“Nëpër male qindra mijëra shqiptarë tunden sa në një anë në tjetrën, të ndjekur nga forcat serbe e të mbrojtur nga UÇK-ja. Fati i tyre më trondit: fëmijë, pleq, gra pa strehë, pa bukë. Duket se atje edhe uji u mungon. Derisa po shënoj, dëgjohet zhurma e avionëve bombardues të NATO-s. Nuk vonon dhe xhamat dridhen nga një detonim, duket jo larg. Mendja ma tha se mund të jetë goditur Posta e re”, shkruante gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më 23 prill, 1999
E diel, 18 prill
Qaza më njofton se policia e kishte rrahur Besim Dobroshin. Po cilit do t’ia ketë zënë udhën ky njeri aq i urtë e i qetë. E njoh nga vitet e pesëdhjeta. E kam pasur edukator në konviktin e Normales. Shumë vjet pastaj kemi qenë kolegë në “Rilindje”. Ai punonte në rubrikën e sportit.
Ka vdekur edhe Sami Peja. Ishte plak, por kishte vdekur papritmas. Do ta ketë vrarë situata. Biografia e tij do të niste e përfundonte: idealist i përbetuar i çështjes kombëtare. E kanë varrosur në oborr të shtëpisë së vet.
Myberaja është tepër e shqetësuar për Albanin. Qau. “Mua të mjerën s’pati kush të më ndihmojë!”
E hënë, 19 prill
Gjithë ditën më sillen nëpër kokë fjalët plot shpresë të Kadaresë, që ua drejtoi shqiptarëve mbrëmë, përmes TVSH-së, programit satelitor. I besoj.
Tani kemi sheqer për disa javë. Valdetja kishte gjetur në një shitore te blloku i oficerëve, prapa soliterëve. Tjetërkund kishte siguruar dy bukë. Ia kishin dhënë pasi e kishin legjitimuar.
E martë, 20 prill
Erdhi Rrustem Ulaj me gruan, Rushën. Rrustemin e kam të gjakut dhe shok të fëmijërisë. Ka vjet që nuk takohemi shpesh, vetëm në raste gëzimi a hidhërimi. Na ka larguar puna. Aq më gëzoi ardhja e tij, sa mezi u përmbajtja nga emocionet. Nuk e dija se ishte në Prishtinë. Kujtoja se ka shkuar në Vuthaj. E çuditshme shumë vuthjanë të mi kanë mbetur këtu. Është Avdi Gjonbalaj me djemtë, Shaban Gjonbalaj me familje… Atje, më thotë vëllai nga Amerika, është mbushur me refugjatë nga Kosova. Ka shkuar edhe Sabri Hashani me Fëllanzën e fëmijët dhe me disa kushërinj të vet. Prej aty, nëse i kap zori, mund të dalin në Shqipëri në këmbë, pa një të keqe.
Pas Rrustemit më erdhi për vizitë edhe Sokol Alihajdari me Igballen, që është e bija e dajës tim. Gjithë dita më kaloi me ta. Sikur harrova brengat e gjithë kësaj kohe. Në mbrëmje, përmes TVSH-së lexova njoftimin e Rifat Morinës, nga Klina, djalin e tezakes, se ndodhej në Ulqin. Kërkonte informata për pjesën tjetër të familjes, për prindër dhe vëllezër. Po Rama, babai i tij, të cilin e kam jo vetëm dhëndër të tezës, po edhe shok nga fëmijëria dhe shkolla – ku do të jetë. S’di as për djalin tjetër të tij, Besimin. Ai në fillim të bombardimeve ka qenë në Prishtinë. S’di gjë as për motrën, Zylfijen, nga Kosuriqi i Pejës, as për nipat – Ganiun e Hamdiun me familjet.
Pse gjithë ky ndëshkim i Perëndisë?
E mërkurë, 21 prill
Rusët marrin iniciativë paqësore, por më duken të dyshimtë. Njoftohet se Rugova është takuar me patriarkun rus, Anastasije. I gjori, m’i ngjan kukullës. Përpiqem të vihem në pozitën e tij. Po të isha unë Rugova? Njeriu provohet në çaste të vështira. Mëdyshjeve të mia i del përballë shpjegimi: Unë asnjëherë nuk kam pretenduar të bëhem kryetar. Me postin shkojnë edhe do përgjegjësi e detyrime.
E enjte, 22 prill
Një ditë e vrenjtur, pas një nate të qetë. Mediat elektronike, sepse gazeta nuk ka, njoftojnë për sulmet e NATO-s. Thonë se është qëlluar rezidenca e Millosheviqit. Mirëpo Millosheviqi u pa sot në takim me Çernomirdinin. Ishte e qartë se kuadrot filmike ishin të ditës, domethënë nuk e ka gjetur gjë.
Erdhi Valbona, e bija e vëllait tim, me gjithë Benin, djalin. Nuk duket e shqetësuar. “Nëse më dëgjojnë mua, një hap s’e bëj përtej shtëpisë. Deri tash askush nuk na ka trazuar. Përreth nuk i kanë lënë rehat.” Më thotë se edhe Besimi (Kajtazi), pajtohet me të.
E premte, 23 prill
Është bombarduar ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë. Ka edhe të vdekur. Sigurisht nuk janë vrarë ata që kanë nxitur luftë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve.
Erdhi Ilaz Ilazi me Hanëmshahen dhe me Arsimin. Interesant gjithë këto ditë më ka shkuar mendja te ai njeri dhe familja e tij. E ka shtëpinë në grykë të Gërmisë, buzë rruge dhe ma thoshte mendja se ndër të parët e kanë ndjekur. Ai ma rrëfeu tregimin e trishtë të ikjeve derisa kishte mbërritur te i vjehrri i djalit, në Dardani. Ishte takuar me Abdyl Ramën: “Ai është në shtëpi të vet, i mbikëqyrur nga policia”. Fillimisht nuk e kuptova drejt. Më tha se policia e kishte çuar te Ibrahim Rugova, në katin e parë, sepse në përdhesin dhe në të sipërmin kishte policë, - i kishte thënë Abdyli. Kishin kërkuar prej tij të shkonte në Beograd dhe të gjente edhe shqiptarë të tjerë për të formuar një qeveri kalimtare të “Kosmetit”. Por ky e kishte refuzuar me këmbëngulje, me arsyetimin se ky nuk ishte ndonjë personalitet politik me ndikim dhe se s’kishin çfarë të kërkonin prej tij. Prandaj e mbajnë nën mbikëqyrje. Ai është i detyruar të njoftojë policinë për të gjitha lëvizjet eventuale. Praktikisht ndodhet në burg shtëpiak. I kishte thënë se e kishin thirrur e çuar te Ibrahimi edhe Ilaz Kurteshin, i cili po ashtu, sa dinte ky, kishte refuzuar të hynte në këtë lojë. E kemi tejçmuar gjithmonë diplomacinë serbe. Kjo që bën tash Millosheviqi më duket një politikë naive, për fëmijë.
Duket se nga misioni i Çernomirdinit s’do të dalë gjë. Fillimisht nga ndërmjetësuesi u njoftua sikur Millosheviqi kishte pranuar një prani forcash ushtarake të huaja në Kosovë, e pastaj u mohua nga qarqet e autorizuara serbe. Kush e din ç’lojë luhen. NATO mban mbledhje në Uashington pa e zbutur retorikën ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës.
Nëpër male qindra mijëra shqiptarë tunden sa në një anë në tjetrën, të ndjekur nga forcat serbe e të mbrojtur nga UÇK-ja. Fati i tyre më trondit: fëmijë, pleq, gra pa strehë, pa bukë. Duket se atje edhe uji u mungon.
Derisa po shënoj, dëgjohet zhurma e avionëve bombardues të NATO-s. Nuk vonon dhe xhamat dridhen nga një detonim, duket jo larg. Mendja ma tha se mund të jetë goditur Posta e re. Nesër, ose në lajmet pas gjysmës së natës, e marr vesh.
E shtunë, 24 prill
Sot një muaj kanë filluar bombardimet. Intensiteti i sulmeve serbe mbi shqiptarët duket se ka rënë. Zatën tani Kosova gati e tëra është zbrazur dhe s’kanë mbetur më civilë për t’i sulmuar. Me UÇK-në as përpara nuk bënte luftë. Ndoshta mungojnë informacionet. Megjithatë njoftohet për numër të madh të vrarësh dhe për shumë vendbanime të djegura. Kolonat e të ndjekurve nga shtëpitë e tyre duken sikur nuk kanë fund. Po ikin nga ferri. Por, as maqedonasit nuk sillen miqësisht. Shqipëria u tregua më shumë se nënë. T’i kisha ata që flisnin si për një vend herë progrek, herë proserb, më së paku shqiptar, a thua ç’do të thoshin tash?

E diel, 25 prill
Sa më shqetësoi njoftimi i Vasfije Sylës, e cila prapë do të marrë rrugë. Por, nuk e gjykoj. Ajo ka mbetur vetëm, me vjehrrinjtë, nuk e di saktësisht, të djalit apo të vajzës, që ç’prej vjetësh kanë shkuar në Angli. Vajza e saj, Reita, më herët ka kaluar në Shkup. Burri, Ibrahimi i ka vdekur para disa muajsh. Ajo foli me fëmijët me atë telefonin në katin e gjashtë dhe ua tregoi planin.
Ibrahimi me Mevlydën kanë ardhur për të ndenjur me mua. Pasditja më kaloi si dikur, me muhabete e duke luajtur shah. Dola humbës.
E hënë, 26 prill
Vasfija njoftoi te Kërxhiqi se kishte mbërri në Shkup. U gëzuam që kishte kaluar shëndosh. Bashkohet me fëmijët.
Kosova po zbrazej. Ibrahimi, që del çdo ditë, më thotë se nuk dëgjon kund fjalë shqip. Ata që flasin mes vete, mezi e dëgjojnë njëri-tjetrin. Vetëm buzët i lëvizin. Më përmend emra intelektualësh, të njohurish, që ende janë në Prishtinë: Hivzi Islami, Rexhep Ismajli, Hajrullah Gorani me djalë, Nazmi Rrahmani, Partizan Shuperka, Zekeria Cana…
Mybera Bujari po ashtu ishte në Velani. “Derën e shtëpisë e gjeta të hapur, por tepër shumë jam frikësuar. Papritmas më dolën pas shpine me armë të drejtuara nga unë. U thashë se ishte shtëpia ime dhe se kisha shkuar të merrja ushqime. Për çudi, më lejuan. Por lagjja të tmerronte. Heshtje vdekjeje. Dyer të hapura. Qen. E vetmja shtëpi e paprekur ishte ajo e Flori Bruçit. Nuk di çfarë shkruante në një letër të bardhë, të vendosur në derë. Kishte edhe vulën” – më thotë. Sokoli, një mik e ish-gazetar, më tregoi se Floriun dhe një tjetër shqiptar i kishte parë duke dalë nga shtëpia e Veli Devës, ku ka qenë, sipas masave të sigurisë, e vendosur një prej zyrave me rëndësi të policisë.
Përsëri ishte Ilaz Ilazi me gruan. Kërkonte strehim më të sigurt. Te unë nuk kishte siguri. Ibrahim Kadriu do të rrijë me mua. Ka dalë përsëri në qytet. Me disa banorë të tjerë të Velanisë i është drejtuar me ankesë kryetarit të Komunës. Ai i kishte ftuar për bisedë për sot.
Valdetja sapo u kthye. Përballë shkollës “Hasan Prishtina” kishte parë njerëz me uniforma duke thyer derën e shtëpisë ku tash disa vjet ishte vendosur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Sot edhe Ibrahimi kishte parë njerëz me uniforma duke thyer derën e shtëpisë ku disa vjet kishte punuar Instituti Albanologjik.
E martë, 27 prill
Pasmesnata dhe orët e para të mëngjesit ishin me zhurmë. Tashmë i dallojmë goditjet me raketa dhe ato nga avionët bombardues. Ibrahimi përsëri doli për punë të shtëpisë, por u kthye pa bërë gjë. “Pastaj mos të thonë nuk e kemi ditur” – m’u arsyetua kur i shfaqa bindjen për kotësinë e një përpjekjeje të tillë. Më tha se kishte shkuar në kafiterinë “Edi”, ku para bombardimeve takoheshim me shokët. E kishte takuar aty Kahreman Celinën. Fillimisht kishte kujtuar mos e kishte rihapur ai, por pastaj ky i kishte thënë se atë e administronte një serb nga Fushë-Kosova. Ky ishte prezantuar si një ndërmjetës në këtë punë. Po edhe Ibrahimi ishte frikësuar këso here. Me të hyrë, duke kujtuar se ishin shqiptarë ata që po punonin prapa banakut, u ishte drejtuar: “Për hair, për hair!” E njëri nga ata ia kishte kthyer: “Molim?” (Urdhëro?) Ibrahimi me Partizan Shuperkën ishin larguar pa pirë kafen. Derisa më tregonte ç’kishte parë, ndjeva nostalgji. M’u kujtua Ibra (Ibrahim Osmani). Nuk e di ku është. Elez Biberaj sa herë më ka pyetur për të. E di vetëm se ia kanë thyer banesën. Edhe Vehap Shita është në Prishtinë bashkë me gruan.
Erdhi Sabilja, një shoqe e Valdetes. Ajo banon në ndërtesën e solidaritetit, pas D-3, në Ulpianë, përballë shkollës “Hasan Prishtina”. Më thotë se serbë me uniforma me disa civilë kishin shkruar emra serbësh nëpër dyer të banesave të shqiptarëve. Nuk e dinte pse.
Shkëputur nga kapitulli “Ditari luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, Botimet KOHA, tetor 2020. Titulli i këtij artikulli është i Redaksisë