Shtojca për Kulturë

Dy paralele nëpër histori: Kosova dhe Izraeli

Kosova dhe Izraeli janë shumë larg mes vete, por në historinë e popujve të këtyre dy vendeve ka shumë paralele dhe të përbashkëta

“Ashtu si hebrenjtë, të cilët kanë qenë pa shtet për një periudhë të gjatë kohe, edhe ata (shqiptarët e Kosovës) janë kështu edhe sot, prandaj shumë nga ne e kuptojmë dhe e mbështesim çështjen e tyre për vetëvendosje dhe pavarësi”, shkruante profesori hebraik i shkencave politike në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, Shlomo Avineri, në një letër të botuar në “Jerusalem Post” më 2 janar 2008, vetëm një muaj para se Kosova të shpallte pavarësinë e saj.

Ky mendim krahasues i profesorit Avineri është paralelja më kuptimplotë që dëshmon se dy vendet dhe kombet relativisht të vegjël, gjithmonë kanë luftuar për të drejtën e tyre që të jetojnë të lirë. Ishte pikërisht ky rrugëtim i njëjtë që i bëri shqiptarët t’i ofronin mikpritje, strehim dhe mbrojtje komunitetit hebraik gjatë përndjekjes dhe Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa një gjysmëshekulli më vonë ishin hebrenjtë, diaspora e tyre dhe vetë shteti i Izraelit që u dolën në ndihmë shqiptarëve të Kosovës, të cilët, veçanërisht në vitet 1998/99 po përballeshin me kërcënimin gjenocidal për shfarosje nga regjimi fashist i Milosheviqit.

Jo rastësisht, krimet e Milosheviqit në Kosovë, në Kroaci dhe në Bosnjë- Hercegovinë, në disa pikëpamje krahasohen me ato të Hitlerit ose si krimet më të rënda që kanë ndodhur që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Sipas Human Rights Watch dhe komisarit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), askush nuk parashikoi shpejtësinë dhe shkallën e dëbimeve të popullsisë civile shqiptare, brenda tre muajve, mars-maj 1999, nga forcat serbe, të cilat dëbuan nga Kosova më shumë se 80% të tërë popullsisë shqiptare të Kosovës – 90 për qind e shqiptarëve u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Këto dy momente historike në harkun kohor pesëdhjetëvjeçar kishin impakt të jashtëzakonshëm në të drejtën ndërkombëtare, duke shënuar një ndryshim thelbësor pozitiv. Por fundi i ferrit dhe i tmerreve të Luftës së Dytë Botërore për hebrenjtë u kurorëzua me pavarësinë e Izraelit, vetëm një ditë pas tërheqjes se britanikëve, në maj 1948, ndërkohë që përndjekja dhe dëbimi i shqiptarëve të Kosovës vazhdoi edhe nën regjimin komunist jugosllav, përkatësisht atë serb, derisa erdhi momenti kur NATO-ja për motive humanitare dhe sigurie e rajonale vendosi të dënonte një regjim që mohonte çfarëdo kompromisi dhe zgjidhje politike. Mbi të gjitha, ShBA-ja dhe BE-ja ishin të vendosura t’i tregonin regjimit serb në Beograd se Evropa e fundshekullit 20 nuk ishte ajo e periudhës së Marrëveshjes së Münichut të 1937-s.

Ky zhvillim pa dyshim u detyrohet zhvillimeve demokratike pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, të cilat favorizuan të drejtat e njeriut përballë sovranitetit shtetëror. Në të njëjtën kohë, ky intervenim i hapi rrugës administrimit civil dhe ushtarak të OKB-së në Kosovë, që nën ombrellën e përfaqësuesit të OKB-se, ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, të zhvillohen negociata shteruese shqiptaro-serbe për rrumbullakimin e statusit final të Kosovës, dhe mbi bazën e rekomandimeve tëe Planit Gjithëpërfshirës te Ahtisaarit, u finalizuan me deklarimin e pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008.

Shumica e vendeve njohëse, vendimet e tyre për njohjen e shtetësisë së Kosovës i justifikuan me argumentin se pavarësia e saj ishte një përjashtim i veçantë, i paprecedent(sui generis), që nuk mund të krahasohej me rastet e tjera gjetiu. Një qëndrim ndryshe ka mbajtur Rusia, e cila së fundi ka aneksuar Krimenë, si dhe Kina, Irani, Siria e vende të tjera, të cilat edhe sot sfidojnë shtetësinë e Kosovës duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare, ndonëse më 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka argumentuar në mënyrë të qartë se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës nga Beogradi, i cili me disa shkëputje gjatë luftërave botërore e sundoi me brutalitet Kosovën që nga viti 1912, të kujton shembullin e mohimit të shtetit të Izraelit nga një grup shtetesh të Lindjes së Mesme, në rend të parë nga Irani, Siria dhe grupe dhe organizata antisemite si “Hezbollah”. Të njëjtën alternativë e ndjek edhe sot Beogradi, që po e saboton dhe provon ta frenojë me çdo mjet konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, madje shpeshherë duke përdorur edhe një gjuhë fyese dhe me tone raciste, si “shiftari”, në vend të përdorimit të emërtimit ndërkombëtar “Albanian”. Po ashtu, qeveria aktuale ndjek qëllimet e njëjta të regjimit të Milosheviqit, mban peng politikisht grupe të caktuara të serbëve lokalë, të cilët përbëjnë afro 5 për qind të popullsisë së Kosovës dhe që kryesisht kontrollohen përmes ithtarëve të presidentit aktual serb Vuçiq dhe grupeve kriminale të etabluara në vendbanimet serbe që nga koha e regjimit të Milosheviqit.

Përveç të tjerash, qëndrimi armiqësor i Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës në formë dhe përmbajtje është identik me qëndrimin dhe mendësinë hegjemoniste serbe ndaj Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit 20. Derisa më 1912 diplomacia serbe pretendonte se një Shqipëri e pavarur “nuk do të ishte e dëshirueshme, as nga këndvështrimi ynë dhe as nga ai i Evropës”, në rastin e pavarësisë së Kosovës gjithashtu pretendohet se jo vetëm është cenuar e drejta ndërkombëtare, por provohet në mënyrë sistematike të promovohet si politikë e ndarjes dhe e cenimit të tërësisë territoriale, së cilës Kosovës i ishte njohur edhe me Kushtetutën jugosllave të vitit 1974.

Për dallim nga Beogradi, vendet tjera mosnjohëse, duke përfshirë edhe pesë vendet e BE-së, nga pala kosovare asnjëherë nuk janë parë si bllok i shteteve armiqësore kundër Kosovës, madje qëndrimi i tyre më shumë është lexuar si një qasje e determinuar nga interesa dhe ekuilibra kombëtarë dhe rajonalë. Por, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (korrik 2010), institucionit më të lartë të drejtësisë së OKB-së, u pa se pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare dhe normat e OKB-së, se ky është një rast sui genereis, pala kosovare mbron pozicionin se nuk ekziston më ndonjë argument politik dhe juridik për kundërshtimin e njohjes. Nuk qëndrojnë as pretendimet dhe paralelet mes Kosovës dhe Katalonisë apo Palestinës dhe aq më pak me Krimenë e pushtuar nga Rusia. Mbi të gjitha, shtetësinë e Kosovës duhet parë në kontekstin e shpërbërjes së shtetit shumëkombësh jugosllav, që rezultoi me krijimin e 6 shteteve të reja, ngjashëm me rastin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, apo të Perandorisë Osmane dhe asaj Austro-Hungareze.

Sidoqoftë, njohja e Kosovës nga afro 120 shtete pa dyshim i ka bërë të paqëndrueshme pretendimet dhe “argumentet” e palës serbe. Vlen për t’u veçuar edhe njohja e fundit nga Izraeli më 4 shtator 2020, e cila, pa mëdyshje, i detyrohet kontributit të një aleati të rëndësishëm dhe të përbashkët, SHBA-së. Momenti dhe mënyra e kësaj njohjeje, në Kosovë cilësohen të veçanta, pasi demantojnë çdo përpjekje të Beogradit për të ndërtuar ndonjë paralele artificiale mes shtetit të Kosovës dhe Autoritetit Palestinez, që për shkak të “vëllazërisë së hekurt serbe“ votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Lëvizja shqiptare për pavarësi dhe sionizmi hebraik

Kosova dhe Izraeli janë shumë larg mes vete, por në historinë e popujve të këtyre dy vendeve ka shume paralele dhe të përbashkëta. Ashtu si hebrenjtë që banojnë në territorin e tyre qysh prej fillimit të mijëvjeçarit të dytë para erës sonë (Palestina e dikurshme quhej Jehuda), edhe shqiptarët e Kosovës konsiderohet se janë autoktonë dhe kanë origjinë iliro-dardane, ndërsa Kosova e sotme në antikitet njihej si Dardani. Dhe të dy vendet kanë qenë cak i pushtimeve nga shtete dhe perandori të ndryshme, madje edhe nga pushtues të njëjte, romakët dhe osmanët. Një tjetër gjë e përbashkët është edhe diaspora. Ashtu si hebrenjtë që pas shtypjes së kryengritjeve u shpërndanë nëpër vende të ndryshme të botes dhe i kishte ndjekur urrejtja e të tjerëve, edhe shqiptarët e Kosovës pas pushtimit serb u shpërngulën në vende të ndryshme të botës, ku ende sot janë me qindra mijëra.

Pastaj për dy popujt erdhi Rilindja. Nga gjiri i dy popujve dolën figura të shquara, luftëtarë, shkrimtarë e poetë që i hynë punës për emancipimin kombëtar. Pra, përpjekjet shqiptare dhe ato të hebrenjve për emancipim kombëtar kanë ndodhur në të njëjtën kohë, dhe i përkasin periudhës se fundit të sundimit osman, përkatësisht periudhës së sundimit të sulltan Abdyl Hamidit II. Derisa në vilajetet osmane me popullsi shqiptare në fundshekullin 19 mori hov lëvizja shqiptare për pavarësi nën drejtimin e Abdyl Frashërit, e njohur në historiografi si Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), tjetër, një vizionar i madh hebre, sionisti i njohur Theodor Herzl (1860-1904), po bënte përpjekje që ta bindte Stambollin që të lejonte krijimin e bërthamës së shtetit hebraik në territorin e Palestinës, ndërkohë që si opsion e kishte edhe territorin e Argjentinës. “Palestina është atdheu ynë i paharrueshëm historik. Vetë emri i Palestinës do të tërhiqte popullin tonë me një forcë të jashtëzakonshme rrëmbyese. Madhëria e Tij, Sulltani, do të na jepte Palestinën, ne do të mund të angazhoheshim për rregullimin e të gjitha financave të Turqisë”, shkruar Herzl në librin e tij “Shteti i hebrenjve”. Ai ishte i bindur se krijimi i shtetit hebre sjell përfitime për vendet fqinje, si gjëra të mëdha ashtu edhe në të vogla, sepse kultura e një vendi rrit vlerën e vendeve përreth tij. Por ashtu, si Lidhja e Prizrenit, edhe Herzl u ndesh me refuzimin e sulltanit. Thuhet se Perandoria Osmane e përballur me lëvizjet e armatosura armene në Azinë e Vogël dhe gjetiu, nuk e tregua e gatshme të mbështeste idenë e krijimit ë shteteve të reja brenda territorit të saj nga frika e shpërbërjes së mëtutjeshme. Megjithatë, në këtë periudhë u rrit interesimi evropian si për çështjen shqiptare ashtu edhe për “Tokën e shenjtë”, gjë që përkoi me paraqitjen e kolonive të reja për hebrenjtë e ardhur në Palestinë. Ndërsa Herzl u bë ideatori i krijimit të shtetit hebre në Kongresin e parë sionist në Bazel më 1897, i cili në ditarin e tij do të shkruante: “Në Bazel unë themelova shtetin hebre”, e që më pas e bëri të njohur edhe me librin “The Old New Land” (1902). Në të njëjtën kohë, Sami Frashëri, njëri ndër ideologët e shkëlqyeshëm të Rilindjes, e hartoi testamentin e parë politik për bërjen e shtetit të pavarur të shqiptarëve “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” dhe më 1899 po përgatitej ta botonte në një shtypshkronjë të Bukuresht, larg Kostandinopojës, aty ku autoritetet perandorake e mohonin botimin e librave shqip.

Nuk ka dyshim, se tek Samiu ndikim vendimtar pati shtypja me dhunë e kësaj lëvizjeje dhe veçanërisht koncesionet e Perandorisë Osmane në Kongresin e Berlinit në favor të shteteve ballkanike, ndërkohë që kthesa vendimtare dhe shndërrimi i Herzlit në sionist ndodhi derisa ai në Paris po punonte si korrespodent i gazetës prestigjioze vjeneze “Neue Freie Presse”. Jemi në kohën kur ndodhi çështja Dreyfus, një incident famëkeq antisemitik në Francë, që çoi në procesin e montuar të një kapiteni hebraik të ushtrisë franceze me akuzën e rreme për spiunim tek gjermanet. “Nëse ju doni (një shtet të hebrenjve), kjo s’është ëndërr”, thoshte Hezl, babai i sionizmit, të cilën gjysmë shekulli më vonë e bëri realitet sionisti entuziast David Ben-Gurion, kryeministri i parë izraelit.

Hasan Prishtina dhe Alber Intabi

Mirëpo, me revolucionin xhonturk të vitit 1908 u krijua përshtypja se qëndrimi i qeverisë së re osmane do të ishte në favor të Lëvizjes kombëtare shqiptare dhe Lëvizjes sioniste, pasi që flitej për ndikimin e elementëve shqiptarë dhe hebraikë në partinë xhonturke “Bashkim dhe Përparim”. Në bazë të kësaj, figura të shquara të Lëvizjes shqiptare, si Hasan Prishtina e të tjerë, ashtu edhe asaj sioniste, si Alber Intabi, e përshëndetën ndryshimin e ri politik. Por, udhëheqësit e vërejtën me kohë se osmanët e kundërshtonin çdo tendencë separatiste, pra refuzonin kërkesat shqiptare dhe hebraike, ngjashëm ai ato armene. Në ndërkohë, u rrit kundër politikës së osmanizmit në mesin e politikanëve shqiptarë dhe hebraikë, të cilët kritikonin politikën e “turqizmit” dhe kërkonin më shumë autonomi në vilajetet osmane. Me rritjen e kësaj opozite u kthye shpresa si tek shqiptarët, ashtu edhe te popullata hebraike në Palestinë. Kur politikani më i rëndësishëm shqiptar nga Kosova, Hasan Prishtina, njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe të emancipimit kombëtar të shqiptarëve dhe një nga prijësit më të vendosur në luftën kundër okupimit serb të Kosovës, i dha drejtim luftës së shqiptarëve dhe kërkesave drejtuar Qeverisë osmane në Stamboll, prej andej në korrik 1912 një shqiptar i njohur Mehdi Frashëri u emërua si guvernator i Jerusalemit, i cili edhe pse qeverisi vetëm pesë muaj, mbahet mend për qëndrimin pozitiv që mbajti ndaj komunitetit hebraik në Palestinën osmane. Ky qëndrim i zyrtarit osman me origjinë shqiptare ishte pasqyruar edhe në shtypin hebraik në Palestinë (“Haor” dhe “Ha-Herut”). Në anën tjetër, shtypi arab e kishte kritikuar vizitën e tij tek komuniteti hebraik në Richon Licion dhe sidomos reagime kishte patur për lavdërimin që Mehdi beu u bëri hebrenjve në fjalimin e tij për përparimin e madh që pa në vendbanimet e tyre.

“Me këtë ju po ju jepni shembull fshatrave arabe. Ju jeni mësues për fqinjët arabë që nuk dinë shkrim-lexim, por shikojnë se ç’po bëni ju në këtë vend”, kishte deklaruar Mehdiu beu. Është interesant se pikërisht ky shqiptar më 1937 në Lidhjen e Kombeve kishte paraqitur një propozim për zgjidhje konfliktit midis hebrenjve dhe arabëve në Palestinë, duke ofruar zgjidhjen sipas modelit të Zvicrës, formimin e dy kantoneve për hebrenjtë dhe një kantoni për arabët.

Mirëpo, derisa shpërthimi i luftërave ballkanike dhe i Luftës së Parë Botërore pati një rrjedhojë negative për shqiptarët e Kosovës, të cilët do të përballen me shtypjen dhe represionin e egër serb, në anën tjetër, kjo periudhë shënoi një kthesë tjetër në progresin e Lëvizjes sioniste në Palestinë, që kulmoi me Deklaratën e Balfourtit (1917), e cila ka të bëjë me formimin e një atdheu kombëtar për hebrenjtë në Palestinë. Ky premtim publik i britanikëve u konsiderua përgjithësisht vendimtar për realizimin e ëndrrës së babait të sionizmit Theodor Herzl, krijimin e Izraelit. Por, nëse hebrenjtë e realizuan ëndrrën e tyre nën drejtimin e Ben Gurionit, pasi arritën ta mbijetonin tmerrin e paparë të Holokaustit, Hasan Prishtina dhe udhëheqësit tjerë shqiptarë u detyruan të vazhdonin përpjekjet edhe për një gjysmë shekulli kundër okupimit serb. Për koincidencë, fati i tyre, i shqiptarëve të Kosovës, u determinua nga politikëbërsitë e njohur me origjinë hebraike, të cilët të traumatizuar nga përndjekja kolektive e hebrenjve, në mars 1999, u bënë mbështetësit më të mëdhenj të doktrinës së ndërhyrjes humanitare në Kosovë, e cila stopoi realizimin e doktrinës serbe për zhbërjen e popullit shqiptar në Kosovë, i cili, ashtu si populli hebraik, në të njëjtën mënyrë ishte dëbuar disa herë, në mënyrë ciklike si gjatë periudhës së Krizës Lindore (1877-1878) ashtu edhe në mes dy luftërave botërore, si dhe gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në kontekstin e zhvillimeve të pas Luftës së Ftohtë.

Pa dyshim një paralele tjetër e bukur mund të tërhiqet edhe në rrafshin kulturor, frymëzimi që ka ekzistuar te këta dy popuj për ringjalljen dhe ruajtjen e gjuhës: hebraishtes dhe shqipes. Siç shkruan Josef Jakoel, hebre i Shqipërisë dhe njohës i mirë i dy popujve, ringjallja e hebraishtes është një rast unik në historinë e filologjisë, nga një gjuhë e “fjetur” ndër shekuj, ajo për një kohë të shkurtër u shndërrua në një gjuhë të gjallë dhe të kultivuar. Pothuajse njëjtë ndodhi edhe me gjuhën shqipe, e cila ishte e ndaluar gjatë tërë periudhës së pushtimit osman. E pashkruar me shekuj, ajo mori hov në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në periudhat e mëvonshme u bë instrument me koheziv i unifikimit kombëtar.

Si hebrenjtë, të cilët gjatë gjithë historisë nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre për shtetin e Izraelit, e përdorën urimin hebraik “Vitin e ardhshëm në Jerusalem”, edhe shqiptarët e Kosovës, kur në vitet 1990 ishin shtrënguar të merrnin drejtimin për në “shtatë rrugët, përdornin përshëndetjet shpresëdhënëse “Mirupafshim në Kosovën e lirë”, një urim që shpërfaqte dëshirën tonë që të takoheshim së shpejti në vendin tonë të lire. Pra, si hebrenjtë ashtu edhe shqiptarët e Kosovës gjatë e kanë ëndërruar këtë ëndërr dhe gjatë kanë luftuar që kjo ëndërr e tyre, shteti i Izraelit dhe ai i Kosovës, të shndërrohen në realitet, që hebrenjtë dhe shqiptaret më në fund të jetojnë si njerëz të lirë në atdheun e tyre.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturës

Autori është historian dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare