Shtojca për Kulturë

Diskursi i politikanëve në blerje kohe dhe ikje nga përgjigjja

Prania e mbushësve në të folur nuk është një sinjal i mungesës së kompetencës gjuhësore ose qartësisë mendore, por më tepër i proceseve kognitive të vazhdueshme që përfshihen në të folu

Politikanët përdorin mbushës verbalë si një mënyrë për të blerë kohë dhe për të shmangur bërjen e deklaratave përfundimtare që mund t'i ndjekin ata më vonë. Mbushjet e tilla janë një mënyrë që politikanët të krijojnë përshtypjen e të folurit, pa thënë asgjë thelbësore. Një debat televiziv politik, i realizuar në KTV, emisioni “Desku”, është marrë si model i paraqitjes së pauzave, zgjatjes së tingujve në fund të fjalës, mbushësve dhe përsëritjes së fjalëve, e gjithë kjo për të fituar kohë gjatë komunikimit, përgjigje të tërthorta, përsëritje të informacioneve të njohura, qeshje

Gjuha është një mjet i fuqishëm që ne përdorim për të komunikuar me të tjerët. Mund të flitet ose të shkruhet dhe na lejon të shprehim mendimet dhe idetë tona, të ndajmë përvojat tona dhe të lidhemi me të tjerët. Gjuha gjithashtu evoluon me kalimin e kohës dhe kultura dhe komunitete të ndryshme mund të kenë format e tyre unike të gjuhës. Gjatë të folurit hasim në pauza, si masë e ngarkesës gjatë planifikimit gjuhësor. Pauza është lloj i hezitimit gjatë procesit të të folurit, por jo vetëm kaq, ndonjëherë edhe gjatë të shkruarit. Mund të jetë e heshtur ose e mbushur.

Gjatë të folurit pauzat manifestohen me heshtje, apo me përdorim të mbushësve verbalë dhe joverbalë, ndërkohë që gjatë të shkruarit pauzaliteti manifestohet me ngecje pothuajse të pavërejtshme ose me gjestikulacion. Gjatë komunikimit hasim në pauza mbushëse. Lloj i ngurrimit kur folësi lëshon zëra që nuk janë fjalë të vërteta gjatë pauzës. Pauzat mbushëse janë mbushëse verbale dhe mbushëse joverbalë. Siç e përmend edhe Paçarizi (2012), mbushës verbalë janë kur përdoren fjalë që nuk marrin pjesë në ndërtimin e mesazhit, por janë fjalë të kuptimshme, ndërsa mbushëse joverbale janë tingujt që nuk përmbajnë kuptim, si hmmm, mmm, pastaj kollitja e të tjera.

Mbushja e zbrazëtive

Në rritjen e kohëzgjatjes së tingujve para pauzave, kemi të bëjmë me zgjatjen parapauzale. Zgjatja e tingujve ndodh në përpjekje të eliminimit të pauzave, që e pengojnë të folurit e rrjedhshëm. Kjo ndodh në rastet kur përpjekjet për mbushjen e pauzave dalin të pasuksesshme dhe shkaktohet ndërhyrje e dyfishtë në procesin e të folurit të rrjedhshëm. Kjo është pjesë e pushimeve ritmike që e bën pauzën (Paçarizi 2012). Kur flasim, ndonjëherë na duhet kohë ta procesojmë informacionin e plotë që duam ta ndajmë, renditjen e fjalëve në fjali, për ta dhënë mesazhin e plotë ose të dëshirueshëm.

Tutje Paçarizi (2012) shpjegon llojin e hezitimit ku folësi formon tinguj të cilët nuk formojnë pjesë të mesazhit. Për shkak të zgjatjes së fazës së latencës, kur nuk gjendet shpejt fjala e duhur, folësi përpiqet t’i mbushë zbrazëtirat në rrjedhën normale të të folurit. Për këtë arsye përdoren mbushësit joverbalë si mmm e tinguj të tjerë. Mirëpo, folësit me ndjenjë më të zhvilluar të të folurit ndërtojnë strategji për të mos mbushur zbrazëtirat me tinguj joverbalë, por në vend të kësaj përdorin fjalë të kuptimshme, si domethënë, pra, a po kupton, a p'e din etj., por të cilat nuk janë pjesë e mesazhit gjuhësor, që do të thotë se nuk e ndihmojnë formësimin e kuptimit te mesazhit dhe nuk janë pjesë e kornizës sintaksore.

Mbushësit përfshijnë fjalë ose tinguj që ne i përdorim për t’i mbushur boshllëqet në fjalimin tonë ose kur mendojmë se çfarë të themi më pas. Disa shembuj të zakonshëm të mbushësve verbalë, që përfshijnë fjalë pa ndonjë kuptim apo rol në fjali, janë um, ah, uh, ëm, ëë etj. Këta mbushës mund të përdoren për të na dhënë kohë për t’i mbledhur mendimet tona ose për t'i sinjalizuar dëgjuesit se ne jemi ende duke folur.

Shpeshherë pauza gjatë të folurit na ndihmon për t’i dhënë strukturë dhe fokus komunikimit tonë. Përdorimi i herëpashershëm i mbushësve verbalë dhe joverbalë është normal dhe i natyrshëm në të folur. Kjo pauzë për personin tjetër, në këtë rast dëgjuesin/en mund të japë informacione të nënkuptuara ose “konkludime” (varësisht nga domeni i përdorimit) si papërgatitje ose mosdije, hezitim, pasiguri, ndonjëherë dyshime për informacion joreal, por edhe mund të krijojë bezdi për bashkëbiseduesin/en etj. Mbushësit verbalë janë fjalë ose fraza që përdoren për t’i mbushur pauzat ose boshllëqet në të folur. Ato njihen gjithashtu si “fjalë mbushëse” ose “disfluencies”. Shembujt e zakonshëm të mbushësve verbalë, që janë fjalë me kuptim, por që nuk luajnë ndonjë rol esencial për shpërndarjen e informacionit, përfshijnë mirë, pra, në thelb, në të vërtetë dhe e drejtë, ju e dini, dua të them etj.

Është e rëndësishme të minimizohen përdorimet e tyre, sidomos kur iu referohet një mase të madhe njerëzish, pra sidomos në raste kur mesazhi i dhënë duhet të përçojë njohuri dhe siguri.

Njerëzit përdorin mbushës verbalë dhe joverbalë për një sërë arsyesh, duke përfshirë:

Për t’i dhënë vetes kohë për të menduar dhe organizuar mendimet e tyre përpara se të flasin.

Për të mbushur një moment heshtjeje ose hezitimi në bisedë.

Për t’i treguar dëgjuesit se nuk kanë mbaruar së foluri ose se janë ende duke përpunuar informacionin.

Si zakon apo pjesë e stilit të tyre të të folurit.

Për të identifikuar mbushësit verbalë dhe joverbalë duhet dëgjuar fjalë ose fraza që përdoren vazhdimisht në fjalimin e një folësi, veçanërisht kur ato janë të panevojshme dhe nuk i japin ndonjë kuptim bisedës. Shpeshherë folësi/ja duke mos u kushtuar vëmendje edhe modeleve të tyre të të folurit, përdorin mbushës verbalë ose joverbalë pa e kuptuar fare. Mbushësit verbalë dhe joverbalë kanë marrë vëmendje në rritje në fushat e gjuhësisë, studimeve të komunikimit dhe psikologjisë për shkak të natyrës së tyre të kudogjendur në të folurit e përditshëm dhe ndikimit të tyre të mundshëm në komunikim dhe ndërveprim shoqëror. Mbushësit mund të lidhen me gjendjen emocionale. Folësit priren të përdorin më shumë mbushës kur janë duke përjetuar zgjim emocional ose stres. Për shembull, folësit mund të përdorin më shumë mbushës kur ata janë duke mbajtur një fjalim publik, duke marrë pjesë në një intervistë pune ose duke u përfshirë në një bisedë të vështirë me dikë. Në këto situata, mbushësit mund të përdoren për të sinjalizuar ankthin, pasigurinë ose mbingarkimin kognitiv. Përdorimi i tepërt i tyre mund të jetë gjithashtu një shenjë e aftësive të dobëta të komunikimit.

Për më tepër, lloji i mbushësit të përdorur mund të lidhet edhe me gjendjen emocionale. Për shembull, folësit priren të përdorin më shumë mbushës vokalikë, të tillë si uh dhe um, kur ata përjetojnë emocione negative, ndërsa ata mund të përdorin mbushës më të glotalizuar, si ah dhe eh, kur ata janë duke përjetuar emocione pozitive (Janda 2017).

Midis mbushësve dhe gjendjes emocionale

Marrëdhënia midis mbushësve dhe gjendjes emocionale është komplekse dhe ndryshon në varësi të kontekstit, ndonjëherë mbushësit mund të ofrojnë një pasqyrë të gjendjes emocionale të folësit dhe përpunimit mendor gjatë prodhimit të të folurit. Por, kur flasim për diskursin politik, pjesë e zakonshme është përdorimi i tyre nga politikanët për arsye të ndryshme. Disa nga ato arsye janë:

Për t’i mbushur pauzat dhe për ta shmangur heshtjen e sikletshme: Politikanët shpesh flasin në publik dhe ata duhet ta mbajnë bisedën të rrjedhë pa probleme. Mbushësit verbalë mund t’i ndihmojnë ata t’i shmangin pauzat e gjata që mund ta bëjnë audiencën e tyre të pakënaqshme.

Për të blerë kohë për të menduar: Politikanëve shpesh u bëhen pyetje të vështira dhe atyre u duhet kohë për t’i mbledhur mendimet e tyre përpara se të përgjigjen. Mbushësit mund t’u japin atyre një moment për të menduar përpara se të përgjigjen.

Për ta sinjalizuar pasigurinë: Ndonjëherë, politikanët përdorin mbushës verbalë për të sinjalizuar se nuk janë plotësisht të sigurt për atë që thonë. Kjo mund të jetë një mënyrë për t’i mbrojtur bastet e tyre dhe për të shmangur bërjen e një deklarate përfundimtare për të cilën ata mund të pendohen më vonë.

Për ta zbutur gjuhën e tyre: Politikanët shpesh janë nën presion për të qenë diplomatikë dhe për të shmangur ofendimin e askujt. Mbushësit verbalë mund të jenë një mënyrë për ta zbutur gjuhën e tyre dhe për ta bërë atë më pak konfrontuese.

Për t'u dukur më të afërt: Politikanët duan të lidhen me audiencën e tyre dhe të duken të afrueshëm. Përdorimi i mbushësve mund të jetë një mënyrë për t’i bërë ata të duken më të afërt.

Shmangia e përgjigjes së drejtpërdrejtë

Siç e thekson edhe komentatori politik britanik, John Oliver, i cili u bë i njohur për programin e tij satirik të lajmeve “Last Week Tonight with John Oliver”, kur politikanët përdorin mbushës verbalë dhe joverbalë, zakonisht është një shenjë se ata po përpiqen të shmangin dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë.

Politikanët shpesh përdorin mbushës verbalë dhe joverbalë si një mënyrë për t’i shmangur pyetjet e vështira ose për të fshehur faktin se nuk e dinë përgjigjen, shpesh për t’i mbrojtur përgjigjet e tyre ose për të shmangur dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë ndaj një pyetjeje. Ata mund të thonë “Epo, unë mendoj se kjo është një pyetje e mirë” ose “Kjo është një pyetje e vështirë” në vend që të japin një përgjigje të qartë. Mirëpo shpesh si një mënyrë për t'u dukur më të afërt ose për të krijuar një ndjenjë intimiteti me audiencën e tyre. Ata mund të përdorin fraza si “ju e dini” ose “dua të them” (Erard 2007).

Përdorimi i mbushësve mund të jetë një shenjë e mbingarkesës njohëse, por gjithashtu mund të jetë një zgjedhje strategjike nga ana e folësit për të sinjalizuar pasigurinë ose për të treguar se ata janë ende duke menduar. Ndërsa mbushësit nganjëherë konsiderohen si një shenjë e aftësive të dobëta të komunikimit, ato në fakt mund të luajnë një funksion të rëndësishëm në ruajtjen e rrjedhës së bisedës dhe lehtësimin e të kuptuarit (Ludden 2016).

Mbushësit si për shembull um dhe uh janë gjetur të jenë më të zakonshëm në të folurin spontan sesa në fjalimin e përgatitur, duke sugjeruar se ato janë një pjesë e natyrshme e mënyrës se si ne e prodhojmë gjuhën. Sipas Traxler (2011), studimet kanë treguar se përdorimi i këtyre mbushësve në fakt mund t’i ndihmojë dëgjuesit të përpunojnë më lehtë të folurin, duke ofruar një pauzë të çastit në të cilën mund ta kapin hapin. Pra, mund të ndihmojë në të kuptuarit, duke ofruar një pauzë të shkurtër në të cilën përpunohet informacioni.

Mbushësit mund të shërbejnë gjithashtu edhe në funksionin social, duke ndihmuar në krijimin e një lidhjeje midis folësit dhe dëgjuesit duke sinjalizuar se folësi është ende i përfshirë në mënyrë aktive në bisedë. Mirëpo përdorimi i mbushësve mund të ndikohet nga një sërë faktorësh socialë, duke përfshirë moshën, gjininë dhe nivelin e arsimimit. Mbushësit janë më të zakonshëm në të folurin spontan sesa në fjalimin e përgatitur, duke nënkuptuar kështu se ato janë një pjesë integrale e mënyrës së prodhimit të gjuhës. Shfaqja e pauzave të mbushura ndikohet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë frekuencën leksikore, kontekstin semantik dhe kompleksitetin sintaksor.

Prania e mbushësve në të folur nuk është një sinjal i mungesës së kompetencës gjuhësore ose qartësisë mendore, por më tepër i proceseve kognitive të vazhdueshme që përfshihen në të folur.

Shpeshtësia me “shiqo”, “ë” dhe “e”

Një debat televiziv politik, i realizuar në KTV, emisioni “Desku”, është marrë si model i paraqitjes së pauzave, zgjatjes së tingujve në fund të fjalës, mbushësve dhe përsëritjes së fjalëve, e gjithë kjo për të fituar kohë gjatë komunikimit, përgjigje të tërthorta, përsëritje të informacioneve të njohura, qeshje etj. Bisedat e tilla janë më të prira për përdorim të mbushësve verbalë dhe joverbalë për shkak të ngarkesës emotive, audiencës së madhe, peshës së fjalëve, kjo duke u bazuar në pozitën qeverisëse dhe ndonjëherë, në rastet e tilla, hasim arsyetime apo tentim ikjeje nga temat “e padëshirueshëm”.

Politikanët përdorin mbushës verbalë ose joverbalë si një mënyrë për të blerë kohë dhe për të shmangur bërjen e deklaratave përfundimtare që mund t'i ndjekin ata më vonë. Mbushjet e tilla janë një mënyrë që politikanët të krijojnë përshtypjen e të folurit, pa thënë asgjë thelbësore.

Gazetari (G) dhe politikani (P) kanë biseduar për kritikat e partisë, në të cilën bën pjesë ky i fundit, ndaj Qeverisë. Përdorimi më i shpeshtë është fjala “shiqo” dhe tingujt joverbalë “ë” dhe “e”.

  • G: Në kohën kur bashkëpunonit me të, e njihnit kështu sikur e njihni sot, apo ishit viktimë e këtij mashtrimi për të cilin po flisni?
  • P: Ëëëë shiqoni, nuk kaaa mashtrim, njerëzit e rritur ëëëë, mashtrohen, ne e kemi pasëëë...
  • G: Jo rrallëherë presioni dikton edhe vendimmarrjen në gjykata, qoftë edhe në Kushtetuese.
  • P: Nuk kemi të drejtë ta ta ta ta ta kthejmë në atë monedhë, pra se gjyqësori është një pushtet i ndaaamë, edhe veprojnë në bazë të Kushtetutës e ligjeve, kuptohet jemi në rregull, po u bashku shumë mirë ajo situatë atëherë.
  • G: Do ta ndaloni ose jo?
  • P: Shiqo na na uf, a e lejomë ose jo është diçka tjetër, por a është mirë a keq, është shumë keq të shkohet deri në fund, pra nëse Qeveria insiston me e pru atë ligj në seancë...
  • G: Keni pasur ndonjë vizitë në Hagë?
  • P: Hahaha, as nuk kom pasë, as nuk kom qejf me shku, ja ja ja, nuk e kem parapa, une jam kryetari, jam kryetari i nji partie opozitare, e eee une realisht ëëë ëëë e kum ndie rrezikun nga nji qasje e gabume rreth kësaj gjykate n’kohë...
  • G: Në seancën e fundit mbrojtja e sfidoi tha që do të deponojë edhe materiale për krime serbe.
  • P: Shiqo, është e habitshme për mu, si ka mundësi një gjykatë, me mrri, kah t’i hulumton krimet, mos m’i ra n’mrexhë a n’grep asni krim i ndoni, asni kryesi i ndoni krimi që është serb, kur dihet çka ka ndodhë në Kosovë, pra për mu nuk ka logjikë ligji kjo, u bo gabim n’atë kohë, është tepër e gabume, edhe pse, na, pse kaq mosbesim në ne.

- Besoj shumë që eeeee që të arriturat e VV-së e Kurtit burojnë nga mënyra se si ata e kanë ndërtu një shpresë qytetarëve atëherë për një jetë ma të mirë se ekzistuesja, për punë më të mirë se qeveritë ekzistuese...

- Për fat të keq po del me qenë mashtrim ëëëë...

- Eeeee sa tëherket buxheti dhe parja dhe mbahet peng...

- Paj ëëë ajo ishte gjuha e tyre deri në ardhjen në qeverisje, për ataaa dikur regres ka qenë mënyra se si është shpallë pavarësiaaaa, ose Republikaaa se nuk është kjo e duhuraaa, flamuriii, hymniii, ëëë tash, shumë gjana tjera.

- Eee e shpëtoj Kosovën nga një situatë e rrezikshme... eee une nuk kam qenë i mashtrum as kur kom bashkëqeverisë...

- Ligji ishte i aprovum, por kishte pengesa në implementim të ligjit, në statusin, pra u dashke të krijohet një status në bazë të ligjit, është e ngjashme sikur sot me Asociacionin... statusi është pastaj produkti, edhe pse ishte ligji i aprovum, produkti i ligjit nuk vërehej në në në jetë, edhe rezultoi që gjetëm ni ni ni mundësi reale pra me arritë atë...

- Ajo, kjo Qeveri po gjon kohë me bo hajgare me ne, me thanë që duhet me ta qitë ni gotë ujë kur t’shkojsh me pi kafe, që në fund të fundit është çështje qejfi une kur t’shkoj me pi kafe, nëpër restorane, po tallet pra, po ta prishë debatin n’vend, e nuk po gjon kooohë, me ia zgjedhë problemin mjekut specialist, që është në front të luftës, shko ni herë në spital e shihe çka hekin ata njerëz, unë, unë, unë krejt puntë e dyjesë i kisha bo, veç mjek s’kisha guxu m’u bo...

-...nëse ka eee ëëë, nëse ëëë hetohen listat, e gjinden gabimet...