Shtojca për Kulturë

Filharmonia drejt çerekshekullit jetëson ëndrrën me Mahlerin

Filharmonia e Kosoves, Toshio Yanagisawa

Simbolikat e koncertit me të cilin Filharmonia e Kosovës ka shënuar 24-vjetorin dhe ka hapur sezonin, kanë qenë të shumta, njashtu sikurse përmbajtja. Imazhi ka qenë paralajmërimi për rrugën që do të ndjekë ky institucion (Foto: Arben Llapashtica)

Këtu e 24 vjet më parë, interpretimi i “Simfonisë së parë” të Gustav Mahlerit do të mund të dukej si një ëndërr e largët, kur institucioni i kishte 13 instrumentistë, por një synim të qartë: t’i jetësojë ëndrrat. E ka bërë këtë përkundër kushteve që nuk ndryshojnë edhe në kohën kur ky institucion është nisur drejt çerekshekullit. Deri te kulmimi me Mahlerin, kapitulli me veprat e Lorenc Antonit ka qenë një tjetër dëshmi jo vetëm për mjeshtërinë në interpretim, por edhe për tisin evropian të muzikës shqipe

Ata që e kanë parë programin paraprakisht, por nuk janë të njoftuar shumë me “Simfoninë e parë” të Gustav Mahlerit, me të hyrë në sallë marrin vesh se bëhet fjalë për një koncert të madh. Skena –  megjithëse e improvizuar 100 për qind – është përgatitur për një koncert më të veçantë. Simbolikat janë të shumta, njashtu sikurse përmbajtja. Skena  tregon se Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të jetë në kapacitet të plotë. Pos kësaj, edhe me pak huazime.

Në ditën e njëjtë, më 24 shtator të vitit 2000, muzikantë entuziastë e ish-anëtarë të asaj që ishte Orkestra e Radiotelevizionit të Prishtinës ishin mbledhur për të luajtur një koncert që do të shënonte edhe ngjarjen themeluese të institucionit të ri: Filharmonisë së Kosovës. Ishin krejt pak. E tash Orkestra duket madhështore.

Jo veç për simbolikë, rendi e do që fillimisht Orkestra të “frymojë” shqip. E më shqip sesa me veprat e Lorenc Antonit s’ka ku shkon. “Valle shqiptare nr.1” ka goxha ritëm. Melosi popullor shqiptar vërehet fort. Është aso vepre që qysh në notat e para vërehet se i vjen era e tingujve të këtyre anëve. Laureati i sivjetmë i çmimit post mortem për vepër jetësore në muzikë “Niketë Dardani”, Lorenc Antoni, konsiderohet si një prej atyre që ka vënë bazat edhe të asaj që sot është Filharmonia e Kosovës. Vizioni i kompozitorit që për këtë çmim ishte propozuar nga Filharmonia e Kosovës kishte bërë që muzika klasike në këto anë të hyjë në “lojë”. Vepra e tij për vallen shqiptare bashkon melodi të trojeve shqiptare. Sensin e kësaj ane ia shtojnë goxha dajret. Në një rast të tillë ka shumë prej atyre që ndoshta mund t’u vijë keq se me çfarë muzike hedhin valle sot shumica e shqiptarëve.

E “Në Prizrenin e vjetër” kompozitori që sivjet i është shënuar edhe 115- vjetori i lindjes ka sjellë melodinë ballkanike. Prizreni si vend që bashkon shumë komunitete rrumbullakon njëfarë diversiteti që reflektohet edhe në muzikë. Aty hyjnë pak edhe ritmet turke.

Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez, Toshio Yanagisawa, Orkestra është akorduar për njërën prej veprave më të njohura të muzikës serioze. “Simfonia nr.1 në D-dur” e gjermanit Gusav Mahler luhet shpesh nëpër botë, por jo nga çfarëdo orkestre (Foto: Arben Llapashtica)

Kurse me “Malësorja”, Antoni që ka dhënë kontribut të madh edhe në fillet e muzikës korale në Kosovë, ka shpërfaqur muzikë të pjesëve më të larta të trojeve shqiptare. Klasikja e melosi shqiptar – që janë me pakicë në literaturë të muzikës serioze –  te veprat e Lorenc Antonit kanë kuptim unik. Ecin shumë paralel, tisi shqiptar vjen në pah shumë, por gjithnjë duke ruajtur konturat e klasikes.

Më pas nën dirigjimin e mjeshtrit japonez, Toshio Yanagisawa, Orkestra është akorduar për njërën prej veprave më të njohura të muzikës serioze. “Simfonia nr.1 në D-dur” e gjermanit Gusav Mahler luhet shpesh nëpër botë, por jo nga çfarëdo orkestre.

Në katër kohët e saj kjo vepër që konsiderohet si e veçantë për shumë arsye ka bërë që publiku të hyjë në një tjetër botë. Atë të Mahlerit, alamet mjeshtër i kompozimit që jetoi midis shekullit 19 dhe 20. Në katër kohët e saj, vepra do shkathtësi të madhe interpretuese. Sidomos në kohët e para ku ritmi është më i ulët dalin në pah edhe shkathtësitë e krejt ansambleve brenda Orkestrës. Çalimi i frymorëve në raport me harkorët është i dukshëm. Sidomos të flautet. Por edhe kontrabasi ka pasur telashe. Madje nganjëherë edhe në solo dhe me pjesë ku nuk ishin më shumë se dhjetë nota. Por kur muzika merr ritëm telashet zbehen. Por jo edhe fakti që akustika e një salle private në periferi të kryeqytetit nuk i plotëson kushtet elementare për një sallë koncertale.

Filharmonia tash e 24 vjet endet duke gjetur strehë për prova e koncerte. Është fakt se në fillet e saj kishte kushte më të mira. Bile, Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë ishte në kushte të tjera.

Te telashet – edhe pse kësaj radhe më pa –  vërehen edhe lëvizjet e anëtarëve të publikut gjatë koncertit. Edhe ato ku njerëzit dalin për të marrë pije midis koncertit. E tre trumpetistë kanë hyrë në skenë tek pasi ka nisur vepra e Mahlerit. Ajo fotografi nuk qe aspak e mirë. Por si mozaik i përgjithshëm koncerti qe prej atyre që Filharmonia shihet si krenari e shtetit. Kjo u është thënë drejtuesve të institucionit edhe nga muzikantët që përcjellin punën e Orkestrës prej themelimit.

“Vepra të tilla që kërkojnë shumë punë janë interpretuar edhe më herët nga Orkestra, por Mahleri natyrisht që do shumë përkushtim. Ata që përcjellin punën tonë na kanë përgëzuar”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj. Sipas tij, fillimet e sezonit koncertal duhet të jenë me konterte të tilla edhe si tregues për publikun se cilat do të jenë synimet e një sezoni për institucionin.

Në ditën e njëjtë, më 24 shtator të vitit 2000, muzikantë entuziastë e ish-anëtarë të asaj që ishte Orkestra e Radiotelevizionit të Prishtinës ishin mbledhur për të luajtur një koncert që do të shënonte edhe ngjarjen themeluese të institucionit të ri: Filharmonisë së Kosovës. Ishin krejt pak. E tash Orkestra duket madhështore (Foto: Arben Llapashtica)

“Veprat e Lorenc Antonit janë interpretuar edhe më herët, por meqenëse sivjet ai ishte laureat i ‘Niketë Dardanit’ dhe shënohet 115-vjetori i lindjes, atëherë kemi luajtur edhe veprat e tij”, ka thënë ai.

E ish-drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, që tash është dirigjent i Orkestrës ka thënë se dikur e kishin ëndërr që të luanin Mahlerin.

“Më duket si ëndërr që sonte e pamë këtë vepër. Sonte kemi hapur dyer të tjera dhe kjo sigurisht na bën shumë të lumtur. Jemi krenarë për këtë. Kjo tregon edhe zhvillimin e institucionit ku sonte kishim rreth 90 veta në skenë e në fille ishin rreth 10 persona”, ka thënë Jashari, i cili ka udhëhequr institucionin për gati dy dekada. Derisa ka folur është dukur të jetë shumë krenar për Orkestrën.

“Natyrisht që tash presim vepra edhe më sprovuese për ne”, ka thënë ai. E dirigjenti japonez, Yanagisawa, ka 17 vjet që punon me Filharmninë e Kosovës. Ka thënë se kur kishte nisur punën me këtë institucion diskutonin mundësinë për ta interpretuar Mahlerin.

“Dhe tash erdhi dita për këtë. Natyrisht që është dashur shumë punë, por mendoj se ia kemi dalë. Është një vepër që kërkon shumë përkushtim, por është tejet e mirë dhe sonte duket se kemi shënuar një arritje të re”, ka thënë ai. Ndërsa sa u përket veprave shqiptare i ka përshkruar si diçka që i kanë pëlqyer dhe i duken si të afërta.

“Natyrisht, dallojnë shumë nga meloditë popullore të vendit tim, por më duket sikur i ndiej të miat. Janë vepra të bukura dhe institucioni duhet t'i luajë”, ka thënë ai.

Filharmonia ka shënuar 24-vjetorin dhe fillimin e sezonit me vepra që i duhen këtij vendi e aso që luhen në botë. Përtej dëshmisë profesionale është treguar se duhen edhe kushtet. Koncerti i së premtes mbi të gjitha është apel për një hapësirë adekuate.

“Nuk munda që edhe gjatë koncertit të mos reagoja edhe publikisht në rrjete sociale që tash e 24-vjet Filharmonia nuk ka një sallë ku të luajë e të ushtrojë”, ka thënë pak me dëshpërim profesoresha e muzikës, Besa Lusha. Me dëshpërimin anash, Orkestra ka bërë që publiku përballë të ndihet sikur është në ndonjë sallë evropiane. E midis asaj Evrope gati dyorëshe kishte edhe pak identitet shqiptar që po ashtu është evropian.