Shtojca për Kulturë

Doktrina e padënuar antishqiptare

Ngjashëm si tani në kohën e Vuçiqit, Millosheviqi u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të bojkotohej komunikimi me institucionet e Kosovës dhe u bënte thirrje për konfrontim të hapur me shqiptarët. Edhe nga Akademia e Shkencave dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë u ishte bërë thirrje ekstremistëve serbë në Kosovë që të kërkohej komunikimi i drejtpërdrejtë me udhëheqjen serbe në Beograd. Edhe Millosheviqi dëshironte pozitën e “serbëve të vuajtur dhe të mjerë” për ta goditur “nacionalizimin shqiptar” dhe t’i hapte rrugë suprimimit të pozitës kushtetuese të Kosovës

Nëse diplomatët dhe publiku i gjerë dëshirojnë të kenë qoftë edhe idenë më të paktë për qëndrimin e politikës serbe të Beogradit ndaj Kosovës, e cila në vitet ‘90 u bë një çështje evropiane dhe ndërkombëtare, atëherë duhet marrë në dorë shkrime të tilla si ky i Ibrahim Rugovës, pasi këto shkrime janë Bibla dhe Kurani për ta kuptuar nacionalizmin serbomadh. Shkrimet e tilla japin një pasqyrë të detajuar dhe janë një përpjekje për një paraqitje besnike të situatës së atëhershme në Kosovë e cila, ngjashëm si tani, përballej me agresionin politik dhe propagandën sistematike antishqiptare, e cila projektohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe, dy institucioneve më meritore për ngritjen politike të Millosheviqit dhe bën publike idetë e tyre për abrogimin e statusit të Kosovës sipas kushtetutës jugosllave të vitit 1974 dhe kthimin e Kosovës nën kontrollin e hekurt të Serbisë, në statusin që Kosova e kishte pasur në tri dekadat e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ishte kjo koha kur Beogradi, ngjashëm si tani, filloi të përdorte strategjinë e re komunikimit të drejtpërdrejtë me serbët lokalë të Kosovës, që nënkuptonte dëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj udhëheqjes serbe në Beograd dhe anashkalimin e Qeverisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, në kuadër të kësaj strategjie antishqiptare, ishte edhe synimi për armiqësimin e shqiptarëve të Kosovës me popujt e tjerë të Jugosllavisë, me sllovenët, kroatet, boshnjakët, malazezët dhe maqedonasit. Pas instrumentalizimit të rastit të Danillo Miliçiqit në Vushtri (1982), të Gjorgje Martinoviqit në Gjilan (1985), dhe fotografisë së fshatit Prekallë të Pejës (1987) (publikimi i një fotografie të rrejshme në gazetën beogradase “Politika” të një fshatareje serbe, me një fëmijë në krah dhe një pushkë të varur në krahun tjetër, kinse e frikësuar nga shqiptarët), Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986) ndodhi rasti më famëkeq i në kazermën e Paraqinit (shtator 1987), ku Aziz Kelmendit, një shqiptar nga Prizreni, vetëm disa ditë para se të përfundonte shërbimin ushtarak, vrau katër ushtarë dhe plagosi tre të tjerë me përkatësi të ndryshme etnike. Skenari i kësaj ngjarjeje ishte armiqësimi i shqiptarëve të Kosovës me popujt e tjerë në Jugosllavinë e atëhershme, pikërisht kur kishte marrë hov histeria antishqiptare dhe në kohën kur lajtmotiv i hegjemonizmit serb ishte bërë vetë viktimizimi i serbëve të Kosovës, Kroacisë dhe të Bosnjës.

Asokohe, ngjashëm si tani në kohën e Vuçiqit, Millosheviqi u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të bojkotohej komunikimi me institucionet e Kosovës dhe u bënte thirrje për konfrontim të hapur me shqiptarët. Edhe nga Akademia e Shkencave dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë u ishte bërë thirrje ekstremistëve serbë në Kosovë që të kërkohej komunikimi i drejtpërdrejt me udhëheqjen serbe në Beograd. Edhe Millosheviqi dëshironte pozitën e “serbëve të vuajtur dhe të mjerë” për ta goditur “nacionalizimin shqiptar” dhe t’i hapte rrugë suprimimit të pozitës kushtetuese të Kosovës. Te shumica e serbëve të Kosovës, pas ardhjes së Millosheviqit në Fushë-Kosovë u krijua bindja dhe entuziazmi se ata mund të bënin çfarë të donin ngase kishin përkrahjen e Beogradit. Disponimi antishqiptar kishte arritur kulmin, ndërsa grupet e serbëve radikalë dhe nacionalistë nga Kosova vazhdonin vizitat e tyre në Beograd, ku Millosheviq, i cili i instrumentalizonte ata për forcimin e pozitës së tij në nivel federate dhe për masivizimin e mitingjeve. Siç thotë ish-lideri komunist i Kosovës në vitet ‘80, në këtë periudhë në Serbi po ngjallej një lloj neofashizmi i ri, ndërsa lideri i saj ishte Millosheviqi.

Në këto rrethana, përkatësisht më 1988 ndodhi takimi midis shkrimtarëve të Kosovës dhe të Serbisë, në Beograd, me temën “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot”, ku Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Ali Aliu dhe intelektualë të tjerë shqiptarë patën një ballafaqim triumfues me shkrimtarët serbë dhe kjo ishte arsye përse shkrimtarët dhe intelektualët serbë refuzuan të zhvillimin takimin e radhës në Prishtinë. Në këtë takim, Rugova dhe intelektualët tjerë nga Kosova nënvizuan se nuk janë shqiptarët, por serbët ata që favorizohen në strukturat udhëheqëse, në administratë, në kulturë, në arsim, gjë e cila dokumentohej edhe më të dhëna statistikore të kohës. Këtë diskurs të Beogradit, Ibrahim Rugova e kishte përshkruar si strategji antishqiptare dhe si albanofobi, e cila prej shumë vjetësh udhëhiqej nga një pjesë e shtypit, institucionet e kulturës dhe të shkencës dhe shoqatat të tjera të Beogradit. Në përmbyllje, të fjalës së tij Rugova (që botohet në vazhdim) do të tërhiqte vëmendjen se “opinioni jugosllav dhe njerëzit me përgjegjësi duhet ta kuptojnë një herë e mirë se kështu nuk mund të veprohet ndaj një populli”.

Por, doktrina antishqiptare, e cila mbështetej në Memorandumin e ASHAS-së, ishte ngjizur dhe në emër të vetëviktimizimit, synonte serbizimin e Kosovës me të gjitha mënyrat dhe me çdo mjet: me ushtri, me kërcënime, me terror dhe me spastrim etnik. Për të mësuar më shumë për klimën e atëhershme represive ndaj shqiptarëve të Kosovës, për fushatën antishqiptare të Beogradit, si dhe për kuptuar thelbin e politikës aktuale të Serbisë nën drejtimin e Vuçiqit, shkrimi i Ibrahim Rugovës, i shkruar 35 vjet më parë, paraqet anatominë e doktrinës antishqiptare të Beogradit dhe njëkohësisht dëshminë më autentike se Serbia nuk ka ndryshuar në raport me shqiptarët dhe Kosovën. Bombat e NATO-s vërtet ndëshkuan Serbinë, por krimet dhe doktrina e saj antishqiptare ka mbetur e padënuar.

Strategjia antishqiptare

Image
“Në aspektin historik deri në maksimum janë shfrytëzuar shkenca borgjeze serbe, duke lansuar tezën se shqiptarët nuk kanë historinë e tyre, duke diskualifikuar origjinën e tyre, dhe këto shërbejnë për mohimin e shqiptarëve si popull në kuadrin evropian. Kështu, shqiptarëve u mohohet edhe e drejta për të sotmen...”

Ibrahim Rugova

Diskutim në takimin e shkrimtarëve serbë dhe kosovarë për temën: “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot”

“Në bazë të rezultateve shkencore, të pranuara sot edhe nga shkencat evropiane, dihet se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve antikë.”

Këta shtatë vjetët e fundit janë krijuar disa etiketa të hekurta, të cilat shërbejnë si mekanizëm i një strategjie të fshehtë negative, siç janë: nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar, separatizmi shqiptar, kundërrevolucioni, gjenocidi, fashistizim, albanofobia, albanizmi, heshtja e inteligjencës shqiptare, arbitrariteti, paligjshmëria, shpërthimi i lindjeve dhe plot e përplot të tjera. Në anën tjetër, krahas këtyre etiketave, përdoren termat si shpërngulja e serbëve dhe malazezëve, drama kosovare, tragjedia kosovare, eksodi serb, dhunimet, zjarret, zullumet dhe të tjera. Këta terma bëhen etiketa të reja edhe më të fuqishme.

Nëse e shikojmë me kujdes këtë sistem të etiketave, mund të vërejmë se fjala është për të njëjtin problem, pra, për strategjinë antishqiptare, të cilën po e udhëheqin prej 7 vjetësh një pjesë e shtypit, mandej institucionet e kulturës e të shkencës dhe shoqata të tjera të Beogradit. Në sistemin e parë të etiketave prin slogani nacionalizëm apo separatizëm shqiptar, ndërsa në të dytin slogani shpërngulja e serbëve dhe e malazezëve, të cilat mbulojnë gjithë situatën në Kosovë. Me sistemin e parë të etiketimeve sulmohet direkt populli shqiptar, kurse me të dytin – në emër të viktimës dhe mbrojtjes së saj, akuzohet dhe sulmohet gjithashtu i njëjti popull. Sidoqoftë, të dy sistemet e etiketave kanë të njëjtin qëllim. Kjo strategji antishqiptare e borgjezisë serbe të fundit të shekullit të kaluar dhe të fillimit të këtij shekulli është pasuruar në kushtet e reja. Tani ajo mbështetet edhe në konceptet e socializmit shtetëror dhe deformimet e sigurimit të shtetit të dënuara më parë. Pra, kemi gjallërimin e logjikës së UDB-së të viteve ‘50 dhe 60-të ndaj shqiptarëve.

Nga kjo strategji e fshehur negative, në planin historik dhe aktual, por veçojmë vetëm disa momente, të cilat po shmangin thelbin e së sotmes. Në aspektin historik deri në maksimum janë shfrytëzuar shkenca borgjeze serbe, duke lansuar tezën se shqiptarët nuk kanë historinë e tyre, duke diskualifikuar origjinën e tyre, dhe këto shërbejnë për mohimin e shqiptarëve si popull në kuadrin evropian. Kështu, shqiptarëve u mohohet edhe e drejta për të sotmen.

Në bazë të rezultateve shkencore, të pranuara sot edhe nga shkencat evropiane, dihet se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve antikë. Kjo do të thotë se populli shqiptar është fqinji më i vjetër i grekëve dhe i romakëve të vjetër, me të cilët edhe sot jeton në fqinjësi . Elementi iliro-shqiptar ishte dhe mbeti nëpër shekuj edhe në Kosovë. Këto janë fakte shkencore, të cilat dikush dëshiron t’i politizojë në emër të luftës kundër nacionalizimit shqiptar, që në të vërtetë është luftë kundër popullit shqiptar. Gjatë gjithë mesjetës shqiptarët qenë element i rëndësishëm në Kosovë, gjë që vërtetohet nga të gjitha burimet dhe studimet shkencore. Po përmendim vetëm një të dhënë: shkrimtari i vjetër shqiptar; nga rrethina e Prizrenit, Pjetër Bogdani, në parathënien e librit të tij “Çeta e profetëve” (1685), shkruan se librin e tij ia kushton popullit të vet, i cili në Kosovë është shumicë dhe flet gjuhën shqipe.

(...) Strategjia negative antishqiptare mund ta shohim edhe më mirë në çështjet aktuale... Në prag të çlirimit, kur shumica ishin të bindur se do të dalë fitimtare shoqëria dhe bota e re, siç flitej atëherë, ndodhën ndërlikime të tjera që i shkaktuan organet e Sigurimet Shtetërore. Për t’i mbajtur shqiptarët përgjithmonë nën mbikëqyrje, ato filluan të zbatojnë strategjinë e paraluftës kundër tyre. Kjo strategji kulmin e arriti me grumbullimin e armëve, gjatë të cilit pati edhe raste vdekjesh dhe e pasuan mbi 60.000 shqiptarë. Në atë periudhë u akuzua edhe teza që shqiptarët të shpërnguleshin në Turqi. Në këtë rast u shfrytëzua edhe Konventa ballkanike mes Jugosllavisë dhe Turqisë dhe shteteve të tjera ballkanike për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Sipas statistikave jo të plota, u shpërngulën mbi 300.000 shqiptarë. Filloi edhe fushata kundër inteligjencës shqiptare. Këtyre tezave iu shtua edhe teza tjetër mbi prapambetjen ekonomike të Kosovës, si premisë për presion ekonomik mbi shqiptarët që ta braktisin Kosovën, pra, si një ndër format më të padëgjuara, përmes së cilës dëshirohej të hiqnin qafe elementin shqiptar.

Pas vitit 1966, kur u demaskua disi kjo strategji e fshehur e Sigurimit të Shtetit, serbët dhe malazezët, të cilët dikur bënin ligjin, nuk deshën të hyjnë në rrjedhat e reja të zhvillimit, sepse kishin humbur privilegjet e reja të zhvillimit, sepse kishin humbur privilegjet. Ata nuk i pranojnë situatat e reja. Si kundërpeshë u ringjall propaganda e udbashëve të rënë me fushatën që të ndalohet emigrimi i serbëve dhe malazezëve nën etikën shpërngulje dhe kjo u shndërrua në një çështje të përgjithshme shtetërore. Kjo propagandë ishte njëra anë e strategjisë së fshehtë antishqiptare...

Opinioni jugosllav edhe njerëzit me përgjegjësi duhet ta kuptojnë një herët e mirë se kështu nuk mund të veprohet ndaj një populli.

“Antialbanska strategia”, “NIN”, Beograd 8. 5. 1988

Përgatiti: Sylë Ukshini