Shtojca për Kulturë

Duke ikur nga e keqja dhe vrapuar drejt qershisë shpëtimtare

Kundërshtimi ndaj nacionalizmit, hipokrizisë, keqpërdorimeve, akulturimit mbeti një konstantë në jetën e Filip Davidit

Kundërshtimi ndaj nacionalizmit, hipokrizisë, keqpërdorimeve, akulturimit mbeti një konstantë në jetën e Filip Davidit. Në njërën nga intervistat e tij (dhënë dy vjet më parë televizionit N1) ky shkrimtar e humanist i madh nuk ngurroi ta kritikojë ashpër opozitën serbe për refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Shoqëria e bazuar në rrena është shoqëri pa dinjitet dhe moral dhe shpresë të vërtetë” (Foto: Marina Llopiçiq)

Freudi, Kafka dhe Kishi: edhe disa shënime mbi jetën e shkrimtarit serbo-hebraik, Filip David, i cili vdiq këtë javë.

1.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori. Një ditë në Luftën e Dytë Botërore, ustashët, kolaboracionistët kroatë të nazistëve, po i ndiqnin disa hebrenj drejt një kampi. Për të shpëtuar, duhej të ikte edhe nëna e Filip Davidit. Bashkë me dy djemtë e saj. Ata ishin të vegjël, vëllai strukej në krah të së ëmës, Filipi mezi ecte. Në këtë ecje, e cila ishte betejë për jetë, Filipi u lodh dhe u dorëzua. Diku larg shihej një pemë. “E sheh atë pemë?”, pyeti nëna. “Është qershi. Nëse mbërrijmë të fundit, s’do të mbetet asgjë. Unë çmendesha pas qershive”. Kur arriti te pema, Filipi e vërejti se nuk ishte qershi, por në luftë është me rëndësi të mbijetosh, qoftë edhe duke imagjinuar kokrra qershie.

2.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori. Ishte lindur në Kragujevc më 1940, në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, në një familje hebraike. Babai i tij Frederiku ishte gjyqtar në Mitrovicën e Sremit, në veri të Serbisë. Pas sulmit të Gjermanisë naziste kundër Jugosllavisë së atëhershme, Frederiku iu bashkua partizanëve. Nga ana e babait Filip Davidi kishte lidhje familjare me Sigmund Freudin. Po, bash atë Freudin, themeluesin e psikanalizës. Kur studioi në Vjenë, Frederiku vizitoi Freudin për të zgjidhur disa probleme të tij të rinisë.

3.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori. Kishte punuar 25 vjet në programin e dramës të televizionit të Beogradit (më vonë të Serbisë, RTS). Në fillim të viteve 1990 ky shkrimtar, skenarist, dramaturg, eseist, aktivist i të drejtave të njeriut u dëbua nga puna. Sepse kundërshtoi regjimin e ri që personifikohej nga Sllobodan Millosheviqi. Në vitin 2017, mbi 15 vjet pasi ishte përjashtuar nga puna, RTS ia hapi një studio për një autoportret. Emisionin e drejtoi vetë Filip Davidi. Kishte ftuar disa miq të tij për të folur mbi letërsinë, politikën, jetën, historinë. Aty tregoi, mes tjerash, se në fund të viteve 1940 mori pjesë në një konkurs letrar të revistës “Pionieri”. Fitoi çmimin e parë, mes 4000 punimeve nga mbarë Jugosllavia. Dhe mori dhuratë një aparat fotografik, të cilin s’e përdori kurrë. Laureati i tij fitoi një futboll. Edhe në vitet e pleqërisë Filip David thoshte se ende është xheloz. Nuk e donte fotoaparatin, e donte futbollin.

4.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori –  historinë mbi atë se kur ka qenë më i lumtur. Në fillim të emisionit të lartpërmendur Filip David u përgjigj në disa pyetja. Përgjigjet janë minimale, por fuqia e tyre është maksimale. Lexuesit le të binden vetë:

Sikur të mund të ishit dikush tjetër, kush do të ishit?

Filip David: Një tregim imi bart titullin “Unë jam dikush tjetër”.

Kur keni qenë më i lumtur?

David: Kur e kam kryer punën time.

Frika juaj më e madhe?

David: E kam gllabëruar frikën. 

Fjala juaj më e dashur?

David: Respekt.

Cilin talent dëshironi ta keni?

David: Atë që më mungon: talentin muzikor. 

Heroi juaj në jetën e përditshme?

David: Nuk kam hero. Por krenohem me njerëz të guximshëm. 

Zhgënjimi juaj më i madh?

David: Miqtë që pushuan të jenë miq në kohërat e errëta.

Përshkruani gjendjen tuaj të tanishme shpirtërore?

David: Punëtore.

5.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori. Në revistën studentore “Vidici” ai u njoftua me miqtë e tij Danillo Kish, Mirko Kovaq dhe Borisllav Pekiq. Me Danillo Kishin, edhe ky hebre, Filip Davidi kishte një marrëveshje: jemi miq, por nuk do ta përkrahim kurrë njëri-tjetrin në konkurse letrare, nuk do t’i ndajmë çmime njëri-tjetrit, nuk do t’ia bëjmë qejfin njëri-tjetrit. Idhujt letrarë i kishin të ndryshëm. Filip Davidi i lexonte Franz Kafkën, E.T.A. Hoffmannin dhe Edgar Allan Poe. Danillo Kishi më shumë francezët. Të përbashkët e kishin interesimin për Europën e Mesme, për të kaluarën e saj dhe për Kabalën, traditën mistike hebraike. “Danillo zotëronte një cilësi që sot u mungon veçanërisht intelektualëve – ndjenjën e thellë për etikën. Këtë ndjenjë e kishte sjellë nga fëmijëria e tij. Përballja me dhunën dhe padrejtësinë e kishte përcaktuar t’i kundërvihej dhunës dhe padrejtësisë kudo – në letërsi, ashtu edhe në jetën e vërtetë”, shpjegonte Filip David.

6.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori. Kur ishte më i ri udhëtonte mjaft. Shkonte në Paris e Londër, me punë. Shkonte të shikonte e të përzgjidhte seri televizive, të cilat pastaj emitoheshin në televizionet jugosllave. “Me kalimin e viteve”, vazhdonte ai, “kuptova se më së shumti më kënaqte udhëtimi nëpërmjet librave që lexoj”. Në këto udhëtime letrare është e kyçur edhe imagjinata. Leximi, ishte i bindur Filip David, është një lloj përgatitjeje për të shkruar.  

7.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori. Kur ra regjimi i Sllobodan Millosheviqit, pushteti i ri i ofroi postin e ambasadorit të Serbisë në Izrael. Filip Davidi refuzoi për shkak se, siç thoshte, në pushtet ishte Vojisllav Koshtunica. “Si mund ta përfaqësoj një shtet kur nuk pajtohem me politikën e tij”.

Kundërshtimi ndaj nacionalizmit, hipokrizisë, keqpërdorimeve, akulturimit mbeti një konstantë në jetën e Filip Davidit. Në njërën nga intervistat e tij (dhënë dy vjet më parë televizionit N1) ky shkrimtar e humanist i madh nuk ngurroi ta kritikojë ashpër opozitën serbe për refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Shoqëria e bazuar në rrena është shoqëri pa dinjitet dhe moral dhe shpresë të vërtetë”.

Ai angazhohej për marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, që nënkupton pranimin e shtetësisë së Kosovës, sepse, sipas tij, as pakicën serbe, as manastiret e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nuk mund t’i mbrojë KFOR-i, as ushtria serbe, por shqiptarët. “Nëpërmjet historisë së tyre shqiptarët kanë treguar se i kanë mbrojtur objektet e shenjta serbe”.

8.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori. “Nuk kam asgjë kundër Kishës Ortodokse Serbe apo ndonjë kishe tjetër. Respektoj bindjet fetare të njerëzve që shkojnë në kishë, që besojnë, por…” – dhe këtu fillonte ajo që mund të quhet analizë shteruese e historisë: Filip Davidi kërkonte që Kisha Ortodokse Serbe të deklarohet mbi rolin e saj mes dy luftërave botërore. Më 1935, peshkopi Nikollaj Velimiroviq e krahasoi Adolf Hitlerin me Sveti Savën, shenjtorin e Kishës Ortodokse Serbe. Më 1937 një delegacion i lartë gjerman vizitoi Kishën Ortodokse Serbe, me ç’rast Patriarku Varnava foli me tonet më të larta mbi Adolf Hitlerin, prijësin e Rajhut të Tretë. Ashiqare, thoshte Filip David, kisha serbe pati simpati për nazizmin. Pas Luftës së Dytë Botërore Velimiroviq përsëriti disa nga parullat më të ndyra antisemite.

Kisha serbe nuk është distancuar kurrë nga Velimiroviqi, madje e ka shpallur shenjtor.

9.

Filip Davidi e tregonte edhe këtë histori. Një ditë e kontaktoi ambasadori austriak në Beograd, Johannes Eigner, dhe i tha se dëshironte të përkthente romanin e tij “Shtëpia e kujtimit dhe harresës”.

Në gjermanisht, romani është botuar nga Wieser Verlag në Klagenfurt të Austrisë, afër kufirit me Slloveninë. Do veçuar se Filip David ka qenë skenarist apo dramaturg në filma të njohur si “Bure baruta” (Fuçia e barotit) dhe “Ko to tamo peva?” (Kush këndon atje?), një ndër satirat më thumbuese të provincializmit në Ballkan.

10.

“Njerëz nga kjo trevë presin të lind dielli”, këndojnë dy romë në epilogun e filmit “Ko to tamo peva”.

Një gjuetar i ngathët, një këngëtar me ambicie për një karrierë të madhe në qytet, një çift i sapomartuar që më në fund dëshiron të puthet, një veteran lufte impulsiv dhe kundërshtari i tij, një gjermanofil që mbron ligjin dhe rendin – të gjithë duan të shkojnë në Beograd, është 5 prilli 1941, një ditë para sulmit nazist. Ata hipin në autobusin e ndryshkur të firmës Kërstiq, i cili lëviz me qymyr mbi rrugët me baltë të provincës. Janë vetëm njëqind kilometra deri në Beograd, por pengesat e shumta dhe të paparashikuara e ngadalësojnë këtë udhëtim aventurier: një transport derrash, një gomë e shfryrë, një urë e rrënuar, një varrim, dy familje që zihen dhe një kuletë e zhdukur. “Njerëz nga kjo trevë presin të lind dielli” –  kjo është mbase porosia më qendrore që Filip David ua la si trashëgimi popujve të Ballkanit kur këtë javë u largua nga kjo botë në moshën 84-vjeçare.

© KOHA Ditore