Shtojca për Kulturë

Dobia e serbëve: vrasjet midis shqiptarëve

Prishtinë, 1913 (Foto: Auguste Leon)

Prishtinë, 1913 (Foto: Auguste Leon)

“Kohë më parë tek unë erdhi një serb nga nahija e Pejës, i cili më rrëfeu se ‘pas vrasjes së një serbi në fshatin e tij, fqinji shqiptar me të cilin jemi në miqësi, e nxori gjakun e serbit duke e vrarë vrasësin shqiptar. Për shkak të kësaj ngjarjeje, më pas shumë shqiptarë u vranë nga palët e rëna në gjakmarrje’. Shqiptarë ka boll dhe për aq më tepër që ata vriten mes vete, për njerëzit tanë do të bëhet edhe më mirë”, ka shkruar konsulli serb në Prishtinë, Mirosllav Spalakoviq, më 18 tetor, 1904

Një takim në shtëpinë e gjuetarëve që e tensionoi gjendjen në tokat shqiptare

Sikur perandori i Austro – Hungarisë, Franz Joseph, (1830 – 1916) dhe cari rus Nikollai II të mos takoheshin në vjeshtën e vitit 1903, në vendin e vogël austriak të quajtur Mürzsteg, me siguri që emri i tij do të mbetej jo edhe aq i njohur në Ballkan, por edhe më gjerë. Për ironi takimi i perandorëve u zhvillua në një shtëpi të gjuetarëve dhe në të u arrit pajtimi rreth skemës së dytë të reformave, që hyri në zbatim në pranverën e vitit 1904. Megjithatë, ndër qarqet ndërkombëtare skema e dytë e reformave në Turqinë evropiane nuk paraqiste asgjë pos vendosje të protektoratit ndërkombëtar mbi shtetin osman. Pra, sipas projektit në fjalë, çështja kryesore ishte emërimi i dy vlerësuesve civilë që do t’i përfaqësonin Austrinë dhe Rusinë, të cilët do të uleshin, si të thuash, në të djathtë dhe në të majtë të inspektorit të vilajeteve, Hilmi Pasha, dhe ta udhëzonin atë “në rrugën e drejtë”, por nuk duhej harruar se kompetencat e tyre mund të ishin thjesht këshilluese. Në anën tjetër,  për çdo mosmarrëveshje midis tij dhe dy këshilltarëve, Hilmi Pasha mund të kërkonte zgjidhje prej Stambollit. Më pastaj, pjesë e skemës apo planit ishte rirregullimi i zonave administrative dhe mund të thuhet se edhe pse ishte paraparë që të kryheshin intervenime sidomos në zonat ku rivaliteti midis ballkanasve ishte evident, megjithatë situata mbeti pa ndryshime esenciale. Dështimet e tjera në planin e paraparë ishin se për dy vjet nuk u bë asnjë përpjekje në  riorganizimin e financave, ndërsa premtimet rreth riorganizimit të gjykatave mbetën boshe! Ndërsa fati i reformave lidhur me  xhandarmërinë si një forcë ndërkombëtare, ku sipas marrëveshjes Austria dhe Rusia nuk do të gëzonin ndonjë privilegj të veçantë, u vulos në çastin kur gjenerali italian De Giorgis, njëri prej njerëzve kyç “hyri në shërbimin turk pa rezerva dhe u pa qartë se ai tashmë kishte pranuar që udhëzimet t´i pranonte vetëm nga paguesit turq”.

Prandaj, është për t´u habitur se si erdhi te dështimi i reformave, kur dihej mirë se secila prej fuqive ndërkombëtare e kishte të ndarë sektorin e vet. Kështu Rusia fitoi qytetin e Selanikut dhe pjesët perëndimore të Vilajetit të Selanikut, Austria u vendos në Shkup dhe kjo njëherësh ishte qendër natyrore për depërtimin e Shqipërisë së Veriut, Francës iu dha qyteti dhe Sanxhaku i Serresit, ndërsa Anglisë iu nda krahina e Dramës.

Megjithatë, përveç gjeneralit italian De Giorgis, edhe Rusia nuk e respektonte marrëveshjen e arritur, bile haptazi.

“Nëse nis reformimi i xhandarmerisë në Sanxhakun e Prishtinës, atëherë atje përgjegjës do të jenë oficerët tanë”, këmbëngulte Zinojev në shkurtin e vitit 1904. Ndërsa vetë gjenerali italian De Giorgis ishte i bindur se në Sanxhakun e Prishtinës, reformat duhet t´u liheshin në dorë oficerëve italianë ndërsa shpresat për sukses u ripërtërinë në fundin e shkurtit, kur në përgatitje për t´u përfshirë në forcat e ardhshme të xhandarmerisë nga Prishtina në Shkup arritën 337 pjesëtarë të këmbësorisë dhe 49 të kalorësisë (në dokumentin austriak potencohet myslimanë), ndërsa kandidatë të krishterë nga Prishtina për përfshirjen e tyre në njësitin e këmbësorisë ishin paraqitur 112 dhe 16 të kalorësisë.

Dylberët e Prishtinës dhe përpjekjet për rrënjosjen e ndjenjës antiperëndimore te shqiptarët

“Në Prishtinë nuk janë vërejtur kurrfarë ankesash rreth dërgimit të oficerëve për zbatimin e reformave dhe siç dihet këta oficerë duhej të vendoseshin nën urdhrat e adjutantit austro-hungarez”, raportonin më në fund burimet diplomatike gjermane në verën e vitit 1904. Të kujtojmë se zbatimin e reformave të paralajmëruara në Prishtinë ishte paraparë ta mbikëqyrte Austria. Ndonëse burimet gjermane ishin të besueshme në lidhje me qëndrimin dhe disponimin e prishtinasve në raport me perëndimorët, pikërisht në këtë kohë për çudi kishte ardhur deri te krisja e raporteve midis vetë elitës prishtinase. Por, në Prishtinën e turbulluar  ndodhi edhe një ngjarje e pazakontë, e cila në verën e vitit 1904  e tronditi qytetin.

“Para tri-katër ditëve, gjegjësisht në fundin e qershorit të vitit 1904, në Prishtinë ndodhi një vrasje mjaft e pazakontë për kohën. Vrasja ndodhi në pikë të ditës dhe turku e vrau turkun. Shkak ishte dylberllëku (pederastia)…Çmimin me kokën e tij e pagoi ashiku, një kasap i moshës mbi 40 vjeç, ndërsa atë e theri dylberi i tij, një djalosh i moshës 21 – 22 vjeçare. Dylberi i ri ishte martuar kohë më parë, mirëpo ashiku i vjetër nuk e linte rahat, prandaj dashuria mes tyre u shua përgjithmonë me disa goditje të thikës”, raportohej nga Prishtina.

Më pastaj siç e cekëm më lart, temë aktuale në Prishtinën e asaj kohë ishte acarimi i marrëdhënieve midis Xhemal beut, të birit të Sulejman pashës me myftiun e Prishtinës, haxhi Mustafën.

Bëhej fjalë për figura elitare prishtinase dhe ndër popullatën vendore që të dyja këto familje, në radhë të parë njiheshin si të pasura, por edhe me mjaft ndikim. Megjithatë sa i përket mbrojtjes nga pushteti, atë e gëzonte myftiu e jo Xhemal pasha, bile i ati i Sulejman pashës mu për këtë qëndronte në njëfarë gjysmë ilegaliteti. Në anën tjetër, në Prishtinë atëbotë familja e Sulejman pashës përflitej për lidhjet e mira që vite më parë i kishte pasur me ish-konsullin serb në Prishtinë, Sveta Simiq.      

“Shqiptari i mirë”  që mori hak për “mikun serb”

“Unë do të përpiqem që ai të jetë i lirë, pastaj nëse interesat tona e kërkojnë, atëherë e kemi lehtë t’i fusim në armiqësi këta dy shqiptarë të fuqishëm dhe gjithçka do të jetë në dëm të myftiut të Prishtinës, pasi ai është armik i serbëve! I respektuari ministër, gjithsecilin serb që e kam pyetur gjatë bisedave në Kosovë, se ku e kemi dobinë më të madhe (ne serbët dhe Serbia – S. L.), ata njëzëri më kanë thënë se dobia jonë në fakt mund të vijë nga “mosmarrëveshjet dhe vrasjet brendashqiptare dhe më pastaj prej ekspeditave ushtarake të pushtetit… ”, i gëzohej situatës së krijuar midis elitës prishtinase dhe përgjigjes së afruar nga serbët lokalë, konsulli serb në Prishtinë, Mirosllav Spalakoviq.

Por, megjithatë konsulli dukej të ishte i pezmatuar edhe me pakicën serbe në Vilajetin e Kosovës, prandaj apelonte që “prej këtu (Prishtinë) Novi-Pazar e deri në Kaçanik, gjithkush që quhet serb duhet të frymojë në një shpirt të vetëm. Vetive të këqija, siç janë; tradhtia, spiunimi, mosmarrëveshjet, vrasjet mes vete, denoncimeve te pushteti turk duhet t’u jepet fund. Më pastaj ashtu siç jemi marrë vesh më herët duhet të vijojë puna me shqiptarët dhe kundër shqiptarëve. Nëse gjendet ndonjë shqiptar fisnik me pikëpamje më të gjera (gjë që duket se do të ketë të tillë) tek ai duhet zhvilluar ndjenjën e urrejtjes kundër Austrisë. Por, megjithatë jam i bindur thellë se më së shumti mund të shërbehemi me mosmarrëveshjet brendashqiptare. Kohë më parë tek unë erdhi një serb nga nahija e Pejës, i cili më rrëfeu se ‘pas vrasjes së një serbi në fshatin e tij, fqinji shqiptar me të cilin jemi në miqësi, e nxori gjakun e serbit duke e vrarë vrasësin shqiptar. Për shkak të kësaj ngjarjeje më pas shumë shqiptarë u vranë nga palët e rëna në gjakmarrje, por fatkeqësisht aty u vra edhe miku ynë që u hakmor për ne. Vëllai i mikut tonë të vrarë, më ka porositur që t’jua përcjell porosinë juve se a do të ishin në gjendje që bashkë me konsullin rus ta mbronin mikun tonë shqiptar, pasi ai ka shprehur gatishmërinë e tij që t’i vrasë edhe disa armiq tanë! Lidhur me shpërblimin që mund t´i jepej, ai nuk e tha asnjë fjalë, edhe pse ne duhet t´ia ofrojmë shpërblimin, por është për t’u habitur se në këto anë si shqiptarët, po ashtu edhe serbët mjaftohen me pak. Ta zëmë me një martinkë apo me disa qindra fishekë. Serbi nga Peja më tha se me këto shpërblime do të ndihmonin që edhe disa shqiptarë të vriten mes vete, pasi për ne është e parëndësishme se a janë ata në anën tone apo janë armiqtë tanë! Shqiptarë ka boll dhe për aq më tepër që ata vriten mes vete, për njerëzit tanë do të bëhet edhe më mirë”, ka shkruar konsulli Spalakoviq, më 18 tetor, 1904.

Veprimtaria e bandave çetnike në Vilajetin e Kosovës

Në gjysmën e muajit maj të vitit 1905 në Prishtinë arriti konsulli i ardhshëm i Serbisë, Millan Rakiq (1876 – 1938). Fillimisht ai ishte i angazhuar vetëm si shkrestar i konsullatës.

“Gjendja nuk është zi dhe e pashpresë, ashtu siç thuhet në raportet tona nga dita në ditë. Shfletoni raportet tona prej 1 janarit deri më 1 qershor të këtij viti (1905) dhe do ta gjeni se në këtë kohë në Sanxhakun e Prizrenit, Pejës dhe të Prishtinës janë vrarë gjithsej njëzet e pesë njerëz tanë – serbë, duke mos llogaritur të vrarit në Hoçë të Madhe. Prej këtij numri duhet të mos llogariten katër vrasje që i kanë kryer vetë serbët, dhe tri vrasje për të cilat nuk dihet kush i ka kryer.... Ndërsa për kaq kohë në Serbi ndodhin shumë më tepër vrasje. Sa u përket zullumeve të tjera dhe dhunës, edhe të dhënat rreth tyre janë të zmadhuara. Ky zmadhim ka ardhur për shkak të dy arsyeve, në radhë të parë se vetë fshatarët flasin shumë më tepër sesa që është e vërteta, dhe informatorët tanë janë njerëz shumë të prishur e të këqij dhe i zmadhojnë gjërat me qëllim të përfitimit të ndonjë ndihme në para, të ndonjë pushke apo revoleje. Për shkak të këtyre dobësive, raportet tona (të dërguara nga Prishtinë – S. L.) shpeshherë mund të jenë kundërthënës”, ka shkruar Rakiq më 23 qershor, 1905.

Meqenëse vetë Rakiqi nuk ka dashur t´i përfshijë në numrin e të vrarëve edhe çetnikët në Hoçë të Madhe, por në lidhje me këtë ngjarje flet raporti i fundit i  majit të vitit 1905.

“Burime të sigurta më kanë informuar se mytesarifit të Prishtinës sot i kanë arritur dy telegrame nga ana e valiut të Kosovës. Në telegramin e parë valiu ka informuar se në përleshjet me çetnikët në Hoçë të Madhe janë vrarë pesë dhe janë plagosur dy komitë, ndërsa një prift dhe një fshatar i Hoçës së Madhe kanë arritur të ikin dhe tani ushtria është në kërkim të tyre. Te njëri prej komitëve të vrarë është gjetur një hartë. Valiu ka urdhëruar që të ndërmerren masa të rrepta kundër ekzistimit eventual të komitëve edhe në Sanxhakiun e Prishtinës. Në telegramin e dytë valiu ka shkruar se para disa ditëve pesë serbë nga Hoça e Madhe kanë kaluar në Kurshumli dhe janë takuar me komitët serbë dhe bashkë me ata janë përpjekur që ta kalojnë kufirin dhe pasi kanë hasur në rojat e kufirit tonë dhe pas shkëmbimit të zjarrit ata janë kthyer prapa”.

Megjithatë, konsulli serb Spalakoviq ka qenë i brengosur për fatin e banorëve joshqiptarë të Hoçës së Madhe, prandaj e ka njoftuar Beogradin se do të përpiqet të ndikojë te pushteti turk dhe konsulli rus në Prizren, duke pohuar se hoçasit nuk kanë marrë pjesë në luftime, dhe për faktin se deri më tani asnjë çetnik nuk është dëshmuar se ishte nga Hoça e Madhe. Mu për këtë, sipas tij, banorët (serbët) nuk ua kanë asnjë gjak borxh shqiptarëve.

Fatkeqësisht, në vend se pushteti të merrej më seriozisht me ruajtjen e kufijve të Vilajetit të Kosovës dhe të mbështetej më tepër në raportet diplomatike, që anekënd qendrave evropiane ofronin informacione të sigurta për futjen në Kosovë të bandave të armatosura çetnike dhe armëve, sipas një raporti diplomatik nga Shkupi, pushteti merrej me zhvendosjen e familjeve boshnjake dhe shqiptare nga Vilajeti i Kosovës.  

“Duke e pasur parasysh se tani nuk ka më kolonistë boshnjakë,  valiu e ka urdhëruar Mahmud Shefqet pashën që  ta autorizojë Ismail pashën, mytesarifin e Prishtinës që ditëve të fundit qëndroi në Shkup, të shohë se a ka familje shqiptare në kazatë e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Prishtinës që do të ishin të gatshme të vendoseshin në zonën kufitare turko-bullgare”, raportonte konsulli austro-hungarez, Bogumil Para, nga Shkupi në fundin e majit të vitit 1905, duke shtuar se “mytesarifi i Prishtinës, Ismail Pasha, i kishte gjetur disa shqiptarë që ishin të gatshëm të vendoseshin në zonën e sipërpërmendur, prandaj ishin në pritje të përkrahjes së pushtetit”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

LEXO EDHE: