Shtojca për Kulturë

Ekzekutimet e civilëve – instrument i strategjisë serbe “kundër kryengritjes” në Kosovë

Raporti i publikuar më vonë i grupit të patologëve finlandezë, nuk la asnjë hapësirë për ndonjë teori të komplotit. Pjesa më e madhe e kufomave të zbuluara ishin civilë, të cilët nuk ishin vrarë në luftë, por nga afërsia. Kjo përputhje në tërësi në pamje: politika shtypëse dhe brutale e serbëve kundër popullatës shumicë shqiptare të Kosovës ishte një fakt i njohur. Ekzekutimet e civilëve ishin një instrument i strategjisë serbe “kundër kryengritjes” në Kosovë, për të detyruar popullatën që të arratisej, për t’i mohuar kështu njëkohësisht përkrahjen e UÇK-së”. Serbia duke mohuar krimet mundohet të prodhojë histori të re dhe të dalë me histori më të pastër, sesa e meriton, dhe në pozitë më të mirë për të vazhduar me ideologjinë e saj të krijimit të Serbisë së Madhe, por tani përmes doktrinës së “botës serbe”

Me raport, patologët nga Finlanda korrigjuan rezultatet e patologëve serbë dhe bjellorusë, të cilët kryesisht i ishin përmbajtur versionit zyrtar të Qeverisë serbe se në Reçak nuk kishte pasur ekzekutim të civilëve shqiptarë. Në raportin e 17 marsit, Helena Ranta, udhëheqëse e grupit të mjekëve ligjorë finlandezë, konkludoi se ajo që ndodhi në Reçak më 15 janar, ishte pa dyshim “një krim kundër njerëzimit”. Studiuesi Alex J. Bellamy thekson se shtatë pika kyç dolën nga ky dhe raporte të tjera.

1. Të vdekurit ishin civilë të paarmatosur që nuk kishin qëlluar me armë.

2. Trupat ishin zhvendosur para inspektimit, por kishte shumë arsye pse kjo do të kishte ndodhur dhe asgjë nuk dëshmon se ata ishin lëvizur nga UÇK-ja për të krijuar pamjen e një masakre.

3. Verifikuesit e KVM-së ishin të saktë me identitetin që kishin shumë prej të vdekurve se ishin qëlluar nga distanca shumë të afërt.

4. Patologët serbë kanë konstatuar se ka pasur trillime të provave para se të

kishin kryer autopsitë.

5. Fakti që trupat u lanë pa mbikëqyrje mes 17 dhe 21 janarit, rrit mundësinë që ata të ishin zhvendosur dhe të ngatërruar nga serbët.

6. Patologët serbë dhe bjellorusë përdorën metoda të vjetruara dhe arritën në përfundime të paqëndrueshme.

7. Serbët kishin penguar në mënyrë aktive hetimin e ICTY-së. (Këto informacione nga burime të ndryshme janë mbledhur nga Shoqëria për Popujt e Rrezikuar kërcënuar https://www.gfbv.de/ (Alex J. Bellamy: Kosovo and International Society. First published by Palgrave Macmillan, New York, N.Y. 2002).

Helena Ranta për Reçakun: “Jam e paanshme dhe do ta vazhdoj këtë politikë”

Por, Helena Ranta, udhëheqëse shkencore e grupit mjeko-ligjor finlandez, njëkohësisht theksoi se për caktimin e ngjarjes si “masakër” në bazë të të dhënave të hetimit mjeko-ligjor nuk bënte pjesë në lëmin e detyrave të saj, por duhej një përshkrim legal i rrethanave të vdekjes së njerëzve mbi bazën e një analize të përgjithshme të të gjitha informacioneve në dispozicion, e të cilat nuk u ishin mundësuar atyre nga autoritetet serbe. Vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s dhe vendosjes së Kosovës nën protektoratin civil dhe ndërkombëtar, në nëntor 1999 grupi i Helena Rantës mundi të kryente hetime të tjera, veç shqyrtimit të kufomave në vendin e ngjarjes. Mungesa e njërit prej elementëve të teorisë së masakrës mund të sqarohej: gëzhojat e fishekëve që nuk u gjetën në vendin e gjetjes së kufomave, të cilat sipas raportit, nuk mund të ishin çuar atje më pas. Së fundi, në mars të vitit 2000 grupi finlandez dorëzoi një raport përfundimtar, nga i cili po citojmë pjesët më të rëndësishme të përmbledhjes:

“Në mars të vitit 2000 u kryen hetime të tjera në vende të përzgjedhura të fshatit. Faktet dhe materialet e mbledhura prej këtyre hetimeve u përfshinë në një raport shtesë, i cili, së bashku me protokollin e autopsisë plotësojnë punën e grupit mjeko-ligjor në Reçak. Në nëntor 1999 u përdorën detektorë metali, të programuar për të arritur thellësinë prej 30 centimetra, dhe e gjithë zona prej 170 m x 30 - 0 m u kontrollua për të parë nëse përmbante sende metalike. Në thellësinë 0-15 u gjetën disa plumba dhe pjesë plumbash. Vendndodhja e viktimave, e regjistruar nga OSBE-ja më 16 janar 1999 dhe vendi i gjetjes së plumbave, përputhen. Në disa raste së bashku me plumbat e gjet lëndë me prejardhje njerëzore”, thuhej në mes tjerash në raportin e ekspertëve të Helena Rantës. Përveç kësaj, ekipi finlandez i krahasoi plumbat e gjetur në vendi e pushkatimit dhe ata në trupat e viktimave dhe konstatoi se bëhej fjalë për të njëjtët plumba. Kjo konfirmoi tezën se njerëzit e vdekur janë vrarë aty ku edhe janë gjetur. Ranta nuk hoqi asnjëherë dorë nga pohimi i vet se ekipi i saj në asnjë gjë që do të shpinte në përfundimin se njerëzit e vrarë kanë qenë ndonjë gjë tjetër përveç civilë. Por, në të njëjtën kohë, duhet theksuar se besueshmëria profesionale e patologëve finlandezë, ishte takuar jo vetëm nga pala serbe, por edhe nga një pjesë e mediave perëndimore, të cilat spekulonin se Ranta ndodhej nën presionin e NATO-s. Lidhur me këtë, Ranta kishte deklaruar se askush nuk e urdhëron dhe se vendimet e saj i merr në mënyrë të pavarur. “Unë jam e paanshme dhe do ta vazhdoj këtë politikë”, kishte deklaruar Ranta në intervistën saj për ultra-majtisten gjermane “Jugle World” (29.3.2000).

Sidoqoftë, sipas Joschka Fischer, raporti i publikuar më vonë i grupit të patologëve finlandezë, nuk la asnjë hapësirë për ndonjë teori të komplotit. Pjesa më e madhe e kufomave të zbuluara ishin civilë, të cilët nuk ishin vrarë në luftë, por nga afërsia. Kjo përputhje në tërësi në pamje: politika shtypëse dhe brutale e serbëve kundër popullatës shumicë shqiptare të Kosovës ishte një fakt i njohur. Ekzekutimet e civilëve ishin një instrument i strategjisë serbe “kundër kryengritjes” në Kosovë, për të detyruar popullatën që të arratisej, për t’i mohuar kështu njëkohësisht përkrahjen e UÇK-së”.

“Është jashtëzakonisht e qartë se në janar të vitit 1999 në Reçak është bërë vrasje masive...”

Edhe pse nuk hynte në lëmin e kompetencave të mjekëve ligjorë finlandezë përfundimi nëse në Reçak ishte kryer masakër, Petritsch pohon se “hetimi i kufomave në vendin e ngjarjes nuk solli asgjë që do të mund të hidhte poshtë versionin e dhënë nga OSBE-ja. Raporti i plotë për rezultatin e autopsisë iu paraqit Bashkimit Evropian, i cili më vonë një kopje ia dërgoi Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Shefi i hetimit në Kosovë i Gjykatës së Hagës, Denis Milner, deklaroi se “është jashtëzakonisht e qartë se në janar të vitit 1999 në Reçak është bërë vrasje masive. Ajo që i intereson Prokurorisë, shtoi Milner, është që të konstatohet “në çfarë rrethanash janë vrasjet dhe kush mban përgjegjësi për këtë”. (Petrit Imami: “Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj”. Samidzdat B92, Beograd, 2017, f.272). Së fundi, pas përpilimit të raportit përmbyllës, ky hetim u bë baza për një vlerësim të përgjithshëm nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës, përpara së cilës do të përgjigjeshin Milosheviqi dhe katër të akuzuar të tjerë në gjykimin që nisi më 12 shkurt 2002. Pavarësisht këtyre gjetjeve të ekipit finlandez, qeveria e Beogradit, ashtu siç pritej, shumë shpejt e lëshoi një kumtesë përmes së cilës i kontestonte gjetjet e grupit të patologëve nga Finlanda.

Me këtë qëndrim të Beogradit vetëm sa u thelluan bindjet edhe më shumë se në Kosovë kishte ndodhur masakra e Reçakut. Kjo gjë u konfirmuar edhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, kur masakra e Reçakut u bë pjesë e aktakuzës së ngritur kundër ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq, dhe pesë politikanëve dhe ushtarakëve të lartë serbë: Nikolla Shainoviq, i dënuar 22 vjet, Dragolujb OjdaniQ, 15 vjet, Nebojsha Pavkoviq, komandant i Armatës së Tretë, 22 vjet, Vladimir Lazareviq, komandant i Korpusit të Prishtinës, 15 vjet burgim, ndërsa Sllobodan Milosheviq, vdiq para se të mbyllej rasti. Përderisa Beogradi vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut, në vitin 2001, një kolegj gjyqtarësh me shumicë ndërkombëtare në Gjykatën e Lartë në Prishtinë e dënoi me 15 vjet burgim Zoran Stojaneviqin, ish-polic serb në Shtime, për pjesëmarrjen e tij në masakrën e Reçakut. Përpjekja aktuale e Beogradit për ta paraqitur si trill ngjarjen e Reçakut nuk është e lokalizuar vetëm në këtë rast, është pjesë e propagandës serbe të viktimizimit dhe manipulimit të historisë. Duke krijuar një lloj kundër-narrative, që është thelbësore për të mohuar krimet e luftës, elita shtetërore e Serbisë i rrekte qëllimisht të barazojë përgjegjësinë kriminale e historike, ose, t’i paraqesin viktimat shpeshherë si autorë të krimeve.

“Mospranimi i krimeve të kryera nga regjimi i mëparshëm”, shkruan Nevenka Trop, ish-anëtare e Ekipit Kërkimor për Çështje të Udhëheqjes në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë (TPNJ), “e lë të lirë regjimin pasardhës t’i ndjekë objektivat gjeopolitike ‘të papërfunduar’, që pararendësit e tij nuk arritën t’i realizojnë me gjithë kryerjen e krimeve njerëzore në masë”. (Nevenka Tromp: “Gjykimi i Papërfunduar i Milosheviqit”. Poema, Prishtinë, 2021, f. 457). Serbia duke mohuar krimet mundohet të prodhojë histori të re dhe të dalë me histori më të pastër sesa e meriton, dhe në pozitë më të mirë për të vazhduar me ideologjinë e saj të krijimit të Serbisë së Madhe, por tani përmes doktrinës së “botës serbe”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë