Shtojca për Kulturë

Filharmonia në pasion me violinën energjike deri te madhështia e Rachmaninoffit

Filharmonia

Tri vepra të ndryshme në të cilat shpalosin emocione të forta, kanë qenë në repertorin e koncertit të parë të Filharmonisë së Kosovës për këtë vit. Emra që janë ngjitur në skena botërore – si dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli e Abigeila Voshtina – i janë bashkuar hapjes së këtij rrugëtimi (Foto: Arben Llapashtica)

Ulëset nuk kanë qenë të mjaftueshme për publikun e Filharmonisë së Kosovës në koncertin e parë për sivjet, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli. Koncerti nisi me uverturën “Finlandia” të finlandezit Jean Sibelius, e në fakt kjo ka qenë “uverturë” në lojën pasiononte e plot energji të violinistes Abigeila Voshtina me “Koncert për violinë nr.1” të Max Bruchit. Me “Ishullin e të vdekurve”, Filharmonia nuk ka sjellë vetëm betejën për jetë e vdekje, por mbi të gjitha madhështinë e Sergei Rachmaninoffit nëpërmjet kësaj kryevepre të synuar kaherë

Filharmonia e Kosovës e ka nisur rrëfimin muzikor këtë vit me vepra që shpalosin bukurinë e fuqinë e tingullit me vepra sa unike, aq sfiduese. Nën drejtimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli e me soliste violinisten e shquar Abigeila Voshtina, koncerti ka qenë edhe si rrëfim poetik mbi jetën e vdekjen ku notat pikturohen me përplot emocion. Vetë piktura është frymëzimi i Rachmaninoffit për “Ishullin e të vdekurve” ndërsa pjesa tjetër ilustron peizazhe e shpalos fuqinë e instrumenteve. 
Derisa institucioni shtetëror i muzikës klasike sjell rrëfim të ri muzikor, kushtet mbesin të njëjta. Çdo protagonist i ri, vepra të reja, as edhe një ndryshim në infrastrukturë. Kërkesa për sallë të re ka qenë edhe e solistëve të koncertit të së premtes mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. 
Aty më pak se dy metra e ndajnë orkestrën nga publiku. Ky i fundit e dëgjon, por nuk e sheh dot Orkestrën duke zbërthyer veprën. Hyrje-daljet tërheqin vëmendje e madje e pengojnë audiencën. Është totalisht jo e denjë, aq më pak kur në një sallë që nuk ka as kushtet minimale, sillen emra të skenës muzikore që kanë performuar në skena e salla përrallore. 

Në këto kushte nisi edhe ky vit për Filharmoninë e Kosovës, në sallën për të cilën institucioni është qiraxhi. As ulëset nuk kanë qenë të mjaftueshme për publikun e Filharmonisë së Kosovës, ata që mbetën në këmbë patën alternativë korridorin e sipërm. 

Koncerti nisi me uverturën “Finlandia” të finlandezit Jean Sibelius. Tingujt e parë të Orkestrës për publikun kanë dëshmuar lojën energjike të veprës, ashtu sikurse institucioni ka premtuar të jetë me programin e tërë vitit. Ka qenë me dinamika të shkurtra si fragmente tensioni derisa shkrihet në një atmosferë më të butë. Vepra ka përmbyllje dramatike e të fuqishme që reflekton edhe në energjinë e dirigjentit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli. Ai ka bërë të ditur se kjo vepër e himnizon vendin e vetë kompozitorit Sibelius. 

“‘Finlandia’ e Sibelius është një himni për shtetin e Finlandës dhe kompozitori në këtë pjesë mundohet të përshkruajë bukurinë e vendit të tij. Kështu mund të ndiesh zhurmën e kafshëve, këngët e zogjve, gjithçka është në këtë uverturë”, ka thënë Sipari. 

“Koncerti për violinë nr.1” i kompozitorit gjerman Max Bruch e ka sjellë për të parën herë violinisten shqiptare Abigeila Voshtina në një koncert të Filharmonisë së Kosovës. Vepra e Romantizmit ka nisur me një fragment të shkurtër të frymorëve që i paraprijnë lojës së lehtë të solistes, si një lloj prezantimi i shkurtër i saj. Tingujt melankolikë që nxjerr Voshtina mbivendosen në ata përcjellës të Orkestrës. 
Loja qendrore, ajo e solistes, hap tema të reja, transformohet, por Orkestra, si hije prapa e mban rrëfimin fillestar në linjë. Ajo edhe heshtet duke u zhvilluar vetëm tingujt e violinës së Voshtinës. 

Ajo ka thënë se vepra është koncert komplet që është përherë sfidues. 

“Është një vepër që duket si vëllai më i vogël i koncerteve të mëdha siç është Tchaikovsky, Brahms ose si Sibelius. Është një vepër e cila në brendësinë e saj, për 25 minuta sa luhet, ka gjithçka, duke filluar që nga bukuria e tingullit, te katabiliteti i kohës së dytë i cili tregon gjithë pasionin dhe emocionin që një violinist mund të ketë dhe teknikën solide që kërkon koha e tretë me gjithë precizitetin”, është shprehur ajo. 

Vepra ka tri kohë: “Vorspiel: Allegro moderato”, “Adagio” dhe “Finale: Allegro energico”. Violinistja Voshtina ka thënë se pos teknikës, kërkon edhe forcë fizike e ndjeshmëri. 

E ka vlerësuar profesionalizmin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. 

“Shoh një orkestër që ka një dëshirë shumë të madhe që të jetë pasaporta më e mirë diplomatike e kulturës sepse nëpërmjet artit nuk ka asnjë barrierë, nuk ka mure. Arti ka gjithmonë shtatë nota në çdo vend të botës që shkon, nuk ka rëndësi çfarë pasaporte ke, a di ta flasësh gjuhën e atij vendi. Kultura, duam apo s’duam, është lokomotiva e një treni i cili pas kulturës mund të hapë shumë dyer”, ka thënë Voshtina. 

“Koncerti për violinë nr.1” i kompozitorit gjerman Max Bruch e ka sjellë për të parën herë violinisten shqiptare Abigeila Voshtina në një koncert të Filharmonisë së Kosovës. Vepra e Romantizmit ka nisur me një fragment të shkurtër të frymorëve që i paraprijnë lojës së lehtë të solistes, si një lloj prezantimi i shkurtër i saj. E, loja e saj është rrëfim më vete (Foto: Arben Llapashtica)

Për të, kontrasti me Orkestrën janë kushtet. 

“Duhet të jeni krenarë për Orkestrën që keni dhe do të ju lutesha të keni një sallë më të mirë”, është shprehur Voshtina me karrierë si violiniste dhe koncert-mjeshtre. 

Ajo ka ndjekur studimet trevjeçare në shkollën prestigjioze të muzikës së Fiesole, si dhe në Akademinë Muzikale “Chigiana” në Siena, ku u vlerësua me “Diplomë Merite dhe Nderi”. Ndërkohë, Voshtina kreu specializime të mëtejshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin e Indianës në Bloomington, nën drejtimin e Franco Gullit. Gjithashtu, thelloi studimet në “Akademinë Ndërkombëtare të Muzikës” në Milano dhe u diplomua në Konservatorin “G. Verdi” në vitin 2000. 
Repertori i saj përfshin bashkëpunime me orkestra të rëndësishme italiane dhe evropiane, si “Teatro della Scala”, “Orchestra Sinfonica Verdi”, “Solisti Veneti”, “Orchestra Toscanini” dhe të tjera. Ka punuar me disa prej dirigjentëve më të famshëm në botë si Riccardo Muti, Riccardo Chailly, Lorin Maazeli, Georges Prêtre, Kurt Masur, Mstislav Rostropovich, Valery Gergiev e të tjerë. Prej dhjetorit të vitit 2013 deri në nëntor 2021, Voshtina ka mbajtur detyrën e drejtorit artistik në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë. Ajo gjithashtu ka punuar me dirigjentin Jacopo Sipari di Pescasseroli. 

“Menduam se ky është programi i duhur për të përcjellë emocione te publiku sepse janë tri vepra të ndryshme në të cilat mund të ndiesh emocione të forta. Për mua është shumë kënaqësi të punoj me violinisten e mrekullueshme Abigeila Voshtina sepse ajo e ndien muzikën në një mënyrë të mahnitshme. Kështu që është kënaqësi çdo bashkëpunim me të, veçanërisht për këtë koncert plot emocion”, ka thënë Sipari, laureat i Çmimit të Artë Operistik për Gjeneratën e Re, ndarë nga  Konfederata Lirike e Teatrove të Operës Italiane në janar të vitit 2020. Është një nga dirigjentët më premtues të rinj në botën e operës italiane, me referencë të veçantë për muzikën e Puccinit, për të cilën në vitin 2024 mori titullin “Ambasador Puccinian në botë”. Prej vitit 2022, është drejtor artistik dhe muzikor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Tiranës. Që nga ky vit është edhe drejtor muzikor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Varna (Bullgari). 

Ka qenë dirigjent i ftuar në orkestrat më të mira italiane si dhe orkestrat ndërkombëtare si Orkestra Simfonike e Leipzigut, Orkestra e Shtëpisë së Operës në Saarbrücken, Orkestra Kombëtare Simfonike e Hungarisë e të tjera. Ka punuar me këngëtarët më të shquar të operës, përfshirë Ermonela Jahon dhe Saimir Pirgun. Gjithashtu me emra si Francesco Meli, Anna Pirozzi, Krassimira Stoyanova, Angela Gheorghiu. Ka dirigjuar produksione të mëdha operistike, si: “Norma”, “Il Barbiere di Siviglia”, “Cenerentola”, “La Bohème”, “Turandot”, “Il Tabarro”, “Suor Angelica”, “Gianni Schicchi”, “Madama Butterfly” dhe jo vetëm. 

“Koncerti për violinë i Bruchut mendoj se është një koncert lirik pasi violina është si soprano, mundohet të përkthejë muzikën në emocionin e secilit prej nesh. Në kohën e parë ndien shkëndijat e mëngjesit, në të dytën është takimi me të dashurit, pjesa është e qetë ndërsa e fundit është sikur përshkrimi i asaj sesi kur kthehesh në shtëpi dhe mendon se çfarë ka ndodhur gjatë ditës, kështu që është përplot me gjithçka”, ka thënë Sipari më tej për “Koncertin për violinë”. 
Në pjesën e dytë të koncertit është luajtur “Ishulli i të vdekurve” i Sergei Rachmaninoff. Vepra nis me tensionin e vazhdueshëm e përfshirja e harpës është veçanti. Poema simfonike është e frymëzuar nga piktura e zviceranit, Arnold Böcklin. 

“Është hera e parë për mua në Kosovë, por kam ndier emocion të madh. Isha shumë i befasuar me Orkestrën, pasi ata janë muzikantë të jashtëzakonshëm dhe e ndiejnë muzikën në një mënyrë të jashtëzakonshme...”, ka thënë dirigjenti italian Jacopo Sipari di Pescasseroli (Foto: Arben Llapashtica) 
 

Dirigjenti Sipari e ka vlerësuar veprën si të mahnitshme dhe të duhurën për ta inspiruar secilin, edhe muzikantët. E konsideron si një lloj lufte midis jetës dhe vdekjes. 

“Vepra e Rachmaninoff mendoj se mundohet të përshkruajë, sikurse ka mundur të dëgjohet nga Orkestra, tingujt e valëve të lumit që çon shpirtrat në ferr. Janë tingujt e harkorëve që përshkruajnë këto valë. Në fund është edhe shpresa për jetën pas vdekjes. Kjo është një prej kryeveprave të Rachmaninoff. Ne jemi munduar të përshkruajmë këtë lloj programi duke e lidhur me emocionet e publikut”, ka thënë dirigjenti italian. 
Derisa ka thënë se dhënia e emocionit është sekreti i çdo koncerti të suksesshëm, ka vlerësuar potencialin e Orkestrës. Është shprehur i befasuar. 
“Është hera e parë për mua në Kosovë, por kam ndier emocion të madh. Isha shumë i befasuar me Orkestrën, pasi ata janë muzikantë të jashtëzakonshëm dhe e ndiejnë muzikën në një mënyrë të jashtëzakonshme. Mund të kontaktoj me ta sido që të jetë, ata kuptojnë lehtë. Midis audiencës dhe Orkestrës ka gjithmonë emocion. Ishte shumë bukur të punoja këtu dhe e ndjeva thellësisht”, ka thënë ai. 

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se programi është shumë kërkues dhe se jo shpesh programohet një i tillë nëpër sezonet e orkestrave filharmonike. 

“Më vjen mirë jashtëzakonisht shumë që ‘Ishulli i të vdekurve’ i Rachmaninoffit që është një prej veprave që prej kohësh kemi menduar ta sjellim në kuadër të programit të Filharmonisë. E kemi realizuar këtë herë. Është një prej veprave që konsideroj se e shpërfaq madhështinë e një kompozitori gjenial që nga një motiv arrin të zhvillojë një kryevepër muzikore”, ka thënë Selimaj. 

Koncertin e radhës Filharmonia e mban në Prizren, në “Autostrada Hangar” më 24 janar. Kori me Ansamblin Harkor dhe të Perkusioneve do të interpretojë vepra nga Kushtrim Gashi, Vasil S. Tole, Hajrullah Syla, Rafet Rudi, si dhe nga dy kompozitorë amerikanë: Jake Runestad dhe Eric Whitacre. Koncerti do të dirigjohet nga Hajrullah Syla.