Siç shihet edhe nga vetë titulli “E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia ndër shqiptarët e Kosovës” studimi edhe pse në fokus ka Opojën megjithatë për shkak të të përbashkëtave tek e gjithë popullata, lehtë mund të flitet për kontekstualizim të “ideologjisë” në mbarë Kosovën e mbase edhe më gjerë. Ky libër paraqet një studim të thellë antropologjik, një etnografi të ngeshme, në të cilin autorja shpërfaq dimensione të shumta të jetës në Opojë dhe në Kosovë
Lumnije Kadriu
Janet Susan Reineck, autore e disertacionit “E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia ndër shqiptarët e Kosovës”, mund të them lirisht se është bërë një personalitet mjaft i njohur dhe i dashur në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Fillimisht për faktin se që nga vitet e 1980 deri në vitet 1990, kishte kryer hulumtimin për tezën e Masterit si dhe të Doktoratës, pastaj që nga viti 1994 për punën e saj humanitare në Kosovë përmes organizatës jofitimprurëse OXFAM, por së fundi edhe me botimin e librit autobiografik “Një amerikane në Kosovë: 1981-1997” botuar nga shtëpia botuese “Cuneus” në vitin 2022.
Në vitin 2024, ajo ka vendosur që të jetojë në Kosovë, ku është bërë e njohur edhe me mbajtjen e kurseve të valleve në kuadër të organizatës “World Dancers for Humanity” (Valltarët e Botës për Humanitet).
E lindur në vitin 1954 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fund të viteve 1970 ishte përcaktuar të studionte Etnologjinë në UCLA (Universiteti i Kalifornisë në Los Angeles). Pas diplomimit ishte e interesuar që për hulumtime të nivelit Master të merrej me studimin e valleve të ndonjë populli të Evropës Lindore. Ishte njohur me vallet rumune, bullgare, hungareze, maqedonase e kroate, por në Festivalin e Folklorit në Zagreb në vitin 1981 vallet e shqiptarëve të Kosovës e kishin pushtuar kureshtjen e saj. Kështu, përkundër dekurajimit të kolegëve dhe të afërmve që të bëjë hulumtimin për shqiptarët e Kosovës, vend ky i banuar me një popullatë tejet të panjohur dhe paksa misterioz si dhe vend tejet i trazuar politikisht pas vdekjes së Josip Broz Titos, ajo vendoset në Kosovë dhe përfundon në vitin 1985 tezën e Masterit me titull “Wedding Dances from Kosovo, Yugoslavia: A Structural and Contextual Analysis” (Vallet e dasmës nga Kosova, Jugosllavia: analizë strukturore dhe kontekstuale).
Lidhjet e saj me Kosovën ishin bërë të forta dhe kështu, sërish, përkundër vështirësive të shumta në Kosovë, ajo vendos që edhe tezën e doktoratës me titullin e sipërpërmendur ta bëjë në Kosovë, respektivisht në krahinën etnografike të Opojës.
Siç shihet edhe nga vetë titulli “E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia ndër shqiptarët e Kosovës” studimi edhe pse në fokus ka Opojën megjithatë për shkak të të përbashkëtave tek e gjithë popullata, lehtë mund të flitet për kontekstualizim të “ideologjisë” në mbarë Kosovën e mbase edhe më gjerë. Por, Opoja si krahinë etnografike e vendosur thellë në pjesën jugore të Kosovës, në një peizazh malor, që kufizohet nga perëndimi me Shqipërinë e nga lindja e jugu me Maqedoninë e Veriut ka specifikat e veçantitë e veta socio-kulturore, historike dhe politike. Pikërisht për këtë arsye kjo krahinë etnografike kishte tërhequr dhe vazhdon edhe më tej të tërheqë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve vendorë dhe të jashtëm.
Reflektimet përtej etnografisë lokale
Ky libër paraqet një studim të thellë antropologjik, një etnografi të ngeshme, në të cilin autorja shpërfaq dimensione të shumta të jetës në Opojë dhe në Kosovë. Përveç të dhënave të rëndësishme demografike e gjeografike të qenësishme janë të dhënat historike dhe përshkrimet e konteksteve shoqërore e kulturore të së kaluarës që ndihmojnë të kuptuarit e kohës së viteve 1980. Këtë kuptueshmëri autorja e ofron dhe mbartë jo vetëm si njohuri të marrë me anë të bisedave spontane gjatë qëndrimit të saj disavjeçar atje, por edhe me vëzhgime dhe pjesëmarrje aktive duke arritur përjetimet e një vendasi. Reflektimet e saj për probleme të caktuara shkojnë përtej etnografisë lokale. Përmes literaturës e teorive ajo bën krahasime me kultura të tjera të cilat e ndihmojnë të arrijë te përfundime tejet origjinale. Bie fjala, kur disa tradita konservatore u përshkruhen shqiptarëve për shkak të përkatësisë fetare islame, ajo me sukses argumenton që po i njëjti konservatizëm është i pranishëm edhe te shqiptarët e besimit katolik. Me këtë autorja dëshmon se shqiptarët kanë jetuar që moti në një kontekst të veçantë kulturor me kontekste të ndryshme historike (para-otomane e otomane, Luftërat Ballkanike e Botërore, Jugosllavia mbretërore, Parasocialiste e Socialiste) të cilat e lanë Kosovën tejet të neglizhuar dhe me një zhvillim tejet të ngadalshëm i cili ndikoi në qëndrueshmërinë e konservatizmit te ta.
Prandaj, për të lehtësuar kuptimin e mendësisë së shqiptarëve dhe strehimin në të kaluarën dhe qëndrueshmërinë e saj, autorja përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit si e drejtë dokësore në të cilën mbështeten shqiptarët, sjell shpjegimin e gjithë rregullimit shoqëror, duke filluar nga koncepti i fisit e më poshtë tek ai i farefisit, kushërinjve e të afërmve tjerë nga linja atnore e amnore, pastaj familja e madhe dhe familja e ngushtë apo nukleare. Përshkruan rolet e anëtarëve të familjes dhe negocimet brenda dhe jashtë familjes si rrjetëzim të gjithë strukturës shoqërore. Përmend devijimet nga kanuni dhe pasojat e tyre sipas Kanunit dhe ndalet më gjatë te jeta e grave që është edhe fokus i hulumtimit të saj. Jeta e gruas e ndikuar nga tradita, zhvillimi e migrimi analizohen gjerësisht e thellësisht në mënyrë diakronike e sinkronike. Autorja përshkruan dhe shpjegon zhvillimet, ngecjet dhe kthimet mbrapa në traditë në përvijim kohor duke e bërë mirë të kuptueshme edhe pse jo gjithherë të akceptueshme strehimin në të kaluarën, e cila ndonjëherë, siç thotë autorja, mund të kuptohet e interpretohet si gjetje e sigurisë së burrave në patriarkalitet në mungesë të gjetjes së sigurisë në kontekst socio-ekonomiko-politik.

Rëndësia e shumëfishtë dhe vlera që rritet me kohë
Rëndësia e këtij studimi është e shumëfishtë dhe fiton edhe më shumë vlerë me kalimin e kohës dhe dinamikën e ndryshimeve bashkëkohore. Aq më tepër që ngelet një pikë referimi për studimet e mëvonshme siç është edhe rasti i autores Carolin Leutloff-Grandits e cila e filloi kërkimin e saj po në Opojë në vitin 2011, përafërsisht 10 vjet pas luftës së fundit në Kosovë dhe 25 vjet pas kërkimit të Janet Reineck duke bërë kështu të mundur vëzhgimin antropologjik të krahinës në dy kohë, dy regjime, dhe dy kontekste të ndryshme me fokus migrimin dhe ndikimin e tij në familje, gjini, dhe breza, që domethënë në gjithë mënyrën e jetesës. Migrimi si një fenomen i pandalshëm dhe në rritje në Kosovë si edhe gjetiu po merr vëmendje çdo herë e më të madhe edhe nga studiues të shumtë përfshirë edhe migrimin e kthimit duke u përqendruar në efektin e tij në integrim social, ndryshimet në familje, në standardin jetësor, ndryshimin e riteve, ruajtjen e tyre, zhvillim të vendit, ndërrmarrësinë transnacionale, migrimin e kthimit pas pensionimit si dhe motive të tjera familjare.
Mund të them se përkthimi i këtij studimi më solli mjaft kënaqësi. Më kujtoi që unë isha vetëm 11 vjeçe kur në televizion pashë emisionin ku flitej për një amerikane e cila po interesohej për kulturën tradicionale të shqiptarëve të Kosovës. Gjatë leximit dhe përkthimit shpeshherë identifikohesha dhe ndieja thellë ndikimet politike e sociale që ishin në proces, për dallimet fshat-qytet, stereotipat e paragjykimet rreth prapambeturisë, shkollimit, emancipimit, gjinisë, patrairkalitetit; nevojën e distancimit nga e kaluara dhe krijimit të identiteteve moderne në shoqërinë kosovare, e shumë të tjera.
Si çdo përkthim, edhe përkthimi i këtij teksti ishte me mjaft sfida, sidomos kur bëhej njëkohësisht edhe përkthimi i një teksti profesional anglisht edhe i shumë pjesëve të cilat ishin në anglisht por paraprakisht të folura e thëna në dialektin lokal, për të cilin as unë si shqiptare nuk mund të jem e sigurt se si ishin folur. Prandaj të gjitha fjalët e bashkëbiseduesve shqiptarë i kam përkthyer në gjuhën standarde shqipe. Autorja në tekstin e saj anglisht ka lënë në italik shumë fjalë e fjali ashtu siç i ka dëgjuar në shqip dhe ato të tilla i kam lënë edhe unë. Në disa raste ato duken se janë shënuar me gabime por këto, sipas mendimit tim, vetëm sa e shtojnë origjinalitetin e një teksti të shënuar nga një amerikane e cila po mësonte shqip. Shumë paragrafë autorja i ka marrë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit të cilët ajo i sjell të përkthyera në anglisht. Për hir të referimit korrekt dhe të drejtë ato nye/nene dhe paragrafë unë i sjell ashtu siç janë shënuar në vetë botimin e titulluar “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi, me biografi dhe parathënie të Syrja Pupovcit, botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1972. Nëse është paraqitur nevoja në fusnotë kam dhënë edhe sqarime shtesë lidhur me koncepte të caktuara por edhe fjalë shqipe që nuk përdoren më, apo përdoren rrallë.
Përkthimi i këtij studimi është tejet i vlefshëm si dokumentim i jetës dhe kulturës shqiptare në Kosovë në një periudhë të caktuar e cila do t’i hyjë në punë lexuesve të profileve të ndryshme, studentëve, studiuesve e kureshtarëve të tjerë.
Në fund, falënderoj autoren Janet Reineck për gatishmërinë të më japë sqarime në raste të disa dilemave. Falënderoj gjithashtu Arsim Canollin për besimin që ta përkthej këtë tekst, si dhe për leximin e sugjerimet në proces të përkthimit.
Ky tekst është parathënie e botimit në gjuhën shqipe të librit “E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia ndër shqiptarët e Kosovës”, i përuruar të enjten në Prishtinë. Botohet me leje të autores.