Shtojca për Kulturë

Fate njerëzish në kinema: Filmi nga Srebrenica dhe dashuria e humbur

Filmi “At the door of the house we will come knocking” i boshnjakes Maja Novakoviq

“At the door of the house we will come knocking” i boshnjakes Maja Novakoviq mjegullon të tanishmen e kujtesën duke i hapur rrugë vështrimit të ekzistencës. Vjen si rrëfim poetik pa fjalë. Ose me pak fjalë që flasin për dhimbjen, humbjen e vetminë

Foto: KOHA

Secili prej filmave në programin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, është një lloj dëshmie për fuqinë e kinemasë. Regjisorët ndajnë rrëfimin me publikun dhe aty testohet mjeshtëria për ta marrë me vete. Nëse ky do të ishte test i suksesit, dy filma në ditën e dytë të festivalit, e kanë kaluar me sukses. “At the door of the house we will come knocking” i boshnjakes Maja Novakoviq e ka hapur Garën ballkanike, vjen nga Srebrenica dhe eksploron vetminë. “International Feature Dox” ka nisur shfaqjen e filmave me “Adrianne and the Castle” me skenar dhe regji të kanadezit Shannon Walsh, si një rrëfim për dashurinë e humbjen. Momente nga jeta e nga realiteti, janë si gurë mozaiku në “DokuFest”. Secili shënon një kapitull në edicionin e 23-të të festivalit

Përzgjedhja e filmit midis shumësisë së tyre, kërkon një lloj “Rendi të ri” në “DokuFest”. Programi është i gjerë, kinematë gjithandej, por kur dihet se prapa tyre është një alamet armate që merret me selektimin, zgjedhja nuk del huqje. “Formulë” e sigurt është përcaktimi i ndonjërit që hap garën. 
“At the door of the house we will come knocking” i boshnjakes Maja Novakoviq mjegullon të tanishmen e kujtesën duke i hapur rrugë vështrimit të ekzistencës. Vjen si rrëfim poetik pa fjalë. Ose me pak fjalë që flasin për dhimbjen, humbjen e vetminë. 

Me të, të shtunën ka nisur eksplorimi i programit të filmave të garës kryesore të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – asaj ballkanike. Anën njerëzore prek edhe një tjetër film, i shfaqur po të shtunën e që ka hapur garën “International Feature Dox” dhe titullohet “Adrianne and the Castle”.

Poetika e zbërthimit të vetmisë

Filmi dokumentar i metrazhit të gjatë vendoset në peizazhin idilik të Srebrenicës së Bosnjë-Hercegovinës. Fshat i bukur por me të kaluar të trishtë. Me një qasje filozofike, ajo çfarë pret publiku është se, kush do të trokasë në derën e shtëpisë së të një moshuari krejt të vetmuar. Atë edhe e ndjek filmi. Ai është i vetmi personazh. Pos tij shfaqet edhe një fëmijë, i biri i tij, imazhi i të cilit, siç e kujton ai, është në moshë të re. 

Ngushëllimin e vetëm e gjen te malet përreth, një sobë e ndezur dhe kafshët si miq të tij. Filmi, që është debutues i Novakoviq në metrazh të gjatë, vjen si një lloj meditimi poetik mbi vetminë, plakjen dhe mësimin për të shkuarën e jetën. Në përgjithësi, një portret unik i natyrës së njeriut dhe ekzistencës së tij. 

As edhe një fjalë e vetme nuk dëgjohet në pjesën e parë të filmit. As ai – Emin Bektiq – nuk flet me vete, e as me publikun. As publiku me të. Ka qenë heshtje totale e një lloj mishërimi me fatin e tij të trishtë. Aty janë kujtimet e tij që flasin heshtur, si një fotografi me bashkëshorten e varur në mur. 
Shikimi në dritare është gjë e zakontë për të. Rrallë vjen një komshi që refuzon të hyjë brenda e të kalojë qoftë pak kohë me të. Lutja e tij me ngulm për të qëndruar paksa më shumë me të e shpjegon nivelin e vetmisë në jetën e tij. 

Akullin e “thyen” kur nis të flasë me kalin e tij. Është i panjohur, nuk ka prezantim për personazhin. Identiteti i tij vetmia. Shtëpia e tij e vogël e vjetër qëndron buzë një fshati dhe afër pyllit. Nuk ka energji elektrike, përdor një llambë nafte dhe një sobë me gaz. 

Novakoviq prezanton një element tjetër që mund të përfaqësojë një ëndërr, një vizion ose një kujtim: një djalë i vogël që shihet duke vrapuar nëpër pyll në errësirë të mjegullt. Kësaj radhe nuk ka borë. Historia e filmit zhvillohet në kohë dimri me borë dhe shfaqen stinë të tjera. Por është e qartë se këto segmente të filmit, që përsëriten disa herë, nuk përfaqësojnë realitetin.

Regjisorja e cila ka qenë e pranishme në premierën e filmit në Prizren, ka thënë se interesante ka qenë mënyra sesi ka rënë në kontakt me të moshuarin Emin Bektiq. 

“Jam munduar të xhiroj në vendin prej nga vij. Kam shfaqur një foto të një kali të bardhë në një ekspozitë në Srebrenicë dhe ai erdhi dhe më pyeti nëse atë foto e kam shkrepur unë dhe aty kemi krijuar kontakte. Nuk jam filmbërëse me profesion, jam historiane, por kur e pashë mënyrën sesi jeton e kuptova se kjo temë ishte shumë e afërt dhe e dashur për mua që ta portretizoj”, ka thënë ajo para publikut në kinemanë “DokuKino” në Prizren, pasditen e së shtunës. 

“Adrianne and the Castle” vjen si një rrëfim për peshën e kujtimeve për ta mbajtur gjallë dashurinë 
 

Sipas saj, identiteti dhe natyra janë pjesët kryesore të një dokumentari kreativ. 

“Kur bën dokumentar kreativ është e rëndësishme t’i kushtohet rëndësi atmosferës, artistikes dhe t’i përshtatesh aspektit gjeografik. Jeta gjithmonë na mëson e realiteti është shumë më shumë jashtë tij, kështu që ndodhin gjëra të papritura që e bëjnë ndonjëherë argëtues dokumentarin, por jashtë tij mund të jenë të rralla apo të mos jenë fare”, ka thënë ajo derisa i është referuar pjesës së vizitave të një komshiu të tij, i cili shfaqet dy herë në film në sekuenca që zgjasin jo më shumë se dy minuta. Aq pra zgjat vizita e tij. 

Filmi paraprak i saj, “Then comes the evening” i metrazhit të shkurtër është shfaqur premierë më 2019 në festivalin “Visions du Reel” dhe kishte siguruar kualifikimin për “Oscar”. Kishte marrë mbi 50 çmime dhe ishte shfaqur në më shumë se 130 festivale. 

Nuk ka pothuajse asnjë dialog, por një linjë narrative që vjen nëpërmjet pamjeve e muzikës. Këto të fundit janë realizuar nga Luka Barajeviq. 

“Është e çuditshme sepse është filmi i dytë që e kompozoj. Filluam të flasim për muzikën sesi ta bëjmë dhe ajo erdhi në fund. Ishte e çuditshme për mua sepse ajo çfarë frikësohesha më shumë ishte kënga e fundit, sepse është këngë më vete”, ka thënë dizajneri i audios e kompozitori boshnjak, Luka Barajeviq. 

Ka thënë se “jo gjithçka prej muzikës është rikrijuar pasi duhej që të kishte edhe zë origjinal”. 
Anna Lena Sacher, anesteziologe nga Gjermania, ka thënë se filmi dokumentar ka qenë tejet emocionues dhe se e ka bërë të qajë me ilustrimin e vetmisë në të. 

“Nuk kam qenë kurrë në Prizren dhe është rastësi që jam në festival. Por jam shumë e lumtur që isha dhe pikërisht në këtë film sepse ishte shumë emocionues dhe shumë prekës i cili ilustron vetminë. Ishte shumë emocionues dhe filozofik. Mënyra sesi funksiononin muzika me skenat dhe intimitetin, ishte e mrekullueshme. E kam shijuar shumë”, ka thënë ajo. 

Anën njerëzore prek edhe një tjetër film, i shfaqur po të shtunën.

Transformimi i realitetit për rikthimin e dashurisë

Gara “International Feature Dox” ka nisur shfaqjen e filmave në ditën e dytë të “DokuFestit” me “Adrianne and the Castle” me skenar dhe regji të kanadezit Shannon Walsh. Filmi i gjatë dokumentar e artistik – i shfaqur në kinemanë “Lumbardh” – është një rrëfim mbi dashurinë e humbjen. Është edhe një lloj hyrjeje në botën e fantazisë duke e rikthyer të kaluarën me kujtimet të cilat personazhi Alan jeton. 

Ai ishte 13 vjeç kur e kishte parë dashurinë e parë dhe të fundit të jetës së tij. Mozaiku i rrëfimeve nis me momentin kur kuptohet se ai është duke u munduar ta rikrijojë këtë moment nëpërmjet dy të rinjve. Skena improvizohet në autobus. Imazhet nga materialet arkivore, fotografi e videoincizime, shfaqin momentet e lumtura të tyre, dekada më parë. 

Me to e bën publikun një me përjetimin e tij nostalgjik e dhimbjen që përjeton secilën ditë, që nga vdekja e Adriannas. Nostalgjik bëhet rrëfimi vetvetiu kur transmetohet se njëra pjesë e shpirtit të tij ka ikur bashkë me ndaljet së rrahuri të zemrës së njeriut më të dashur në jetën e tij. 

Dashurinë tanimë e zbërthen në afresket që punon. Është piktor e skulptor. Skena zhvendoset në një atelie ku gjenden veprat e Adriannas. Ajo ishte kostumografe, punonte kostume për teatër. Si artiste që veten e provonte në shumë mediume, aty edhe performonte. 

Në fakt ajo e adhuronte këtë gjë, kështu që Alan i kishte ngritur një teatër në të cilin, siç thuhet në dokumentar, përfitonin organizatorët lokalë. Siç përshkruhet aty, lë të kuptohet se Adrianna nuk e kufizonte veten në një zhanër. Si aty, edhe në çdo sekuencë shfaqet e hareshme e me plot vetëbesim. Edhe miqtë që flasin për të e përmbledhin si personalitetet me të tilla virtyte. 

Alan e kujton me përsosmëri çdo detaj të takimit të tyre të parë. Ndërkohë po punojnë në një performancë që e rikrijon rrëfimin e tyre si shfaqje. Ai thotë se jeta e tyre ishte përrallë në jetën reale. Ndërsa “kështjella”, shtëpia e tyre ishte si tempull i dashurisë dhe artit të tyre. 

Tejet i veçantë është enterieri me vepra unike artistike. Muret e tavani janë të mbuluara me të tilla. Skulpturat zënë vend në dyshemetë e raftet e posaçme. Aty kishte edhe dhomën e provave për aktivitetet e Adriannas. Kishte zë të mahnitshëm. 

Kapitulli më i dhimbshëm është ai që zbërthen ndarjen e parë dhe të përjetshme të tyre. Ai thotë se jeta kishte mbaruar për të në atë moment. Nuk ishte ndarë nga ajo për asnjë çast, edhe për ato orë sa ajo ishte fizikisht aty, por jo shpirti i saj. Dokumentohen mrekullueshëm emocionet e tij. Nuk i mban dot lotët. 

Flet pa hezitim për çdo moment të lumtur, por e ka aq të vështirë ta rikthejë imazhin e përjetimit të tij kur vdiq Adrianna. Lutej për vdekje, por ajo do t’i vinte në ëndërr e t’i thoshte se ka gjëra për të kryer. Ato që asaj i kishin mbetur peng në jetë. Nuk jepet shkaku i vdekjes së saj. Dhe ai vendosi të vazhdonte edhe pse nuk ishte aspak e lehtë për të. Me kujtimin e Adriannas që e përcjell përherë, në çdo moment të jetës. 

Momente nga jeta e nga realiteti, janë si gurë mozaiku në “DokuFest”. Secili shënon një kapitull në edicionin e 23-të të festivalit i cili nuk i fik projektorët deri më 10 gusht. Dhe ka shumëçka për të eksploruar.