Shtojca për Kulturë

Ekstaza e Migjenit

Migjeni (1911-1938) dhe Gustav Machatý (1901-1963)

Migjeni (1911-1938) dhe Gustav Machatý (1901-1963)

Novela “Studenti në shtëpi” e Migjenit dhe filmi “Ekstaza” i regjisorit çek Gustav Machatý, lidhen në ide, temë, trajtim dhe qëllim. Migjeni dhe Machatý e sfiduan publikun nëpërmjet provokimeve erotike dhe trajtimeve të thella psikologjike. Lidhja e tyre nuk është një hamendësim imi, por një fakt që gjendet brenda novelës

Migjeni (1911-1938) në historinë e letërsisë shqipe është ‘shkrimtari i ri’ dhe ‘shkrimtari i risive’. Ai për së gjalli arriti ta botojë vetëm një libër me poezi, i cili nuk u lejua të qarkullonte, kurse libri tjetër në prozë i mbeti në dorëshkrim, për shkak të vdekjes në moshë të re. Deri sot ai është shkrimtari më atipik i letërsisë shqipe, ndoshta për shkak se formimi i tij gjuhësor dhe kulturor ishte sllav. I lindur në një familje ortodokse në Shkodër, një qytet ku jetën letrare dhe kulturore e udhëhiqnin katolikët, ai ndihej i tëhuajësuar aty, një tëhuajësim që erdhi duke u rritur sapo nisi të lexojë Niçen. Ka fakte që ai lexonte në disa gjuhë vepra të autorëve të ndryshëm botërorë, por nuk dihet ende nëse ka lexuar ndonjë libër në gjuhën shqipe, përveç ndonjë shkrimi në revistat e kohës. Në një kohë, kur letërsia shqipe fliste për gra të ndershme e besnike, dhe për burra trima, ai përmbyste gjithçka, duke shkruar për prostituta e gra tradhtare, dhe për burra të nënshtruar e lypës. Ai nuk erdhi si vazhdimësi e letërsisë shqipe, por si shkëputje, ose më saktë, si diçka e re dhe e huaj në ambientin letrar shqiptar. Edhe novela “Studenti në shtëpi” vjen si një rrëfim ndryshe nga rrëfimet e kohës. Autori e sulmon ashpër mentalitetin patriarkal dhe pozicionohet në anën e gruas që tradhton, madje shfaq shenja simpatie edhe për incestin motër-vëlla (gjithashtu, në jetën reale, supozohet se autori kishte një lidhje incestuale me vajzën e tezës). Në këtë novelë ai përmend edhe filmin “Ekstaza” të regjisorit çek Gustav Machatý. 

Gustav Machatý (1901-1963), në historinë e kinematografisë botërore ka hyrë si regjisori i risive, të cilat lidhen kryesisht me filmin “Ekstaza”, që ka bërë histori me dy skena: njëherë me skenën nudo (kur Eva lahet në lumë dhe vrapon livadhit për ta zënë pelën mbi të cilën ka lënë rrobat), herën tjetër me skenën e orgazmës (kur gjatë marrëdhënies me Adamin, Eva përjeton orgazmë, sado që kjo paraqitet vetëm me anë të shprehjeve të fytyrës). Machatý ka bërë edhe filma të tjerë, si “Erotikon” dhe “Nga e shtuna deri të dielën” (me skenar të Vítězslav Nezval-it), “Shvejku në luftën civile” (bazuar mbi romanin e Hashekut), “Sonata e Krojcerit” (bazuar mbi novelën e Tolstojt), mirëpo kryevepra e tij konsiderohet “Ekstaza”, dhe ai mbeti në histori të filmit për dy skenat e sipërcekura.

Migjeni dhe “Ekstaza”

Si, ku dhe kur ka mundur ta shohë Migjeni filmin “Ekstaza”, i cili e kishte impresionuar aq shumë saqë e përmend edhe brenda novelës? 

Filmi “Ekstaza” është realizuar në vitin 1933, ndërsa në vitin 1934 në Festivalin e Filmit në Venecia ka fituar çmimin Regjisori më i mirë. Duke qenë film i famshëm, i përfolur në Evropë dhe Amerikë, i ndaluar në disa shtete evropiane, i sulmuar edhe nga vetë Papa i Romës (Papa Piu XI), s’kishte si të mos e tërhiqte edhe vëmendjen e Migjenit, i cili, sipas dëshmisë së motrës së tij, Ollga, ishte i fiksuar pas filmave: “Milloshi i ndiqte shumë kinematë, të vetmin institucion kultural në Shqipëri n’atë kohë. Filmin e komentonte shumë duke e skjaruar deri në fund. I njihte regjizorët dhe artistët dhe prej emrave të tyre e gjykonte filmin që më përpara”.

Sipas dëshmisë së Ollgës, Migjeni e donte filmin, e adhuronte Çaplinin, dhe shkonte rregullisht në kinema. “I komentonte shumë”, thotë ajo. Duket se në kinema e gjente edhe frymëzimin për veprat e tij. “Ekstazën” do ta ketë parë pas pjesëmarrjes në Venecia, kur edhe nisi popullariteti dhe persekutimi i filmit. Pra, pas gushtit të vitit 1934, ai do ta ketë parë filmin, ndërsa në vitin pasues (1935) novela “Studenti në shtëpi” ishte e përfunduar. Nuk dihet nëse novelën e nisi atë ditë që e pa filmin, apo pas një jave, a pas një muaji, por dihet që pas pak muajsh, ajo ishte e përfunduar. Pra, impulsi i novelës vjen nga filmi, të cilin ai mund ta ketë parë në Shkodër, ku kishte traditë të shfaqjes së filmave që nga viti 1909, kur Kolë Idromeno shfaqi filmin e parë. Nuk dihet me siguri nëse Migjeni e pa filmin në Shkodër (ku jetonte), në Mal të Zi (ku vizitonte motrën), apo Athinë (ku shkoi për shërim në korrik 1935), por dihet që filmin e pa dhe këtë e përmendi edhe në novelën të cilën duket se e shkroi i nxitur prej tij.

Ëndrra e Migjenit

Nuk ka asnjë dëshmi që Migjeni të ketë qenë në ndonjë nga shtetet e Evropës Qendrore, apo Evropës së Mesme, siç e quan ai. Dihet që ai shkoi në Itali (1937) me shpresë që po t’i përmirësohej shëndeti, t’i regjistronte studimet për letërsi. Por, shëndeti iu përkeqësua, dhe ai vdiq pa u bërë student. Edhe pse vetë nuk kishte qenë student dhe kurrë s’kishte qenë në Evropën e Mesme, personazhi i tij, Nushi, ishte student dhe kthehej në shtëpi nga Evropa e Mesme. Pra, diçka që s’kishte arritur ta realizonte vetë, ia kishte mundësuar personazhit të tij: “Në një ndër qytetet e Evropës së Mesme, Nushi po lexon letrën që po sa ja kish prumë letërshpërndasi. Edhe në dorë të shpërndasit e njofti letrën se ishte nga shtëpia. Po, zarf i bardhë në formë katrore, shtëpia e ulët, me një oborr të vogël me lule shumë. Mandej i ati – iu paraftyronte Nushit, mbasi ai e ka shkrruem letrën – tue hymë n’atë shtëpi, në muzg të mbramjes, dhe tue prue natën me vete.” 

Kështu, personazhi është dëshira, apo ëndrra e autorit. Nga psikanaliza tashmë e dimë se teksti letrar, ashtu si ëndrra, shpreh dëshirat dhe ankthet e autorit, dhe se shkrimi është manifestim i neurozave të shkrimtarit. Shkrimi është kodim (vetëcensurim) të cilin e çmonton dhe e çliron interpretimi. Meqenëse Migjeni po i drejtohej lexuesit shqiptar, i duhej të tregohej i kujdesshëm në trajtimin e kësaj teme që fliste për nderin, madje nderin e motrës. Rrjedhimisht, atij i duhej ta kodonte mirë e me kujdes, nëse shpresonte ta botonte. 

Kjo novelë është vepra më e pamoralshme në letërsinë shqipe (ky nuk është ofendim!), dhe kur them kështu, nuk akuzoj, as kritikoj, veç konstatoj duke u nisur nga shenjat e tekstit (simptomat e autorit). Incesti mes Nushit dhe motrës së tij, Agës, (incest i evidentuar së pari nga Aurel Plasari, në gazetën “Koha jonë”, më 1998), ulërin gjithandej nëpër tekst, mjafton të ndalemi te disa shenja: Nushi është kundër martesës së motrës; motra është e gëzuar vetëm pranë vëllait; vëllai herë pas here vë në dukje bukurinë e motrës; kur e kupton pastaj që motra e tradhton burrin, ai gëzohet. Të gjitha këto po të ishin shkruar nga një shkrimtar tjetër shqiptar në atë kohë, do të lexoheshin si shenja naiviteti, jo si shenja imoraliteti. 

Mirëpo, këtu s’kemi të bëjmë me një autor dosido, por me Migjenin, i cili lexonte, pos të tjerëve, edhe Niçen dhe Frojdin, dhe këtë novelë e shkroi pasi pa filmin më erotik të kohës dhe pikërisht në kohën kur shkrimet, ligjëratat dhe teoria e Frojdit ishin në kulm. Babai i Nushit e mendon martesën me kokë (dhëndrri është punëtor dhe i pasur, pra pse mos t’i jepet vajza?), vajza e sheh martesën me zemër (nuk e dashuron, madje nuk e pëlqen aspak, s’ia do zemra, pra si të martohet me të?), kurse Nushi, pasi ka pa filmin e Machatýt, pasi ka lexuar Frojdin e Niçen, e sheh martesën si raport seksual (dhëndrri i duket i shëmtuar, i cekët, i paaftë për t’ia bërë motrën të lumtur, pra pse të martohen, kur nga fillimi duket që ajo martesë do të dështojë?). Ajo që thuhej për teorinë e Frojdit, në novelën e Migjenit veç është kthyer në praktikë: rënia e dashurisë nga koka te zemra, nga zemra te seksi. Krejt novela sillet rreth seksit. Autori fut edhe këtë skenë në novelë, kur flet për Nushin dhe motrën e tij: “kur u duhej me ra me fjetë… përputheshin trup për trup… e kur trupat e tyne u nxejshin mjaftë, atëhere ndjejshin praninë e një gjasë së tretë, të huej, deri atëherë të panjoftun për trupnat e tyne, por që tash në nxehtësinë e dyshekut, ngjallej, rritej dhe i përkundte në gjumë t’ambël”. Kujtimet me motrën, gjumi me motrën, vallëzimi me motrën, sekretet me motrën, mëshira për motrën, janë vetëm disa nga shenjat të cilat Frojdi s’do t’i kalonte pa rënë në mendime.  

Skenë nga filmi “Ekstazë” i vitit 1933, nën regji të regjisorit çek Gustav Machatý

Provokimi i Migjenit nuk është këtu (se, tek e fundit, ai edhe vetë kishte pasur një lidhje incestuale me vajzën e tezës), por shkon edhe më tutje, duke e bërë pjesë të lojës edhe nënën e Nushit e cila kur i kishte parë fëmijët e saj duke fjetur bashkë të përqafuar (dhe të eksituar), nuk ishte tronditur, por kishte lakmuar: “Kur vinte e ama e i shifte ashtu të rrokun e në gjumë, kënaqej, por edhe një zili e vogël, mezi e vrejtun, ja turbullonte kënaqsin’ për një çast…” 

Frojdi ka folur për kompleksin e Edipit (dashurinë që ndien biri për të ëmën), kompleksin e Elektrës (dashurinë që ndien bija për të atin), por nuk ka folur për kompleksin e Klitemnestrës (kështu mund ta quajmë dashurinë që ndien nëna ndaj birit, Orestit, i cili ka një raport të ngushtë me motrën, Elektrën). Kështu që, Migjeni, si krijues shkon atje ku s’i lejohet Frojdit si teoricien. Duke e lexuar me syza të Frojdit, mund të thuhet se novela është një histori e koduar incestuale mes vëllait dhe motrës, ndërsa duke e lexuar me dalldinë e Migjenit, një dalldi kjo e nxitur nga teoria psikanalitike dhe veprat filmike, mund të themi se ajo flet edhe për një incest potencial mes birit dhe nënës. 

Nushi, që është kthyer nga Evropa e Mesme (me gjasë nga Çekia), e përmend në mënyrë eksplicite dhe jo sporadike, filmin e regjisorit çek: “Kur aty-këtu shifte përgatitjet që baheshin për darsëm, atij iu kujtonte një film, që kish pa dikur. Quhej ‘Ekstazë’. Ishte film i një martesës së papërshtatshme.” 
Kështu, Nushi para dasmës i tregon motrës për qytetin ku studionte (me gjasë ishte Praga), i flet për ndonjë skandal të vogël (ndoshta edhe për skandalin e filmit), kurse ajo e dëgjon dhe ëndërron. Ne e shohim Nushin duke i treguar motrës për jetën në Pragë, ta zëmë, por nuk e dëgjojmë. Migjeni këtu përdor teknikë tipike filmike. Por nga rrjedha e rrëfimit, nënkuptohet se ai i ka folur për filmin “Ekstazë”, ku një vajzë e re dhe e bukur martohet me një të moshuar të pasur, por, në pamundësi për ta konsumuar dashurinë me të, ajo lidhet me një djalë të ri [Parantezë: në takimin e tretë të tyre (së pari, Adami e takon Evën kur kjo është lakuriq në mal; së dyti, takohen natën në kabinën e tij të punës, ku ajo përjeton ekstazën/orgazmën; së treti, janë marrë vesh të takohen në një hotel), Adami rrugën për te hoteli e bën me Emilin (burrin plak të Evës), të cilin ai s’e njeh, por ky e njeh nëpërmjet zinxhirit të Evës që Adami s’e fsheh. Emili nga xhelozia i jep makinës më shpejt, derisa ndalet i djersitur dhe i skuqur nga lodhja dhe xhelozia. Adami e merr edhe Emilin në hotel, dhe e lë në një dhomë të kujdesen për të. Në dhomën tjetër shkon me gruan e Emilit, i cili duke mos e duruar muzikën dhe xhelozinë ndaj atyre dyve, vret veten]. Kështu do t’i ketë folur Nushi: “Nushi flitte me gjith’ dëshirë që ta kuptojë motra. Po, ta kuptojë motra, e nuk dinte ai se fjalët e tija dalkadalë përftojshin te motra një andër…” Nushi në novelë është njëfarë mënyre regjisori i rrëfimit. Ai mund të hiqet novela, pastaj paralelja me filmin bëhet krejt e dukshme (Agaja = Eva, Burri i Ages = Emili, Luli = Adami). 

Nushi duke i treguar motrës për jetën në Pragë, po i jepte një model, për ta përballuar martesën. Prandaj, ai nuk e qorton motrën, siç do të bënte një vëlla tradicional, por gëzohet kur kupton që ajo po e tradhton burrin. Ai gëzohet, sepse vetë ia kishte dhënë shembullin nëpërmjet filmit. Përderisa e kishte nxitur, kjo tradhti nuk i vjen e papritur. 

Kështu, Eva e filmit e shpëton nga dëshpërimi Agen e novelës. Machatý e ka nxitur Migjenin ta shkruajë novelën, Eva e inkurajon Agen ta tradhtojë burrin për t’i shpëtuar mërzisë së një martese të palumtur, të cilën Migjeni e ka trajtuar me një thellësi të pazakontë psikologjike.  

Mirëpo, përtej psikologjisë, novela e Migjenit ka edhe dimensionin filozofik. Kështu, ai pasi skandalizon me regjisorin çek (Machatý) dhe mjekun austriak (Frojdi), e mbyll novelën me kthimin te idhulli i tij, Niçe, i cili e çon përtej të mirës e të keqes, përtej moralit. Ai e kupton se kultura dhe edukimi jashtë vendit e kanë transformuar së brendshmi. Pasi largohet nga shtëpia e motrës, gjatë rrugës mendon se, po të ndihej shqiptar, do ta shkrepte pushkën për ta shpëtuar nderin. Por jo, në mendjen e tij kultura e mund kanunin. Kanuni mbron nderin, moralin, kurse Nushi s’i duron as moralin, as moralistët: “Unë jam pa moral, koncepti i em menduer – mos me thanë ideologjik – nuk pajtohet me moralin, të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, n’sa mbrapa ja loz lojën kur të due”. 

Deri tani, tema e incestit ka dhënë dy kryevepra shqiptare: novelën “Studenti në shtëpi” të Migjenit dhe romanin “Kush e solli Doruntinën” të Ismail Kadaresë. Çuditërisht, të dyja lidhen me Evropën Qendrore (Çekinë, apo Boheminë): Nushi vjen këtu për të studiuar, kurse Doruntina për t’u martuar. Nushi kthehet për motrën në Shqipëri, Konstandini çohet nga varri dhe vjen për ta marrë motrën në Bohemi.

Pjesë nga ligjërata e mbajtur në Universitetin e Pragës, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2024. Fusnotat i hoqi Redaksia. Botohet me leje të autorit.