator në moshën 20-vjeçare dhe të bëhem flautisti i parë në orkestër në ‘Veneti...’. Më pas fitova garën e cila kishte për shpërblim studimet në konservatorin në Paris me Jean Pierre Rampal, gjë e cila për mua ishte ëndërr”, është shprehur Griminelli duke bërë të ditur se që nga ai moment i ishte përkushtuar krejtësisht studimeve.

“Kështu që hoqa dorë nga gjithçka që po bëja për të studiuar me të. Kur isha aty takova edhe Venera Kajtazin, me të cilën patëm disa koncerte. Ajo ishte bursiste, kështu ne u bëmë miq. Më pas takova Pavarottin dhe kështu karriera ime nisi të shënojë ngritje sepse nisa të bëj koncerte të mëdha gjatë kohës sa ende isha duke studiuar. Më pas shkova të jetoj në New York dhe ky ishte fillimi im”, është shprehur ai më tej.

“Është thjesht jeta ime”

“Krijon një jetë të tërë”, thotë flautisti i skenave botërore kur pyetet se sa përkushtim kërkon ky profesion. Përkushtimin e tij në flaut e ilustron me ndikimin që profesioni ka pasur në jetën e tij personale.

“Unë krijova familje kur isha 48-vjeç. Jo shumë i vjetër, por kjo ndodh kur e bën prioritet muzikën, të studiosh dhe të gjesh gjëra të reja. Sidomos kur punon si solist. Unë pas disa vitesh në orkestër, vendosa të jem solist. Kur merr këtë vendim, e di që nuk ke një pagë, kështu që duhet të zgjohesh dhe të studiosh, të mendosh se si të promovosh koncertet e tua”, ka treguar ylli i muzikës klasike në skenën botërore.

Madje shprehet se nëse do të duhej me patjetër të zgjidhte midis muzikës dhe familjes, do ta zgjidhte të parën.

“Muzika është jetë dhe familje për mua. Nuk do të mund të jetoja pa muzikë nëse do më detyronin të zgjidhja midis familjes dhe muzikës. Unë çdo ditë e luaj dhe e dëgjoj, sjell ide të reja, propozoj programe të reja. Është thjesht jeta ime”, është shprehur flautisti Andrea Griminelli.

Ai ka luajtur me orkestrat më të mëdha të botës si me Filharmoninë Mbretërore, Orkestrën Filarmonike, Simfoninë e Berlinit, Simfoninë e Dallasit dhe Filarmoninë e Los Angeles. Koncerti në “Central Park” në New York është kulmi i karrierës për të. Më 26 qershor të 1993-s ai interpretoi si solist bashkë me Pavarottin në një koncert madhështor.

Koncerti për 150 mijë njerëz

“Mendoj se koncerti më i rëndësishëm në jetën time ishte në ‘Central Park’ me Pavarottin ku kam luajtur ‘Carmen’, ‘Rondo Ruso’ si pjesë shumë e vështirë për flaut dhe disa pjesë të tjera. Pati 150 mijë njerëz dhe miliona shikues kudo në botë. Ishte koncert i mahnitshëm”, ka kujtuar flautisti italian.

Ai ka bashkëpunuar edhe me tenorin italian Andrea Bocelli si dhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarë të muzikës pop si Sting dhe Elton John. Është shprehur se është i fokusuar vetëm në të interpretuarit e muzikës, jo edhe në të krijuarit muzikë.

“Kam punuar diçka, por nuk jam duke shkruar. Për momentin vetëm po interpretoj, sepse jam shumë i zënë, po punoj si një atlet. E dini, ka atletë që bëjnë 100-metërshin, të tjerë që bëjnë hedhjet, apo ndonjë specializim tjetër. Unë do t’i këshilloja muzikantët të zgjedhin se çfarë duan të bëjnë sepse nëse bën shumë gjëra në të njëjtën kohë, në fund nuk do të keni sukses”, ka thënë Griminelli.

Në vitin 1991 ai u nderua me titull nga Presidenca e Italisë dhe në vitin 2003 u emërua Zyrtar i Meritave të Republikës Italiane. Griminelli vlerësohet si kampion i premierave. Ka interpretuar veprat premiera botërore të kompozimeve për flaut dhe orkestër nga kompozitorë si Carlo Boccadoro, Fabrizio Festa, Ennio Morricone dhe Shigeaki Saegusa. Së fundi ka regjistruar dhe publikuar CD-në e tij me titull “Nessun Dorma: The Opera I Love” me Orkestrën Simfonike të Çekisë.

E këto CD kanë qenë edhe para hyrjes së sallës së Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve kur Griminelli ka interpretuar më 31 janar. Ai ka thënë se sot nuk shiten më dhe se rinia e sotme ka më pak interesim për muzikën klasike.

“Sot është shumë e vështirë, shumë më e vështirë sesa vite më parë, sepse sot nuk shiten më incizime. Të rinjtë kanë pak informacion për elitën e muzikës klasike. Kështu që isha shumë e lumtur që këtu pashë shumë të rinj në koncert. Kjo është fantastike, sepse normalisht kudo që udhëtoj muzikën klasike e ndjekin kryesisht të rriturit dhe të moshuarit”, ka thënë ai.

Magjia e lojës së tij në Prishtinë ka rrezatuar me interpretimin e “Koncertit për flaut nr.1” të Mozartit dhe kohën e tretë të “Koncertit për dy flaute” - Rondo. Allegretto ma non tanto” - të italianit Domenico Cimarosa, bashkë me flautin e parë të formacionit, Venera Mehmetagaj-Kajtazi. Në koncertin ku u kremtua edhe gjysmëshekulli i karrierës së saj, Griminelli interpretoi pjesën “The Flight of the Bumblebee” të kompozitorit rus Nikolai Rimsky-Korsakov që ia dedikoi asaj.

“Është një nga sallat më të vështira në të cilat kam luajtur. Ju e meritoni një sallë fantastike, sepse pati shumë njerëz dhe atyre u pëlqen të dëgjojnë muzikë”, ka thënë Griminelli (Foto: Arben Llapashtica)

Loja në sallën më të vështirë

Duke folur për përvojën e tij me koncertin në Prishtinë, ka thënë se Orkestra duhet të interpretojë në një sallë më adekuate dhe me një akustikë më të mirë. Është shprehur se ajo në Prishtinë ka qenë prej më të vështirave në të cilat ka interpretuar.

“Për akustikë të mirë duhet të ketë materiale të forta, si druri. Në atë sallë pati perde dhe akustika ishte vërtet e keqe, shumë e vështirë për të luajtur. Është një nga sallat më të vështira në të cilat kam luajtur. Ju e meritoni një sallë fantastike, sepse pati shumë njerëz dhe atyre u pëlqen të dëgjojnë muzikë”, ka thënë Griminelli.

Ka qenë i njoftuar për projektin për sallë koncertale në Prishtinë, në të cilën ka thënë se shpreson të interpretojë herën tjetër.

“Dëgjova që është një projekt për një sallë të re dhe vërtet shpresoj të ndodhë shpejt, sepse Orkestra e meriton sikurse edhe publiku, sepse ata e shijojnë shumë më shumë koncertin kur ka akustikë të duhur. Shpresoj të kthehem shpejt për të interpretuar aty”, është shprehur ai më tej.

Lojën me flautin e tij të veshur me ar e bënte të kapërcehej lehtësisht e pa sfida. Ai ka koleksione flautesh.

“Kam shumë flaute. Kam flaute prej ari, katër të tilla. Lloje të tjera janë nga 14, 20, 25, 18 flaute. Në Prishtinë luajta me flaut 20-karatësh nga Japonia”, ka treguar flautisti italian.

Është shprehur se ky koncert i dha ndjenjën sikur të ishte në Itali.

“Ishte sikur të jesh në Itali. Jemi miq, vëllezër, mendoj se kemi të njëjtën kulturë, me pak dallime, sepse ju keni kaluar dhe ne gjithashtu kemi kaluar Luftën e Dytë Botërore. Njerëzit janë shumë të sjellshëm, Venera dhe Dardan (Selimaj), sikurse edhe Dario Salvi kalova shumë mirë me ta. Shpresoj të kthehem”, ka thënë ai.

Për Andrea Griminellin, pos me flautisten Venera Mehmetagaj-Kajtazi, ka qenë hera e parë që ka bashkëpunuar me muzikantë nga Kosova. Por jo të pakta janë bashkëpunimet e tij me muzikantë nga Shqipëria. Madje në Tiranë ka performuar 15 vjet më parë.

“Isha në Tiranë ku kam luajtur disa herë para shumë vitesh, ku interpretova si solist me orkestrën atje. Gjithashtu kam miq shqiptarë në Itali si Saimir Pirgun, i cili është mik shumë i mirë. Kur ishte tenor i ri takoi Pavarottin dhe gjithashtu ka shumë muzikantë të shumtë shqiptarë në Itali që luajnë me orkestër dhe si solistë. Duke udhëtuar shumë, mendoj se shqiptarët janë të njëjtë si italianët”, është shprehur ylli i skenave prestigjioze, Andrea Griminelli.

Karriera e Griminellit filloi në vitin 1984 kur Luciano Pavarotti e ftoi të performonte në Madison Square Garden. Që atëherë, ai ka luajtur në vende prestigjioze si “Carnegie Hall” dhe La Scala, ka bashkëpunuar me maestrot klasikë dhe yjet e popit, madje ka goditur edhe një Grammy. I njohur për interpretimet e tij të ndjeshme dhe teknikën vrasëse, Griminell është përshkruar nga Sir James Galway si “intepretuesi më i madh i flautit që ka ardhur në krye të skenës muzikore për shumë vite”.