“Me t’i dëgjuar ato për herë të parë, jam ndier se mund të identifikohem me fjalët e saj, me këngët e saj dhe për atë ndoshta edhe jam dukur e natyrshme, ashtu siç the dhe ti. I kam ndier këngët sikur të ishin të miat”, ka thënë mexosopranoja nga Egjipti, Farrah El-Dibany, një ditë pas koncertit në të cilin ajo ka kënduar në shqip këngët e Nexhmije Pagarushës, në një intervistë në të cilën ajo flet për ikonën e muzikës shqipe, për dëshirën që të rikthehet për një tjetër koncert me këngët e Bilbilit të Kosovës, për shqipen dhe kontaktin e saj të parë me të, e mbi të gjitha, për fuqinë e muzikës. “Më pëlqejnë kulturat e reja, ta njoh tjetrin, t’i bëj njerëzit të kuptojnë që janë shumë më të ngjashëm sesa që ata e mendojnë”, thotë ajo. Një gjë të tillë tashmë e ka bërë
Me zërin e saj ka kohë që ia ka mësyrë t’i prezantojë urat midis kulturave. Një të tillë tashmë e ka ngritur me shqiptarët. Ka kënduar në shqip këngët e ikonës Nexhmije Pagarusha. Mexosopranoja nga Egjipti, Farrah El-Dibany, është emër i shquar në botën operistike. Ka shkelur alamet skenash, “Rame Lahaj International Opera Festival” e ka sjellë për herë parë në Kosovë. Në fakt, ka qenë kënga e Nexhmije Pagarushës që e ka bërë këtë, në ngjarjen që për moto ka uratën “T’knoft zemra”. Me plot zemër i ka kënduar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Me t’i dëgjuar ato për herë të parë, jam ndier se mund të identifikohem me fjalët e saj, me këngët e saj dhe për atë ndoshta edhe jam dukur e natyrshme ashtu siç the dhe ti. I kam ndier këngët sikur të ishin të miat”, ka thënë mexosopranoja Farrah El-Dibany të martën, një ditë pas koncertit në një intervistë në të cilën ajo flet për ikonën e muzikës shqipe, për dëshirën që të rikthehet për një tjetër koncert me këngët e Bilbilit të Kosovës, për shqipen dhe kontaktin e saj të parë me të, për fuqinë e muzikës.
“Nuk e dua injorancën fare, sidomos kur bëhet fjalë për kulturat, paragjykimet, klishetë, i urrej dhe këtë dua ta thyej dhe mundohem ta bëj atë pikërisht nëpërmjet muzikës, sepse muzika shkon te secili njeri lehtazi, prej ngado që vjen”, thotë El-Dibany, e cila ka interpretuar një sërë rolesh në skena prestigjioze botërore dhe ka bashkëpunuar me institucione të mëdha. Pos studimeve në akademinë e muzikës “Hanns-Eisler” në Berlin, ku është diplomuar për këndim operistik, ajo ka diplomë edhe në arkitekturë. Ka kënduar në opera të ndryshme. Performanca e saj e Carmenit në Berlin ka bërë që të marrë çmimin e “Opernwelt Magazine” si artistja më e mirë në ardhje. Prej vitit 2016, ka qenë në rezidencë në “Académie de l'Opéra national de Paris”, duke interpretuar disa role. Është shpërblyer me disa çmime, përfshirë “Prix Lyrique de l'AROP”. Ka performuar e ftuar edhe në ngjarje të mëdha jashtë skenës muzikore si në ndeshjen finale të Botërorit në futboll në vitin 2022, ku ka interpretuar himnin francez.
E thjeshtë dhe e çiltër, mëngjesin e parë pas koncertit, elegante në bisedë e stil, tek mban edhe një brosh filigran me hartën e Kosovës, artistja e lindur më 1989 në Aleksandri thotë se me këtë vend ka gjetur disa të përbashkëta. “Mendoj që personaliteti im muzikor po rritet në diçka që përmes zërit tim po prezantoj urat midis kulturave, njëfarë dialogu. Në fakt këtë kam dashur ta bëj gjithmonë, më pëlqejnë kulturat e reja, ta njoh tjetrin, t’i bëj njerëzit të kuptojnë që janë shumë më të ngjashëm se që ata mendojnë”, thotë ajo.
KOHA: Zonja Farrah El-Dibany, cilat janë përshtypjet Tuaja për koncertin e së hënës mbrëma në Prishtinë?
El-Dibany: Ka qenë i mrekullueshëm. Isha shumë e prekur nga audienca, dhe në fakt nga vetë këngët që kam interpretuar. Jam prekur shumë që në momentin e parë kur kam dëgjuar këngët e Nexhmije Pagarushës. Isha shumë e emocionuar nga këngët e saj, aq sa më duket se duhet të realizoj një koncert të tërë vetëm me këngët e saj.
KOHA: Do të vijmë tek ajo pyetje pak më vonë. Do të doja të flisnim se si u njohët me figurën e Nexhmije Pagarushës? Arritët ta kuptonit rolin e saj në historinë e muzikës së Kosovës?
El-Dibany: Si fillim kam hulumtuar për të, kam pyetur dhe Ramen dhe njerëzit që njoh këtu dhe e kuptova se sa ikonike ishte, por ajo që kam kuptuar nga zëri i saj është se ajo ka një shtrirje vokale shumë të gjerë. Ajo si duket ka qenë një artiste e muzikës pop, por kualiteti i zërit të saj është më shumë sesa një artiste pop. Ajo mund të kishte qenë lehtësisht një artiste e operës. Kam mësuar në fakt se kjo ka qenë dikur edhe dëshira e saj, por ishte ndjerë e ngufatur nga rregullat e muzikës klasike dhe kishte dashur të çlirohet nga të gjitha rregullat, dhe të jetë e lirë ta përdorë zërin e saj. Kjo më la shumë përshtypje. Edhe unë si Farrah mund të identifikohem me këtë sepse jam këngëtare operash, kam studiuar për këtë deri në nivelin master, tash 20 vjet, por së voni jam duke punuar rreth identitetit tim personal si artiste. Po këndoj nga repertorë të ndryshëm nga vende e kultura të ndryshme, por dhe nga vendi im, Egjipti. Kjo më mundëson që të përdor zërin tim në maksimum, pra eksplorimi i Nexhmijes më dha një shtysë edhe mua që të punoj me veten në këtë drejtim dhe të jem më e lirë. Ka qenë shumë frymëzuese të punoj me këngët e saj.

“I kam dëgjuar shumë këngët e Pagarushës”
KOHA: Gjithmonë kam pasur përshtypjen se Nexhmije Pagarusha, stili, zëri i saj më kanë kujtuar shpesh edhe artistet si Fairuz e Dalida – këngëtare të njohura botërisht me origjinë nga Lindja e Mesme –të njëjtin stil e kam parë edhe te performanca Juaj në Prishtinë. Ishit natyrale në interpretim, ishit unike, por sërish aty fshihej edhe Nexhmija bashkë me dy këngëtaret e tjera që përmenda qëparë, timbri i tyre, njëfarë melankolike që përcillet nga to gjithnjë...
El-Dibany: Jam shumë e lumtur që po e dëgjoj këtë. Është njëri nga komentet më të mira që kam marrë, sepse është shumë i sinqertë dhe i thellë, është i saktë. Kur më pyesnin njerëzit nëse ishte e vështirë të bëhesha gati të performoja në shqip, t’i këndoja këngët e Nexhmijes, por nuk e di... me t’i dëgjuar ato për herë të parë jam ndier se mund të identifikohem me fjalët e saj, me këngët e saj dhe për atë ndoshta edhe jam dukur e natyrshme ashtu siç e the edhe ti. I kam ndier këngët sikur të ishin të miat, dhe regjistri i saj i zërit përkonte me timin, ngjashëm si me Dalidan, kemi regjistrin e njëjtë të zërit, dhe definitivisht këngët e Nexhmijes bënë që kjo të dalë në pah.
KOHA: A mund të na flisni diçka për procesin e përgatitjes për këtë performancë, a ishte diçka vetëm teknike apo nuk kufizohej vetëm me aq?
El-Dibany: I kam dëgjuar shumë këngët e saj, afro 25 këngë të sajat, i kam zgjedhur këngët që doja t’i këndoja vetë, kam lexuar edhe tekstet e tyre, normalisht me ndihmë në përkthim. I kam lexuar ato fjalë për fjalë, sepse është e rëndësishme për mua të di se çfarë këndoj dhe pastaj jam ndalur edhe te shqiptimi. Kam kërkuar nga miqtë e mi shqiptarë të më dërgojnë mesazhe me zë duke i lexuar tekstet, dhe si këngëtare besoj është më e lehtë të dëgjosh një gjuhë se si tingëllon. Dhe kështu arrita të bëj një baraspeshë, sepse kuptova që ka disa dallime në dialekte.

“Mësimi i një gjuhe të re është një mundësi shumë e mirë”
KOHA: Po, e vërtetë, gjuha shqipe është mjaft e pasur me dialekte. Cilat detaje arritët t’i kapnit nga këto dallime?
El-Dibany: Shqiptarët dhe kosovarët kanë një dallim, pavarësisht se është i vogël, por dhe Nexhmija kishte këtë tingëllim shumë interesant që sot nuk e dëgjoj shpesh ta flasë ndonjë shqiptar. Për shembull kur thotë ‘lumturi’ ajo e bën të tingëllojë si ‘ljumturi’, pastaj... ‘lusish kënd’, dhe i vura re këto detaje dhe u tregova miqve të mi nga festivali dhe thoshin që ne vetë nuk i kemi vërejtur, por kjo më ka ndihmuar që të vendos se a t’i këndoj ashtu në origjinal, apo t’i këndoj me gjuhën e sotme. Por kështu kam arritur një balancë, kam ruajtur shpirtin e saj edhe në shqiptim por gjithashtu kam akomoduar... si për shembull fjalët ‘tretet në errësirë’, ‘rr’-në ajo nuk e bën aq të fortë, por sot e dëgjoj shumë këtu, dhe kështu jam munduar t’i përziej. I dua gjuhët shumë dhe për mua mësimi i një gjuhe të re është një mundësi shumë e mirë, më pëlqejnë shumë.
KOHA: A keni ditur diçka për Kosovën para se të vini këtu?
El-Dibany: Kam ditur pak për historinë, Jugosllavinë, luftën, por sinqerisht nuk e kam ditur që edhe kosovarët janë shqiptarë sikurse në Shqipëri. Kam mësuar shumë qëkur kam ardhur, po bëj pyetje vazhdimisht, jam shumë e interesuar të mësoj për kulturën këtu.
“Muzika na bashkon, pa të, jemi gjithmonë larg njëri-tjetrit”
KOHA: Si e shini ju muzikën si një mjet për mirëkuptimin dhe njohjen midis kulturave, njerëzve në përgjithësi? Për shembull ne mbase nuk do të takoheshim kurrë po të mos ishte ky koncert!
El-Dibany: Pikërisht. Kjo është në fakt gjëja kryesore, esenca e muzikës dhe e kulturës, i bënë njerëzit bashkë. Pse do të sillte Rame dikë nga një vend tjetër që të vijë në Kosovë të këndojë në shqip, pra është një ide të cilën ai e kishte dhe besoj që ka qenë sfidë për të, edhe për mua, por këto sfida janë arsye pse njerëzit bëhen bashkë, nëse nuk e bëjmë këtë këmbim, nëse nuk rrezikojmë kësisoj, nëse nuk e bëjmë këtë hap do të jemi gjithmonë larg njëri-tjetrit, nuk do të bëhemi bashkë kurrë. Dhe sërish, për mua ka qenë një nder që u ftova dhe e mendoj si një përgjegjësi tmerrësisht të madhe, sepse nuk dua që të këndoj këngë në gjuhën tuaj, nga këngëtarët tuaj në një mënyrë jo të duhur.
KOHA: Kjo tregon se sa shumë e respektoni edhe vetë profesionin tuaj?
El-Dibany: Natyrisht, jam përgatitur me muaj të tërë për këtë performancë kam qenë shumë e investuar psikikisht në këtë. Kam dashur t’i bëj këngë të miat, jo vetëm t’i interpretoj ato.
KOHA: A kishit mundësinë të njiheshit më shumë me historinë e muzikës këtu në Kosovë, kulturën?
El-Dibany: Di që muzika këtu hyn te muzika ballkanase, por siç kam dëgjuar momentalisht muzika është e përzier nga influenca të ndryshme, nuk është e pastër. Por Nexhmija ka kënduar muzikë të pastër kosovare. Ajo që Rame ka dashur të bëjë me aranzhimet e këngëve të Nexhmijes ka dashur që t’i modernizojë këto këngë, andaj edhe ansambli që më përcillte ishte më unik, shumë ndryshe nga origjinalet. Në provat e para kam parë se po bënin aranzhime krejt të ndryshme nga ato këngë që po dëgjoja me muaj të tërë, dhe është interesant të shihje se po zhvillohet muzika, nuk mbetet vetëm në ato format tradicionale. I kthen ato të vjetrat, të vlefshmet në diçka të re për të joshur mbase gjenerata të reja dhe mbrëmë (të hënën më 22 korrik v.j.) ishte ashtu edhe nga audienca.
KOHA: A mund të na tregoni diçka rreth rrugëtimit tuaj personal me muzikën dhe si u bë që erdhët në një koncert në Kosovë?
“Me zërin tim po prezantoj urat midis kulturave”
El-Dibany: Rrugëtimi im me muzikën ka filluar si fëmijë 14-vjeçar, në një shkollë gjermane të muzikës, në Aleksandri të Egjiptit. Një mësues muzike aty, dëgjoi zërin dhe kuptoi që kam një zë lirik dhe pastaj kam shkuar në Gjermani, kam studiuar profesionalisht për operë, nivelet bachelor dhe master, pastaj kam filluar të performoj në Gjermani me role, si në “Carmen”, “Dido dhe Aeneas”, dhe role të tjera. Isha shumë e përkushtuar në operë. Pastaj shkova në “Paris Opera House” dhe aty e takova edhe Ramén, diku në vitin 2018 ose 2017 nuk jam e sigurt. Që atëherë ishim në kontakt, kemi ndjekur rrugëtimin e njëri-tjetrit. Por, gjatë COVID-it kisha një ndryshim në karrierën time. Atë kohë gjithçka ishte e anuluar, por performoja në shumë vende ku nuk kishte masa kundër COVID-it. Isha në Lindjen e Mesme, në Rusi në Sochi, isha në vende ku ishin të hapura, në Ukrainë gjithashtu. Dhe kështu fillova të bëj koncertet e mia dhe fillova të zhvilloja më shumë identitetin tim personal, Farrahan jo vetëm atë këngëtaren e operave, mexosopranon. Fillova të tërhiqja audienca të ndryshme fillova, të këndoja në më shumë gjuhë dhe që atëherë po rritem në këtë drejtim, po bëj gjithashtu shumë punë humanitare me WHO,UNHCR dhe UNESCO, duke mbështetur kauza të ndryshme dhe mendoj që personaliteti im muzikor po rritet në diçka që përmes zërit tim po prezantoj urat midis kulturave, njëfarë dialogu. Në fakt këtë kam dashur ta bëj gjithmonë, më pëlqejnë kulturat e reja, ta njoh tjetrin, t’i bëj njerëzit të kuptojnë që janë shumë më të ngjashëm se që ata mendojnë.
KOHA: Si erdhët deri te kjo performancë në “Rame Lahaj International Opera Festival”?
El-Dibany: Kam ndjekur festivalin e Rames dhe gjithmonë më ka thënë që e ka këtë dëshirë dhe e realizoi prej katër vjet më parë edhe jam shumë krenare me të për këtë. Më thoshte që një ditë do të vija në festival dhe besoj që ka pritur momentin e duhur të më ftonte. Ndoshta ka qenë pjesë e vizonit të tij fakti që më ka ftuar tani dhe të këndoj një homazh për Nexhmije Pagarushën. Isha shumë e intriguar nga kjo ide e tij. Ai besonte se unë mund të kontribuoja diçka me stilin tim me pjesën orientale që e kam dhe kështu erdha në Kosovë. Kështu do të vazhdoj të eksploroj kultura të ndryshme, këtë vit kam nënshkruar kontratë me Arabinë Saudite, në Japoni, në Indi.
KOHA: Jeni me fat që keni mundësinë ta bëni këtë, të mësoni kaq shumë për kulturat e ndryshme, të jeni person më i përgjegjshëm, më i ditur dhe më i respektueshëm në fund...
El-Dibany: Absolutisht, kureshtja është shumë e rëndësishme, sidomos për ngritjen e një personi, nuk e dua injorancën fare, sidomos kur bëhet fjalë për kulturat, paragjykimet, klishetë, e urrej dhe këtë dua ta thyej dhe mundohem ta bëj atë pikërisht nëpërmjet muzikës, sepse muzika shkon te secili njeri lehtazi, prej ngado që vjen.
KOHA: A kishit ndonjë sfidë apo vështirësi gjatë përgatitjes apo performancës? Ju e bëni të tingëllojë si diçka shumë të lehtë.
El-Dibany: (Qesh) Isha shumë e fokusuar te teksti që të mos e gaboja atë dhe kështu isha pak e stresuar në këtë aspekt. Kjo ishte sfida kryesore për mua, shqiptimi ishte i integruar tek unë, por kisha stres, sepse druhesha mos harroj tekstin, sepse ndodh që të harrosh dhe kur këndon këngë të repertorit tënd, por jam perfeksioniste dhe doja që gjithçka të shkonte mirë. Por përtej tyre, gjëja më e rëndësishme për mua është që të lidhem emocionalisht me këngët që interpretoj dhe me audiencën, të përçoj emocionin tek ata.
KOHA: A e arritët atë me koncertin në Prishtinë? Morët përshtypjet e dëshiruara nga publiku?
El-Dibany: E kam ndier që në fillim kur këndova “Vetë ke mbet” pas strofës së parë, pashë se si ata duartrokitën, ndërvepronin me mua dhe ndjeva dy gjëra: ndoshta së pari ishin të prekur, sepse nuk e prisnin një gjë të tillë dhe e dyta ishte një duartrokitje inkurajuese: “shumë mirë, vazhdo”. Kam marrë shumë energji të mirë nga audienca.
KOHA: Përtej këtij festivali dhe kësaj performance tuajën, cilat janë përshtypjet tuaja për Kosovën për këto pak ditë sa jeni këtu?
El-Dibany: Gjëja e parë që më ka lënë përshtypje dhe po vazhdon ende të më lërë mbresa është mirësjellja e njerëzve. Kam vënë re që secili person që e takoj është shumë i sjellshëm dhe i shoqërueshëm kjo nuk është diçka që e kam pritur, nuk kam njohur asnjë shqiptar përveç Rames. Kam ndier se sa mikpritës janë njerëzit, shumë të ngrohtë, sikur ne mesdhetarët shumë humanë dhe e dua shumë këtë.

KOHA: Ndoshta kjo bën pjesë tek arsyet që edhe publiku këtu ju priti mirë, ka arritur të ndiejë të njëjtën gjë te Ju.
El-Dibany: Në fakt, keni të drejtë, sepse njerëzit gjithmonë mundohen të gjejnë ngjashmëritë me njëri-tjetrin, unë veç se i kam gjetur disa. Për shembull te gjuha. Filxhan, ne i themi “fincan”, pastaj “oda”, është dhoma, dhe “fustan” për shembull, ka shumë fjalë dhe kjo tregon që ndajmë ngjashmëri. Ne kemi dëshirë t’i kuptojmë këto ngjashmëri që i kemi mes vete.
Audienca këtu më bën të ndihem si në shtëpi
KOHA: A keni filluar të mendoni mbase për ndonjë projekt tjetër këtu në Kosovë?
El-Dibany: Unë tashmë veçse kam menduar diçka. Patjetër do të kthehesha, do të doja të performoja më shumë këtu, koncerti në RLIOF ishte njëfarë testi, por do të doja pse jo, të kthehesha me një koncert vetëm për Nexhmije Pagarushën. Nuk e di a do të realizohet, por do të doja shumë që kjo të ndodhte, një koncert vetëm me këngët e saj. Audienca këtu më bën të ndihem si në shtëpi, nuk ndihem sikur jam diku shumë larg vendit tim. Ndihem shumë afër njerëzve dhe mendoj që mund të krijoj një lidhje me këtu. Mbase edhe të interpretoj në arabisht, në gjuhën egjiptiane, mendoj që njerëzit këtu do ta donin një gjë të tillë, një koncert me këngë shqipe dhe egjiptiane, me një orkestër, por me aranzhime të veçanta dhe të pranishmit do t’i dëgjonin paralelisht midis këtyre dy kulturave.
KOHA: Besoj që ka ardhur koha që njerëzit këtu të njihen më shumë me këtë anë të Lindjes së Mesme, me historinë e pasur të muzikës.
El-Dibany: Prej asaj që kam ndier këtu, mendoj që njerëzit do të ishin shumë të hapur ta eksploronin më shumë atë. Muzika arabe ka një histori shumë të vjetër e cila shtrihet deri te muzika faraonike e cila është e ngjashme me muzikën e popujve koptë. Në Egjipt ne kemi këtë zhvillim ndër dekada. Do të doja shumë të këndoja edhe Dalidan që e përmendët më herët, nuk e di se a njohin atë këtu? Do të doja që njerëzit ta përjetonin Nexhmijën nga vendet e tjera, si Fairuz, Dalida, Piaf, Umm Kulthum, Mina, gjithashtu. Një mbrëmje dedikuar këtyre ikonave bashkë me Nexhmijen do të ishte e mrekullueshme dhe e mirëpritur besoj.
KOHA: Ju garantoj që do të isha i pari që do ta blija biletën për atë koncert. Ishte nder t’ju intervistoj ju dhe nëse keni diçka tjetër për të shtuar për në fund?
El-Dibany: Faleminderit juve dhe thjesht shpresoj të rikthehem këtu dhe të shoh se si mund ta rris këtë lidhje me publikun e këtushëm. Besoj ka shumë mundësi për ta rritur bashkëpunimin, të krijoj më shumë ura. Besoj që kjo performancë imja ishte si një thyerje e akullit. Erdha dhe këndova në gjuhën shqipe dhe tani do të jetë më e lehtë që të vij me gjëra të tjera më të mëdha.