Duket sikur fati i emrit të kishës katolike në Ferizaj ka qenë i paracaktuar e i lidhur nyje me fatin e popullit. “Engjëlli mbrojtës” qe kësisoj për shqiptarët pa dallim feje. Hapi dyert veçmas gjatë okupimit. U bë strehë për nxënësit e helmuar, e më pas kur shqiptarët u dëbuan prej institucioneve, u bëri vend edhe artistëve. Në kohë lufte, edhe për ushtarët e UÇK-së. Tash rrezikon të shembet
Kisha katolike e Ferizajt nuk është kujdesur vetëm për besimtarët e famullisë së saj. “Engjëlli i Rojës” ua ka hapur dyert shqiptarëve, pavarësisht orientimeve të tyre fetare. Në ditë festash e sprovash të mëdha. Sidomos gjatë kohës së pushtimit serb.
“Kisha ‘Engjëlli i Rojës’ është e veçantë për ne”, thekson shkrimtari Agim Berisha, udhëheqës i Këshillit të Kulturës për Ferizaj në vitet nëntëdhjetë. “Pse është e veçantë?” – ndalet pak ai. “Sepse të gjithë qytetarët e Ferizajt e kanë pasur si shtëpi të veten”, shton në hapësirën ndërmjet stolave dhe altarit disa ditë para Kërshëndellave.
Para tij, një murgeshë po vendoste buqeta lulesh e dekorime të ndryshme për ta zbukuruar për festën që shënon lindjen e Jezu Krishtit. Krahas misionit fetar, klerikët e saj kanë mbështetur fuqishëm kauzën për liri.
“Dhe unë nuk di një kishë që gjatë periudhës së luftës ka dhanë një kontribut të tillë, siç e ka dhanë kisha dhe don Vink Pali”, thekson Berisha, duke shprehur mirënjohjes për klerikun që kishte shërbyer gjatë viteve nëntëdhjetë e që pastaj do të shkonte me mision në Shqipëri. Berisha thotë se Pali u kishte ofruar ilaçe e materiale të ndryshme mjekësore, të cilat pastaj ishin dërguar në vatrat e luftës, sidomos për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare në Kosovës në bjeshkët e Jezercit. Në “Engjëllin e Rojës” do të strehoheshin edhe qindra qytetarë, shumica ferizajas myslimanë.

I zoti i kishës së ndërtuar në fillimshekullin e kaluar, don Mikel Sopi, tregon në mënyrë kronologjike veprimtarinë kombëtare të predikuesve të saj gjatë shekullit të kaluar. Ai thotë se Shtjefën Kurti e Gjon Bisaku do të ngrinin në Ligën e Kombeve në Gjenevë më 5 maj 1930 çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavinë mbretërore.
“Ishte një situatë shumë e disfavorshme dhe mundësia e manipulimeve ishte më e madhe nga të tjerët që dëshironin ta shpartallon kombin shqiptar nga shumë aspekte”, thekson don Mikeli, ulur në zyrën e punës. Në ballë ka kornizuar portretet e Skënderbeut dhe Nënës Terezës. Dhe aneksi i kishës do të kthehej në ambulancë të improvizuar në fundmarsin e vitit 1990. Atëherë kur Kosovës po i shtrëngohej laku në fyt. Një vit pasi ia suprimoi Kosovës autonominë, Serbia ia helmoi dhjetëra mija nxënës të shkollave fillore e të mesme. Madje shkoi edhe më larg, duke ua ndaluar trajtimin mjekësor në ambulanca e në spitalet edhe ashtu të pakta të Kosovës. Por, “Engjëlli i Rojës” do t’ua hapte dyert mjekëve e filloristëve të helmuar që në ditën e parë, më 22 mars 1990.
“Kur ndodhën helmimet e fëmijëve, e nxënësve të shkollës, unë isha mjeke në ambulanten rajonale të Ferizajt, që është këtu afër”, tregon Paulina Lumezi, në ambientet e ordinancës së saj specialistike gjinekologjike jo fort larg kishës katolike.
Mjekët ishin mobilizuar në gjithë qytetin me të marrë dhenë lajmi për trajtimin e rasteve të para të nxënësve të helmuar.
“Për çudi”, Radio Ferizaj nuk kishte program për shkak “të një defekti” dhe njësitet policore menjëherë do t’ua ndalonin mjekëve pranimin e rasteve që po shtoheshin shpejt e shpejt.
“Edhe aty lindi nevoja që me pasë ku m’i shtri pacientët. Atëherë, këta të kishës, që e kemi shumë afër këtu, e lëshuan sallën e tyre ditore, edhe dikush ka çuar dyshekë, çka është dashur aty, infrastrukturë me thanë, edhe unë e doktor Hajdin Ymeri, kryesisht, i kemi pritur pacientët – natyrisht me motrat kuptohet, motrat infermieret dhe murgeshat, që i kemi pritur pacientët që i kemi pasur me shumicë”, thekson Lumezi.
Në librin “Shëndetësia e Ferizajt me rrethinë – shekulli XX”, që autorë ka historianin Ramadan Ramadani dhe mjekun Agim Bytyçi shkruan se në Ferizajt më shumë se 1.800 pacientë – shumica nxënës, do të evidentoheshin nga mjekët si të helmuar. Të helmuarit me gjende të rëndë nuk lejoheshin të barteshin në Prishtinë e Shkup. Qyteti ishte në kaos, por gjithsecili po mundohej të ndihmonte me mundësitë e veta. Askush nuk mendonte për rrezikun.

Mjeku Ymeri është kthyer në mesjavë që ta vizitojë objektin përcjellës të “Engjëllit të Rojës”, ku dy ditë e një natë i kishte trajtuar me kolegë dhjetëra pacientë të helmuar me substanca të rrezikshme kimike nga Jugosllavia e atëhershme në duar të Serbisë.
“Nuk e kemi llogaritur atëherë elementin e frikës, sepse shëndet ishte mbi të gjitha ai që na cyste për me iu ofru ndihmë”, thotë Ymeri, teksa komunikon me dom Mikel Sopin në hapësirën që ishte kthyer në ambulancë të improvizuar.
“Respekt!” – ia kthen kleriku këmishëbardhë.
Mjekët dhe përgjegjësit e kishës do të merreshin në pyetje nga inspektorët e sigurimit famëkeq të Serbisë.
“Aty don Lush Gjergji e pranoi faktikisht. Ishte bisedë zyrtare. E pyeti pse kanë ardhë. Tha: E kam pa të arsyeshme m’i pranu këta fëmijë se nuk kishim ku m’i çu faktikisht me iniciativë të doktoreshë Paulinë dhe motrës Viktori, unë kam pranu me i çelë dyert në ndihmë fëmijëve”, rrëfen Hajdini.
Dhe urdhri ishte i prerë. Inspektorët e Kasapit të Ballkanit, sikur se njihej Sllobodan Milosheviqi, atëherë në ngritje të përnjëhershme, do të detyronin mjekët e klerikët t’i nxirrnin fëmijët e helmuar. Por trajtimi do të vazhdonte nëpër shtëpitë e tyre.
Lumezit, Ymerit e Besim Hoxhës do t’u bashkoheshin edhe infermierët e mjekët e tjerë ferizajas.
Pas helmimeve, mjekët do të përballeshin me pengesa të shumta nga regjimi serb, për t’ia dëshmuar botës mostrat e dokumentacionin faktues të helmimit të nxënësve e të qytetarëve. Që në verën e vitit 1990, mjekët e aktivistët e organizatat për të drejtat e njeriut do të ofronin në Zagreb dëshmitë për helmimin masiv të kryer nga agjentët sekretë serbë. Do të dokumentonin edhe shkencëtarët e huaj, përfshirë studiuesin Bernard Benedetti. Kisha do të organizonte një takim të mjekëve ferizajas me udhëheqësit e KMLDNJ-së dhe përfaqësuesve evropianë për të drejtat racore e shëndetësore.
“Në atë takim, kemi marrë pjesë diku pesëmbëdhjetë mjekë ferizajas. Dhe i kemi dorëzuar fletëlëshimet e mbledhura nga unë dhe doktor Skender Shabani”, thekson Bytyçi në ordinancën e tij private, duke treguar në kompjuter fotografi e xhirime të takimeve.
“Gjatë helmimeve, kisha katolike ‘Engjëlli i Rojës’ e ka dhanë një kontribut të veçantë, veçanërisht imzot Nikë Prela”, thekson Berisha, shkrimtari.
“Qëndresa” e kishës
Gjatë dekadës së aparteidit, Kisha do t’ua hapte dyert edhe artistëve e aktivistëve të artit e të letërsisë, pas dëbimit të tyre nga institucionet publike në kuadër të masave represive.
“Kisha ka dhënë kontribut të veçantë, sidomos kur na përzunë prej institucioneve, sepse kisha na tha: ‘Ja kjo është shtëpia juaj e dytë’”, thekson Berisha në mjediset e saj. Në telefon tregon fotografi “të fotografuara” të aktiviteteve të ndryshme kulturore. Imzot Nikë Prela e Adem Demaçi qëndrojnë në ballë të ngjarjeve letrare e artistike në kishë. “Kemi organizuar edhe manifestime dhe tubime me karakter të ndryshëm”.
Për kontributin e dhënë çështjes kombëtare, kortezhi i imzot Nikë Prelës do të nderohej nga ferizajasit deri në dalje të qytetit gjatë rrugëtimit drejt Prizrenit.
Drama “Qëndresa” nën regji te Ismail Ramës, bazuar në librin e Gjergj Gashit, “Martirët shqiptarë të periudhës 1846–1848”, ishte përgatitur nga Trupa e Teatrit të Ferizajt në Kishën Katolike të këtij qyteti, para se të jepej në kisha të ndryshme të krejt Kosovës. Në këtë video të Florije Shtjefën Demajt e të postuar në Facebook nga studiuesi Sarë Gjergji, Trupa e jep dramën edhe në Kishën e Kabashit të Vitisë më 1995.
“Folni” u bërtet hoxha shqiptarëve katolikë të Karadakut para eksodit vdekjeprurës drejt Anadollit. “Jo, jo, kurrë nuk e ndërrojmë kombin tonë”, ia kthejnë në kor aktorët në altar.

Në fillim të tetorit të këtij viti, Festivali i Teatrove i Ferizajt e ka kthyer në kuadër të “RetroTeatrit” me performancën “Premartyrs”, nën regji të Kushtrim Mehmetit. Katër prej rreth 50 aktorëve të dramës fillestare performuan pjesë të “Qëndresës”, në vendin ku kishin inskenuar historinë e dëbimit me dhunë të katolikëve të Karadakut nga vatrat e tyre në Perandorinë Osmane në mes të shekullit nëntëmbëdhjetë. Veshja kombëtare është shenjë se ata u kthyen, pavarësisht vrasjes së shumë familjarëve, pa mohuar fenë e kombësinë.
“I di vuajtjet. Ajo vuajtje janë edhe të miat”, do t’u drejtohej aktori Arben Marevci tre kolegëve të performancës së tetorit në “Engjëllin e Rojës”. “Unë jam me ju. Nuk ju lë vetëm, jo”, shton ai pas një heshtjeje të shkurtër artistike. Drama vazhdon. Këndohen dua e thirret ezani.
“Njëkohësisht ajo rastisi të jetë edhe si dramë, edhe si akt, por edhe shfrytëzimi i hapësirës që rastisi të jetë një dramë kundër një pushtuesi tjetër, kundër Perandorisë Osmane, sepse drama bazohej në fakte të vërteta”, thekson Marevci. “Ata njerëz ishin të gjithë shqiptarë”.
Berisha kujton edhe homazhet e qindra qytetarëve ferizajas pas vdekjes së imzot Nikë Prelës e të shenjtores Nënë Tereza. “Sepse Nënë Tereza kishte arritur me veprën e vet të shpërfaqë atë anën humanitare, sepse në atë periudhë kohore ne ishim shumë të ndrydhur nga okupuesi serbo-jugosllav”, thotë ai. “Si duket për ta shprehur atë mllefin e madhe kundër shtypjes serbo-sllav ishin rreshtuar dhe kjo ishte një befasi për ata sesi komunitete të ndryshme, të besimeve të ndryshme, ishin rreshtuar për të bërë homazhe para fotografisë së Nënë Terezës”.
Bashkautori i librit për historinë e mjekësisë ferizajase, Bytyçi ndërkaq thotë se Ferizaj historikisht ka pasur liderë fetarë, katolikë e myslimanë, që prioritet e kanë pasur arsimimin shqip të fëmijëve.
“Ka pasur edhe individë që kanë pasur vlera të mëdha edhe intelektuale, por edhe patriotike, si te pjesa myslimane, sikur ka qenë Vesel Guta, i cili ka qenë pjesëmarrës i luftës shqiptaro-serbe në Kamenicë, ose Shaban Vata, mësuesi i parë ferizajas, i cili i ka mbledhur fëmijët e parë për ta bërë klasën e parë fillore në Ferizaj”, thekson Bytyçi, duke treguar fotografitë e tyre në ekranin kompjuterik. “Të dy kanë qenë hoxhallarë me profesion. Ose të fesë katolike, sikurse kanë qenë figura të mëdha kishtare që kanë punuar për çështje të mëdha kombëtare dhe vendore, sikur se ka qenë Shtjefën Kurti, Nikë Prela, Gaspër Gjini, don Lushi dhe monsinjor Locian Agostini”.
Në shtëpinë përballë “Engjëllit të Rojës” kishte qëndruar edhe Nëna Terezë gjatë pelegrinazhit të saj nga Shkupi në Letnicë, tregon don Mikel Sopi në hapësirën e shtëpisë tjetër – asaj të kthyer për dy ditë në ambulancë për të helmuarit më 22 e 23 mars 1990 – pjesa ballore e së cilës kah rruga që mban emrin e dëshmorit Kemajl Hetemi, përdoret për aktivitete tregtare.
Aty pediatri Ymeri e famullitari i kishës thonë se është e rëndësishme që të kujtohen sakrificat, sidomos të nxënësve, për të forcuar edhe më shumë themelet për të ardhme më të ndritur.
“Pikërisht isha duke folur për aftësitë e jashtëzakonshme që i kemi, të cilat manifestohet aty për aty. Sigurisht se në rrethojat e kishës kanë qenë rreth një mijë qytetarë”, i tregon Hajdini Sopit. “Dhe ajo ka qenë një gjendje, kushtimisht me thanë e jashtëzakonshme. Për me u përgatitë brenda kohës tri-katër ore derisa kanë ardhur pacientë... faktikisht hapësirat e kishës nuk kanë qenë për me i trajtu fëmijët, faktikisht ka qenë një situatë e mrekullueshme të cilën e kanë bërë prindërit dhe qytetarët”.
Jashtë, punëtorët po vazhdonin punën për zgjatjen e murit të pjesës anësore të oborrit të “Engjëllit të Rojës”. Andej, kah mermeri – veshur më 1988, ka filluar të bjerë nga dritaret rrethore.
Brenda, Marevci kujton sesi fusha e dikurshme e basketbollit në oborrin e Kishës i bashkonte të rinjtë pa dallim. Nuk është më.
Por “Engjëlli i Rojës”, që mbrojti shqiptarët në pushtim, rrezikon të shembet edhe pse është në Listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë, druajnë klerikët. Procedurat disa herë kanë filluar dhe tamam pritet fillimi i punimeve për restaurimin, procesi kthehet në pikën zero. Derisa shteti bën sehir, lagështia po ia ha muret. Oborri po rrethohet me mur të ri.