Shtojca për Kulturë

Dy rrëfime paralele, dy epoka të ndryshme dhe shumë të përbashkëta

Më kishte thënë se rrëfimi për Nopscan e kishte intriguar aq shumë saqë e kishte frymëzuar për ta shkruar një roman, i cili bosht do ta kishte baronin austro-hungarez. Majlinda Bregasi e shkroi, “Stinën e pestë”, një roman shumë të bukur e interesant, ku ndërthur dy rrëfime paralele që zhvillohen në dy epoka të ndryshme, por që kanë aq shumë të përbashkëta saqë ndalesh e mendon se, ose koha është ndalur, ose në fakt njerëzit, pavarësisht epokave në të cilat jetojnë, nuk dallojnë shumë për nga tiparet

Edhe pse duket apo edhe tingëllon e pabesueshme, “KOHA Ditore” u bë 25 vjeçe.

Është çerekshekulli i një pune kolosale e shkollës së gazetarisë profesionale në Kosovë, që pavarësisht kohëve dhe sfidave, i ka ruajtur, e për më tepër edhe i ka betonuar fort, dy shtyllat kryesore të saj: besueshmërinë dhe pavarësinë redaktoriale.

Dhe me gjithë faktin se ka dy vjet që gazeta nuk shtypet në letër, si pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimit të pandemisë, gazeta vazhdon të përgatitet dita më ditë, ashtu siç është vepruar 8873 herë deri në ditëlindjen e saj të 25-të, më 31 mars.

Një falënderim dhe një “ju lumtë” e madhe shkon për gjithë ekipin i cili bën që misioni i KOHËS të jetësohet pa asnjë kompromis.

* * *

Kishim vendosur që kjo ditëlindje jubilare të kremtohej pak më ndryshe se herëve të tjera. Kësaj radhe muzika i hapi rrugë librit dhe në vend të një koncerti gala, vëmendjen e kthyem nga kjo hapësirë simpatike që është edhe plotësim i një ëndrre të kamotshme.

Librarinë që e hapim sot, e kemi menduar si një vend ku leximi do të mund të shoqërohej me një kafe të shijshme, e edhe me shkëmbim bisedash për letërsinë, e edhe me përurime librash që sjellin, ndër të tjetra, kulturë, dije, shtendosje dhe kënaqësi.

* * *

Prandaj, e besoj se nuk ka pasur zgjidhje më të mirë sesa që sot të mblidheshim për të folur dhe për ta përuruar romanin më të ri, të publikuar nga shtëpia jonë botuese.

Emrin e ka intrigues, ashtu siç është edhe vetë romani. “Stina e pestë” është i ndërtuar mbi historinë e njëmendtë, në të cilën Majlinda “u dashurua” gjatë pandemisë – atëherë kur kishim kohë me bollëk për të lexuar, po të donim ?.

Më kishte thënë se rrëfimi për Nopscan e kishte intriguar aq shumë saqë e kishte frymëzuar për ta shkruar një roman, i cili bosht do ta kishte baronin austro-hungarez.

E shkroi një roman shumë të bukur e interesant, ku ndërthur dy rrëfime paralele që zhvillohen në dy epoka të ndryshme, por që kanë aq shumë të përbashkëta saqë ndalesh e mendon se, ose koha është ndalur, ose në fakt njerëzit, pavarësisht epokave në të cilat jetojnë, nuk dallojnë shumë për nga tiparet.

Për herë të dytë pata nderin dhe kënaqësinë që ta redaktoja një roman të Majlindës. Romani paraprak, “Gërsheti i prerë”, solli një tekst shumë të mirë, një lloj përshkrimi të prototipit të një qenieje të rëndomtë që e mbijeton ose jo katrahurën e diktaturës shumëdekadëshe në Shqipëri, duke kërkuar shpëtimin jashtë shtetit.

Dinamikën e atij teksti ia del ta mbajë edhe në romanin e ri, të katërtin me radhë, të cilin e çmoj si më të mirin që e ka shkruar deri tash. Rrjedhshëm, me shumë fakte, me përshkrim të lehtë e të bukur dhe me gjuhë të pasur – kalimi prej kapitullit në kapitull është përherë më cytës dhe intrigues. Dhe më impresivet te vetë romani janë imagjinata dhe logjika të cilave Majlinda u qaset për t’i vënë rrëfimet në ndërveprim.

* * *

E patëm vendosur që kremten ta kishim më ndryshe, dhe nuk ka dyshim se ia dolëm. Në ditën kur shënojmë 25 vjet histori, në librarinë tonë, sot e përurojmë një roman historish që e mbajnë gjallë kërshërinë deri në shkronjën e fundit.

Urime Majlinda!

Fjalë e lexuar në inaugurimin e kafe-librarisë KOHA dhe përurimin e romanit “Stina e pestë” të Majlinda Bregasit, më 31 mars 2022, në 25-vjetorin e gazetës “KOHA Ditore”