Shtojca për Kulturë

“Djali” i heshtur brenda familjes alarmon për peshën e gabimeve

Shfaqja “Djali” me tekst të Florian Zellerit në regji të Erson Zymberit është mesazh, më pas ndjenjë e përfundimisht alarm

Shfaqja “Djali” me tekst të Florian Zellerit në regji të Erson Zymberit është mesazh, më pas ndjenjë e përfundimisht alarm (Foto: Bajrush Ahmeti)

I takon atij që quhet teatër i heshtur, i varfër, por shfaqja “Djali” e dhënë premierë në Teatrin e Qytetit të Gjilanit flet zëshëm. Shenja e parë e shfaqjes është udhëkryqi e krejt historia që përcjell, përballet me udhëkryqe jetësore. Prindërit divorcohen, secili merret me veten, e djali është ai që mban peshën e gabimeve të tyre. Pendimi është thjesht dëshpërim i pafundmë, sikurse pasojat

Mesazhet janë jetike në teatër. Ato janë të shumëfishta në shfaqjen “Djali” me tekst të dramaturgut francez, Florian Zeller. Nën regji të Erson Zymberit, produksion i Ernest Zymberit, ajo sjell rrëfimin që përherë gjeneron emocione të trishta që bëhen intensive secilën herë. E bën publik intimitetin e kompleksitetin e marrëdhënieve në familje. Alarmon për peshën e gabimeve. Pendimi është thjesht dëshpërim i pafundmë, sikurse pasojat. 

Dyert e Teatrit të Gjilanit janë hapur të premten mbrëma për një shfaqje me produksion të pavarur. Publiku në tri anët e skenës ka krijuar hapësirën intime të shfaqjes në formë kamertale. Intim është raporti i tyre familjar që i vjen publikut si mesazh i shumëfishtë për pasojat e vendimeve të tyre. “Djali” është rrëfim universal që zë vend në secilën skenë ku vendoset. Njëjtë ngjan edhe me qytetin në lindje të Kosovës. 

Që në nisje vërehet se diçka nuk shkon me kryepersonazhin Nicolas që luhet nga Yzeir Meha. Shpejt prezantohet nëna e tij Anna, që kthehet në shtëpinë e ish-bashkëshortit, Pierre, që jeton tani me të dashurën e tij Sofia dhe djalin e tyre të vogël. Konfirmohet gjendja jo e mirë e Nicolasit kur Anna (Safete Mustafa-Baftiu) shpjegon se ai nuk ka shkuar në shkollë për tre muaj. Zgjidhja – që djali të jetojë me të atin – vetëm sa i përkeqëson gjërat. Ai nis të lëndojë veten. 

Intriguese që në nisje është edhe vetë skenografia si një udhëkryq ku personazhet i ndan në midis një tavolinë e pazakonshme. Aty takohen zymtësia, hidhërimet, pritja, çmenduria e lajmet e trishta. Nuk është tavolina ku familja bashkohet e krijon kujtime të bukura, a ndien ngrohtësinë familjare. 

Ata janë të ulur përballë njëri-tjetrit në karrige zyrash që e intensifikon efektin e brishtësisë së raporteve të tyre, njëjtë sikurse llambat të cilave zakonisht u bëhen vend nëpër spitale a diçka të ngjashme. Shpesh ato fiken e kur ndizen, ndriçojnë gjendjen përherë më të rëndë shpirtërore të personazheve. 

Ata janë shumë pranë njëri-tjetrit, por nën hijen e mendjes së tyre. Duket se me kohë gjërat rregullohet e gjithçka vihet në binarë, por papritmas publiku befasohet. Ngjan e kundërta. Dëshmohet se çfarë është thyer, nuk kthehet më siç ka qenë. Lë shenja. 

Intriguese që në nisje është edhe vetë skenografia si një udhëkryq ku personazhet i ndan në midis një tavolinë e pazakonshme. Aty takohen zymtësia, hidhërimet, pritja, çmenduria e lajmet e trishta. Nuk është tavolina ku familja bashkohet e krijon kujtime të bukura, a ndjen ngrohtësinë familjare. (Foto: Bajrush Ahmeti)

Nicolas mbetet midis dy zjarresh. Në shtëpinë e asnjërit prind nuk ndihet si në shtëpi. Kërkon të kuptohet pa thënë gjë, por edhe duke “bërtitur” ata nuk e kuptojnë. Duhet se është një mister brenda tij që nuk e lë atë të qetë, e kjo nuk i bëhet e ditur as publikut. 

“Nicolas te kjo vepër është një djalosh që është si viktimë e pasojave të ndarjes së prindërve të tij, secili merret me problemet e veta, por askush nuk është i kënaqur me veten. Këtu gjendet edhe Nicolasi siç e keni parë në shfaqje. Ai vuan prej depresionit i cili i është zhvilluar si pasojë e rrethanave si adoleshent sepse atëherë ndikojnë këto gjëra”, ka thënë aktori Yzeir Meha. 

Është shprehur se roli është i vështirë psikologjikisht për shkak të temperamentit të personazhit e gjendjes së tij. 

“Për ta luajtur rolin nuk ka qenë e lehtë ndoshta fizikisht nuk ka qenë e vështirë, por gjendja e tij ka qenë goxha komplekse, goxha fragjile. Është dashur që gjatë tërë shfaqjes të mbahet ajo gjendje dhe të kalosh nëpër situata të ndryshme me gjendjen e tij”, ka thënë aktori i ri në moshë i cili për herë të parë ka luajtur në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. 

Rebelimi i tij e frustron babanë Pierre që çon në dhunë, e dhuna në tentimvrasjen e të birit. Pasi trajtohet nga plagët, transferohet në repartin e psikiatrisë. Shkaku i krejt kësaj çmendurie: mungesa e dashurisë në familje që e kërkonte aq fort. 

Prindërit e Nicolas këshillohen që ai të mbahet në klinikë pasi gjendja e tij është e rëndë. Por mëshira e tyre bën që ai të lirohet. Kur tavolina më në fund merr kontekstin e bashkimit të familjes, papritmas dëgjohet një krismë e madhe – vetëvrasja e Nicolasit. 

Skenat përmbysen shpesh, duke e bërë atë të marrë kahe të tjera dhe që ngjarjet të mos zhvillohen kronologjikisht. Kur dritat ndizen prapë, publikun e çojnë tri vjet më vonë, kur Pierre me Sofian (Tringa Hasani) po bëjnë gati tavolinën ndërsa papritmas Nicolas afrohet tek i ati. I tregon se po bën karrierë në Berlin dhe se veç sa e ka botuar librin e tij të parë. Ia jep kopjen e parë si dhuratë për ta lexuar para gjithë të tjerëve. Pierre, që luhet nga aktori Kushtrim Qerimi, mburret aq shumë sa mezi mban veten pa qarë. Por Nicolas largohet në hije. 

Ai shpejt zhytet në mërzi, dëshpërim e pendim pafund. Flet se si gjërat do të ishin shumë më ndryshe po të mos gabonte aq rëndë. Ka qenë thjesht një iluzion, një sekuencë e ankthit të jetës së tij që nuk ka fund. 

“Pjesa ku Nicolasi kthehet në imagjinatën e babait të tij, është ai Nicolasi që do të mund të ishte nëse ai do të ishte trajtuar mirë dhe do të kujdeseshin për të. Për atë arsye babai e përjeton rëndë”, ka thënë aktori Meha që ka luajtur Nicolasin. 

I ftohtë është leximi regjisorial i tekstit. Në këtë formë, shfaqja mjeshtërisht përcjell ftohtësinë midis anëtarëve dhe këtë e fuqizon me secilin detaj të skenografisë (Foto: Bajrush Ahmeti)

Nëse fillimisht publiku ishte i sigurt në ndjenjën e fajësisë së Pierre për krejt ngjarjet, ato të fundit e zbusin atë. Aktori Kushtrim Qerimi që ka luajtur Pierrein ka thënë se autori Zeller e ka përfillur porosinë e Aristotelit për dramaturgët. 

“Porosia e Aristotelit për dramaturgët që personazhet duhet t’i shkruani si gjysmë të pafajshme apo gjysmë të fajshme. Mendoj se ky e përfill shumë dhe kjo më pëlqen, edhe te personazhi të cilin unë sot e interpretova, edhe te personazhet tjera gjithmonë është pak problem apo shumë problem të gjendet arsyeshmëria e tij se pse vepron ashtu. Edhe te personazhi që e interpretoj unë ka qenë e vështirë t’i vësh faj apo jo, sepse kemi të bëjmë me një baba të cilit nuk i ka ecur mirë me gruan e parë dhe divorci i tij ka shkaktuar një traumë te djali i tij. Ai për vete e ka gjetur jetën, por ka lënë pasoja te dikush tjetër”, ka thënë aktori Qerimi. 

Ka thënë se tematika e shfaqjes është problem i madh në shoqërinë botërore e atë të Kosovës. 

“Autori e ka prekur një temë që është universale, fatkeqësisht dhe po ka shumë pasoja. Ne kemi dashur ta trajtojmë këtë temë që njerëzit sado pak të mbërrijnë të ndikojnë te dikush dhe të shpëtojnë, nëse mund ta themi”, ka thënë ai. 

Regjisori i shfaqjes, Erson Zymberi, ka thënë se qysh në fillim kur e ka pasur tekstin në dorë, ka qenë i sigurt se ai është tekst i jashtëzakonshëm dhe që lehtë mund të përshtatet me aktualitetin global e atë në vend.

“Mendoj se problemi është universal dhe përpjekjet e një djali të ri në dinamikën komplekse të marrëdhënieve që ka brenda familjes, në gjithë atë që mundohet ta gjejë veten, në një depresion akut që e ka. Ai vazhdimisht thërret për ndihmë dhe nuk merret parasysh, natyrisht ai pëson më së shumti. Edhe pse shfaqja është një dramë familjare e cila zbulon më herët dinamikat komplekse të marrëdhënieve, uroj të ketë jetë të gjatë dhe të vijnë ta shohin njerëzit familjarë dhe sidomos adoleshentët”, ka thënë regjisori Zymberi, që është edhe drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit. 

E ka vlerësuar se është shfaqje që lehtë mund të komunikojë me njerëzit. Ka thënë se “Djali” është shfaqja e tij e dytë që i përgjigjet atij që ai e quan teatër i heshtur, pas shfaqjen “Gishti” të Doruntina Bashës në të cilën ishte regjisor. Shfaqja qe prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe ishte dhënë premierë në vitin 2015. 

“Është një teatër që mua më kishte marrë malli ta shoh. Në krahasim me një shfaqje që unë e kam punuar shumë më herët në Teatrin Kombëtar të Kosovës – ‘Gishti’ – mendoj se kjo është shfaqja ime e dytë që i përgjigjet një lloj teatri të heshtur, me shumë të pathëna, me një teatër ku qetësia dhe heshtja e personazheve flasin shumë më shumë se efektet që teatrot tona i vendosin qëllimshëm për të krijuar një atmosferë të caktuar. Unë jam munduar që krejt këto t’i eliminojë dhe të lërë një teatër të varfër me plot kuptimin e fjalës, një teatër që flet për personazhe që kanë halle dhe probleme”, ka thënë Zymberi.

Ka shpjeguar se si secili detaj, në lojën e aktorëve po se po, por edhe në skenografi, ka qenë rrëfim më vete. 

“Ne si regjisorë e konceptojmë veprën se si ta vëmë në skenë. Edhe koncepti skenografik si udhëkryq ku personazhet takohen në një tavolinë me karrige që janë jo prej atyre që e bashkojnë një familje në një ambient të ngrohtë, por janë karrige të zyrave. Janë marrëdhënie të ftohta, ashtu siç është edhe llamba, që në vend se të jetë një e tillë që ofron ngrohtësi, ajo sjell ftohtësi, zbrazëti dhe distancë midis burrit, gruas dhe djalit. Të gjitha këto elemente apo shenja teatrore janë përkthyer për të qenë sa më i kuptueshëm dhe më i ftohtë teksti në raport me vetë marrëdhëniet që i kanë personazhet midis vete”, ka shpjeguar regjisori Zymberi.

Ka bërë të ditur se në muajin dhjetor shfaqja do të ketë dy repriza në Teatrin e Gjilanit. Reprizën e parë e ka pasur të shtunën mbrëma. 

Ta shohësh shfaqjen “Djali” është një lloj sfide të mos prekesh nga rrëfimi i saj. Nuk ka kurrfarë lidhjeje nëse përjetimet në shfaqje përkojnë me jetën e një individi a jo. Ajo prek thellë dhe publikun e bën një me përjetimet e aktorëve. 

Aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi ka përgëzuar regjisorin Zymberi për leximin e tij të dramës. 

“Zakonisht e kam telashe të jap komente menjëherë pas shfaqjes sepse ende nuk kanë kapërcyer emocionet që t’i jep shfaqja, kështu që nuk e di sa mund të jem racionale në atë se çfarë dua të them. Megjithatë, dua ta përgëzoj ekipin, kastën e aktorëve, regjisorin Erson Zymberi që kishte bërë një lexim të mrekullueshëm. Natyrisht ai është tashmë regjisor i dëshmuar dhe nuk çuditem me këtë punë fantastike që e ka bërë”, ka thënë Kryeziu-Bokshi. 

Drama është dhënë premierë në Paris në vitin 2018. Bëhet e ditur se kjo shfaqje është triologji e shfaqjeve “Nëna” dhe “Babai” ndërsa “Djali” është edhe film, me skenar e regji të francezit Florian Zeller. 

Shfaqja “Djali” është mesazh, më pas ndjenjë e përfundimisht alarm. Human duket thjesht shkrimi i dramës, e më pas edhe inskenimi i saj. Është provë se sa larg shkojnë pasojat e gabimeve të njerëzve.