Getoarba Mulliqi ka vendosur që në natën e hapjes së Festivalit të Teatrove në Ferizaj, të vishet kastile me fustanin “GJITHMONË E PËRJETSHËM” për të nderuar babanë e ndjerë, Haqif Mulliqi, profesori, dramaturgu e gazetari që ndërroi jetë më 25 korrik në moshën 63-vjeçare.
“Pak ditë pas largimit fizik të babait, Labentina e ka krijuar këtë veshje, në pjesën e sipërme të së cilës është qëndisur me gajtan shprehja që në familjen tonë ia them njëri-tjetrit pa reshtur – ndërsa ka qenë shprehja më e dashur për babin, pra GJITHMONË E PËRJETSHËM”, ka shkruar të shtunën Getoarba Mulliqi, duke bërë të ditur se në krah do ta ketë nënë Shpresën. Postimin e dy fotografive, pas falënderimeve për kreatoren e ndarjen e emocioneve e ka mbyllur, e ka mbyllur me “Gjithmonë e përjetshëm, baba”, shoqëruar me një zemër të kuqe virtuale.
Me fustanin me shprehjen e babait, të lidhur artistikisht e fizikisht me kulturën dhe qytetin e Ferizajt, do të prezantohet të dielën mbrëma si anëtare jurie në sallën e Teatrit “Adriana”.
“Megjithëse ftesa më erdhi në fillimet e dhimbjes, nuk mund të mos pranoja të mos e vazhdoja aty ku e ka lanë babi. Besoj që është ‘dhurata’ më e bukur që më është bërë për kohë të gjatë. Me bindje po ia them vetes që ka me qenë përvojë që do të më forcojë përballë dhimbjes dhe do ta ushqejë edhe më, krenarinë për babin”, ka thënë ajo.
Përtej anës profesionale, Festivali i Teatrove i Ferizajt gjithmonë ka qenë më shumë se vetëm një festival teatri, ka shtuar ajo. “Jam rritë me idenë që fundvera dhe vjeshta do të më gjejnë në Ferizaj”, ka thënë tri ditë më parë Getoarba Mulliqi në një intervistë virtuale për grupin KOHA. “S’kishte rëndësi se sa të ngarkuar e kishim ditën, e rëndësishme ishte që ora 17:00 na gjente mua, mamin dhe babin, gjithmonë duke u nisë drejt Ferizajt. Herë si spektatorë, herë në mbështetje të shfaqjeve të babit, herë si përcjellëse të babit si anëtar i jurisë, e më së shpeshti si fanse të Haqifit si udhëheqës i tryezave, pas shfaqjeve që i servonte FTF për publikun fantastik ferizajas”.
Ping-pong akuzash
Por ende nuk dihet nëse në rend të parë do të jetë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Ftesa i është bërë nga organizatorët e edicionit të 53-të, që po mbahet “Pa mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit” – sikurse spikat e kuqja e shkruar sipër kornizës së zezë së emblemës në banerin e verdhë me të cilin edhe do të konfirmohej lajmi për datat dhe mbështetësit financiarë. Festivali zhvillohet nga 27 gushti deri më 4 shtator. “Pa mbështetjen financiare...” është protestë pas përplasjeve e pingpongut të akuzave e kundërakuzave, pasi Ministria e Kulturës nuk e mbështeti edicionin e sivjetmë me pretendimin se festivali, i detyruar të kthehet në OJQ për mungesë fondesh, nuk kishte përmbushur kriteret për subvencionim. Në debat u përfshinë edhe zyrtarët e Komunës së Ferizajt dhe deputetë ferizajas të pushtetit qendror.
“Mendojnë se kjo nuk duhet të kalojë aq lehtë”, thekson Besim Ugzmajli, drejtor artistik i Teatrit “Adriana” të Ferizajt. “Problemi i mosfinancimit nuk është problemi kryesor. Qasja shpërfillëse, qasja arrogante e tyne, qasja me idenë që çkado që bëhet, rregullohen gjanat, shuhen zanat me një truq pare si me magji, duke harru se sa është dëmi i madh i imazhit të një festivali me mospërkrahje”.
Por, megjithatë, tradita do të mbahet gjallë edhe sivjet. Me e pa fonde të garantuara për të gjitha shpenzimet e trupave në konkurrencë e atyre mysafire, por edhe për këngëtarët që kanë konfirmuar pjesëmarrjen për koncertet pa bileta në oborrin e Teatrit “Adriana” në Ferizaj, për një javë do të ketë teatër, muzikë e debat brenda e jashtë ndërtesës në hyrje të qytetit më të ri të Kosovës, që sivjet po shënon 150-vjetorin e themelimit.
Në ceremoninë e natës së vjetme finale të ndarjes së çmimeve, të mbajtur në skenën e koncerteve në oborr, ministri Çeku, në intervistën për grupin KOHA krenohej me atë që e quante ndryshim të qasjes për skenën kulturore. “Nga shumë projekte të përkrahura me buxhete të vogla, kemi kaluar në qasje me pak përfitues, por shuma më të mëdha për t’u siguruar për ata që kanë cilësi në art dhe kulturë, të mbështeten në buxhete më të mëdha”, deklaronte Çeku, duke shtuar gjithashtu se “tradita që e karakterizon këtë Festival duhet me u rujtë me xhelozi”.
Por a u bënë inatet e xhelozitë politike ndërmjet një komune të udhëhequr nga PDK-ja dhe Ministrisë së Kulturës të prirë prej Vetëvendosjes shkas që të zhvillohej një debat i ashpër e në distancë për fajtorët pse aktorët ndiejnë se shteti ua ktheu shpinën pak para festës së tyre të madhe?
“Për përshtypjen tem, telashja më e madhe është ky relacioni institucion-artista në përgjithësi, edhe në veçanti është krijuar njëfarë lloj mënyre e komunikimit që mbështetja nuk mundet me qenë thjesht formale dhe meritore. Duhet me kalu nëpër do filtera, qofshin ata filtera politikë, qofshin ata që pas një reagimi, ata me gjetë një zgjidhje magjike”, thekson Ugzmajli. “Domethanë, politika ka mbërri me afirmu veten në dy forma; edhe përmes mbështetjes së drejtë dhe me thanë se ‘qe na e mbështetën’ dhe me ardhë tërë kohën me lujtë njëfarë nikoqirllëku të eventeve që i ka mbështet, dhe tjetra pas mosmbështetjes me ofru mandej zgjidhje superkreative që reaguesit, artistët, me i nxjerrë keq para publikut me idenë që ‘këta kanë reagu se na i kemi do shumë më të mirë për ta se vetë ata që i menojnë për eventin e caktuar’”.
Në orët e fundit të natës së 17 gushtit, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, njoftoi në Facebook se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte aprovuar kërkesën që Festivali i Teatrove i Ferizajt dhe festivali “Kosovarja Këndon” të shpalleshin “Vlerë e e Trashëgimisë Kulturore” në kuadër të “Kategorisë së Trashëgimisë Shpirtërore”.
“Në 150-vjetorin e qytetit, një dhuratë e detyrë e përmbushur për dy nga kryengjarjet identitare-kulturore të Ferizajt”, shkroi Aliu, duke shprehur nderim për “brezat e shumtë që dhanë kontributin e tyre të pashlyeshëm për artin dhe kulturën në Ferizaj!”
Edicioni i “qëndresës artistike”
Vendimin e Ministrisë së Çekut, Ugzmajli e quan më fort si “qasje reflektive pas skandaleve që skandaleve që i shkaktojnë”, sesa politikë të qartë për mbrojtje ligjore e mbështetje institucionale për festivalin me traditën më të gjatë teatrore në vend. Ai thotë se mobilizimi i trupave pjesëmarrëse është dëshmi e një solidaritetit në mesin e komunitetit artistik për festivalin në edicionin me shumë sfida financiare.
Dramaturgu Jeton Neziraj thotë se Qendra Multimedia dhe teatri kombëtar eksperimental, “Kujtim Spahivogli”, do të marrin pjesë në natën e dytë të festivalit me shfaqjen “Gadjo”, me vetë Nezirajn autor e Blerta Nezirajn regjisore.
“Festivali i Teatrove në Ferizaj është festival kredibil, i rëndësishëm dhe shumë mirë i profilizuar, madje këto dy-tre vjetët e fundit ai është freskuar dhe zgjeruar me programe e ngjarje për4cjellëse jashtëzakonisht të dobishme”, ka thënë Jeton Neziraj, autor i “The Handke Project”, që në edicionin e vjetmë u shpërblye për shfaqjen më të mirë, për regjinë më të mirë – nën regjinë e Blerta Nezirajt – me çmimin “Ismail Rama” për aktorin më të mirë, që e fitoi Arben Bajraktari dhe për kostumografinë më të mirë, që e mori Blagoj Miçevski.
“Megjithatë, për dallim prej viteve të kaluara, pjesëmarrja jonë në festival ka kuptim edhe solidarizues dhe mbështetës. Kështu besoj që e kanë kuptuar edhe trupat e tjera pjesëmarrëse”, thekson Jeton Neziraj. “Ky është edicion i qëndresës artistike, i solidaritetit dhe i dinjitetit. Në këtë drejtim, çështjet financiare janë të parëndësishme”.
Getoarba Mulliqi nuk u mendua dy herë kur i bë ftesa për të qenë pjesë e jurisë së festivalit. “Për mua profesionalisht, të qenit anëtare e jurisë së një festivali të kalibrit të FTF-së, është më shumë se një sukses. Festivali i Teatrove të Ferizajt është gati dy herë mosha ime - si fillim, ndërsa në këtë festival kanë performuar emrat kryesorë të artit në mbarë shqiptarinë”, thekson ajo. Bashkë me të, në juri janë edhe Mentor Zymberaj dhe Ilirjan Himaj. “Ndaj, s’kam se si të mos ndjehem e nderuar që unë në edicionin e 53-të do të jem përkrah dy kolegëve të mi, për të vlerësuar punën e profesionistëve më të mëdhenj në fushën e artit”.
Por mungesa e përkrahjes financiare ka tkurrur programin e sivjetmë. Ndryshe nga viti i kaluar kur shikuesit, sidomos brezi i ri, mësuan nëpërmjet programit “RetroTeatri” për historinë e teatrit kur luhej në kisha e për historinë e objektit – tashmë të djegur e në proces rinovimi – të shkollës së parë shqipe të Ferizajt, gjithçka do të qendërsohet në objektin dhe oborrin e Teatrit “Adriana”.
17-vjeçarja Gjanfere Devça është njëra prej vullnetareve të festivalit që ishte mahnitur me shfaqjen e dhimbjes, por që kishte nisur me cakërrim tekesh me raki në kishën “Engjëlli i Rojës”, teksa aktorët pasqyronin në “Premartyris nën regjinë e Kushtrim Mehmetit artistikisht rezistencën e shqiptarëve katolikë të Karadakut, që pushtuesit osmanë do t’i dëbonin deri në Perandorinë Osmane pse refuzuan konvertimin në islam.
“Normal që u ka qenë më interesant kur janë mbajtur jashtë teatrit, por prapëseprapë jemi të kënaqur që po mbahet festivali”, thekson Devça, nxënëse e shkollës së mesme profesionale, Qendra e Kompetencës, veshur me kanotiere të verdhë me logon e festivalit. “Ndoshta viteve të tjera prapë mbahet edhe jashtë”, shton rioshja me balluket me kaçurrela.
Festivali kishte planifikuar jo vetëm vazhdimin e programit të “RetroTeatrit”, por edhe shtrirje më të gjatë kohore të aktiviteteve. Uzgmajli thotë se ishte menduar që të kishte punëtori, ligjërata e debate me të rinj, si puna e Gjanferes e shoqërisë së saj, që e kishin menduar “edhe ndërtesën e teatrit si diçka të largët”. Por që do ta ndryshonin mendimin pasi do ta “shihnin e preknin” teatrin edhe jashtë ndërtesës.
“Çështjen të cilën unë e shoh tepër kruciale, jashtëzakonisht të nevojshme, të cilën festivali e ka pasë plan të brendshëm nëse festivali do të ishte subvencionu prej Ministrisë ka qenë fakti që për përshtypjen tem jashtëzakonisht tragjik, që nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme e kryejnë shkollën pa e dëgjuar kurrë një definicion se çka është teatri, çka është filmi, çka është arti dramatik në përgjithësi”, thekson Ugzmajli. “Domethënë mungojnë artet dramatike në shkolla. Kjo për mua është jashtëzakonisht tragjike, jashtëzakonisht e papranueshme, sidomos për një shtet me aspirata çfarë i kemi ne”.
Debat e muzikë
Sovran Nrecaj, regjisor filmi dhe njëherësh koordinator i vullnetarëve të Festivalit të Teatrove të Ferizajt, thotë se nëpërmjet vullnetarëve është synuar që të krijohet një grup alternativ i të rinjve që mund të jenë pjesë e një platforme që duan të merren aktivisht me kulturë. “Nuk kemi mbërritur me arritë këtë ende për shkak se ka mungesë të mbështetjes financiare. Ideja është me kriju një klub të të rinjve të teatrit që mandej ata edhe me fillu me prodhu shfaqje në kuadër të atij klubi”, thekson Nrecaj. “Domethënë me ba teatër të qytetit”.
Nrecaj thotë se shumica e vullnetarëve janë të lidhur me kulturën në përgjithësi. “Ideja është e këtij klubi dhe e vullnetarëve është me u afru me teatrin dhe mos me qenë objekt i panjohur teatri dhe festivali edhe nëse nuk merren me teatër”, thekson ai.
Devça, megjithëse nuk e sheh të ardhmen e saj të lidhur me teatrin profesionalisht, do të mundohet që edhe sivjet të sjellë sa më shumë shokë e shoqe në shfaqje dhe në koncertet muzikore në oborr pas shfaqjeve teatrale.
“Është në rritje numri i të rinjve që vijnë”, thekson ajo.
Shpat Deda Daff ‘n’ Dudes, Shpend Hysaj, Zwada, Nita Latifi, Edona Reshitaj, Erëza Çerkini, Mentor Haziri e La Fazani do të përformojnë prej netëve prej 27 gushtit deri më 4 shtator.
“Mendoj se është më se i duhuri vendim me i ba ndejat jashtë teatrit e me organizu ndeja pas shfaqjeve”, ka theksuar këngëtari ferizajas, Mentor Haziri. “Përveç përformancave të artistëve, aty takohen artistët, shkëmbejnë përvoja e kënaqen me muzikë e me nga një nji gotë në dorë. Si rezultat është komentimi i shfaqjeve e kënaqësia që këngëtarët krijojnë aty. I njëjti trend përcillet nëpër festivale tjera. Për shembull në Doku Fest, shumica e mysafirëve shkojnë për shkak të ndejave sesa për filma, kështu që është ide e qëllume afterparty me live gig”.
Më 28 gusht do të diskutohet për qëndrueshmërinë financiare të Festivalit të Teatrove të Ferizajt, më 29 gusht me Zymber Kelmendin për dramën; më 31 gusht me Agon Myftarin për regjinë dhe diskutimet me panele mbyllen më 2 shtator për “150 vjet qytet – 53 vjet festival”.
“Ndërkohë që po shkruaj, para syve e kam babin në atë karrigen në mes të skenës, duke mrekulluar mbi artin dhe teatrin. Haqifin i cili me kaq elokuencë e paraqiste nga sytë e tij edhe një version të asaj që ne tashmë kishim parë - por disi ai e kishte parë më bukur, më detajisht, më në brendi. Ajo që po e mendoj tash e sa ditë është ‘Me ikjen fizike të babit ka ndryshuar çdo gjë për ne - a thua vallë a do të ndryshojë FTF, pa Haqifin e vet?’” – pyet Getoarba Mulliqi.
E bindur fort se sytë dhe zemra do ta kërkojnë çdo natë Haqif Mulliqin, diku kah rreshtat 6 a 7 në mes të sallës, “kur nuk do të jetë aty, do ta kërkoj në dritaren e vogël të regjisë. E kur të mos jetë as aty, kam me e pritë që pas duartrokitjeve në fund të secilës shfaqje, më u ngritë në skenë, me gjithë madhështinë që e karakterizonte gjithmonë. Babi, s’ka me qenë as aty, e di”, thekson ajo. “Por, çfarë di gjithashtu, është se babi e la bosh ulësen e tij të preferuar, por asnjëherë Festivalin e Teatrove të Ferizajt, për të cilin ka dhanë shumë dhe sukseseve të së cilit iu është gëzuar si asgjëje tjetër”.
Krejt çfarë ka dashur këto ditë, ishte t’ia kumtonte babait të ndjerë zotimin se po vazhdon misionin e tij. “Me e pa veç edhe një herë atë krenarinë në gjuhën e tij të trupit, si dhe me datën 4 shtator, në përmbyllje të festivalit, të lexoja një mesazh qysh vetëm babi ka ditë me e thurë, se sa krenar e kam bërë - edhe një herë”, thekson Getoarba Mulliqi, e cila mbase si në natën e hapjes, edhe në të fundit kur do të ndahen çmimet e më të mirëve, në skenë do të ngjitet me fustanin “GJITHMONË E PËRJETSHËM”, por edhe me një zotim publik: “Përtej dhimbjes, përtej kujtimeve, përtej mallit, unë do të vazhdoj të jem vizitore e Festivalit të Teatrove të Ferizajt, në emër të babit dhe për babin”.