Për aq kohë sa dokumentet e tilla nuk lejohet të bëhen subjekt i investigimit studimor, doktrina dhe krimet serbe do të mbesin të padënuara dhe bashkë me të edhe dokumentimi i ekzistimit të qëllimit shtetëror për zhbërjen e plotë të kompozicionit demografik të Kosovës, domethënë i gjenocidit të ndodhur në fundshekullin XX
Manipulimi me numrin e serbëve të larguar
Në diskursin e politikës zyrtare të Beogradit, ngjashëm si në periudhën e sundimit të Millosheviqit, bëhet një ekzagjerim ekstrem me numrat e serbëve të larguar. Ndërkohë që në Kosovë sipas regjistrimit të Beogradit me 1991 ka pasur jo më shumë se 194 mijë serbë, qeveria serbe flet për largimin e 250 mijë e më shumë serbëve nga Kosova. Edhe sipas të dhënave zyrtare të Qendrës për Hulumtime Demografike, institucioneve dhe Institutit të Shkencave Shoqërore të Beogradit në Kosovë, më 1991 kishte vetëm 194 mijë serbë.
Nëse sot në Kosovë konsiderohen se jetojnë 115-125 mijë serbë, atëherë del se shifra e saktë e të larguarve është jo më shumë se 57-66 mijë persona, duke përfshirë këtu pjesëtarët e policisë, ushtarakë, gjyqtarë dhe administratorë lokalë si dhe 18 mijë e 600 refugjatë serbë të cilët ishin vendosur aty nga Krajina e Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovina, si dhe një numër i vogël i serbëve të ardhur nga Shqipëria. Këto të dhëna konfirmohen edhe nga Qendra Koordinuese e Kosovës e Qeverisë së Serbisë, në shkurt 2002, e cila deklaronte se kishte 129 mijë e 474 serbë që jetonin në Kosovë, ndërsa Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) në vitin 2004 raportonte se në Kosovë kishte rreth 130 mijë serbë.
Ndonëse të gjitha krimet janë të pafalshme, por ekziston një dallim thelbësor dhe një lidhje shkakore e patejkalueshme. Këtë fenomen e ka pohuar edhe Dan Everts, ambasador dhe ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë (1999-2001), i cili thotë: “Për dallim me aktet e kryera nga shqiptarët kosovarë, spastrimi etnik i shqiptarëve nga serbët, qe fryt i një fushate sistematike, të planifikuar e të dëshiruar nga autoritetet më të larta, dhe që pleksnin si forcat e rregullta ashtu edhe vullnetare. Nuk ekziston asnjë provë e ngjashme me këtë, për një synim strategjik apo sistematik te shqiptarët e Kosovës”. Një argumentim të ngjashëm e bën edhe ish-ministri i Jashtëm jugosllav, politikani serb, Milosh Miniqi, që pohon se kur po ktheheshin mijëra shqiptarë të Kosovës të dëbuar nga Maqedonia, nga Shqipëria, Mal të Zi në qytetet dhe fshatrat e tyre të rrënuara dhe të djegura, “njëkohësisht, dhjetëra mijëra serbë, malazezë, romë dhe një numër myslimanësh dhe goranësh, në kolona të gjata, bashkë dhe paralelisht me kolonat e njësive ushtarake dhe policore, në frikë nga hakmarrja iknin nga Kosova në brendësi të Serbisë dhe të Malit të Zi. Nga frika e hakmarrjes për të gjitha që ua kishin bërë shqiptarëve në dhjetë vjetët e fundit, e posaçërisht nga fillimi i luftës në Kosovës, në emër të popullit serb dhe serbëve të Kosovës, pushteti, ushtria, policia dhe bandat paramilitare të cilave iu bashkuan edhe disa serbë të Kosovës, malazezë, romë dhe nga radhë të tjera, siç njoftojnë raportet në shtypin e huaj, ithtarë të Razhnatoviq Arkan dhe Vojisllav Sheshelit (Milosh Miniqi, “Serbia tjetër”, fq. 181).
Për më tepër, largimet masive si pasojë të luftës nuk janë të panjohura në Evropë. Të marrim rastin shpërnguljes dhe të dëbimit të 14 milionë gjermanëve nga vendet e Evropës Lindore në fund të Luftës së Dytë Botërore. Polonia, Sudetenland, Bohemia, Hungaria, Rumnaia, Vojvodina dhe Kroacia dhe popullata tjetër gjermane nga territori rus, por për këto reprezalje, një diskutim i lirë filloi vetëm pas ribashkimit, ekziston një lidhje shkakësore tepër e qartë. Josef Wolf, nga Instituti për Histori Danubo-Svabian dhe Studime Rajonale në Tübingen, thotë se bërja e qartë e një lidhje shkakore “do të thotë se nuk duhet harruar kurrë se dëbimet janë rezultat i asaj që bëri Gjermania me nisjen e Luftën së Dytë Botërore”. Një argument i tillë ishte pranuar edhe nga Konferenca e Potsdamit (17 korrik – 2 gusht 1945), e cila dëbimin e popullsisë etnike gjermane e konfirmoi përmes thirrjes që një gjë e tillë të bëhej "në mënyrë të rregullt dhe njerëzore”.
Arsyeja prapa refuzimit të Serbisë për pranimin e krimit dhe gjenocidit
Derisa krimet e luftës mbesin një njollë e pashlyeshme, në Serbi krimet justifikohen në kontekstin e ndërtimit të një shteti të madh dhe homogjen. Si pasojë, edhe gjykimi mbetet sipërfaqësore ose provizore. Përveç kësaj, nëse shikojmë historinë e bashkëpunimit të Beogradit me TPNJ-në, atëherë shohim se autoritetet serbe të Beogradit kanë përzgjedhur pjesë të provave të rëndësishme dhe i kanë vendosur nën mbrojtje institucionale për të mos u bërë të ditura. Kjo qasje e Serbisë për fshehjen e dokumenteve në fund u shpërblye, pasi në vitin 2007, GJND-ja e liroi Serbinë nga përgjegjësia si shtet për gjenocid në Bosnjë–Hercegovinë. Fshehja e dokumenteve në këtë rast e mbrojti Serbinë nga akuza për gjenocid.
Sipas ekspertes Nevenka Tromp, historia tregon se shtetet rrallëherë janë të gatshme të pranojnë krimin e gjenocidit, të paktën për tri arsye, dhe tri këto arsye shpjegojnë (mos)bashkëpunimin e Serbisë me TPNJ-në dhe GJND-në.
E para, shteti i akuzuar dhe i gjetur ligjërisht përgjegjës për shkelje të Konventës për Gjenocid, në GJND ka më se të ngjarë të urdhërohet të paguajë shuma të jashtëzakonshme si dëmshpërblim për palën e dëmtuar, shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët. Për rrjedhojë, asnjë shtet – qoftë regjim pjesëmarrës në konflikt, qoftë regjimi vijues pas luftës – nuk do të pranonte vullnetarisht kryerjen e gjenocidit dhe, kësisoj, as dorëzimin e dokumenteve të arkivit shtetëror të tij, që do të shërbenin si provë. Prokurorët e TPNJ-së, ndryshe nga homologët e tyre të Nürembergut, nuk kishin qasje të plotë ose të lirë në materialin shkresor të gjendur në arkivin e vendit të ish-udhëheqësit.
E dyta, dokumentimi nga gjykata se është kryer gjenocid bëhet dokumentacion i përhershëm historik, çka do ta njolloste atë shtet përgjithmonë. Duke krijuar një kundërnarrativë, që është thelbësore për të mohuar pretendimet për përfshirjen e Serbisë në gjenocid, elita e sotme e shtetit në Beograd, në drejtimin e Vuçiqit, ish-ministër i Informacionit të në Qeverinë e Millosheviqit, është rrekur qëllimisht të barazojë përgjegjësinë kriminale e historike, ose, t’i paraqesë viktimat si autorë kryesorë të krimeve.
E treta, mospranimi i krimeve të kryera nga regjimi i mëparshëm (Millosheviqit) e lë të lirë regjimin pasardhës (Vuçiqit) të ndjekë objektivat gjeopolitike të papërfunduara, që pararendësit e tij nuk arritën t’i realizojnë, me gjithë kryerjen e krimeve çnjerëzore në masë.
Emri i Millosheviqit – sinonim i masakrave dhe krimeve çnjerëzore
Megjithatë, dështimi në arritjen e objektivave të tjerë u shoqërua me egërsi dhe krime çnjerëzore në masë, që nuk i kishin parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kështu, emri i Millosheviqit u bë sinonim i masakrave dhe krimeve çnjerëzore. Pikërisht, kjo është arsyeja përse shtetet agresore dhe përgjegjëse për krimet e luftës i rezistojnë ballafaqimit me të kaluarën dhe përpiqen që të kaluarën kriminale ta fusin në tepih. Dhe për aq kohë doktrina e saj serbomadhe, e cila tani ka marrë forma të reja, herë-herë në rënie, herë-herë në ngritje, në varësi të rrethanave politike të brendshme dhe të jashtme mbetet e padënuar, ajo paraqet një formë e kërcënimit permanent për vendet e rajonit në përgjithësi.
Qasja e (pa)penguar në arkiva
Përballja me krimin mbetet testi themelor për shoqërinë serbe dhe do të jetë provë për shkallën e saj të emancipimit. Përgjegjësia ndërkombëtare e Serbisë, edhe sipas së drejtës ndërkombëtare publike, është përgjegjësi politike materiale dhe morale. Shenja e parë pozitive do të ishte qasja në dosjet e krimeve të luftës për gazetarët, studiuesit dhe publikun e gjerë, për të ndriçuar kështu një pjesë tepër të rëndësishme të historisë së kohëve të fundit. Arkivat shtetërore serbe sigurisht përmbajnë dokumente të shifruara për operimin njësiteve të armatosura serbe në Kosovës dhe për metodat e dëbimit dhe të vrasjeve në masë të civilëve shqiptarë. Ilustrues është rasti i refuzimit të Ministrisë serbe të Mbrojtjes për dorëzimin e raporteve të luftës të Brigadës së Motorizuar 37 për datën 5 (dita e krimit në Rrezallë) dhe 6 prill të vitit 1999, me arsyetimin se i gjithë arkivi i Brigadës së 37-të ishte klasifikuar sekret shtetëror.
Qasja në arkivat ushtarake serbe, të cilat do të dokumentonin raporte të luftës së kësaj brigade si dhe operacionet shtetërore serbe në luftën e Kosovës, do ta bënin të mundur zbardhjen e të vërtetës, gjykimin e autorëve të vërtetë të këtyre krimeve, si dhe përballjen kritike më të kaluarën. Studiuesit kroatë Mirko Grmek, Marc Gjidara dhe Neven Simac, pohojnë se në vigjilje të ngjarjeve që çuan në shpërbërjen Jugosllavisë se ish-JNA kishte përpunuar shumë plane, të cilat synonin të përgatisnin shtegun për përcaktimin e kufijve të rinj dhe krijimin e Serbisë së Madhe, si dhe parashikonin spastrimin etnik të hapësirës tokësore dhe bashkimi i të gjithë serbëve në një shtet. Prandaj, për t’i përdorur ato si prova në gjykata, duke përfshirë edhe Gjykatën Speciale në Hagë, do të duhej të sekuestronte arkivat e shtetit dhe të Partisë Socialiste të Serbisë, ashtu siç bënë fuqitë aleate në procesin e Nürmbergut. Ose të paktën do të duhej të detyrohej Beogradi që Arkivit të Shtatmadhërisë Serbe, përkatësisht dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes, t’u hiqej çfarëdolloj embargo e vënë nga drejtuesit aktual dhe ata paraprak të shtetit serb. Për aq kohë sa dokumentet e tilla nuk lejohen të bëhen subjekt i investigimit studimor, doktrina dhe krimet serbe do të mbesin të padënuara dhe bashkë me të edhe dokumentimi i ekzistimit të qëllimit shtetëror për zhbërjen e plotë të kompozicionit demografik të Kosovës, domethënë i gjenocidit i ndodhur në fundshekullin XX. Beogradi do që gjenocidin e ndodhur në Kosovë ta bëjë sa më vështirë të verifikueshëm.