Shtojca për Kulturë

“Erë gjaku” me imazhet tronditëse të Masakrës së Rogovës së Hasit

Alban Bujari në hapje të ekspozitës së tij personale, më 29 janar të vitit 2023  (Foto: Driton Paçarada)

“Ndjeva që titulli ishte në ajër ‘Erë gjaku’- që e kujtoj ende. Nuk ka qenë lehtë as atëherë, as tash. Madje, më kujtohet që çizmet që kam pasur mbathur këtë ditë, nuk i kam mbathur më kurrë, sepse nuk kam ditur në gjak të kujt kam shkelur”, kishte thënë Alban Bujari në hapje të ekspozitës së tij personale, më 29 janar të vitit 2023 (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Prishtinë, 29 janar 2023  – Kur ekipi i “Kohës Ditore” do të mbërrinte në hyrje të fshatit Rogovë e Hasit, në ditën e 29-të të janarit të vitit 1999, do të haste në postbllokun e forcave serbe të pajisur me dy autoblinda. Fotoreporteri Alban Bujari, gazetari Naser Miftari e shoferi Afrim Vitia ia kishin mësyrë që të shihnin prej së afërmi e të raportonin për një masakër që kishin dëgjuar se kishte ndodhur në këtë fshat e në dy të tjera të Komunës së Gjakovës. Me t’ju treguar forcave serbe se ku po shkonin, ata kishin marrë një përgjigje të qartë: “Shkoni e shikoni, sepse një ditë edhe ju do të jeni ashtu”. Këtë fjali treshja nuk e harron asnjëherë. Afrim Vitia e ka kujtuar edhe të dielën, i gjendur midis 28 fotografive të shkrepura nga Alban Bujari. Në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës fotografitë e asaj masakre kanë bërë që të duket sikurse hapësira kundërmon gjak, ashtu sikurse vetë titulli i ekspozitës, “Erë gjaku”. Në ambientet ku ruhet trashëgimia antike, për dy javë vizitorët do të kenë mundësi të shohin imazhet e para 24 vjetëve. Janë ushtarë të UÇK-së të rënë në pritë e edhe civilë të vrarë e të masakruar. Shkrepjet e shumta të fotoreporterit Alban Bujari e kthejnë skenën e masakrës si tërësi, bashkë me ceremoninë e varrimit. Pos dokumentimit të masakrës, ekspozita shpërfaq edhe punën e një fotoreporteri që ende nuk i kishte mbushur të 30-at. 

Bujari, siç edhe ndodh zakonisht, ishte fjalëpakë në ekspozitë. 

“Ndjeva që titulli ishte në ajër ‘Erë gjaku’- që e kujtoj ende. Nuk ka qenë lehtë as atëherë, as tash. Madje, më kujtohet që çizmet që kam pasur mbathur këtë ditë, nuk i kam mbathur më kurrë, sepse nuk kam ditur në gjak të kujt kam shkelur”, ka thënë ai të dielën në hapjen e ngjarjes së mbështetur nga Ministria e Kulturës. Imazhet e njerëzve që u mungojnë gjymtyrët e kanë kafka të çara kanë bërë që të pranishmit që kanë përjetuar luftën të kthehen prapa në kujtesë. 

Gazetari veteran, Nehat Islami, ka thënë se ekziston një  standard në gazetari, sipas të cilit  një ngjarje nuk  do të ketë  ndodhur nëse nuk do ta ketë parë  syri i   fotoaparatit, kamerës apo nëse nuk është botuar në gazetë. Ai ka thënë se pikërisht  forcat  policore, ushtarake dhe paramilitare serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë u përpoqën  ta  zbatojnë  të kundërtën, duke i fshehur gjurmët e krimeve të tyre  kundër popullsisë civile dhe luftëtarëve të UÇK-së, duke shkelur për çdo ditë rregullat  e luftës e  Konventën e Gjenevës.    

“Mirëpo  pikërisht   reporterët, fotoreporterët dhe  kameramanët tanë, këta djem dhe vajza  si Alban Bujari, ekspozitën e të cilit  më fotografi  nga Masakra e  Rogovës së Hasit po e  hapim sot, ishin   ajo forca  profesioniste, e mbi të gjitha,  atdhetare, që  arritën ta ndriçojnë harresën e krimeve  që e dëshironte pushteti i  Milosheviqit, i cili kërkonte nga kriminelët e vet t’i  fshehin gjurmët e krimeve të tyre, duke i  humbur kufomat në lokacione të panjohura në Serbi, por edhe në Kosovën e përgjakur”, ka thënë Islami.    

Sipas tij, Bujari  dhe kolegët e tij, duke mos kursyer  jetën e tyre,   gjendeshin   në  vendet e krimeve serbe në kohën e dukur, duke u kamufluar  shpesh  edhe si  qytetarë rasti , ose si punëtorë humanitarë,  e më rrallë  si gazetarë, aq më pak shqiptarë.

“Kështu ndodhi  edhe në  Masakrën e   Rogovës së Hasit,  më 27, 28 dhe 29 janar 1999, kur  armata dhe policia serbe u vendosën pritë 21 luftëtarëve të UÇK-së  e disa civilëve  dhe pastaj i masakruan me brutalitetin  më mizor”, ka thënë ai. Ka kujtuar se po ato ditë në fshatrat Bishtazhin dhe Goden u  vrarë  9  luftëtarë dhe civilë. Sipas Islamit, të gjithë këta trima  bënë përpjekje mbinjerëzore për të  shpërthyer rrethimin  e ushtrisë dhe policisë serbe, derisa po  udhëtonin për të dërguar  të plagosurit për shërim në Shqipëri, e në kthim, për të sjellë armatim. 

“Alban Bujari  ishte fotoreporteri i vetëm shqiptar  që arriti të depërtojë  deri në vendin e krimit në Rogovë të Hasit,  ku   bëri  shumë foto tronditëse  që i shohim këtu.  Edhe këto foto  që  arritën  si dëshmi krimi kundër njerëzimit në gjykimin e Milosheviqit dhe ndihmësve të tij, janë dëshmi të dhembjes sonë por edhe  të një  zileje  që cingëron  pa ndalur për të  zgjuar  edhe ata që sot i ka zënë gjumi  dhe kanë harruar  jo vetëm   ngjarjet dhe datat, por edhe të rënies se luftëtarëve, dëshmorëve dhe civilëve  për  çlirimin e Kosovës”, ka thënë Islami në ekspozitën e fotoreporterit, fotografitë e të cilit janë botuar edhe në media prestigjioze në botë, si “Time”, “Sunday Times”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutsche Zeitung”, “Kyoto News” e të tjera. Alban Bujari, i lindur më 1970, edhe sot e kësaj dite vazhdon të punojë në Grupin KOHA. 

“Syri i  profesionistit , si i Albanit,  është përherë i hapur. Atij i loton zemra”, ka thënë Islami. 
Të pranishmit nuk e kanë pasur të lehtë të shohin imazhet e ekspozuara. Janë aso që shpërfaqin në mënyrë direkte atë që ka ndodhur në këto anë. E arkivi i “Kohës Ditore”, sikurse ai i fotoreporterit Alban Bujari, posedon edhe fotografi të masakrave të tjera, midis tyre edhe të familjes Jashari e të Masakrës së Reçakut. 

Sadik Krasniqi, i cili udhëheq Sektorin e Historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka thënë se këto fotografi janë ndër dëshmitë më të mira të asaj që ka ndodhur në kohën e luftës së fundit në Kosovë. 
“Okupatori gjakatar, barbar, për së vdekuri i masakroi ata, ua këputi gjymtyrët, e çka jo tjetër. Prandaj kjo ditë sot shënohet si ditë e dhimbjes, por edhe e krenarisë, si ditë që okupatori serb në vijimësi ka bërë masakra, krime të ndryshme monstruoze në shkallë gjenocidiale”, ka thënë Krasniqi. 

Përtej dokumentimit të asaj që ka ndodhur, fotografitë e Alban Bujarit pastrojnë edhe pluhurin e harresës pas më shumë se dy dekadash prej kur ka ndodhur lufta në Kosovë. Janë imazhe, vlera e të cilave vazhdimisht rritet. E Muzeu Kombëtar i Kosovës është vendi ideal për to.