Me studimet e botuara dhe me përgatitjen e kuadrove të reja në fushën e etnologjisë profesoresha Drita Halimi-Statovci, etnologjisë shqiptare i dha zë, e bëri të flasë duke i dhënë garanci për një të ardhme premtuese. Nuk mund të flitet për etnologjinë shqiptare dhe as nuk mund të shënohen jubiletë e saj, e të mos përmendet kontributi i veçantë i saj
Valon Shkodra
Drita Halimi Statovci, me rastin e 80-vjetorit tё lindjes sё saj dhe tё dekadёs së gjashtё të hulumtimeve dhe studimeve të saj etnologjike, është konsideruar, me shumë të drejtë, si një nga figurat më të rëndësishme pёr zhvillimin e etnologjisë shqiptare dhe përgatitjen e kuadrove të reja në këtë fushë. Është privilegj i veçantë të të jepet mundësia të shprehesh dhe të vlerësosh figurën e shquar të profesoreshës Drita Halimi, por mbi të gjitha, është edhe një përgjegjësi e madhe, sepse të flasësh për të, nuk mund të përdorësh fjalë të zakonshme, përkundrazi, epitete të gjetura dhe të zgjedhura mjaft mirë nga fjalori i mendjes. Puna bëhet edhe më e vështirë kur të duhet edhe të vlerësosh kontributin e profesoreshës në fushën e studimeve etnologjike dhe në mësimdhënien për etnologjinë.
Prandaj kërkoj ndjesë nëse nuk mund t’i numëroj dhe të paraqes në tërësi kontributin e saj në këtë fushë. Mirëpo, një gjë duhet thënë që në fillim. Nuk mund të flitet për etnologjinë shqiptare dhe as të mund të shënohen jubiletë e saj, e të mos përmendet kontributi i veçantë i profesoreshës Dritë, e cila e bëri që etnologjinë shqiptare të flasë dhe me të cilën edhe nisi që etnologjia të mësohet si shkencë në mënyrë institucionale në Kosovë.
I vetëdijshëm se tema është e gjerë, me këtë rast e konsiderojmë të rëndësishme t’i përmendim vetëm disa çështje më kryesore që lidhen me kontributin e Profesoreshës në studimet etnologjike.
Në vitin 1988, profesoresha Drita në librin e saj “Kërkime etnografike”, duke e ngritur zërin, shqetësimin dhe duke e sensibilizuar institucionet vendimmarrëse dhe akademike tërhoqi vërejtjen dhe dëshpërimin e saj se etnografia në Kosovë nuk e ka vëmendjen e duhur, madje ajo as nuk po mësohet dhe as nuk po ligjërohet ndër ne. Dhe nga dëshira e saj e thellë për etnologjinë të trashëguar nga i ati doajeni i etnologjisë në Kosovë i mirënjohuri Kadri Halimi, ajo nuk u ndal me kaq dhe as nuk hoqi dorë, deri sa në vitin akademik 1994/1995, nisi fillimisht të ligjërohej lënda e Etnologjisë nё Departamentin e Historisë, të cilën e mbante profesoresha Drita, dhe më pas në vitin 2001 ajo realizoi ëndrrën e saj të madhe: themelimin e Departamentit të Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës, që sot vazhdon të funksionojë si Departament i Antropologjisë.
Kishim fatin e mirë që ne të ishim ndër studentët e gjeneratave tё profesoreshës Dritë, tek e cila ndiqnim ligjëratat në lëndët: “Hyrje nё etnologji dhe antropologji kulturore”, “Mёnyra e jetesёs sё shqiptarëve”, “Veshjet shqiptare” dhe “Metodat dhe teknikat e hulumtimit”.
Në lëndën “Hyrje nё etnologji dhe antropologji kulturore”, nga Profesoresha dëgjova për herë të parë për “Teoritё dhe shkollat e ndryshme nё etnologji”, pёr themeluesit e këtyre shkollave dhe teorive, për Branislaw Malinowskin, Claude Lévi-Straussin, Franz Boasin, Margaret Meadin, Lewis Morganin, Ruth Benedictin, Alfred Radcliffe-Brownin dhe shumë të tjerë.
Në lëndën kultura dhe mënyra e jetesës së shqiptarëve, u njohëm për etnologët dhe studiuesit shqiptarë për Kadri Halimin, Anton Çettën, Rrok Zojzin, Mark Tirtën, Mark Krasniqin, Ramadan Sokolin, Ukë Xhemën, Afërdita Onuzin, Yllka Selimin, Kahreman Ulqinin, Emin Rizën, Agim Bidon, Ali Mukën, Spiro Shkurtin, Rexhep Munishin, Zymer Nezirin, Naser Ferrin, Exhlale Dobrunën, Edi Shukriun, Fejaz Drançollin, Bashkim Lajçin, Shpresa Siqecën, Jahja Drançolli dhe shumë studiues të tjerë.
Profesoresha Dritë na njoftoi edhe për Institutin Albanologjik dhe për Degën e Etnologjisë në kuadër të tij, për punën kërkimore shkencore që zhvillohej në këtë Institut dhe për rezultatet e shumta të tij në fushën e interesimeve tona.
Profesoresha në ligjëratat e saj gjithnjë theksin e vinte te puna në terren, të cilin edhe e njihte shumë mirë për shkak të pjesëmarrjes së saj në shumë ekspedita etnografike në Kosovë, Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Etnologёt shprehen se puna nё terren ёshtё baza e etnologjisё. Puna nё terren, thonё ata, është nё luftë me kohën, sepse shumë dukuri janë në rrezik tё zhdukjes, mirëpo, profesoresha Drita, materialet e mbledhura nё terren nuk i la tё zhduken, ajo i transkriptoi ato, i studioi dhe i botoi nё artikuj e libra. Dhe thënia e shkencëtarit anglez Faradej: “To work, to finish, to publish” ( Tё punosh, tё pёrfundosh, tё botosh), i shkon shumë për shtati profesoreshës sonë, e cila ato që i hasi në terreni i bëri të flasin me botimin e tyre.
Në disa prej ekspeditave tё organizuara nga Profesoresha, së bashku me studentët dhe profesorët Ukё Xhemaj e Naser Ferri nga Departamenti i Etnologjisë nё atё kohё kemi marrë pjesë edhe ne si studentë, ku edhe jemi njohur në praktikë me punën kërkimore në terren, me metodat, e hulumtimit, mënyrën, sjelljet e të tjera.
Mё kujtohet se ekspeditёn e parё nё terren si student e kemi realizuar nё Rugovё, konkretisht nё fshatin Shtupeq i Madh, pastaj nё fshatin Pozhoran tё Vitisё, nё Artanё (Novobёrdë), nё fshatin Zym tё Hasit, nё Stubёll tё Karadakut, nё fshatrat Isniq e Carrabreg tё Deçanit. Gjithashtu, kemi realizuar edhe një udhëtim 12-ditor në Shqipëri nё verën e vitit 2003, për t’u njohur me trevën e Pukës, Lezhёs, Shkodrës, Tiranёs, Durrёsit, Krujёs, Gjirokastrës, Beratit e Sarandës.
Nё kёtё udhёtim, si student i ri, na u dha mundësia tё shihnim e tё dёgjonim shumё rrёfime tё ndryshme nga terreni, por mbresëlёnёse pёr mua ishte ligjërata nё Tiranё e etnologes Andromaqi Gjergji, e cila ligjëratë ishte organizuar nga profesoresha Drita sё bashku me profesorёt qё ishin me ne.
Këshillat, sugjerimet dhe ligjërimet e Profesoreshës për sa i përket punës në terren, më kanë shërbyer dhe më shërbejnë si një manual edhe sot e kësaj dite.
Dhe jo vetëm kaq, por profesoresha Dritë, është e njohur për studimet e saj në lidhje me temat e ndryshme tё kulturës shqiptare tё cilat ishin tё trajtuara shumё pak nga studiuesit tjerё. Ajo ka vlerësuar edhe punën e studiuesve tё huaj dhe vendorë tё cilёt kanё dhёnё kontribute pёr etnologjinë dhe kulturën shqiptare, duke zënën nё gojё njё numër bukur tё madh tё tyre. Megjithatë, është e rëndësishme të theksojmë se edhe studiues dhe autorë të tjerë kanë shkruar për profesoreshёn Drita, duke ofruar interpretime dhe analiza nga këndvështrime të tyre. Në trajtimin e shumë prej temave kyçe të etnologjisë shqiptare, referimi ndaj studimeve të saj është i pranishëm.
Është e gjatë lista e zëra bibliografikë të profesoreshës Dritë për tema të hulumtuara e të paprekura më parë ndër studiuesit, por unë po i veçoj vetëm disa prej tyre: “Të dhëna etnografike për shqiptarët në disa udhëpërshkrime angleze të shekujve XVII e XIX”, “Të rregulluarit e kokës ndër femrat shqiptare në disa vise të Kosovës”, “Shënime nga mjekësia popullore në tri treva të Kosovës”, “Skicë për studimin e ushqimit popullor”, “Punëdoret me grep e me gjilpërë”, “Ndryshimet bashkёkohore nё kulturёn popullore shqiptare, rezultatet dhe detyrat e etnografisё ndaj problemeve tё ndryshme” e të tjera.
Veprimtaria shkencore e profesoreshës Drita, karakterizohet nga një angazhim i gjerë dhe një kontribut i pasur. Gjatë një takimi të zhvilluar në muajin korrik të vitit 2023, me rastin e dorëzimit të një porosie nga Tuzi, pata kënaqësinë të bisedoj me profesoreshën, në ambientet e restorantit “Simfonia” në Prishtinë. Biseda jonë, e përqendruar kryesisht në çështje të fushës etnologjike. Nga ajo që diskutuam, mësova se profesoresha Drita deri më tani ka realizuar mbi 200 njësi bibliografike, duke përfshirë punime shkencore, artikuj, recensione, trajtesa qё lidhen me fushёn e etnologjisё.
Prof. Drita nё kërkimet e saj tё pandalshme, me pasionin, përkushtimin dhe me kёmbëngulёsinё e saj arriti tё shkruajë e tё prekë tema tё ndryshme.
Prof. Drita ka botuar edhe monografitë: “Zhvillimi Historik i Zejtarisë dhe Rëndësia e saj Bashkëkohore për Strukturën Ekonomiko-Shoqërore të (KSA) të Kosovës”, botim i Institutit Albanologjik, Prishtinё, 1982. Kjo monografi është botimi i saj i parë, të cilin e kishte mbrojtur si temë doktorate në Universitetin e Zagrebit nё Kroaci. “Kërkime Etnografike”, botim Rilindja, Prishtinë, 1988; “Etnologjia flet, botim i Institutit Albanologjik”, Prishtinë, 1998; “Veshjet shqiptare të Kosovës”, botim i Institutit Albanologjik, Prishtinë, 2009; “Ta njohim dhe ta ruajmë trashëgiminë kulturore” (Album), botuar nё vitin 2009.
Në vitin 2011, kishte përgatitur pesë vëllimet për etnologun Kadri Halim, sikurse edhe “Nga djepi në përjetësi”, botim i Institutit Albanologjik tё Prishtinës, viti i botimit 2014; “Pikturimi i fytyrës nё Kosovё, ndërmjet traditës dhe modernitetit”, mbështetur nga Ministria e Kulturёs, Rinisё dhe Sportit, botuar nё vitin 2018; “Shije kulturore”, botim i Institutit Albanologjik, Prishtinё, 2022 e “Filigrani në Republikën e Kosovës”, botuar nё Prishtinё nё vitin 2023.
Hulumtimi i saj nuk është vetëm pasqyrim i asaj që haset në terren, por ёshtё për ta kuptuar kulturёn, duke ngritur edhe pyetje të ndryshme që lidhen me çështjet e vërejtura prej saj, si për shembull: “Sa është studiuar Kosova në aspektin etnologjik? Sa dhe si janë ruajtur dhe me çfarë intensiteti ndryshojnë elementet e traditës? Kush i ruajti më tepër e më mirë elementet e traditës-burrat apo gratë, gjeneratat e reja apo më të vjetrat? Çfarë elemente akulturimi sjellin punëtorët tanë të inkuadruar përkohësisht në punë në botën e jashtme? Çfarë transformimi familjar dhe shoqëror zhvillohet në mjediset që kanë shumë punëtorë në botën e jashtme? Çfarë transformimi e akulturimi sjellin mjetet teknike audiovizuele, si ndikojnë këto në elementet e traditës? Çfarë është organizimi i sotëm familjar e shumë probleme të tjera” Antropologët shprehen se pa pyetje, nuk ka antropologji dhe nuk ka kuptim të studiosh njerëzit pa dashur t’i kuptosh ata dhe tё qëndrosh mё gjatё me ata. Studiuesi francez Claude Lévi-Strauss, shprehet se shkencëtari nuk është ai që jep përgjigjet e sakta, por ai që bën pyetjet e duhura, e nё kёtё rast pyetjet e profesoreshёs Drita, sa kemi vërejtur ne, nga botimet e saja, kanё qenё të duhura, tё hapura dhe me vend, sepse ka nxitur pozitivisht subjektet nё tregimet, përjetimet, reflektimet dhe detajet e tyre.
Studiuesja Drita Halimi-Statovci, ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe ka botuar punime, kritika, trajtesa, recensione, në revista të ndryshme vendore e ndërkombëtare, por kёtu do tё veçoja kontributet e vazhdueshme në revistën: “Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji”.
Pёr vite me radhё Drita Halimi – Statovci, ishte bashkëpunëtore profesionale në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Krahas hulumtimeve nё kёtё institucion, ajo ishte anëtare e redaksisё nё revistёn “Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji”, duke dhënë një kontribut të çmuar.
Drita Halimi - Statovci, edhe pse nё moshёn 80-vjeçare, si thonё nё Shkodёr, “e fortё si kokrra e thanёs”, ka një trashëgimi të madhe tё punёs sё saj pёr fushёn e etnologjisë dhe albanologjisë.
Me studimet e botuara dhe me përgatitjen e kuadrove të reja në fushën e etnologjisë profesoresha Dritë, etnologjisë shqiptare i dha zë, e bëri të flasë dhe garanci për një të ardhme premtuese.
Profesoresha Drita, urime ditëlindjen e 80-të! Puna juaj e palodhshme dhe me plot energji, është motiv për ne. Paç shëndet e lumturi! Faleminderit për gjithë përkushtimin dhe njohuritë që i keni ndarë me gjeneratat e studentëve për shumë vjet. Ky organizim i kësaj tryezë, le të mbetet një pikënisje edhe për studiuesit e tjerë të cilët dhanë kontributet e tyre shkencore.
Fjalë rasti e lexuar në lexuar në tryezën shkencore kushtuar veprimtarisë së profesoreshës Drita Halimi – Statovci, për nder të 80-vjetorit të lindjes së saj, më 22 prill 2025, prganizuar nga Dega e Etnologjisë nё IAP
© KOHA Ditore
Folegjenda: Me profesoreshën Drita Halimi-Statovci, nisi që etnologjia të mësohet si shkencë në mënyrë institucionale në Kosovë