Bashkëprodhimi midis Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ka ardhur me një rrëfim trileri në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të filmit, “PriFest”. Të premten mbrëma, në “Kino Armatë”, filmi me regji të Lukas Nola publikun e ka futur në botën e errët të nëntokës, si një paralajmërim të pasojave të zhytjes në të
Është një triler dinamik, me shumë ngjarje, por në thelb i jep peshë momentit a një veprimi që ka fuqinë t’i japë jetës një kthesë të fuqishme. Në rastin e “Escort”, kahu jetësor kapërdihet për të keq. Personazhit kryesor i tjetërsohet jeta tek i shndërrohet në përpjekje të vazhdueshme për ta rikthyer në binarë.
Bashkëprodhimi midis tri shteteve të Ballkanit – Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës – ka ardhur me një rrëfim si ky edhe në Prishtinë, në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të filmit, “PriFest”. Të premten mbrëma, në “Kino Armatë”, publikun e ka futur në botën e errët të nëntokës, si një paralajmërim të pasojave të zhytjes në të. Shfaqjes i ka paraprirë një paralajmërim prej bashkëproducentit e aktorit nga Kosova, Fatmir Spahiu, se filmi është për audiencë +18. Premiera kosovare vjen pas asaj të korrikut të sivjetmë në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë, që sivjet shënoi edicionin e 70-të.
“Escort” me regji nga Lukas Nola, emër i shquar i kinematografisë kroate dhe jo vetëm, pos Spahiut, ka në kastë dhe aktorët Fiona Gllavica, Ilir Prapashtica e Dukagjin Podrimaj nga Kosova dhe Bashkim Alajn nga Mali i Zi.
Krejt ngjarja zhvillohet pas një feste, e cila merr një kah krejt tjetër, një festë mes tre miqsh, e cila shndërrohet në tragjedi. Miro, një biznesmen 40-vjeçar, futet në kthetrat e botës së krimit kur kalon natën me një prostitutë, të cilën më pas e gjen të vdekur në dhomën e hotelit ku po qëndronte. Duke u munduar që të mos e shkatërronte jetën e tij të lumtur e gjithashtu edhe biznesin e tij, me ndihmën e stafit të hotelit ia arrin ta fshehë vdekjen e prostitutës, por krejt kjo i kthehet dhe shndërrohet në tmerr. Burri deri atëherë i lumtur e familjar shantazhohet e rrezikon jetën e lumtur, të cilën e kishte para natës së tmerrshme. Regjisori Lukas Nola vdiq në tetorin e vitit të kaluar pak pas përfundimit të filmit, mirëpo ka lënë një vepër të jashtëzakonshme si trashëgimi të komplet veprës së tij.
Aktori e producenti Fatmir Spahiu ka thënë se ka qenë pikërisht regjisori arsyeja që e shtyu të jetë bashkëproducent në këtë prodhim.
definitivisht është një emër i jashtëzakonshëm i kinematografisë kroate, është fat i keq që regjisori nuk jeton dhe pak pas përfundimit të filmit ai ka ndërruar jetë, mirëpo ka lënë një film të jashtëzakonshëm pas”, ka thënë Spahiu.

Mes tjerash ka shpjeguar edhe filmin dhe dëshirën e madhe të regjisorit që pjesë e tij të jenë aktorët nga Kosova.
“Qasja e tij, ideja që një natë të themi gjysmë të zakonshme festive të të tre shokëve ta kthejë në një pothuajse tragjedi të madhe, realisht tragjedi të madhe, është njëra prej arsyeve, natyrisht edhe dëshira e regjisorit që të ketë sa më shumë pjesë të stafit kosovar. Kemi parë plot aktorë kosovarë që paraqiten në role të ndryshme dhe unë mendoj që nëse duhet të eksportojmë diçka artistikisht duhet të jenë trupat e aktorëve, sepse më të vërtetë jo që jam vetë aktor, por mendoj që lënë një impakt të jashtëzakonshëm, shesin talentin e këtij vendi e që është shumë e rëndësishme për kinematografinë kosovare”, ka thënë ai.
Ka thënë se premiera në Kosovë jep tjetër ndjesi. Në “PriFest” si bashkëproducent ai ka ardhur me dy filma.
“Emocione të jashtëzakonshme. Kam pasë fatin që sivjet për herë të parë të jem bashkëproducent me dy filma, pra me ‘Sirin’, i cili u dha në ditën e dytë të festivalit dhe sonte me ‘Escort’. ‘PriFesti’ është një ngjarje që na mbledh të gjithëve, takohemi me disa njerëz që ka mundësi gjatë vitit të mos bashkëpunojmë ose shkëmbejmë ndonjë ide të caktuar për zhvillimet artistike kosovare dhe është patjetër kënaqësi e shumëfishtë”, ka thënë Spahiu.
Aktori Dukagjin Podrimaj vjen në rolin e një regjisori kroat, i cili jeton në Angli. Ka thënë se komentet e para pas filmit nuk janë kurrë reale e as përshtypjet e tij personal.
“Komentet e para që i merr pas filmit kurrë nuk janë reale, por as përshtypjet e tua nuk janë reale, për shkak se kur e kam lexuar skenarin dhe kur e pashë tash filmin është krejt diçka tjetër. Se ti kur e lexon e krijon një gjë në kokë, pastaj e sheh që është krejt diçka tjetër, por edhe mua po më duhet me e përtyp të gjithë projektin, sepse nuk jam shumë i qartë çka të them”, ka thënë Podrimaj.
Ka treguar se puna e tij në Zagreb të Kroacisë ishte shumë e mirë dhe puna me regjisorin Nola e kishte bërë që ai të ishte vetvetja edhe gjatë rolit të tij në “Escort”.
“Mikpritja ka qenë super e mirë, trajtimi ka qenë super i mirë edhe jam ndie shumë rehat dhe shumë vetvetja të punoj me një regjisor si Lukasi, e një prej gjërave ka qenë se ky rol, ai që është i vogël ka qenë edhe në anglisht, edhe në kroatisht, sepse ai më ka thënë: ‘Fol si të duash’. Mandej e kuptova që ideja ka qenë e një regjisori që vjen nga jashtë qoftë anglez që vjen të punojë aty ose një kroat që ka shkuar në diasporë e është kthyer e tash e ka harruar gjuhën kroate. Kështu që për mua nuk ka qenë shumë rol i komplikuar, por si projekt më ka pëlqyer shumë edhe në skenar, edhe në realizim”, ka thënë Podrimaj.
“Escort” është një film plot adrenalinë, skenat janë kontraste botësh, pikërisht siç mund të transformohet jeta brenda një nate të vetme.