Shtojca për Kulturë

“EtnoFesti” i reflektimit mbi rrënjët drejt lirisë

EtnoFest

Kompozicioni si tip labirinti i objekteve në të cilat shtrihen aktivitetet e këtij festivali janë akt artistik në vete. Mes natyrës e arkitekturës banuese të vjetër zënë vend detaje të shumta që rrinë si kujtesë e traditës, e etosit të këtyre anëve.

Edicioni i 14-të i festivalit “EtnoFest” në shtëpinë e vet në fshatin Kukaj, kishte rezervuar që në hapje një program të ngarkuar nga fusha të ndryshme të arteve. Me moton e sivjetme e cila thërret në trininë “Dashni, Liri dhe Lumturi”, ky festival i arteve bëri bashkë numër të madh të publikut në kërkim të përgjigjeve në art e mbi të gjitha në argëtim. Aktivitetet aty janë nga ato të cilat të hedhin nëpër emocione të ndryshme. Ndërrimi i atmosferës është çështje minutash

Arte figurative, teatër, performanca, koncerte, ansamble popullore, gastronomi, festival multidimensional, e shumëçka tjetër të shtunën mbrëma kishin një adresë. Edicioni i 14-të i festivalit “EtnoFest” në shtëpinë e vet në fshatin Kukaj, kishte rezervuar që në hapje një program të ngarkuar nga fusha të ndryshme të arteve. Me moton e sivjetme e cila thërret në trininë “Dashni, Liri dhe Lumturi”, ky festival i arteve bëri bashkë numër të madh të publikut në kërkim të përgjigjeve në art e mbi të gjitha në argëtim. Aktivitetet aty janë nga ato të cilat të hedhin nëpër emocione të ndryshme. Ndërrimi i atmosferës është çështje minutash. Kompozicioni si tip labirinti i objekteve në të cilat shtrihen aktivitetet e këtij festivali janë akt artistik në vete. Mes natyrës e arkitekturës banuese të vjetër zënë vend detaje të shumta që rrinë si kujtesë e traditës, e etosit të këtyre anëve. Ashtu ngjau edhe kur dielli po fillonte të perëndonte e pika e parë e hapjes së këtij edicioni po merrte formë. 
Nën tymin e prushin e flive që po gatuheshin në qendër të teatrit të “EtnoFestit” po realizohej performancë gastronomike me titullin “Gatime rituale”, teksa  muret e stolisura nga “Frymë antike”, cikli i pikturave në pëlhurë nga artistja Diella Valla bënte homazh antikiteteve, nga format e deri te subjektet e ngjyrat e përdorura në to. Lart skenës një kodrinë e zaptoi trupa e ansamblit nga Vlora me monofoninë labe “Gjama e grave labe”.  

Përthyerja e bashkëkohores me homazhin për traditën e rrënjët u bë dhe në “dhomën” e “Vibracioneve Spirituale” të artistit Albulen Neziri.  Vizatimet e Nezirit paraqiten si vepra abstrakte që trajtojnë fuqinë e frekuencave. Por nuk ngelet me kaq, artisti ndjesinë e shpërthimit të kësaj energjie e jep edhe në skulptura e ekspozuara. E ekspozimi në këtë festival për artistin është krejt i veçantë. Larg hapësirave sterile e konvencionale të galerive, “EtnoFesti” artit të tij i ka dhënë një dimension tjetër. 
“Është një veçanti me marrë pjesë në këtë ngjarje, me një ekspozitë në këtë hapësirë, një hapësirë komplekse me shumë objekte, një laramani edhe e aktiviteteve. Edhe ambienti është vetvetiu jo i zakonshëm, shumë ndryshe nga hapësirat urbane, mbi të gjitha shumë e kënaqshme për mua si  eksperiencë”, ka thënë Neziri në një prononcim për KOHËN. 

Pas kësaj ndalese në të cilën kishte edhe ekspozita të tjera nga artistë vendorë si grafiket e Teuta Ibriqajt, skulpturat e Haxhi Gjonit, e fotografitë e Korab Krajës, radha erdhi edhe për një performancë tjetër e cila përthyhej sa në valle folklorike e sa në shfaqje të mirëfilltë teatrale. Me thirrjet “Hajdeni me pa nusen”, aktorja protagoniste e cila luante një rol të një vajze lozonjare e cila portretizonte çiltërsi e naivitetet udhëhiqte turmën  në pika të ndryshme deri te koncerti kryesor i mbrëmjes. Ndryshe nga atmosfera e cila joshte turmën kryesore të vizitorëve në hapësira të tjera ngjanin performanca të tjera, diçka më bashkëkohore. E tillë ishte ekspozita “Ten Ten” nga disenjatorja Yllka Brada dhe artisti Jakup Ferri. Dhoma tipike tradicionale me gurë e dru, ishte mbuluar me qilimat e Ferrit, në sfond dëgjohej  muzikë ambienti e injektuar me tinguj tradicionalë e elektronikë. Por qendra ishte rezervuar për kreacionet e Bradës. Sërish homazh për traditën, këtë radhë e quajtur si performancë kostumografike, pesë vajza të veshura me kreacionet e Bradës ishin qendra gravituese e dhomës. Të punuara në dorë e si reminishencë e detajeve të ndryshme tradicionale ato ishin prekja bashkëkohore e radhës në “EtnoFest”.

“Pasi edhe  vetë festivali e ka emrin Etno Fest, kom dashtë me e lidh  tradicionalen me modernen, jam bërë bashkë me dy shokë e kolegë të mi, Jakup Ferrin dhe Nick Mazrekaj, i cili vjen prej Zvicrës dhe kemi dashtë tre artistë modernë me u kthy te identiteti ynë dhe secili në mënyrën e vet me pru këtë art në ditët e sotme”, është shprehur Brada në hapje të ekspozitës “Ten Ten”.  Pikturat, skulpturat e mozaikët i sheh ngado, në fakt duken sikur janë pjesë integrale e peizazhit ku ndodhen. Aty është dhe arti i Nusret Salihamixhiqit, peizazhet e Kaqusha Jasharit, e mozaiku i Erëmira Belegu Deçanit e Fatos Kabashit. Me të rënë terri, u sinjalizua edhe nisja zyrtare e mbrëmjes me koncertin kryesor “Harmonia e kohëve nga brezi në brez”. Hapjen e bëri violinistja Sihana Badivuku me disa pika të përpunuara tradicionale. Kuarteti harkor “Amati’ apsio menjëherë me këngën ‘O vendi im’ e cila këndohej nën zëshëm nga publiku të cilit auditoriumi nuk ishte i mjaftueshëm, nga numri i madh shumë nga ta zunë kthinat përreth e ca e përcollën atë edhe në këmbë. Sopranoja Adelina Paloja u paraqit para publikut me një repertor shumë të njohur për ta që përfshinte perla të këngës shqipe si: “N’at zaman t’asaj furie”, “Kroi i fshatit tonë” e “Agimet shqiptare”. Të veçantë në paraqitje ishin dhe okteti i burrave me këngën kushtuar Skënderbeut e cila dukshëm emocionoi publikun. Sihana Badivuku u paraqit sërish në skenën e hapur bashkë me harqet dhe pianon e me “Bareshën” ikonike. Por nga skena nuk u shqitën pasi pjesë e saj u bë dhe kori i fëmijëve “Okarina” i drejtuar nga Elikona Hysaj Shala. Plot emocion e simpati publiku i duartrokiste ata tek interpretonin ‘Valsin e dashurisë’ nga Vaçe Zela dhe “Mos jua prishni lumturinë” nga Parashqevi Simaku. 

Lajtmotivi pas këtij edicioni duket se qëndron besnik ndaj vetë parimeve të festivalit i cili synon që nëpërmjet artit dhe kompleksiteteve të tij të nxisë vizitorët në reflektime që shkojnë përtej argëtimit e dëfrimit. 

“Jemi mundu me hy nga gjeneza nga vaji, nga dhimbja, jemi mundu me kalu në të gjithat me i bë njerëzit me reflektu. Ne kemi nevojë dhe kemi të drejtë me qenë më të lumtur, figurojmë diku si popull i lumtur por mendoj që statistikat nuk e tregojnë të vërtetën. Do të mundohemi gjatë këtyre 9 ditëve me reflektu me pa, ku është ajo miniera që ne na duhet me kërku, etja për pushtet nuk është, as ajo për pasuri, as ajo për dominim për autoritet për shumëçka, domethënë ka shumë tema që do të mundohemi  me i sqaru e me i kuptu se ku është problemi”, ka thënë dramaturgu Fadil Hysaj, themelues i festivalit. Mbrëmja përfundoi me fishekzjarrët që veç mbarim nuk sinjalizonin, në fakt e bënë të ditur me shumë zhurmë se i katërmbëdhjeti edicion i “EtnoFestit” sapo ka nisur, e do të përmbyllet tek më 18 gusht.