Shtojca për Kulturë

Dija albanologjike e Joklit një shekull më vonë

Ata që e kanë njohur Norbert Jokl-in, i kanë theksuar tiparet e tij prej shkencëtari serioz, kritik, objektiv dhe kër­kes­tar, njeriu të butë dhe të afrueshëm. Sipas E. Çabejtë: “ Norbert Jokli ishte njeri i parimeve dhe me karakter. Mik i madh i natyrës dhe kafshëve, në sjellejet në jetën e përditshme me kolegët dhe studentët ishte dashamirës dhe i gatshëm për ndihmë dhe gjithashtu shumë korrekt... Në kritikën shkencore ai ndiqte si rregull parimin 'suaviter in modo, fortiter in re'”. Çabej shprehte keqardhjen për fatin e materialeve që kishte mbledhur Jokli në punën e tij frymëgjatë lidhur me etimologjitë. e të tjerët e kanë theksuar objektivi­tetin dhe paan­shmërinë në vë­shtrimet e tij

Pesëdhjetë vjet më parë, në kolokuiumin e rëndësishëm në 30-vjetorit të zhdukjes së Norbert Joklit nga nazistët, Eqrem Çabej figurën e tij e vendoste në radhën e historikisht të më­dhenj­ve të shkencës al­ba­nologjike. E shquante si mjeshtër të vërtetë, që kishte sjellë frymë të re, gjerësi në metodë, thellim qenësor në njo­hjen shkencore të shqipes. Në atë bilanc Çabej nuk ngurronte që veprën e Joklit ta cilësonte të mbetur torso: e papërfunduar në shumë anë. Megjithatë, rezultate të shënueshme të tij shtriheshin në shumë fusha, preknin të gjitha aspektet e studimit të shqipes.

Në studimin “Albanisch” të vitit 1917 Jokli gjendjen e studimeve krahasuese për shqipen e kishte vlerësuar si vijon: “Gjuha e shqipëtarëve deri sot ka mbetur fëmijë jetim i gjuhësisë indoeuropiane.” Me këtë ai kup­tonte se në studimet për shqipen kishte pak hulumtues, shumë çështje që prisnin zgjidhje. Kjo ndodhte për arsye të ndrysh­me, si: gjendja e gjuhës si e veçantë, e vetme brenda degës, e vërshuar nga elemente të huaja, me dokumentim të vonë; rrethana të jashtme që lidhen me prapa­mbet­jen e vendit, me mungesën e gjurmimit sistematik të dialekteve, të thesarit leksikor, etj. Këtë vle­rësim e kishin rimarrë E. P. Hamp më 1966, W. Fiedler më 2006, B. Joseph më vonë, edhepse ndërkohë kanë ndodhur zhvi­llime të shoqë­ruara me ndry­shime paradigmash, konceptesh dhe mënyrash të studi­mit, zhven­dosje bërthamash të interesimit (Schwehr­punk­t), hapje hori­zontesh të reja. Janë krijuar përvoja dhe qendra të studimit sis­te­matik të gjuhës ndër shqiptarë.

Në studimin “Die Verwandtschaftsverhältnisse des Albanischen zu den übrigen indogermani­schen Sprachen”, përmes një histo­rie kritike lidhur me vendosjen e shqipes në raport me ato gjuhë, Jo­kli kishte sqaruar: pas veçimit të elementeve të huaja, del se shqipja ka një thelb që tregon kryekëput forma indo­europiane të mve­tësishme; në reflektimin e gutu­raleve bashkohet me grupin lindor (satem), në pikat e rëndësi­shme si shkrirja e ŏ-së IE me a dhe reflektimi i mediave aspirate IE në media, shkon bashkë me gjuhët europiane veriore. Prandaj “P. Kretschmeri… i mbështetur nga hulumtimi i Meyerit i kishte theksuar kontaktet e afërta të shqipes-smesapishtes me lituano-sllavishten kështu që pra, para­ardhësit e shqiptarëve (ilirët) kanë depërtuar nga vendbanimet e tyre veriore për në jug, duke kaluar përmes keltëve dhe trakëve”. Në vijim Jokli kishte shqyrtuar çështje të raportit të shqipes me gjuhët që në antikitet ndodheshin në truallin e shqipes ose në fqinjësi me të, me çështje të ra­por­teve të shqipes së lashtë me ilirishten, me trakishten, me makedo­nish­ten, me mesa­pishten, përveç se me latinishten e greqishten.

Në studimet etimologjike Jokli ishte autoriteti i gjithëpranuar nga bashkëko­hësit. Petar Skok më 1923, lidhur me veprën “Kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen” konstatonte se Jokli po e korrigjonte ndje­shëm fjalorin etimologjik të Meyerit dhe po hapte rrugë të reja. Sipas Meyerit dilte se shqipja ishte një gjuhë e përzier ku elementi i huaj është shumë i rëndësishëm dhe i mbivlerësuar. “Krahasimet etimologjike të Joklit qysh tash kanë bërë që të vlerësohet më shumë trashë­gimia IE në gjuhën shqipe”, vlerësonte Sko­ku. Jokli i mbahej metodës klasike në studimet IE: krahasonte me saktësi aspektet tingullore, morfologjike dhe semantike. Ai jepte kontribut për thellimin e metodës krahasuese në etimologji: hulumtonte gjërat të cila­ve u referohen fjalët. Jokli i ka shfrytëzuar gjerësisht njohjet e tij juridike për botën tradicionale shqiptare, ashtu si për jetën baritore-fshatare, bimësinë, përpunimin e drurit, etj. I jepte rëndësi lidhjes së shqi­pes me gjuhët e Ball­kanit, sidomos me rumanishten. Më duket se vrojtimet e përmendura të Skokut mund të konsiderohen të vlefshme për të gjitha studimet etimologjike të tij.

Në studimet etimologjike rruga e Joklit është ndjekur me shumë sukses dhe gjerësi nga Eqrem Çabej, i cili qe i shtrënguar, si mësuesi i tij, të vepronte në fushat e etimologjisë dhe të krahasimit me gjuhët e tjera në mungesë të një gramatike historike, të përshkrimeve dialektore e të studimit të gjuhës së autorëve të vjetër. Çabej qe i shtrënguar të bënte vetë bashkë me grupin përreth shumë nga këto dhe njëherësh t'i thellonte e zgjeronte hulumtimet etimologjike, duke u bërë kështu themeluesi i një shkolle studimesh të historisë së gjuhës ndër shqiptarë. Aspekti i hulumtimit të gjërave (Sachen) në detaje, i fjalëve po ashtu në detaje, i theksuar nga Jokli, me përvojat tani edhe të vështrimeve areale, të ngërthyera në vështrimin krahasues indoeuropian, është treguar produktiv te Çabej. Studimet etimologjike të Çabejtë mbetën po ashtu të papërfunduara në një fjalor etimologjik, megjgithatë, ato janë baza për çdo hulumtim të mëtejmë në këtë fushë.

Më vonë pati sprova për interpretime eti­molo­gjike të leksi­kut të shqipes në tërësinë e tyre. Martin Huld synonte shqyrtimin e leksikut bër­thamë IE të gjuhës shqipe. Ai punën e Joklit e vlerë­sonte si vijon: “Jokl (1911) ishte studiuesi i parë që paraqiste një studim të plotë të mbështetur në këtë perspektivë të re së cilës ai i shtoi në botime të mëvona, konkretisht (1923) dhe (1937)”, f. 13. Huldi ka zgjedhur 250 njësi leksikore, kryesisht sipas listës Swadesh e Lees (rreth 200), por ka shtuar të tjera me peshë, sipas tij, për rindërtimin fonologjik. Përvoja e Joklit është e konsultuar. Në vitet ‘90 të sh. XX kemi dy sprova të reja në fushën e etimologjisë shqipe. Bardhyl Demiraj botoi “Albanische Etymologien”, 1997, me 572 lema në 484 ff., me një hyrje për zhvi­lli­met historike të shqipes dhe me shë­nime të shumta shoqëruese. Një vit më vonë Vladimir Orel botoi “Albanian etymological dictionary” në ff. 670. Paralelisht me studimet e tij për gramatikën historike të shqipes, Orel thoshte se, duke u mbë­shtetur në përvojat e mëhershme të G. Meyerit dhe E. Çabejtë, po edhe të N. Joklit, M. Vasmerit e E. Hampit, e kishte ndër­tuar “Fjalorin etimologjik të proto­shqi­pes”. Më 2008 historiani i gjuhës shqipe, Kolec Topalli, pas një serie botimesh për historinë fonetike dhe për gramatikën historike të shqipes, në Tiranë botoi “Fjalorin etimologjik të shqipes” në rreth 2000 faqe, për të cilin ai thotë se “jo vetëm si kriter vlerësimi, por edhe si me­todë pune kemi pasur si pikë referimi studimet e Çabejt, që na kanë shërbyer si pikëmbërritje dhe si pi­kënisje”, f. 7. Në tërë këtë veprimtari njohjet që ka sjellë N. Jokli kanë qenë të rëndësishme.

Shkencëtari serioz, kritik, objektiv dhe kër­kes­tar

Çabej, Tagliavini, Stadtmüller e të tjerë kanë vënë në pah se Jokli ka lënë gjurmë në studimet për historinë grama­tikore të shqi­pes, në studimet e raporteve të shqipes me gjuhët përreth, në studimet e raporteve të saj me gju­hët e lashta – greke e latine, në studimet lidhur me vendin e shqipes ndër gju­hët indoeuropiane, sidomos me gjuhët IE të grupit verior – balto-sllave në lin­­d­je dhe gjermanike e kelte në perën­dim, ashtu si dhe me degën e grupit jugor – greqisht; në stu­dimet për raportet e shqipes me gjuhët e lashta ballkanike – me ili­rishten e me tra­kishten, e në lidhje me këtë edhe për vendin ku do të jetë folur shqipja në lashtësi. Ndryshe nga Peder­seni e Barići, tash vonë Kortlandti e Klingenschmitti, Jokli nuk i jepte rëndësi raportit të shqipes me armenishten.

Ata që e kanë njohur Norbert Jokl-in, i kanë theksuar tiparet e tij prej shkencëtari serioz, kritik, objektiv dhe kër­kes­tar, njeriu të butë dhe të afrueshëm. Sipas E. Çabejtë: “ Norbert Jokli ishte njeri i parimeve dhe me karakter. Mik i madh i natyrës dhe kafshëve, në sjellejet në jetën e përditshme me kolegët dhe studentët ishte dashamirës dhe i gatshëm për ndihmë dhe gjithashtu shumë korrekt... Në kritikën shkencore ai ndiqte si rregull parimin 'suaviter in modo, fortiter in re'”.

Çabej shprehte keqardhjen për fatin e materialeve që kishte mbledhur Jokli në punën e tij frymëgjatë lidhur me etimologjitë. e të tjerët e kanë theksuar objektivi­tetin dhe paan­shmërinë në vë­shtrimet e tij. Të gjithë e kishin theksuar qëndrimin e tij pasionant për stu­dimet gjuhësore kraha­suese, për vështrimet për shqi­pen. Për pasardhësin e Meyerit “nuk qe e shkruar që veprën e tij të jetës ta sintetizonte. Fjalori etimologjik, për të cilin ai me dekada aq shumë material kishte mbledhur, për të cilin ai Fjalorin e Gustav Meyerit në letër karboni në çdo vend me plotësime e korrigjime kishte pu­nuar gjatë gjithë jetës së tij deri në fund dhe që në vitet e fundit kishte filluar të shkruante në copa let­re, nuk u çuan deri në fund, më në fund u zhduk fare”, f. 6-7.

Image
Në studimet etimologjike Jokli ishte autoriteti i gjithëpranuar nga bashkëkohësit

Gjuha shqipe, pasar­dhë­se e një gjuhe paleoballkanike

Për raportet e shqipes me gjuhët e Ballkanit të lashtë Jokli ishte shprehur në disa raste, në “Real­lexicon” dhe në studimet që mbetën posthume. Ai mendonte se gjuha shqipe është pasar­dhë­se e një gjuhe paleoballkanike dhe në të gjente elemente që e lidhnin me ilirishten ashtu si me tra­­kishten. Për arsye të afërsisë me rumanishten dhe mbi bazë të analizave onomas­tike, vendin e hershëm të shqiptarëve Jokli e shihte në ha­pësirat e Dar­danisë antike. Ai kishte parë në shqipen gjurmë që e lidhnin atë me ilirishten ashtu si me trakishten, por nuk kishte thënë se ajo paraqiste një gjuhë hibride, një shkrirje të këtyre gjuhëve, siç ishte interpretuar te disa diskutues më vonë.

Sprachliche Beiträge zur Paläo-Ethnologie der Balkan­halb­insel (botuar pas vdekjes), Jokl-i kishte nxjerrë këtë përfundim: “Po të nxjerrim një përfundim nga materiali leksikor që u paraqit këtu, del se shqipja është gjuha e një populli që qysh në Lashtësi të mugëta dhe para së gjgithash në kohët pararomake dhe romake qëndronte në raport shkëmbimi gjuhësor me greqishten, që më tej do të thotë se shqipja dhe ilirishtja shkojnë bashkë”. I kundërshtonte qëndrimet e dy studiuesve ru­munë: idetë e A. Philippides që vendin e hershëm të shqiptarëve e shihte në periferinë e jashtme të Or­bis Ro­­manus, e të V. Pâr­vanit, i cili shqipta­rët i shihte të ar­dhur në kohën e dyndjes së popujve si paraprijës të serbëve nga Kar­patet në Ballkan. Aty nxirrte për­fundimin tjetër: “Kontaktet gjuhësore të shqyrtuara këtu të shqipes me greqishten e me latinishten, siç dua të besoj, u japin fund të gjitha hi­potezavetë tilla. Objekt i gjurmimeve të mëtejme do të jetë të konstatohet se cilit nga këta dy popuj – shqiptsarëve apo grekëve i përket e drejta për të qenë i parilenë në Siujdhesën Ballkanike”.

Henrik Barići në kritikën e tij për studimet “Albaner” dhe “Albanisch” të Joklit nuk e kundër­shto­nte “besimin se shqipja qëndron më afër me sllavishten dhe baltishten”, vinte i prerë lidhur me ka­­rakterin satem të ilirishtes: “Jam i bindur se artikulli paraqitur i Joklit nuk ka pasë sukses me pa­raqitjen e argumeteve të tij në të mirë te teorisë ilire”, f. 159. Ndaj vërejtjeve të tilla Jokli nuk kishte reaguar, pos ndërmjetshëm në studimin e cituar posthum “Sprachliche Beiträge zur Paläo-Ethnologie der Balkanhalbinsel”.

Një vërejtje ndaj Joklit, që Barići e shihte të rëndësishme, ka të bëjë me mendimin se ai, në përcaktimin e vendit të shqipes ndër gjuhët IE, i ka lënë jashtë shqyrtimit raportet e saj me arme­nish­ten dhe është marrë kryesisht me gjuhët IE të veriut. Nuk i mohonte lidhjet me balto-slla­vishten, por me­­n­­donte se ka lidhje le­k­­­sikore e gramatikore me armenishten, si Pe­dersen, dhe ato i ka parë si dëshmi për një afri më të ngushtë që nuk do lënë në hije. Barići kishte zhvilluar teorinë pas së ci­lës shqi­pja ishte gjuhë e tipit satem, si e tillë pasardhëse e trakish­tes, me afri me arme­nishten. Shqipja më herët ishte folur në Lindje të Ballkanit, ku ki­shte pasur mundësinë e kontakteve me romanitetin rumun, por në pjesët ku flitet tash paraardhësit e shqiptarëve kanë ardhur nga hapësirat lindore, mbase në sh. III-IV të epokës sonë. Ishte pajtuar me Joklin për interpretimin e emrit Bojana në slla­vishten përmes shqi­pes, kishte shtuar se Naissus në Nish kishte arritur përmes shqipes, ashtu si Astíbos - Shtip. Duke u mbështetur mbi këto supozime ono­mas­tike ai e kishte lënë të hapur mundësinë që para­shqiptarët të kenë ardhur nga Rodopet, apo ndonjëherë edhe nga Peonia. Emrat Nish dhe Shtip, bashkë me Shkup (Scupi), janë bërë pika orientimi për për­caktimin e vendit të hershëm të shqiptarëve në një traditë nga Gustav Weigandi e te Gottfried Schrammi. Ngjashëm dhe te teoria e Vladimir Georgievit për prejardhjen e shqipes nga dako-mizishtja (trakishtja), te diskutimet e Grigore Brâncuşit, më vonë të Paliga, në lidhje me raportet shqipe-rumanishte, etj. Implikimet e aspekteve onomastike në çështjet e vendit ku do të jetë folur shqipja në lashtësi dhe lidhur me raportet e shqipes me gjuhët e lashta të ballkanit janë diskutuar tash vonë në një tjetër drejtim te Michael Matzinger, për çka këtu nuk është vendi të flasim.

Henrik Barić ishte marrë me idetë e Joklit edhe herë të tjera. Kishte vërejtje lidhur me pa­ra­qitjen e vendit që ze shqipja në rre­thin e gjuhëve IE, sidomos në raport me lidhjet gjenetike ndaj tra­ki­sh­tes e ilirishtes. Barići mendonte se nuk kishte ardhur koha për përcaktime të atilla. Ta sho­hësh këtë çështje të zgjidhur në frymën e hipotezës së Gustav Meyerit për prej­ardhjen ilire të shqi­pes, siç bën Jokli, kjo tregon “një nën­shtrim tepër të madh ndaj autori­te­teve”, thoshte Barić, f. 210. Nga dis­tan­ca e sotme mund të thuhet se Joklit nuk mund t’i bëheshin vërejtje për nënshtrim ndaj autoriteteve, por mund të jetë që Barići donte të fitonte hapësirë për theksimin e ideve të veta. Për raportet e shqipes me ilirishten ai ishte i prerë kundër mendimit të Joklit: “Ndërkaq, sa i përket çështjes ilire, do të duhet me siguri me rrahë rrugë të tjera”.

Çabej, Cimochowski, Katičić, Desnickaja, Neroznak, Domi, Ajeti, Demiraj, Mansaku, Is­majli kanë ndjekur rrugë të tjera në diskutimet e tyre për këto çështje, duke e parë më parë shqipen në Ballkanin e lashtë jugperëndimor, prandaj edhe lidhjet e saj me ilirishten. Demiraj, madje, në periodi­zimin e historisë së shqipes, formimin e shqipes në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit nga ili­rishtja si “nënë” e saj në shekujt IV-VI të erës sonë. Pa pasur mundësi të merremi me detajet e kon­ceptimeve të autorëve të përmendur, do të shtoj­më se, derisa Cimochovski pajtohej me idenë e përafërt të Joklit për vendin e hershëm të shqiptarëve në veri të linjës Jireček, ashtu siç bënte Hamp me idenë e tij për albanoidishten, Çabej e kishte ndjerë nevojën e korrigji­­mit të idesë së Joklit për vendin e hershëm të shqipes vetëm në Dardani, për të përfshirë aty edhe Adriatikun. Në këtë linjë kishin zhvilluar diskutime Sh. Demiraj, S. Mansaku, R. Ismajli, etj. R. Kati­čić men­­donte se shqipja në fazat më të hershme në Ballkan do të jetë folur afërsisht në hapë­sirat ku flitet sot. Shtrirja gjeo­gra­fike dhe kronologjikë kohore e dallimeve dialektore midis toskërishtes e gegnishtes flet kundër ven­dosjes së hershme të shqipes në veri të linjës Jireçek, kanë argumentuar tash vonë Beci e Ismajli. Ide­të e Çabejtë janë gjerësisht të njohura, ndërsa të tjerat të diskutuara në li­b­rat e Sh. Demirajt, në disa aspekte janë paraqitur tek Ismajli.

Ideja që vendi i her­­shëm i protoshqipes të ketë qenë në Europën Veriore

Diskutimet që përfillin orientimin e përgjithshëm të Joklit, në hulli të mendimit të Meyerit, sa u përket raporteve me gjuhët indoeuropiane të veriut – balto-sllave e gjermanike, janë zhvilluar nga Hamp, Desnic­kaja, Liukkonen, Širokov, Kle­menčič, H. Mayer e të tjerë. Çabej ka kërkuar t'i zgjeronte izoglosat me keltishten në perëndim dhe gre­qishten në jug, duke bërë dallime kohore të shtresëzimit të tyre. Kjo të çon, në bindjet e Joklit, tek ideja që vendi i her­­shëm i protoshqipes të ketë qenë në Europën Veriore, në afërsi të balto-sllavishtes, në një anë, e të gjermani­kishtes, në anën tjetër. Në jug është parë armenishtja me gre­qishten, sado që W. Porzig nuk e linte pa theksuar se një pjesë e izoglosave të her­shme greko-shqipe duhet të jenë të kohës kur të dy këto idioma do të jenë folur në Veri.

Martin Huld, në veprën e tij “Basic Albanian Etymolo­gies”, 1984, kishte provuar që prej materia­leve të paraqitura të rindërtonte historinë IE të shqipes. Pa qenë në gjendje të zgjatemi këtu, le ta citojmë shkurt: “Shqipja, kështu, mund të shihet si lidhje midis një bashkësie më të vjetër juglindore të dominuar nga greqishtja dhe armenishtja dhe një grup më i fortë veriperëndimor brenda të cilit shqipja është më e afërt me baltishten e sllavishten e pastaj me grupet më perëndimore, gjerma­nikishte, itali­kishte dhe keltike”.

Këtu ai shihte identifikime me konceptin e Nopcsas për identifikimin e kulturës shqiptare si vazhdim të Hallstattit të kohës së hekurit. Rikujtonte idenë e Hampit për lidhjet në shpjegime të fjalëve të veçanta në ha­pësirën ballkano-karpatike, si mbijetesë të një familjeje që ai e quante “Albanoid” (Hamp 1976b:201, 1978b:114), f. 162.

Në shumë pika vështrimet e këtij lloji dallojnë nga ato të Joklit kryesisht në nuancimet që kanë sjellë zhvillimet në gjuhësinë krahasuese. Mbetet relacioni i vendosur me Nordeuropäisch, qysh nga Meyeri e Jokli, por diskutohen çështje të veçanta. Bie në sy një shkallë tjetër e afrisë me gjuhët IE të jugut – greqishten e armenishten.

Këtu nuk ka mundësi të merremi këtu me didskutimet për relacionet e gjuhës shqipe me tra­kishten (dako-mizo-trako-gete), as me konceptin e Hampit për albanoidishten (shih Ismajli 2015), le të themi një fjalë dhe për zhvillimin tjetër, në të kundërtën e ideve të Joklit.

Një drejtim tjetër nga linjat e ndjekura te Jokli

Në një drejtim tjetër nga linjat e ndjekura te Jokli kanë shkuar diskutimet në kohë të vona për raportet midis shqipes e armensihtes, sidomos te G. Klin­gen­schmitt: lidhur me çështje gramatikore, konkretisht me zhvillimet në fushën e foljeve. Me këtë rast ai theksonte grupimin e gjuhëve të lashta ball­kanike (Balkanindogermanisch – indoeuropianishte ballkanike), ku do të hynin shqi­pja, greqishtja, armenishtja, frigjishtja. Për lidhjet midis shqipes e armenishtes ki­shte shkruar më parë F. Kortland, duke sugjeruar se “ngjashmëritë midis dy gjuhëve e mbështesin idenë se ato vijnë nga dialekte indo­euro­piane afër njëri tjetrit, të vendosura midis greqishtes në jug dhe baltosllavishtes në veri.” Ndër­ko­hë ka pasur kritika nga autorë të ndryshëm lidhur me konceptimet për afrinë e shqipes me trakishten dhe përgjithësisht kjo linjë e diskutimeve tanimë nuk duket krejt aktuale.

Michael Matzinger në kohët e fundit po merret me ridiskutimin e tërë këtij kompleksi të çësh­tjeve. Në vështrimet e tij theksohet se sa u përket trakishtes dhe shqipes nuk mund të flitet për raporte prejardhjeje. Në një tjetër ndihmesë ai ka folur dhe për raportet e mundshme midis shqipes e ilirishtes dhe ka nxjerrë përfundimin se “... shqipja duhet të jetë vazhduese e një gjuhe prej andej të pavarur [nga ilirishtja], të mëvetësishme lashtoballkanike”. Në një tjetër ndihmesë ai është marrë me raportet e mundshme midis shqipes e iliri­shtes, me diskutimin e toponimeve Scodra: Shkodër, Ulcinium: Ulqin, Durrachium: Durrës, etj. për të nxjerrë prej kë­saj përfundime të kundërta me të Çabejtë, Demirajt, për një pjesë të Joklit: “Dëshmitë e toponimeve në këtë aspekt të çojnë te njohja këlthitëse se shqipja nuk mund të trajtohet si gjuhë pandërmjetshëm pasardhëse të ilirishtes antike... Shumë më tepër paraardhësit e shqiptarëve të sotëm në këto hapësira duhet të jenë të ardhur”. Për diçka të tillë du­heshin argumentime të gjera.

Ndryshe nga konceptimet e kohës së Joklit vijnë idetë për Balkanindogermanisch, ashtu si janë formuluar në frymën e konceptimeve të G. Klingenschmitt, te W. Sowa: “në indoeuropeistikën e sot­me nuk ka asfarë dyshimi se në historinë e stërlashtë të greqishtes, armenishtes, shqipes dhe gjuhëve të tjera mund të qëndronte një shkallë e përbashkët”.

Këtu duhet të themi se mbetet për t’u shënuar që idetë e Joklit në historinë e albanistikës janë diskutuar dhe vazhdojnë të jenë objekt shqyrtimesh. Ndër shqi­ptarë deri vonë idetë e tij njiheshin më shpesh përmes rrethanës fatlume që Eqrem Çabej i paraqiste idetë e tij në format më të përshtatshme për të tjerët në gjuhën shqi­pe. Albanistika sot këto çështje është në gjendje t'i diskutojë nga një bazë tjetër: tashmë i kemi përvojat e studimeve etimologjike që u përmendën, i kemi përvojat e studimeve historike dhe të gramatikave historike në disa breza pas Çabejtë – nga Domi, Ajeti, Riza, Sh. Demiraj, Bokshi, Topalli, Orel, etj.

Me rastin e përurimit të botimit shqip të për­kthyer nga Eqrem Ça­bej “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, dhe të ribotimit të versionit gjer­manisht 100 vjet pas botimit të parë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 2011, profesor Seit Mansaku shpjegonte se man­gësitë në botimet sistematike të rezultateve albanologjike jashtë vendit u detyroheshin arsyeve të ndryshme, por “kryesorja besoj të ketë qenë klima jo e favor­shme për t'i lënë hapsirë li­te­ra­turës së huaj perëndimore”. Selman Riza më 1956 e kishte theksuar nevo­jën e ndërmarrjes së një vlerësimi kritik të punimeve të deriatë­hershme në lëmin e gjuhësisë, në mënyrë që t'i ndihmohej kapërcimit të gjendjes ku kemi “mosfa­mil­ja­rizimin e linguistëvet të huaj me të dhënat e filo­logjisë shqipe dhe mos­shfry­tëzimin e puni­me­vet të lin­guis­tëvet të huaj nga ana e filologëvet vendas”.

Ndërrmarja e botimit shqip e gjermanisht të ve­p­rës së Norbert Joklit, ashtu si të veprave të albanologëve të tjerë, shihet si një projekt me rëndësi i ASHAK-ut. Tash Jemi te vëllimi i ka­tërt e i fundit i veprës së Joklit, që mund të dalë mbase në vitin 2023.

Në kulturën shqiptare vepra dhe figura e Norbert Jokl-it ka qenë prej kohësh e pranish­me qysh në vitet ‘30. Pekmezi, Çabej, Xhuvani e shumë intelektualë të tjerë kanë mbajtur lidhje të drejtpër­drejta me Jokl-in. Kohët e fundit studiuesi Pe­trit Kotrri me librin “Nor­bert Jokl und seine Studien zur albanische Sprache”, Dukagjini Balkan Books, Pejë, 2003, ff. 191 solli shumë shënime, diskutime dhe vle­rësime me interes për figurën dhe veprën e Jokl-it (ka dhe një botim shqip).

Fjalë e lexuar në Konferencën shkencore me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së albanologut të madh që zhvillohet në Universitetin e Vjenës më 3 maj 2022. Fusnotat janë hequr nga Redaksia.