Shtojca për Kulturë

Dy zëra shkrihen në harmoni për barok e romantizëm

Fuqia dhe kthjelltësia e zërit ishte ajo që karakterizoi interpretimin e dyshes Kaltrina Miftari dhe Safet Berisha shoqëruar nga Lekë Salihu në piano

Sopranoja Kaltrina Miftari e kontratenori Safet Berisha, shoqëruar në piano prej Lekë Salihut, në mbrëmjen operistike në koncertin e pestë të edicionit të 13-të të “Chopin Piano Festit”, i kanë sjellë publikut në rrugëtim nëpër barok e romantizëm, por harmonia e këtij çifti jo vetëm në skenë, ka qenë kryefjalë e interpretimit

Një rrugëtim përplot ngjyrime e kapërcime nëpër veprat e disa prej kompozitorëve më të shquar të periudhës së barokut e romantizmit ka qenë koncerti i sopranos Kaltrina Miftari e kontratenorit Safet Berisha. Nën përcjelljen e pianistit Lekë Salihu, dyshja solli edhe dy duete si dhe interpretoi këngë filmash të njohur. Fuqia dhe kthjelltësia e zërit ishte ajo që karakterizoi interpretimin e kësaj dysheje.

Jo pak njerëz kishin zënë vend në sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, të premten mbrëma aty ku rëndom po zhvillohen aktivitetet e “Chopin Piano Fest”. Fikja e dritave ishte shenja që njoftonte se koncerti do të niste shumë shpejt. Paralelisht me të edhe publiku bëri lëvizjet e fundit dhe kështu zhurma e tollovia nisnin ngadalë t’ia linin vend rendit e qetësisë. Lëvizja e perdeve të kuqe të cilat fshihnin prapaskenën ishte shenja e parë që publiku shihte teksa artistët nisën të dalin në skenë. Në po këtë moment, në shenjë mirëseardhjeje, publiku nisi duartrokitjet.

Nuk u desh edhe shumë kohë e në sallë u dëgjuan tingujt e “Ombra mai fu” të kompozitorit të njohur gjermano-anglez George Frideric Handel. Ishte kontratenori Safet Berisha ai që hapi koncertin, shoqëruar nga pianisti Lekë Salihu. Zëri i tij nuk është i veçantë dhe i qaset butësisht atij të sopranos. Me kthjelltësi, butësi e thellësi Berisha interpretoi edhe tri këngë të tjera teksa vazhdoi të qëndronte te disa nga veprat e kompozitorëve më të shquar të periudhës së barokut. Interpretoi “Cara sposa” po të Handelit, “Fac ut portem” të Giovanni Battista Pergolesi dhe “Music for a While” të Henry Purcell.

Por dinamika e koncertit ndryshoi atëherë kur në sallë u shfaq sopranoja Kaltrina Miftari. Erdhi me tingujt romantikë të “Ne proy, krasavitsa, pri mne” kompozuar nga pianisti e dirigjenti i njohur rus, Sergei Rachmaninoff. Zëri i saj erdhi plot fuqi duke gllabëruar hapësirën tej e tej sallës. Ishte i tillë çfarë impononte përqendrim, kërkonte vëmendjen e secilit në publik. E tillë ishte edhe kur ulej në nota më të buta. Interpretimi i saj reflekton vetëbesim i cili nuk lëkundet as nëpër kapërcimet e shpeshta të notave. Siç duket publiku i do shpërthimet, tingujt e lartë, të gjatë e dramatikë dhe të tillë ia servoi edhe ajo. Interpretoi “Solveig’s song” të norvegjezit Edvard Grieg” e “Donde lieta usci” të Puccinit. Me plot nur e virtuozitet Miftari e futi publikun edhe në folklorin shqiptar teksa interpretoi “Kenke nuri i bukurisë” të Bejto Halilit.

Por dyshja Berisha e Miftari, të cilët në jetën reale janë burrë e grua sollën një interpretim plot sentimentalizëm e melankoli teksa interpretuan dy këngë filmash. Ishte “Lippen schfeigen” nga filmi “The Merry Window” e kompozitorit austro-hungarez Franz Lehár dhe “Tonight” të filmi muzikal “West Side Sotry” të kompozitorit Leondar Bernstein.

Kontratenori Safet Berisha është shprehur i lumtur me mikpritjen që mori nga publiku. Teksa ka folur për përgatitjet dhe punën që është bërë deri në realizimin e këtij koncerti, ka treguar edhe anët pozitive e negative të të punuarit në çift.

“Kaluam shumë bukur sonte. Përveç që interpretuam edhe u kënaqëm e kjo falë mikpritjes së publikut kështu që ishte shumë bukur. Është sfidë e veçantë, për shkak se jemi të dy të një profesioni pastaj edhe kritikat janë pak problem. Kjo është ajo ana e vështirë se gjithmonë e kritikoni njëri-tjetrin dhe nuk i pranon bash kritikat e partnerit po njëkohësisht i ka edhe anët e mira se jeni një kohë më të gjatë bashkë edhe përzgjedhja. Pastaj në skenë është edhe ajo harmonia dhe edhe nëse dominon partneri nuk është se ndihesh keq e ndoshta edhe ndjehesh më mirë. Siç ndodhi edhe sonte ku Kaltrina dominoi”, ka thënë ai duke qeshur.

Përveç shoqërimit të dy solistëve, pianisti Lekë Salihu pati edhe një performancë solo teksa interpretoi “Polonaise in A major” të Chopinit. Ishte ky moment kur vëmendja e publikut u përqendrua komplet te ai. Vepra ritmike kërkon manovrime të shumta. Është ideale për pianistë në zbërthim teknikash.

Pas përfundimit të koncertit ai është shprehur i lumtur me vijueshmërinë e kësaj mbrëmjeje, teksa ka folur edhe për bashkëpunimin me dy solistët.

“Ishte një mbrëmje shumë e këndshme, me muzikë të llojllojshme të muzikës klasike dhe unë pata rastin të luaj një pikë solo në piano të Frederic Chopi. U kënaqëm shumë. Besoj që edhe publiku është kënaqur po kaq shumë. Puna mes instrumentistëve të ndryshëm e posaçërisht me këngëtarë është më specifike. Kërkon ndjeshmëri edhe aftësi dhe kujdes të posaçëm ndaj punës. Ne patëm një eksperiencë tepër të mirë. Kemi pasur edhe kohë të përgatitemi dhe besoj që në fund kemi qenë edhe vetë të kënaqur dhe shpresoj që të kem prapë kënaqësinë të bashkëpunoj me këngëtarë si Kaltrina e Safeti”, ka thënë ai.

Kritika pozitive për interpretimin e dy solistëve dhe pianistit ka pasur edhe baritoni njëherësh anëtarë i korit “Siparantum”, Shaban Behramaj. Ka veçuar posaçërisht përzgjedhjen e programit.

“Fillimisht jam shumë i lumtur që sonte pata mundësi me ndjekë një koncert prej dy kolegëve të mi të dashur dhe shumë të çmuar, dy solistë të mrekullueshëm. Unë i njoh prej vitesh dhe në njëfarë forme jam rritur me ta. Sonte unë u kënaqa shumë dhe i përgëzoj edhe organizatorët e festivaleve edhe pianistin Lekën që e ka përzgjedhur një program shumë të bukur, shumë të mirë menduar dhe na sollën emocione shumë shumë të bukura. Unë për vete u kënaqa me çdo pikë të këtij koncerti”, ka thënë ai.

Aktiviteti i radhës së “Chopin Piano Fest” do të jetë të hënën ku do të interpretojë pianistja suedeze, Maria Lettberg.