Analizë e shkurtër e repertorit dhe performancave muzikore nga turneu koncertal i korit dhe orkestrës së shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë
Në duart e talentëve të rinj, muzika nuk bëhet thjesht një formë arti, por një shprehje e thellë e përkushtimit, pasionit dhe potencialit të pakufishëm. Një gjë të tillë e ka vërtetuar turneu i koncerteve të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë (8-16 maj 2024) me një seri prej katër koncertesh të mbajtura në Prishtinë (10 maj), Gjakovë (13 maj), Tiranë (15 maj) dhe Gjirokastër (16 maj) e që ishte një ekspozitë e jashtëzakonshme e talenteve të rinj muzikor, duke kulmuar me performanca që lanë gjurmë të pashlyeshme te secila audiencë.
Turneu filloi në Prishtinë me datë 8 maj, me hapjen e aktiviteteve me një fjalim hyrës nga drejtoresha e shkollës Jeta Dida-Bujari dhe fjalimin e muzikologes Kristina Palokaj-Perkola mbi jetën dhe veprën e kompozitorit Rauf Dhomi. Aktiviteti i mbajtur në shkollë me të pranishëm vetë R. Dhomin përfshiu edhe interpretime solo në piano të veprave të tij, interpretuar nga nxënësit: Lea Ballata, Ema Sefa, Risa Çitaku, Magdalena Sedaj dhe Yll Haliti. Koncerti qendror në Prishtinë, ishte ai i datës 10 maj, mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë, me një performancë inauguruese të korit dhe orkestrës së shkollës, e cila magjepsi audiencën, kjo sepse programi përfshinte një përzgjedhje ambicioze veprash nga Rauf Dhomi, Kujtim Nushi, Antonio Vivaldi, Johan Sebastian Bach, Wolfgang Amadeus Mozart dhe Bela Bartok, dhe duke demonstruar aftësitë teknike dhe ndjeshmërinë interpretuese të nxënësve. Koncertet (të cilat patën të njëjtin repertor në secilën paraqitje) nisën me dy vepra nga repertori krijues i kompozitorit Rauf Dhomi, duke i dhënë një ton introspektiv dhe nderues figurës se tij. E para ishte vepra “Rondo” për violonçel e piano, interpretuar me muzikalitet, qartësi dhe thellësi emocionuese nga nxënësit Bleta Martinaj (violonçel) dhe Yll Haliti (piano), kurse e dyta ishte vepra korale acapella “Të falemi o dhe” pjesë nga opera e Dhomit “Dasma Arbëreshe”. Rondoja për violonçel dhe piano me tekstura dhe pasazhe lirike siguroi një ndërveprim dinamik midis motiveve të muzikës shqiptare dhe elementeve të periudhës romantike, sepse në përgjithësi, stili muzikor i Rauf Dhomit karakterizohet nga shkrirja e tij unike e trashëgimisë së muzikës popullore shqiptare me kompozimin klasik dhe romantik, duke u qëndruar besnik formave me theks në stilin kombëtar-romantik. Edhe pse bashkëkohës me kompozitorët Z. Ballata dhe R. Rudi, në aspektin kompozicional R. Dhomi nuk ndan asnjë qasje të përbashkët stilistike me ata krijues, dhe pothuajse në të gjitha veprat e tij nuk shfaq tendenca avangarde, kurse krijimet e tij i karakterizojnë frymëzimet lirike dhe dramatike. Një dukuri e njëjtë stilistike është prezente edhe te vepra korale acapella e interpretuar nga kori, e cila me pastërtinë intonative interpretuese dhe me harmonitë me bukuri sublime përcjelli një emocion dhe përjetim të veçantë. Këto dy vepra të kompozitorit Rauf Dhomi krijuan një vazhdimësi tematike përgjatë serisë së koncerteve kushtuar atij, si një nderim i përzemërt dhe respekt për kontributin e tij në muzikën shqiptare, sepse ka disa vjet që shkolla “Prenk Jakova” në Prishtinë, koncertin e fundvitit shkollor ia dedikon një personaliteti që ka lënë gjurmë në muzikën mbarëshqiptare. Vepra e tjetër e interpretuar nga kori ishte një aranzhim tejet interesant i këngës shqiptare "A kane ujë ato burime" aranzhuar nga muzikanti Kujtim Nushi (profesor i lëndës së harmonisë në shkollën “Prenk Jakova”).

Kjo vepër nënvizoi rëndësinë e repertorit kombëtar, duke i lejuar korit të festojë dhe të ruajë trashëgiminë kulturore shqiptare përmes tingujve kombëtarë dhe harmonive klasike. Kërkesa për saktësi ritmike – sidomos te pjesa e përsëritjeve në mes zërave të cilat kanë krijuar përshtypjen e zhvendosjes së pulseve ritmike në krahasim me këngën në origjinal, pastaj harmonitë konsonante së bashku me vijat lineare dhe bukurinë lirike të temës së veprës – rezonuan te publiku duke krijuar një lidhje të fuqishme dhe duke shtruar skenën për kryeveprat klasike që pasuan. Këto dy vepra korale emocionuan sidomos publikun dhe audiencën tiranase në koncertin e mbajtur në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe për këtë pas koncertit u diskutua për shumë bashkëpunime dhe mundësi të reja në të ardhmen.
Duke kaluar pa probleme nga repertori kombëtar në atë klasik, kori dhe orkestra vazhduan performancat me veprën "Lacrimosa" nga W. A. Mozart. Kjo pjesë pati një rëndësi të veçantë sidomos për dirigjenten Lirjona Sylejmani, e cila e përzgjodhi qëllimshëm këtë vepër si homazh për mentorin e saj të ndjerë, dirigjentin Bajar Berisha, i cili u nda nga jeta në janar të këtij viti, e i cili ishte figura më meritore në rrugëtimin profesional të Sylejmanit. Interpretimi i kësaj vepre nga kori dhe orkestra e shkollës ishte një shfaqje magjepsëse e artit muzikor dhe thellësisë emocionale. Zërat e korit dhe kontrolli i tyre mbi dinamikën lejoi momente të cenueshmërisë së butë drejt kreshendove të fuqishme që rriteshin me intensitet. Ndërkohë, orkestra (në përbërje vetëm të korpusit harkor) siguroi një sfond ngjyrash orkestrale, duke rritur ndikimin emocional të vokaleve. Kori dhe orkestra dhanë një interpretim prekës të “Lacrimosas” me një ekuilibër delikat emocionesh dhe saktësie teknike, sepse siç dihet, interpretimi i kësaj vepre nga nxënësit e shkollës së mesme është sfidues për shkak të kompleksitetit dhe thellësisë emocionale të veprës. Vepra kërkon një nivel të lartë aftësie teknike, si dhe një kuptim të nuancuar të shprehjes dhe interpretimit muzikor, pjekuri dhe ndjeshmëri përtej nivelit tipik të muzikantëve të shkollave të mesme, prandaj një vepër e tillë mund të arrihet vetëm me punë këmbëngulëse dhe përkushtim kontinuitiv, e që një gjë të tillë e dëshmuan në këto koncerte nxënësit bashkë me dirigjenten L. Sylejmani.

Kalimi nga “Lacrimosa” e Mozartit në “Koncertin nr. 1 në d-mol” (koha I) të kompozitorit J. S. Bach, shënoi një ndryshim në tonin dhe stilin interpretativ të orkestrës. Performanca e koncertit të Bachut shfaqi aftësitë teknike dhe pjekurinë muzikore të instrumentistëve të rinj, duke ofruar një interpretim bindës të kësaj kryevepre të Barokut. Uniteti koheziv i orkestrës dhe vëmendja ndaj detajeve ishin evidente gjatë gjithë kohës, pasi ata lundruan ndërveprimin kompleks të zërave dhe temave me besim dhe finesë. Orkestra arriti me saktësi të kapte teksturat e ndërlikuara kontrapuntike dhe vitalitetin ritmik, kurse solistet (Elsa Gashi – soliste në koncertet në Prishtinë dhe Tiranë, dhe Ksena Bajrami – soliste në koncertet në Gjakovë dhe Gjirokastër) demonstruan një zotim virtuoz të instrumentit duke lundruar me saktësi dhe qartësi në pasazhet kërkuese. Interpretimi i kësaj vepre kërkon një kombinim të aftësive teknike, ndjeshmërisë muzikore dhe të kuptuarit historik. Duke adresuar këto nevoja, në turneun koncertal u veçua sidomos interpretimi virtuoz dhe brilant i pianistes (soliste) Elsa Gashi në koncertin e mbajtur në Prishtinë, si një interpretim bindës dhe tërheqës i kësaj vepre.

Pas interpretimit të Bahut, orkestra kaloi pa problem në një tjetër kryevepër barokiene: Koncerti “Vera” nga Antonio Vivaldi, për violinë dhe orkestër nga vepra “Katër stinët”. Kjo performancë vazhdoi eksplorimin në të njëjtin stil duke shfaqur aftësinë teknike dhe thellësinë shprehëse të muzikantëve të rinj, me një performancë solistike të spikatur nga nxënësja Aiola Bajrami. Që në notat e para të zjarrta të Allegro non molto, teknika e saj virtuoze dhe kuptimi i thellë muzikor ishin magjepsës për audiencën. Edhe orkestra ofroi një shoqërim të fortë dhe të nuancuar, duke lundruar me mjeshtëri në kontrastet dinamike dhe kompleksitetet ritmike të pjesës. Në Adagio, fraza shprehëse dhe loja emocionuese e Bajramit nxori në pah bukurinë lirike të lëvizjes së ngadaltë, kurse aftësia e saj për të përcjellë qetësinë para stuhisë, me një prekje të butë, theksoi shkathtësinë e saj si muzikante. Koha e fundit Presto ishte një përfundim emocionues i performancës, tek i cili shkëlqimi virtuoz i Aiola Bajramit përputhej me energjinë dhe ndërveprimin mes solistit dhe ansamblit duke kulmuar me një përfundim të fuqishëm dhe emocionues. Në fakt, interpretimi i koncertit “Vera” ishte si një moment kryesor i koncerteve.

Në repertorin muzikor të koncerteve të shfaqura në Tiranë dhe Gjirokastër u interpretua edhe vepra nga Vivaldi: “Koncerti për dy violina dhe orkestër në a-mol”, interpretuar nga solistët e talentuar Lindi Pasha dhe Sibora Resyli, duke i dhënë një tjetër shtresë thellësie dhe shkëlqimi koncertit. Në fakt, kjo vepër erdhi si kërkesë e këshillit organizativ të festivalit “Gjiroclassica”, i cili një vit më parë ishte mahnitur me lojën brilante të Lindit dhe Siborës. Interpretimi i tyre ishte një shfaqje mjeshtërore e aftësive të tyre teknike dhe bashkëpunimit harmonik, duke demonstruar sinergji të jashtëzakonshme, një ndjeshmëri ndaj lojës së njëri-tjetrit, dhe duke arritur një performancë të ekuilibruar dhe të integruar. Publiku në Gjirokastër e adhuroi veçanërisht këtë performancë. Vepra e fundit e koncerteve ishte një performancë e gjallë e "Valleve popullore rumune" të Béla Bartókut, duke shënuar një ndryshim dinamik në stil dhe një përfundim të përshtatshëm për programin e larmishëm të koncertit. Përfshirja e korpusit frymorë në orkestër për këtë pjesë i dha një dimension të veçantë performancave. Tonet e pasura, rezonante të instrumenteve frymore nxorën në pah elementet folklorike të kompozimeve të Bartókut, kurse orkestrimi lejoi një gamë më të gjerë timbresh dhe tekstesh. Vallet popullore rumune ofruan një kontrast të gjallë me pjesët e mëparshme megjithatë diversiteti stilistik shërbeu vetëm për të nxjerrë në pah aftësitë gjithëpërfshirëse muzikore të orkestrës.

Në gjithë këtë reflektim magjepsës dhe sukses të arritur, dy individë shquhen për përkushtimin e tyre të palodhur dhe rezultatet e jashtëzakonshme të marra nga përpjekjet e tyre. Dirigjentja Lirjona Sylejmani, një dirigjente revolucionare plot sharm dhe profesionalizëm, ka arritur ta ngrejë korin dhe orkestrën e shkollës në lartësi të reja. Puna e saj me nxënësit ka qenë e jashtëzakonshme, duke kulmuar me realizimin e këtij turi koncertesh. Udhëheqja dhe vizioni i Sylejmanit jo vetëm që i kanë udhëhequr këta muzikantë të rinj përmes një repertori të larmishëm dhe sfidues, por gjithashtu i kanë frymëzuar ata të japin performanca me cilësi të jashtëzakonshme dhe thellësi emocionale. Nga ana tjetër, aranzhimi dhe përshtatja e veprave për orkestrën e shkollës përfaqëson një përpjekje madhore, intensive dhe voluminoze. Fatbardh Dubovci, trombonist dhe kompozitor (njëherësh edhe koordinator i shkollës) ka realizuar paraprakisht një punë vendimtare në përshtatjen e këtyre kryeveprave në versione që janë të arritshme për interpretuesit e rinj dhe besnikë ndaj kompozimeve origjinale. Veprat duhej përshtatur për formacionin orkestral ekzistues të orkestrës së shkollës si rezultat i mungesave në disa instrumente kyçe (sidomos tek vepra e Bartókut), por gjithnjë duke e ruajtur në maksimum origjinalitetin tematik dhe tingullor të veprave. Këta dy muzicientë kanë krijuar një partneritet të fuqishëm dhe dinamik, duke kontribuar në suksesin e turneut të koncerteve të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, si dëshmi e punës së tyre të palodhur, vizionit dhe angazhimit të palëkundur për të ushqyer talentet e rinj.

Si përmbledhje, ky turne koncertesh ishte një sukses i jashtëzakonshëm, i karakterizuar nga rrjedha logjike, diversiteti stilistik dhe niveli i lartë i muzikimit të talentëve në rritje të një brezi të ri muzikantësh. Nga tingujt nacionalë, solemniteti i “Lacrimosa” të Mozartit, kontrapunkti i ndërlikuar i Bachut, energjia e zjarrtë e Vivaldit dhe më në fund sharmi rumun popullor i Bartókut, u shpalosën brenda koncerteve një gamë e gjerë shprehjesh dhe traditash muzikore. Prandaj, ky turne jo vetëm që theksoi talentin e jashtëzakonshëm të këtyre muzikantëve të rinj, por gjithashtu nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit kulturor dhe shprehjes artistike në fushën e muzikës klasike, si dhe i hapi rrugë bashkëpunimeve dhe projekteve të reja që do të pasojnë në vitet në vazhdim.
Autorja PhD. Cand. Kristina Palokaj-Perkola është muzikologe