Periudha e faktorizimit politik të Shqipërisë, e cila vetëm nga vitet ‘60 dhe ‘70 filloi që në arenën ndërkombëtare të konsiderohej si shtet plotësisht i pavarur dhe njëkohësisht faktorizimi i shqiptarëve në RSFJ, që po kalonin periudhën e vonuar të rilindjes kombëtare, ndikuan jo vetëm në institucionalizimin e vetëdijes kombëtare dhe politike të shqiptarëve, por për herë të parë përafroi edhe mundësinë për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi. Enver Hoxha në Shqipëri dhe Fadil Hoxha në Kosovë, që të dy mbështetnin idenë që shqiptarët të shfrytëzonin sa më shumë mundësitë legale për barazi kombëtare të shqiptarëve dhe avancimin e statusit të Kosovës
Republika Popullore Federative e Jugosllavisë, që nga periudha e pasluftës (1945) e deri në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX, dëshmoi në praktikë se politika e përqendrimit të pushtetit nuk i kishte zgjidhur kundërthëniet kombëtare, politike dhe ekonomike në Federatën Jugosllave. Prandaj Jugosllavia në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX fillon reformat që synonin decentralizimin e shtetit dhe të partisë. Me Kushtetutën e vitit 1963, RPF e Jugosllavisë ndërroi emrin në Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ndërsa statusi i Kosovës (që vazhdonte të quhej Kosova dhe Metohia) u avancua nga rajon në krahinë autonome, duke u barazuar në të drejta me Vojvodinën.
Ky ndryshim i vogël dhe pozitiv për Kosovën erdhi pas një periudhe të gjatë të përndjekjes ndaj shqiptarëve (aksioni i mbledhjes së armëve dhe i shpërnguljes së tyre për në Republikën e Turqisë), gjë që kishte ndikuar që raportet, edhe ashtu të tendosura ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, të rëndonin edhe më shumë marrëdhëniet shtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Dalja e Shqipërisë nga Pakti i Varshavës dhe shkëputja nga ndikimi i BRSS-së
Mirëpo dalja de facto e Shqipërisë nga Pakti i Varshavës dhe prishja e marrëdhënieve të saj me BRSS-në më 1961, nuk kishin si të mos ndikonin edhe në raportet shtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Kështu nuk ishte rastësi biseda e zhvilluar në Londër, më 17 mars 1953, ndërmjet J. B. Titos (kryetarit të Jugosllavisë) dhe W. Churchillit (kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar apo Britanisë së Madhe), gjatë së cilës kryeministri britanik theksonte se kurrsesi nuk duhet lejuar depërtimin e flotës detare të BRSS-së në Detin Mesdhe, lëre më që të posedojnë ndonjë bazë detare.
Ndërsa J. B. Tito do të theksonte rrezikun se në rast të ndonjë konflikti të ri botëror, depërtimi i BRSS-së në Trieste (Itali) dhe në Shqipëri do të izolonte Jugosllavinë. Rrjedhimisht pozita e re jashtëbllokiste e Shqipërisë ishte e favorshme edhe për Jugosllavinë, e cila, duke ekuilibruar në politikën e jashtme ndërmjet Paktit të NATO-s dhe Paktit të Varshavës, kishte kontribuar shumë në themelimin e Lëvizjes së të Paangazhuarve. Rrjedhimisht, shteti shqiptar, me shkëputjen e tij nga ndikimi politik, ekonomik dhe ushtarak i BRSS-së, kishte ndryshuar edhe rrethanat gjeostrategjike në Ballkan dhe në Mesdhe, duke mënjanuar për vendet e Evropës Juglindore rrezikun ushtarak sovjetik. Kjo solli një situatë të re, ku për herë të parë pas Informbyrosë (1948), Jugosllavia dhe Shqipëria në politikën e tyre të jashtme puthiteshin në një pikë: të dy shtetet u bënë jashtëbllokiste. Ndërsa lufta ideologjike ndërmjet RP të Kinës dhe RP të Shqipërisë dhe në anën tjetër të BRSS-së për ndikim në Lëvizjen Ndërkombëtare Komuniste, përafroi Partinë Komuniste të BRSS-së dhe Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, të cilat kritikoheshin nga udhëheqja shqiptare si “revizionistë sovjetikë dhe jugosllavë”. Pavarësisht se BRSS-në e N. Hrushçovit dhe RSFJ-në e J. B. Titos i bashkoi përkohësisht “antistalinizmi”, interesat e tyre shtetërore vijonin të ishin antagoniste.
Prandaj, ndonëse Tito më 1961 deklaronte se Shqipëria dhe Enver Hoxha me politikën e tij antijugosllave, si dhe aleancën e tij me Kinën paraqitnin rrezik për paqen në Evropën Juglindore, në fushën e sigurisë për Jugosllavinë ishte me interes largimi i pranisë ushtarake të BRSS-së nga Shqipëria. Por, për shkak të kërcënimit ushtarak sovjetik edhe për RP të Shqipërisë ishte me rëndësi politika jashtëbllokiste e RSFJ-së, e cila, nisur nga pozicioni i saj asnjanës, kishte refuzuar ofertën sovjetike dhe bullgare për të bashkëpunuar kundër RP të Shqipërisë. Rrjedhimisht, në fund të vitit 1961, RP e Shqipërisë i ofroi Jugosllavisë normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike, duke bërë kështu dallimin ndërmjet interesave ideologjike dhe atyre shtetërore.
Njëkohësisht, në vitin 1960, në prag të daljes nga Pakti i Varshavës dhe të bllokadës ekonomike nga vendet socialiste, RP e Shqipërisë kishte kërkuar të përmirësonte marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore me Francën dhe Italinë. Kështu, në fund të vitit 1960, Franca i shiti RP të Shqipërisë 30.000 tonë grurë (20.000 tonë u paguan nga RP e Kinës), që ishin jetikë për Tiranën në mënyrë që të tejkalonte krizën e bukës të nxitur nga bllokada ekonomike sovjetike. Marrëdhëniet tregtare u zgjeruan edhe me Italinë (ku u blenë pajisjet për fabrikën e plehrave azotike), me çka Roma dhe Parisi dëshmonin vullnetin që të mbanin hapur derën e Perëndimit për Shqipërinë. Gjithashtu edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë kishte të dhëna, sipas të cilave në periudhën e prishjes së marrëdhënieve ndërmjet BRSS-së dhe RP të Shqipërisë (1961), Enver Hoxha kishte autorizuar ambasadorin shqiptar në Romë për të diskutuar me zyrtarët amerikanë, në mirëbesim dhe në fshehtësi, pozicionin e ardhshëm të Shqipërisë. Mirëpo përmbajtja e këtyre bisedimeve nuk u bë asnjëherë e ditur.
Kufizimi i përkrahjes nga SHBA-ja dhe mbështetja e Shqipërisë te Kina
Pra, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë”, kur një shkëndijë mund të nxiste shpërthimin e “Luftës Bërthamore”, SHBA-ja nuk ishte e gatshme për përshkallëzimin e rrezikshëm me BRSS-në për arsye të RP të Shqipërisë. Prandaj, në rast të invazionit sovjetik, përkrahja e Washingtonit karshi Tiranës do të kufizohej në ndihmën e kufizuar ekonomike, diplomatike edhe ushtarake, por pa ndërhyrje të hapur të Paktit të NATO-s. Në anën tjetër, BRSS edhe mund të toleronte një Shqipëri jashtë Paktit të Vrashavës, por vetëm me kusht që ajo të mos kërkonte të hynte në Paktin e NATO-s dhe të mos ndryshonte rendin shoqëror socialist. Në kushte të tilla të pavolitshme, si dhe të mungesës së përkrahjes përmbajtjesore nga vendet perëndimore, Shqipëria u detyrua të mbështetej në Kinën, e cila me ndihmat e saj të mëdha ekonomike dhe ushtarake ia mundësoi Tiranës zyrtare të mbijetonte si bllokadën ekonomike ashtu edhe rrezikun e pushtimit sovjetik. Në anën tjetër, po në vitet ‘60 të shekullit XX, shtetet anëtare të Paktit të NATO-s, për të lehtësuar reformat ekonomike dhe monetare të Jugosllavisë, ia dhanë asaj 340 milionë dollarë.
Prandaj Jugosllavia në politikën e saj të reformave ekonomike ndihmohej edhe financiarisht nga shtetet perëndimore, me qëllim që sistemi i saj i vetëqeverisjes të bëhej shembull për vendet socialiste, kurse një politikë e tillë nuk ndiqej ndaj Shqipërisë, pikësëpari ngase NATO-ja konsideronte se BRSS-ja do të përpiqej që Shqipërinë ta rikthente përsëri në Kampin Socialist dhe në Paktin e Varshavës, madje në rast nevoje edhe me dhunë.
Kjo do të thotë se pozicioni i RP të Shqipërisë si ish-anëtare e Paktit të Varshavës ishte shumë herë më i rëndë krahasuar me RSF të Jugosllavisë, e cila që nga viti 1948 ishte shtet i përjashtuar nga Kampi Socialist dhe me reformat e saj ekonomike dhe politike luante rolin e shtetit socialist të reformuar dhe të ndryshëm nga ato të vendeve lindore. Kjo ndoshta edhe shpjegon arsyen se pse vetëm në korrik të vitit 1967 diplomatët amerikanë u propozuan përfaqësuesve shqiptarë në Kombet e Bashkuara (New York) fillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike. Këto propozime të SHBA-së për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë u bënë më të qarta pas daljes edhe formale të Shqipërisë nga Pakti i Varshavës në gusht të vitit 1968.

Presioni propagandistik i Shqipërisë mbi padrejtësitë kundër shqiptarëve në Jugosllavi
Rënia e Hrushçovit në BRSS më 1964 dhe ardhja e Leonid Brezhnjevit me politikën e tij të ngurtësimit ideologjik, si dhe me politikën e sovranitetit të kufizuar për shtetet anëtare të Paktit të Varshavës, ndikuan në ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe BRSS-së. Për Jugosllavinë, pavarësisht ndryshimeve ideologjike me shtetin shqiptar, në aspektin politik dhe ushtarak, ishte me rëndësi që në kufi të kishte një Shqipëri stabile, jashtë aleancave ushtarake dhe socialiste. Në anën tjetër, konsolidimi i Shqipërisë si shtet i pavarur dhe faktorizimi i saj në fushën e luftës ideologjike brenda Lëvizjes Ndërkombëtare Komuniste, si dhe veprimtaria gjithnjë e më organizuar klandestine e shqiptarëve ndikuan që RSF e Jugosllavisë të zbuste masat represive kundër shqiptarëve.
Nuk duhet harruar se udhëheqja shqiptare, pos kritikës ideologjike kundër Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, potenconte edhe shkeljen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi. Ndoshta ky presion propagandistik i Shqipërisë mbi padrejtësitë kundër shqiptarëve në Jugosllavi ishte një nga motivacionet e palës serbe që me vendime administrative të ndryshonin kufijtë e rajonit të Kosovës, në mënyrë që të rrisnin pjesëmarrjen e popullsisë serbe në Kosovë. Në të vërtetë, nga fundi i vitit 1954, në Jugosllavi, duke u bazuar në parimet e vetëqeverisjes socialiste, filloi të vendosej sistemi i komunave, si baza të shoqërisë vetëqeverisëse dhe ku do të bashkëvepronin organet e pushtetit dhe njësitë prodhuese të një hapësire të caktuar territoriale. Ndonëse në vitin 1958 rajoni i “Kosovës dhe Metohisë” vazhdonte të ishte i ndarë në rrethet e Prishtinës, të Gjilanit, të Prizrenit, të Pejës dhe të Mitrovicës së Kosovës, kjo ndarje administrative ndryshoi në vitin 1959, kur organet e partisë dhe të pushtetit vendosën që edhe në Kosovë, në vend të rretheve, si njësi bazë territoriale të ishin komunat. Gjithashtu, në Kosovë, ashtu si në pjesë të tjera të Jugosllavisë, numri i komunave u zvogëlua nga 65 në 28.
Kështu, në fund të vitit 1959, hyri në fuqi Ligji mbi ndryshimet në ndarjen administrative të Kosovës dhe të Metohisë, i miratuar në Kuvendin e RP të Serbisë, sipas të cilit, në vend të pesë rretheve administrative, njësia bazë politiko-territoriale edhe në Kosovë do të ishte komuna. Prandaj pushteti serb më 1959 vendosi që “Rajonit Autonom të Kosovës dhe të Metohisë“ t’i bashkoheshin pjesë të territorit të Komunës së Rashkës (Leshaku dhe Leposaviqi, me rreth 197 kilometra katrorë), që deri atëherë ishin pjesë e Serbisë Qendrore. Arsyetimi jozyrtar i bashkimit të këtyre dy zonave me Mitrovicën ishte për arsye të minierave, mirëpo deri sot nuk është gjendur asnjë dokument zyrtar mbi këtë vendim.
Prania e rritur e popullsisë serbe rreth Mitrovicës si garanci e ruajtjes së minierave nga shqiptarët
Pra, prania e rritur e popullsisë serbe rreth Mitrovicës do të shërbente si garanci e ruajtjes së këtyre minierave nga shqiptarët, por edhe që me ndarjen e re administrative të rritej edhe numri i komunave me shumicë serbe (Zubin Potok, Shtërpcë, Novobërdë dhe Leposaviq) në krahasim me 24 komuna të tjera të dominuara nga popullsia shqiptare (Viti, Vuçitërn, Gllogovc, Gjilan, Deçan, Dragash, Gjakovë, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë e Kosovës, Mitrovicë e Kosovës, Lipjan, Malishevë, Rahovec, Orllan, Pejë, Podujevë, Prizren, Prishtinë, Skenderaj, Suharekë dhe Ferizaj).
Në anën tjetër, Jugosllavia në vitet ‘60, jorastësisht, filloi procesin e emancipimit politik, kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve, si një përpjekje e saj për të luftuar propagandën e shtetit shqiptar mbi pabarazinë kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, por edhe për të eliminuar dëshirën e tyre për t’u bashkuar me shtetin e tyre amë, RP të Shqipërisë. Ky ndryshim në raportin e Jugosllavisë karshi shqiptarëve, ndonëse jo në përmbajtje dhe më tepër formal, shihej në Kushtetutën e dytë të RSF të Jugosllavisë (1963), në të cilën statusi i Kosovës ndryshoi nga rajon autonom në krahinë autonome (neni 111), duke u barazuar kështu me statusin e Vojvodinës. Gjithashtu nga viti 1963, pas kërkesave të vazhduara të kuadrove shqiptare, filluan të hapeshin edhe dyert e Federatës. Në të njëjtën kohë, largimi i Aleksandar Rankoviqit (1966), jo vetëm që hapi rrugën për thellimin e procesit të decentralizimit politik e ekonomik të Jugosllavisë, por shtroi edhe çështjen se cili do të ishte pasardhësi eventual i Titos. Përvoja nga e kaluara kishte dëshmuar se si Mbretëria e Jugosllavisë ashtu edhe Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore (1945) problemin e parë ekzistencial si shtet shumëkombësh dhe multireligjioz e kishte konfrontimin e pandërprerë ndërmjet konceptit centralist-hegjemonist, që mbështetej nga elitat serbe, dhe atij të shqendërzimit apo të shpërndarjes së pushtetit politik e ekonomik nga qendra në njësitë federale dhe që mbështetej nga kombet e tjera joserbe të Jugosllavisë.
Në kushte të tilla, për të eliminuar konfliktin e mundshëm rreth pasardhësit të vet e njëkohësisht edhe luftën politike ndërmjet rrymës centraliste-konservative dhe asaj reformiste-decentraliste, Tito dhe bashkëpunëtorët e tij, në ndryshimet kushtetuese të vitit 1971, futën institucionin e Kryesisë së RSFJ-së si formë e udhëheqjes kolektive të Federatës pas periudhës së Titos. Ky sistem i ri i udhëheqjes kolektive shpresohej se do të mundësonte mbijetesën e Jugosllavisë edhe pas Titos, duke çimentuar në Kushtetutën e re të vitit 1974 sistemin politik dhe ekonomik të vetëqeverisjes (ekonomi e decentralizuar me elemente të ekonomisë së planifikuar dhe tregut të lirë), pushtetin politik të Lidhjes së Komunistëve, si dhe politikën e jashtme të mosinkuadrimit. Rrjedhimisht, Kushtetuta e vitit 1974 barti vendimmarrjen nga qendra në gjashtë republikat dhe dy krahinat (Kosova dhe Vojvodina), duke lënë si funksione të përbashkëta të organeve qendrore: mbrojtjen, politikën e jashtme dhe rendin shoqëror.
Institucionalizimi i vetëdijes kombëtare dhe politike të shqiptarëve
Periudha e faktorizimit politik të Shqipërisë, e cila vetëm nga vitet ‘60 dhe ‘70 filloi që në arenën ndërkombëtare të konsiderohej si shtet plotësisht i pavarur dhe njëkohësisht faktorizimi i shqiptarëve në RSFJ, që po kalonin periudhën e vonuar të rilindjes kombëtare, ndikuan jo vetëm në institucionalizimin e vetëdijes kombëtare dhe politike të shqiptarëve, por për herë të parë përafroi edhe mundësinë për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi. Elitat politike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat kishin një përvojë të gjatë politike, e kishin të qartë se në kushtet e “Luftës së Ftohtë” dhe kundërthënieve ideologjike ndërmjet dy blloqeve politike e ushtarake, si dhe derisa të ekzistonte Muri i Berlinit (që simbolizonte ndarjen ndërmjet dy sistemeve politike-ekonomike: socializmit dhe kapitalizmit, por edhe simbol i ndarjes së popullit gjerman), kufijtë e RSFJ-së nuk mund të ndryshoheshin dhe as që do të lejohej shpërbërja e saj.
Enver Hoxha në Shqipëri dhe Fadil Hoxha në Kosovë, që të dy mbështesnin idenë që shqiptarët të shfrytëzonin sa më shumë mundësitë legale për barazi kombëtare të shqiptarëve dhe avancimin të statusit të Kosovës. Në të vërtetë pala jugosllave, respektivisht elitat politike serbe, maqedonase dhe malaziase, akuzonin RPS të Shqipërisë dhe Enver Hoxhën se po nxisnin dhe mbështesnin krijimin e Republikës së Kosovës, e cila do të përfshinte të gjitha hapësirat e banuara me shqiptarë në RSF të Jugosllavisë kurse, në anën tjetër, luftën ideologjike dhe sulmin kundër revizionizmit jugosllav (sistemit vetëqeverisës) Enver Hoxha e përdorte për nevoja propagandistike dhe vetëm për të penguar ndikimin e Jugosllavisë në politikën e brendshme të Shqipërisë. Ndërsa, këtej kufirit politik të Shqipërisë, Fadil Hoxha (kuadër i lartë i Kosovës në organet qendrore të Federatës) me mbështetje të J.B. Titos dhe në përputhje me nenin 244 të Kushtetutës së RSFJ-së (e cila u njihte të drejtën njësive dhe elementëve konstitutivë të Federatës në formulimin e raporteve me shtetet fqinje), nxiti zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik me RPS të Shqipërisë.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë