Këtu e 22 vjet më parë, 12 qershori në Kosovë do të fitonte statusin e një date të shënueshme për posteritetin. Për kryeqytetasit, më 11 qershor po afrohej çlirimi i njëmendët tekqë nisi largimi i çizmes së ushtarit të fundit serb. Me vocërrakë që turrevrapeshin shend e verë drejt ushtarëve britanikë e me luzma njerëzish që mirëseardhnin trupat aleate, ngjarjet e asaj kohe kanë edhe një tjetër rrëfim. I dëgjuar, i përjetuar, por jo edhe i kuptuar. Sepse ajo që nisi si “marsh-brosok na Prishtinu”, jo vetëm që rezultoi me okupimin rus të zemrës së Kosovës, por gati sa nuk e solli një luftë të tretë botërore disa muaj para se shekulli i njëzetë të mbyllte dramën e vet të gjatë. Por ankthi i lodrës së makthshme ruse të “Babushkës” i ruan edhe sot pasojat: ndarjen e pjesës veriore të vendit
Qindjvetëshi i njëzetë, si epoka e ekstremeve siç e quajti Eric J. Hobsbawm, do ta mbyllte siparin e vet edhe me një tjetër dramë. Ajo që në vitin 1914 kishte filluar me luftë transhesh, bajoneta e operacione, më 1939 me mëtim për siprani botërore, do të pasohej me të fundmin akt në trollin e kontinentit të vjetër. Nga ngarendja e ushtrive bullgare dhe greke se kush do të hynte e para në Selanik më 1912 e deri te “Dita-D” e logbetejës së Normandisë, historisë së një shekulli ekstremesh do t’i shtohej edhe ajo që ngjau në Prishtinë e rreth saj.
Derisa vargëzohet viti i 22-të prejse kryeqyteti i Kosovës u çlirua, një histori që ndërkallë një okupim efemer rus, acarim diplomatik e drejtim tytash nuk rezonon si diçka e dëgjuar sa duhet. Ose së paku jo në rrokakrejtin e saj.
Siç e tha Erazmi
Kur Perëndimi e shpartalloi të fundit shtet agresiv, “Normandia” e aleatëve në Kosovën e zhuritur nga krimet serbe ishte e tjetërsojtë. Ndryshe nga ngjarja kritike kur 55 vjet më parë, ushtarët aleatë po korreshin nga kosa e vdekjes nga mitralimet e zjarri armik, Perëndimi tani po mirëpritej nga shqiptarët, grishja për ndihmë e të cilëve u honeps për të parën herë në një shekull të prederminuar nga diplomacia në Londër, Paris e Jaltë.
Me ndërhyrjen e NATO-s për të drejtat e shqiptarëve, ajo që kishte thënë dikur Erazmi i Roterdamit mori një kuptim të prekshëm. “Nëse lufta bëhet e pashmangshme, kishte shkruar ai, të gjitha mizoritë e fatkeqësitë të bien mbi kokat e atyre që janë fajtorë për fillimin e saj”.
“Toropit’sya!”
Një “Toropit’sya!” (Nxitoni) si sokëllimë duhet të ketë shpuar si mëzdrakë rutinën e kampit të ushtarëve rusë që shërbenin si paqeruajtës në Bosnjë. Derisa e premtja e 11 qershorit ishte në kapërcim e sipër, nata e zezë stërë po gëlonte nga diçka e pakuptueshme.
Në rrokopujën e çizmeve ushtarake, urdhrave të eprorëve e uturimës së tankeve e autoblindave nuk mund të kuptohej psehi i atij nxitimi të papandehur. Fundja, ushtarët vetëm “zbatojnë urdhra”.
Dikush ishte përkujdesur që tankeve t’ua ndryshonte akronimin e misionit nga “SFOR” në “KFOR”.
Gjenerali Zavarzin mësyn…
Po atë ditë, Perëndimi e kishte shpallur të përfunduar përpjekjen për Kosovën.
Edhe “Lindja”, me Rusinë që mezi ruante fantazmën e dikurshme të mujshares, ishte pajtuar që në Kosovë të vendoseshin paqeruajtësit ndërkombëtarë.
Ndjesia e normales ishte përforcuar edhe kur gjatë ditës vetë presidenti rus Boris Yeltsin e cilësoi si fitore diplomatike për Rusinë kontributin e saj në përfundimin e luftës në “Jugosllavi”.
E, megjithatë, një konvoj me 30 tanke e autoblinde vrikthi po linte Bosnjën, po dilte së prapthi nëpërmjet tabelave kufitare në pikëkalimin Pavlovića Ćuprija.
Nën komandën e gjeneralit Viktor Zavarzin, 230 ushtarë rusë nuk mund të përfytyronin se kur lanë Beogradin dhe morën rrugën në jug kah Nishi po i aviteshin një drame që gati sa nuk do të ndizte fitilin e së fundmes fuqi të pashpërthyer të Luftës së Tretë.
Një maskaradë në lëvizje
Qielli i Prishtinës ende nuk ishte bërë ngjyrëbruzët, kur rreth orës 5:00 të mëngjesit nga qendra e qytetit vinte një zhurmëri lëvizjesh, vikamash e brohoritjesh në serbisht.
Dhjetëra serbë, kryesisht të moshuar, kishin zënë dy anët e rrugës në qendër të Prishtinës e po përshëndesnin kolonën e motorizuar ruse.
Flamuj serbë e rusë shquanin mes banorëve serbë, të vetmit që kishin mbetur pasi ishte zbuar krejt popullata shqiptare nga kryeqendra e Kosovës. Në atë hark disaminutësh kohe sa zgjati maskarada surreale, tashmë kur e bardha mëngjesore po fekste më e plotë, dritat e kamionëve dhe autoblindave të konvojit rus dukeshin si shenja teatrale e një spektakli…që thuajse asnjëri nga turma zëçjerrëse nuk po e merrte me mend se ç’qëllime kishte.

“Pa paralajmërim”
Në fakt, çdo histori e tri dekadave të fundit të Kosovës priret të harxhojë më së shumti bojë për ndërdymjen e gjatë në duhej apo jo të ndërhyhej ushtarakisht ashtu që t’i jepej fund gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare. Sado që Yeltsini nuk i ishte kundërvënë Perëndimit në këtë përpjekje, “Rusia ka qenë përherë një aleat i fortë i Serbisë dhe ishte mbështetësja kryesore e pozicioneve serbe në Kosovë”, shkruan Robert Elsie në “Fjalorin Historik të Kosovës”.
Në zërin kushtuar marrëdhënieve me Rusinë, ai vë re se, me gjithë kundërshtimet deklarative, në fund forcat ruse morën pjesë në operacionet ushtarake që përftuan tërheqjen e trupave serbe.
“Rusët pritej të kishin sektorin e tyre në Kosovë dhe u ndien të mashtruar kur nuk e morën atë. Pa ndonjë paralajmërim paraprak, një kontingjent prej 200 vetash të trupave ruse hyri në Kosovë nga Bosnja dhe e zaptoi Aeroportin e Prishtinës më 12 qershor 1999 para se forcat e NATO-s të arrinin, duke shkaktuar një barabitje të tendosur me aleancën”, shkruan Elsie.
Jashtë çdo parashikimi
Por kjo mësymje ruse nuk kishte kaluar pa u vënë re. Që nga nata e mbrëmshme, në Zyrat Supreme të Fuqive Aleate kishin trokitur informacione e informacione për lëvizjet e dyshimta të rusëve. Dhe kjo nuk mund të mos e prishte terezinë, sidomos te forcat aleate të stacionuara në Maqedoni që, sipas planit të shestuar, do të duhej të hynin të parat në Kosovë.
Ishte ora 5:25, sipas orës lokale, kur detashmentet britanike nga Bllaca dhe njësitë ushtarake franceze nga Sllupçani e Likova nisën të kalonin kufirin.
Në analet e historisë së NATO-s, ky operacion do të mbamendej si “Joint Guard”, por që u zhdrivillua jashtë çdo parashikimi.
Avionët britanikë të “5th Airborne Brigade” nisën të përshkonin qiellin sipër Grykës së Kaçanikut për të dëlirë rrugën për “4th Armoured Brigade”, që duhej të arrinte sa më shpejt në Prishtinë.

“And I see no bravery”
Sado që ishte një luftë gati e humbur me kohën, sepse në të njëjtën kohë trupat ruse veç kishin hyrë në Prishtinë e po ngarendin për të zaptuar aeroportin e Sllatinës, çdo minutë ishte e shtrenjtë.
Një kapiten me fytyrë nurplot u vu në krye të njësitit me paratrupa që duhej të çanin të parët drejt Prishtinës. Quhej James Blunt, i cili pas disa vitesh do të përnaltësohej si një nga këngëtarët më të njohur britanikë.
Katër vjet më vonë, ai do të incizonte këngën “No Bravery” si tribut i ditëve të tij në Prishtinë: “Ka fëmijë që rrinë këtu/ Krahët zgjatin në qiell/ Lotët në faqe përthahen/ ....Dhe nuk shoh trimëri/ Nuk shoh trimëri më sytë e tu/ Veç trishtim/”.
Kriminelët serbë ikin
Kur njësitë britanike e ato norvegjeze po lëshoheshin tatëpjetës së Veternikut, trupat ruse tashmë kishin zbarkuar në aeroport. Nga “porta” jugore e Prishtinës, njësitë britanike përshkuan si në gjysmëunazë lagjet perëndimore të kryeqytetit.
Pamje filmike e aso me fotografi arritën të përkapnin veç një dromcë nga ajo dramë jo fort e shpeshtë në histori: kolona e kolona të brigadave të motorizuara të ushtrisë serbe po sprapseshin e po vijonin rrugën në veri drejt Nishit.
“Ka një pështjellim të plotë”
Sipas studiuesit francez, Laurence Binet, manovra e papritur ruse shkaktoi një pështjellim të ndjeshëm brenda NATO-s, e cila kishte tagrin për të vendosur trupat paqeruajtëse në Kosovë.
“Lëvizja ishte krejt e papritur që trupat e vendosura në Bosnjë të hynin në Prishtinë nëpërmjet Jugosllavisë para se marrëveshja të arrihej mbi natyrën e kontributit rus në KFOR”, shkruan Binet në librin e tij “Violence against Kosovar Albanians, NATO's intervention 1998-1999”.
Edhe në Bruksel tronditja u ndie fort. “Ka një pështjellim të plotë”, kishte qenë përgjigjja e një zyrtari të NATO-s.
Por rusët po e bënin flegmetikun, atë që nuk di ende se çfarë ka ngjarë. Në një prononcim për CNN, ministrit rus të Jashtëm, Igor Ivanov, i ishte shkëputur një prononcim, ku ai kishte thënë se arritja e ushtarëve rusë kishte qenë e “paplanifikuar” dhe se nuk kishte pasur autorizim nga Kremlini. “Gjendja po hetohet”, kishte shtuar Ivanov, “dhe trupat janë urdhëruar të lëshojnë Kosovën menjëherë dhe të presin për udhëzime të mëtejshme”.
Zanafilla e ndarjes
Po çfarë ndodhi në atë ditë qershori në Prishtinë? Historianë, studiues e gazetarë kanë rindërtuar pjesë-pjesë mozaikun e asaj që përbën okupimin rus të Prishtinës dhe zemrës së Kosovës.
Njohës i rrethanave dhe çështjeve evroaziatike, Gordon M. Hahn, e qëmton këtë përpjekje ruse brenda marrëdhënieve jo të lehta mes Kremlinit dhe Perëndimit gjatë viteve ‘90.
Për ata që kishin përcjellë kaleidoskopin e politikës së brendshme moskovite, ky veprim qe parë si “akt rezistence pas një dekade poshtërimi nga diktatet perëndimore”.
“I ashtuquajturi ‘marshi drejt Prishtinës’, që ngjau më 11 qershor 1999, kur forcat ruse që ishin në një mision paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Bosnjë në prag të luftës së parë jugosllave u rivendosën në Kosovë, njëanshëm, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me qëllim që të themelonin një mision të pavarur nën komandën ruse”, shkruan Hahn në librin e tij “Ukraine Over the Edge: Russia, the West and the ‘New Cold War’”.
“Rusët hodhën poshtë nënrenditjen nën komandën e NATO-s dhe kërkuan që të ngrihej një operacion paqeruajtës për të mbrojtur veriun e banuar me serbë në Kosovë e mbase edhe të bënin një enklavë të ndarë serbe”.
“Duke rrahur tavolinën”
Por vetëm një njeri do të alarmonte për përmasat e rrezikut rus. I pakuptuar edhe nga rrethi i ngushtë, kjo e solli atë në përplasje fytafyt edhe me vetë vartësit e tij. Me t’u informuar për lëvizjen ruse, komandanti suprem i forcave aleate, Wesley Clark do të urdhëronte paratrupat britanike e ato franceze të shkonin me helikopterë në Sllatinë e aeroporti t’u hiqej rusëve nga duart.
Të nesërmen e inkursionit rus, Clark do të arrinte në zyrat e aleatëve në Shkup. Ishte vetëm ai që “rrahu tavolinën me grusht”, duke kërkuar që rusëve t’u bllokoheshin të gjitha rrugët.
Përplasje gjeneralësh me yje
Ky ngulmim do ta konfrontonte keqazi me gjeneralin britanik Mike Jackson, i cili ishte caktuar si komandant i KFOR-it. Ky i fundit nuk po tumirte se nuk po tumirte urdhrin e amerikanit. Dialogu i mëposhtëm sjell në mënyrë vivide përplasjen e madhe brenda kampit aleat:
Jackson: “Ju nuk e keni këtë autoritet”.
Clark: “Unë e kam këtë autoritet. E kam sekretarin e përgjithshëm prapa vetes në këtë”.
Jackson: “Zotëri, unë nuk do të filloj Luftën e Tretë Botërore për ju…”.
Clark: “Mike, s’po të kërkoj të fillosh Luftë të Tretë Botërore. Po të kërkoj të bllokosh rrugët ashtu që ne të mos përballemi me një çështje që do të prodhojë krizë…nuk ka përse të jetë ballafaqim…”.
Jackson: “Zotëri, unë jam gjeneral me tri yje; ju nuk mund të më jepni urdhra si ky…unë kam gjykimin tim”.
Clark: “Mike, unë jam gjeneral me katër yje, dhe unë mund t’i them këto gjëra”.
Aeroporti okupohet nga rusët
Siç vë re historiani ushtarak, Lajos F. Szászdi, pasi dështoi të bindte Jacksonin për të ndjekur urdhrin e tij për angazhimin e helikopterëve amerikanë, Clark do t’i drejtohej vartësit tjetër, admiralit James Ellis, komandant i flotës së gjashtë amerikane në Mesdhe, që të dërgoheshin helikopterë amerikanë ashtu që në Sllatinë të pamundësohej aterrimi i aviacionit rus.
“Kur trupat britanike dhe franceze provuan të shkonin në aeroport, rusët, duke mëtuar që ai është ‘sektori i tyre’ për paqeruajtje brenda Kosovës, kundërshtuan hyrjen e kontingjenteve të NATO-s që iu afruan kompleksit. Okupimi rus i Aeroportit të Prishtinës ishte një akt guximtar, që i hodhi në pështjellim planet nistore të NATO-s”, shkruan Szászdi në librin e tij “Russian Civil-Military Relations and the Origins of the Second Chechen War”.
Mes provokimeve ruse
Vetë Jackson mund të ketë ndier brenda tij që “eprori” i tij kishte pasur të drejtë: kontingjenti rus ngjante si një kockë e fortë. Sapo arriti në aeroportin e Sllatinës, madje edhe kur po jepte një deklaratë për shtyp, “personeli rus në autoblinda i drejtohej kërcënueshëm lart e poshtë si për t’i kujtuar secilit që ata arritën aty të parët”.
Ajo që në mediat e literaturën divulgative ruse krijoi imazh si “Prishtinski brosok” (Marshi i Prishtinës), atyre ditëve solli tensione të plota.
Mundësia e përplasjeve ishte e afërt edhe fizikisht: edhe pamje filmike të “Associated Press” kronikojnë se si ushtarë britanikë e rusë e kishin njëri-tjetrin në shënjestër e me “gishtin në këmbëz”.
E ndonjëherë qëllonte që gjakrat të ftoheshin aq sa Jackson e Zavarzin të cakërronin gotat me uiski. Ky i fundit sakaq do të blatohej si “hero” në Kremlin. Më 8 korrik, Marshal Sergeyev, ministër rus i Mbrojtjes, mori urdhër nga Yeltsini që të bënte përgatitjet e duhura që të dekorohej me medalje.
“Faleminderit për Kosovën”, i kishte thënë presidenti rus Zavarzinit.
Sado që diplomacisë i bishtnonte e forcës i bënte sikur i matej në duel, “ariu” rus brenda pak kohe do të dorëzohej nga “uria”. Me bllokimin e hapësirës ajrore në të gjithë Evropën Lindore, kontingjenti infamoz rus do ta ndiente së shpejti nevojën për ushqime. Ata që mëngjesin e së shtunës parakalonin si “triumfatorë” përballë një turme serbësh, në ditët në vazhdim “u katandisën duke kërkuar lëmoshë për bukë e ujë”, që më pas e morën nga italianët, francezët e britanikët.
Ndërkaq sipas Elsiet: “Trupat ruse kaluan plot 14 muaj në Aeroportin e Prishtinës para se ta dorëzonin”. “Në fillim të 2003-s, forcat ruse u tërhoqën nga Kosova, duke marrë shkas çështjet financiare”.