“Regjimet dhe qeveritë rrëzohen, kurse popujt mbeten. Në luftën e përbashkët nacional-çlirimtare janë shlye shum paragjykime të vjetra si në njenën ashtu edhe ne tjetrën anë, dhe, kur edhe tek Shqiptaret âsht pjekë vetëdija që ne mes të dy popujve tonë, përveç lidhjeve ekonomike âsht e nevojshme edhe njohja kulturore, Instituti i studimevet në Tiranë, me 1947, ka botue Fjalorin serbokroatisht-shqip si veprën e parë të botimeve të tija”, shkruante albanologu Henrik Bariq, në parathënien e “Fjalorit të gjuhës sërbishte ose kroatishte dhe i shqipes”, botuar nga “Shtëpia Botuese e Akademisë Jugosllave”, Zagreb 1950
Henrik Bariq
Nevoja për nji fjalor të gjuhës shqipe dhe të gjuhës sonë àsht ndie tek ne qysh atëherë kur nga brezi shqiptar na ka nda kufini i Perandoris otomane. Qysh atëherë ka dalë në dritë Fjalori sërbisht-shqip i Kujunxhiqit (1902). Por, aty edhe ka mbetë. Sado që gjat tridhjetë vjetëve të fundit, në të gjitha qendrat tona kulturore âsht zhvillue me shum sukses veprimtarija në fushën e linguistikës shqipe, përpjekjet që me nji fjalor të gjuhës sonë dhe të gjuhës shqipe ta çajnë rrugën e njohjes njani me tjetrin nuk kanë gjetë përkrahjen e nevojshme. Kjo idé nuk ka muejtë të realizohet për shkak të acarimit të marrëdhanjeve politike mbas paktit të dytë të Tiranës (1927) dhe për shkak të nënçmimit që borgjezija e jonë e gjithëfuqishme e atëherëshme ka tregue ndaj kombit të ri shqiptar.
Regjimet dhe qeveritë rrëzohen, kurse popujt mbeten. Në luftën e përbashkët nacional-çlirimtare janë shlye shum paragjykime të vjetra si në njenën ashtu edhe ne tjetrën anë, dhe, kur edhe tek Shqiptaret âsht pjekë vetëdija që ne mes të dy popujve tonë, përveç lidhjeve ekonomike âsht e nevojshme edhe njohja kulturore, Instituti i studimevet në Tiranë, me 1947, ka botue Fjalorin serbokroatisht-shqip si veprën e parë te botimeve të tija.
Ky fjalor nuk i përgjigjet qëllimit të tij as në pikëpamjen themelore linguistike, as përsa i përket vëllimit, as përsa i përket radhitjes së lândes, as përkëthimit, as vetijave të tjera leksikografike. Ky ka qenë shkaku që i jam përgjegjë ftesës që sa mâ parë ta redaktoj landën që kam grumbullue vetë, deri n’ ate kohë dhe ta pregatis për shtyp, në mënyrë që me botimin e këtij Fjalori, të paktën deri diku, të plotësohesh nevoja e doemosdoshme, e cila nuk pret shtymje kohe.
Qëllimi i këtij Fjalori âsht: që nëpërmjet të tij shtresat e gjâna të popullit shqiptar ta zgjânojnë njohunin e tyne mbi gjuhën tonë, dhe kështu ta njohin mâ mirë kulturën tonë, dhe, nepërmjet të leteratyrës së përkëthyeme në gjuhën tonë ta njohin edhe kulturën botnore në përgjithësi. Në përputhmëni me këtë detyrë, Fjalori duhet që, përveç gjuhës sonë popullore dhe letrare të përfshijë edhe terminologjinë shkencore dhe nomenklaturën teknike, sa i zotnon ato nji njeri i pajisun me nji kulturë të gjânë dhe të përgjithëshme. Nji fjalor të këtill, i cili do të duhesh të përkëthehesh me fjalë shqipe, nâ ende nuk e kemi. Fjalori i Vukut i gjuhës serbishte asht nji të mbledhun fjalësh të popullit; në fjalorin e gjuhës kroate te Broz-Ivekoviqit, në themel lânda leksikore e Vukut, asht zgjanue me futjen e fjalëve nga veprat e Karaxhiqit dhe te Daniçiqit, dhe diçka nga vepra letrare e Njegoshit dhe e Miliçeviqit. Mirëpo, edhe ky fjalor (botue me 1901-1902), sado që ma i pasun se i Vukut, nuk u përgjigjet nevojave të nji fjalori të gjuhës letrare bashkëkohore.
Nga fjalori monumental i gjuhës serbishte letrare dhe popullore, në të cilin Akademia serbe punon qysh prej 1894, deri tash – përveç nji prove të pasukses (1915) – nuk ka dalë në dritë asnji vëllim, kurse edhe Fjalori i gjuhës letrare kroate, puna në të cilin, në Akademinë jugosllave, ka fillue me 1946, do të përfundohet vetëm mbas disa vjetësh. Në mbarë leksikografinë tonë, má i pasuni âsht fjalori serbo-kroatisht-gjermanisht i Ristiqit dhe i Kangrges. Ai dallohet sepse, deri diku, ka mbrenda edhe frazeollogi, e cila âsht ana e dobët e të gjithë fjalorëve të tjerë të gjuhës sonë. Përveç këtyne veprave, për plotësimin e thesarit gjuhësor të popullit, kam shfrytëzue edhe shënimet dialektollogjike dhe lândën dialektollogjike, deri tashti të studjueme të të folunit shtokav, kurse terminollogjinë teknike dhe nomenklaturën e kam kërkue nëpër veprat e shënueme në faqet XIX-XXII që nuk kanë të njajtën vleftë.
Gjuha e jonë âsht gjuha qendrore e fushës gjuhësore të Sllavëve të Jugut, të cilën Sërbët e quejnë sërbishte, kurse Kroatët kroatishte, për të cilën arsye, në këtë Fjalor e quej gjuhë sërbishte apo kroatishte. Ndryshimet minimale në mes të gjuhës letrare serbe dhe kroate kanë kryesisht karakter stili, bile për mâ tepër karakter leksikor. Prandej në Fjalor kam futë edhe ato fjalë të cilat nuk e kalojnë kufinin e sferës së njënes prej dy qendrave tona të mëdha letrare: Beogradit dhe Zagrebit.
Gramatika – në kuptimin normativ – në këtë Fjalor âsht kufizue në minimum. Në gjuhën tonë shum kategorina gramatikore nuk janë përcaktue ende dhe nuk mund të parashihet ende se cilat prej tyne do të ngadhnjejnë në përdorimin e përgjithshëm. Me gjithë atë, disa trajta gramatikore janë dhânë: gjindorja, e njejësit ose e shumësit, tek emnat me zânoren a të paqëndrueshme; krahasuesi me bashkëtinglloren e rrânjes së ndryshueme; vehtja e parë e njejësit të kohës së tashme në foljet në të cilat zânorja me mbaresën vehtore, asht ndryshe nga ç’âsht në mbaresën e rranjes së infinitivit etj. Në të theksuemit, në ketë Fjalor jane bâ disa shmângëje nga theksat e Vukut dhe të Daniçiqit, në bazë të të përdoruemit të tyne në gjuhën e folun të njerëzve me kulturë letrare, sepse s’ka dyshim se këto shmângëje do të mbesin. Sidoqoftë, ky Fjalor, i cili nuk ka kurrfarë pretendimesh që të jetë normativ, përfaqëson nji gjendje të gjuhës sonë bashkëkohore, e cila ende nuk âsht stabilizue në disa raste dhe gjendjen e leksikografis së gjuhës sonë bashkëkohore.
Në vështirsina shum mâ të mëdha ka hasë punimi i pjesës shqip të këtij Fjalori. Vështirësija mâ e madhe âsht sepse Shqiptarët ende nuk kanë nji gjuhë të përbashkët letrare. Ndamja e të folunit shqip ne grupin dialektik verior (gegënisht) dhe jugor (toskënisht), kushtëzue me konfiguracionin gjeografik të truellit të atdheut të Shqiptarëve, dhe në të mospasunit e nji qendre kombëtare gjat shekujve, pasqyrohet në krijimin e dy gjuhëve letrare regjionale – gjuhë gegënishte në veri, gjuhë toskënishte në jug. Me forcimin e vetëdijes kombëtare forcohet edhe dëshira për nji gjuhë letrare kombëtare të përbashkët, por të rrekunat’ që kjo dëshirë të zbatohet në vepër kanë shkue dhe shkojnë edhe sot në drejtime të ndryshme. Linguistët, si shqiptare ashtu edhe të huej, janë të mendimit që zgjidhja të gjindet me kohë në ngritjen e dialektit jugor të gegënishtes (të Elbasanit), - të cilin edhe populli shqiptar e quen si dialekt qendror, dialekt të kuptueshëm në veri dhe në jug, - në shkallën e gjuhës së përbashkët letrare. Mirëpo, në praktikë, rruga drejt bashkimit gjuhësor kërkohet me anë të futjes në përdorim - nëpërmjet të aparatit shtetnor, të ligjëdhânjes, të administratës, të shtypit dhe të radios - të njënit prej dy dialekteve, përpara të gegënishtes dhe tash të toskënishtes. Këtë rrugë ka ndjekë edhe Instituti i studimeve në Tiranë, kur si mbështetje të fjalorit të tij të gjuhës sërbokroatisht-shqip ka marrë dialektin toskënisht, të cilin gegët e kuptojnë me vështirësi ose menzi dhe me zori. Mbarë popullsija shqiptare e Krajnës dhe e Bregdedit të Malit të Zi, e Kosovës dhe Metohis, dhe shumica e popullsis shqiptare në Maqedoni flasin gegënisht dhe fusha dialektike e gegënishtes përfshinë shumicën e territorit edhe në vetë Shqipninë, deri te lumi Shkumbin, të cilin vende-vende edhe e kalon. Prandej, në këtë Fjalor, fjalët tona janë përkëthye në fjalë gegënishte, kurse fjalët toskënishte jane futë në se ndryshojnë nga ato gegënishte, dhe për më tepër atëherë, kur fjalët gegënishte, për ndonji kuptim, nuk gjinden, dhe kur disa toskizma janë pervehtësue në gjuhën e folun të gegëve të kulturuem.

Nji vështirësi tjetër e madhe âsht gjendja e tashme e leksikografis shqiptare. Fjalorë shqip ka shum, por grumbullimi i lândës së gjuhës popullore shqipe, në të vërtetë, gjindet vetëm në fazën fillestare. Si burime leksikore për thesarin e gjuhës popullore janë marrë parasyshë kryesisht vetëm dy vepra: i Kristoforidhit (Athinë 1904), përkëthye me fjalë greqishte, dhe fjalori i shoqnis Bashkimi (Shkoder 1911), përkëthye me fjalë italishte, prej të cilëve i pari përfshinë të gjithë fushën gjuhësore të shqipes, dhe tjetri vetëm shkodranishten. Fjalë shqipe të paregjistrueme leksikografikisht deri në atë kohë përmbajnë fjalorë ma të vegjël, në të vërtetë glosare, të vjetër dhe të ri, siç janë për shembull, ai i Gazullit (për krahinën e Shkodrës), i Kujunxhiqit (për Gjakovën), i Puljevskit (për Dibrën) në veri, ai i Pedersenit (për Çamërinë) i Tasit (për Përmetin dhe Gjinokastrën), në jug të territorit gjuhësor të shqipes, etj. lista e të cilavet gjindet në faqën XXIII. Për plotësimin e lândës leksikore në këtë Fjalor asht dashtë të nxirren fjalë nga kângët popullore shqiptare dhe nga leteratyra tjetër popullore. Përveç burimeve të tjera, kam studjue sidomos tre vëllimet e “Visaret e Kombit”, të botuem nga Komisioni për kremtimin e 25-vjetorit të pamvarësis së Shqipnis, 1912-1937, nga të cilët vëllimi i parë dhe i tretë, të redaktuem prej K. Gurakuqit dhe ish-nzanësit tim F. Fishtës, fatkeqsisht, nuk e japin gjithnjë besnikisht gjuhën popullore.
Zhvillimi i kulturës, valët e së cilës po spërkasin edhe Shqipninë, në Fjalorët, siç âsht ky Fjalor, kërkon zgjânimin e lândës në të gjitha fushat e jetës kulturore bashkëkohore dhe futjen e terminollogjis shkencore dhe të nomenklaturës teknike. Për këtë qëllim nuk ka fjalor special të gjuhës shqipe, me përjashtim të fjalorëthit të vogël tekniko-bujqësor-ekonomik italisht-shqip dhe shqip-italisht të Bindonit (Tiranë 1935), i cili aspak nuk i përgjigjet qëllimit të tij dhe as fjalorët ma të gjânë (nga të cilët ma i madhi, fjalori toskënisht-italisht i Leottit, me gjthësejtë 30 mijë fjalë), nuk janë të pasun me këtë landë. Që të plotësohesh edhe kjo nevojë, të paktën deri diku, âsht dashtë që kjo terminologi të nxirresh nga tekstet shkollore shqipe, nga kodet etj., nga artikujt tekniko-popullor, të botuem nëpër revistat dhe fletoret shqiptare. Asht e qartë se për krijimin e kësaj terminollogjije dhe nomenklature, specialistët shqiptarë janë detyrué me pranue ose marrjen e termave të hueja, në të cilën gjâ terminollogjija juridiko-administrative, sidomos në kohën e fundit, ka kalue çdo masë, ose krijimin e fjalëve të reja, nga të cilat nji numër i madh nuk âsht gatue në frymën e formimit të fjalëve shqipe, formim i cili me anën e fjalëve të bashkueme jep mundësi të madhe për krijimin e neologjizmave të nevojshme. Se cila prej tyne do të qëndrojë dhe sa kohë do të qëndrojë, apo do të ua lëshojnë vendin termave të hueja, mvaret, në se ato do të përvehtësohen ose jo, sepse përdorimi sanksionon fjalorin, dhe gjuha asht – vetë populli.
Kush harton nji fjalor dygjuhësor pa kurrfarë pretendimesh për normativitetin e gjuhës, vetëm, deri diku, mund ti ketë parasyshë kërkesat e puristave. Por, kur ka fjalë popullore, do t’ishte mëkat, siç ndodhë shpeshë herë, me i harrue ato dhe me i zavendësue me fjalë të hueja të panevojshme dhe të pakuptueshme për popullin.
Fjalori shqip asht gjithë i thurrun me fjalë te marruna hua nga gjuhët e të gjithë popujve, me të cilët populli shqiptar, gjat shekujve, ka pasë lidhje të ngushta. Këto fjalë qysh me kohë kane fitue të drejtën qytetare shqiptare dhe nuk ndihen si të hueja, prandej nuk duhet tu japin shkas për kritikë as puristave mâ fanatik. Mirëpo, s’ ka dyshim se nga fjalori âsht dashtë të hiqen italianizmat e tepërta dhe të pakuptueshme për popullin, me të cilat vlon shtypi shqiptar, dhe për të cilat gjinden nji ose ma shum fjalë shqipe. Nji problem të veçantë paraqesin turqizmat. S’ka dyshim se ato po humbin me të shpejtë në të gjitha fushat, të cilat janë, si ushtrija dhe rregullimi shtetnor, administrata dhe drejtësija, ku kanë pësue ndryshime të mëdha për shkak të pamvarësis së Shqipnis, të vendosun në themel të ri nacional. Por, gjithashtu, s’ka dyshim se shum turqizma do të mbahen edhe për nji kohë të gjatë në se kanë të bëjnë me kuptime për të cilat âsht vështirë me gjetë fjalën shqipe (për shembull terminollogjin e zejeve), ose të cilat kanë nuansa speciale stili, siç âsht rasti edhe me gjuhën tonë.
Turqizma të këtilla i kam mbajt dhe sidomos ato të cilat tek ne, për të cilën atë gjuhë dhe tek Shqiptarët nuk kanë ndonjë kuptim (për shembull ‘merak’ që tek ne do të thotë edhe ‘kujdes’, që serbisht nuk e ka kurrë atë kuptim). Ma në fund e kam pa t’udhës që për një turqizëm që është përvetësue te ne, për të cilën në gjuhën shqipe ka nji shprehje adekuate shqipe, ti shtoj edhe turqizmin, në mënyrë që nëpërmjet të tij, shqiptarët, nga fusha gjuhësore, të njihen me fjalët e gjuhës amtare që i kanë të panjoftuna.
Në punimin e këtij fjalori, detyra më e vështirë âsht paraqitë në sinonimet shqipe. Në gjuhët letrare të formueme, për shkak të domethânjes së diferencueme, sinonime në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk ka; sinonime ka vetëm në se âsht puna për fjalë të cilat luftojnë në vend të parë, apo kanë karakter të ndryshëm efektiv, apo janë fjalë të shtresave të ndryshme shoqnore. Mirëpo, sinonime të vërtetë ka në gjuhët, gjuha letrare e të cilave ende nuk âsht formue, sepse ato janë kushtëzue me shtrimje shumtrajtash gjeografike të fjalëve për të njajtën gjâ ose kuptim. Prandej, në këtë Fjalor, shpeshë herë, për nji fjalë tonën janë dhanë nji varg fjalë shqipe të veriut, sepse rregullimi i fiseve ka krijue aq dialekte sa ka edhe fise. Asht e qartë se në përkëthimin e fjalëve tona, në radhë të parë, duhet të vijë ajo fjalë shqipe e cila âsht e përgjithëshme shqipe ose përfshinë zonën mâ të gjânë , dhe mbas saj sinonimet e veta me njifarë rendi gjeografik gjâ të cilën edhe e kam bâ aq sa ka qenë e mundëshme, në bazë të burimeve të shkrueme, të përvojës vetiake dhe të informatave me gojë. Por zbatimi besnik i këtij parimi kërkon hartimin e nji atlasi linguistik të gjuhës shqipe, ashtu si e ka planifikue ish-Academia d’Italia, gjâ që edhe për shum kohë do të mbetet – nji dëshirë e paplotësueme.
Ky fjalor ka qëllime praktike. Prandej, e kam gjetë të nevojshme që bashkë me disa fjalë të jap edhe disa shembuj nga gjuha e folun, sidomos atëherë, kur nji fjalë e jona apo shqipe, me të cilën fjala e jonë âsht përkëthye ka shumë kuptime. Jam përpjekë sidomos që të grumbulloj sa mâ tepër lândë frazeollogjike nga bisedimi i përditshëm, nga gjuha e folun në familje dhe në punë dhe që frazën tonë ta përkëthej me frazën adekuate shqipe. Po kështu kam veprue edhe me përkëthimin e fjalëve t’ urta dhe të fjalëve t’ arta popullore, nga të cilat ky fjalor ka afër 5000.
Luhatjet gramatikore janë në mënyrë të pakrahasueshme mâ të mëdha në gjuhën shqipe, se sa në gjuhën tonë, edhe kur merret parasyshë vetëm gegënishtja.
As që më ka shkue mendja për normalizimin e gjuhës shqipe, për arsye se ky nuk âsht fjalor i gjuhës letrare shqipe, dhe për arsye se gramatikë të gjuhës letrare shqipe nuk ka, dhe sot kur gjuha shqipe âsht në formim e sipër as që asht e mundun që ndokush ta shkruej.
E ndjej për kënaqësi që edhe me këtë rast të shprehi mirënjohjen time ndaj të gjithë personave dhe instituteve të cilët me kanë ndihmue në punën time për këtë Fjalor. Të gjithë kujdesin në lidhje me rregullimin e kartotekès me landën leksikale të mbledhun e ka krye me shum zell zonjusha C. Radojloviq, nëpunëse e Akademisë serbe. Kopjimin e dorëshkrimit për shtyp si dhe punën e daktilografit e ka mbikëqyrë miku i im i vjetër, nëpunësi konsullor z. Rista Popoviq, i cili, përveç kësaj, me ka dhâne informata mbi të folunit e vendëlindjes së tij – Shkodrës, kurdoherë që për këtë asht paraqitë nevoja.
Disa informata mbi fjalët si dhe fjali shqipe të jugut mi ka dhanë z. Dr. Petro Janura, nga Fieri, i cili ka marrë pjesë në leximin e korekturave. Redaktimin dhe revidimet e pjesës shqipe të Fjalorit i kanë krye z. Hasan Kaleshi dhe Hilmi Thaçi, anëtarë të Redaksis shqiptare të Radio Beogradit. Ky i fundit, njohës shum i mirë dhe dashamirës i madh i gjuhës së tij amtare, më ka dhâne edhe informata të çmueshme ne lidhje me përhapjen, niansat në kuptimin dhe përdorimin e fjalëvet dhe te shprehjeve të ndryshme në gjuhën shqipe të folun dhe në gjuhën letrare. Miku i im i çmueshem z. Stj. Ivshiq, profesor universiteti në Zagreb, më ka dhâne udhëzime shum të dobishme në lidhje me të theksuemit e fjalëve të hueja në gjuhën tonë. Në koordinimin e udhëzimeve, gjat botimit, ka punue me zell zoja V. Hofman, arkiviste e dytë e Institutit historik të Akademis jugosllave.
Koleksioni i im i pasun i teksteve shqipe dhe i fjalorëve asht djegë qysh ditën e parë të bombardimit të Beogradit. Unë këtë vepër nuk do të mund ta kryejsha sikur Drejtorija e Muzeumit republikan në Sarajevo të mos më kishte vë në dispozicion veprat e nevojshme nga koleksioni i albanollogjis t’ish-Institutit Ballkanik pranë Muzeumit dhe sikur te mos mi gjinte librat e tjera të duhuna, sa ka qenë e mundëshme të bahesh në rrethanat e mbasluftës. Nji mirënjohje të posaçme i detyrohem Këshillit për shkencë e kulturë të RFPJ, i cili më ka bâ të mundeshëm që qysh nga gjysma e vjetit 1946 t’i kushtohem papengesë punës së Fjalorit.
Ne fund i shpreh mirënjohjen time Shtëpis botuese të Akademis jugosllave si dhe Drejtorit të saj z. R. N. Horvat për përpjekjet, që të mposhten, aq sa ka qenë e mundëshme, vështirësit teknike në lidhje me botimin dhe pregatitjen e kësaj vepre, vështirësi të cilat nuk kanë qenë të vogla.
Zagreb, me 1 gusht 1950.
H. BARIC